Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Proza poetike e Nasho Jorgaqit
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Kulture > Proza poetike e Nasho Jorgaqit
Kulture

Proza poetike e Nasho Jorgaqit

Published: August 22, 2023
Shpërndaje

Jovan Bizhyti

 

Një vit pa profesorin dhe shkrimtarin tonë të talentuar, shokun dhe mikun e paharruar, Nasho Jorgaqin. S’ka si të harrohet një shkrimtar i tillë, që ka lënë pas jo vetëm emrin e dashur dhe të nderuar, por kryesisht veprat e tij, gjinitë e ndryshme letrare e historike me mesazhe të bukura lirike, që mbeten jo vetëm në raftet e stendat e librarive dhe bibliotekave, por dhe në mendjet e mijëra e mijëra lexuesve të moshave të ndryshme.

- Publicitet -

Duke mbajtur në duar një libër të kohëve të fundit, që nga forma duket i vogël, nën një kopertinë me peizazh vjeshte, i titulluar “DASHURIA NËN QERPIKË” të shkrimtarit tonë të mirënjohur, Nasho Jorgaqi, me lirika në prozë poetike, nuk ke si të mos magjepsesh me bukurinë e fjalës, me harlisjen e ndjenjave e metaforave që mrekullojnë me aromën e një lirishteje, që vetëm Nasho Jorgaqi di t’i qëndisë me mjeshtërinë e tij poetike.

Që në kopertinën e librit në atë peisazh vjeshte, ku bien në sy rrëketë e shiut që marrin përpara gjethet e pemëve, që era e vjeshtës i davaritë rrugëve e lëndinave të natyrës, veshur me vellon e verdhme në të kafenjtë, që të magjeps qysh në vështrimin e parë. Por në brendi, duke e shfletuar, shpalos vlera lirike e filozofike të një proze poetike, që i kalon përmasat dhe vlerat e vjershave vargëzuese dhe që vetëm pena e talenti i Nasho Jorgaqit mund t’i shpreh aq bukur, aq mençurisht dhe me një gjuhë letrare kaq të pasur.

Është stili i veçant i tij, që i shpreh kujtimet e ndjenjat aq bukur e ndjeshmërisht, me një tematikë të gjerë e të larmishme, me vargëzime në prozë që tingëllojnë si vargje kënge. Vendin kryesor në këto lirika poetike e zë dashuria që nuk njeh moshë, nuk njeh largësi, nuk njeh ndarje fizike, ajo dhe pas shumë vitesh mbijeton, vjenë e freskët, e vrullshme dhe me patosin e saj rinorë. Autori e sheh dashurinë si një lule që çel nën qerpikë, që sintetizohet dhe në titullin e librit. Ja si e përkufizon ai:

-“Tatëpjetë qerpikëve zbret nuri yt i purpurt.

Ndizen dritat e syve të tu. Anash tyre feksin krahë dallandyshesh.

Tek buzët kuqëlojnë trandafilat.

 Nën ta shtrihen lëndinat e fshehura të gushës.

Përtej gjarpëron shtegu i bardhë i kodrave.

Sipër supeve varet shelgu i zi i flokëve.

Nën ata qerpikë, bukuria e jote hesht. Atë zë vetëm unë e dëgjojë!”

Pra, proza e tij poetike vargëzon si poezi në një formë të re shprehje, e cila kërkon jo vetëm mjeshtëri artistike, por dhe koncentrim mendimi, përvojë e pjekuri artistike, që Nasho Jorgaqi i barte në gjithë karrierën e tij si shkrimtar, studiues dhe pedagog i gjuhës e letërsisë shqipe.

Autori dashurinë e kërkon edhe në vargjet e këngëve popullore, të cilat i shpreh jo vetëm me fjalë të bukura magjepse, por dhe me metafora poetike duke i krahasuar me zjarrin që djeg e përvëlon shpirtin rinorë. Ai i drejtohet këngëtarit që i këndon dashurisë në një këngë qytetare beratase:

-“O këngëtar?.. dua të pyes: Si të dolën ato fjalë kur këndove këngën, “Shkrepëtiu e doli flakë”? Çfarë zjarri digjej brenda teje? Çfarë dashurie ishte ajo që të digjte e të bënte të nxirje flakë nga goja?”

Dhe pa pritur përgjigjen e këngëtarit, ai sqaron, se zjarri i kësaj dashurie që digjet me flakë, lëshon pas tymin që ngjitet lartë gjer në re, duke lënë në heshtje një zemër të dashuruar që thërret:

“Ç’ke o shpirt që nuk po më del!?”

Disa vargje më poshtë, autori fletë për një dashuri të ndarë e të ngurtësuar prej disa vitesh, që ishte shndërruar si një statujë. Ai e përkufizon:

“E ngurtë dhe prapë e bukur! E ftohtë dhe prapë e përmallshme! Ata s’dinin se çdo bënin me të? Ku vallë ta çonin? Ajo tani e gjeti vet shtegun për në zemrat e tyre. Ata ndjenë përbrenda vetes peshën e saj, pengun e dashurisë së humbur!”

Në tematikën e këtij libri me lirika të prozës poetike, dashuria zë një vend kryesor, të cilën autori e përshkruan në të gjitha momentet e fazat e zhvillimit të saj. Romantika në lirikat e Nasho Jorgaqit shkon më tej dhe në premtimet e dashurisë.

“Nesër të premtoj se do të vijë.

            Nuk e di do të zbres nga qielli në tokë, a do të dal nga dheu në dritë.

            Po do të vijë. Do të vijë vetëm për një çast sa të të shoh ty,

            të shkarkojë mallin e mbledhur dhe të iki nga kam ardhur.

            Ta dish se do të vijë, për ta bërë ëndrrën tënde të gëzuar!”

Autori në prozën e tij poetike përcakton dhe fatet e dashurisë. Midis të tjerave ai shkruan:

-“Dashuria kthehet në lodër, kur ne luajmë me njeri-tjetrin.

            Dashuria kthehet në jetime, kur ne e braktisim njeri-tjetrin.

            Dashuria kthehet në perëndi, kur ne besnik i qëndrojmë njeri-tjetrit.”

Në tematikat e këtyre lirikave, autori e vë theksin edhe tek mbështetja në traditat e në tabanin tonë kombëtar. Në se një krijues mbështetet fortë në këtë taban, vepra e tij do ti mbijetojë kohëve dhe rrebesheve. Ja si e përdor ai metaforën e kësaj mbështetjeje, duke vënë qëndresën e një peme përballë një stuhie të egër e të furishme. Sado e fortë kalon stuhia, pema përkulet e përkulet deri afër tokës dhe prapë mbijeton! Kur stuhia qetësohet, ajo e drejton përsëri trupin e lakuar. Në fund autori shkruan:

“Kuptova se forca dhe qëndresa e saj, vinte jo aq nga trungu i lakueshëm,

se sa nga rrënjët e fshehura thellë nën tokë.”

Në kujtimet e tij, Nasho Jorgaqi, thërret dhe kohën e shkuar të mbushur me ndjenja e kujtime, duke e personifikuar atë me “Shtëpinë e kujtimeve”. Ai shprehet:

“O kohë e shkuar, o jeta e ime!

Ti e ngarkuara dhe e mbushura plotë e përplotë me njerëz, me ngjarje, me gaze e derte.

Ti qetësisht vjen drejt meje, sa herë unë ndjej mall e kam nevojë për ty.

Ti që më sjell aq pengje e pendesa, aq zhgënjime e mësime. Dhe të gjitha këto brenda meje, në “Shtëpinë e kujtimeve”, që nuk di, e bart unë, apo më bart ajo me vete?!”

Ai i bënë një përshkrim të bukur dhe natyrës me pemët që lulëzojnë kryesisht në pranverë, duke i përkufizuar me tog-fjalësh të një shqipe të pasur. Në lirikën e tij, “Peisazh”, ai shkruan:

“Ullinjë tendëargjendë, fiq krahëthatë, ftoj degëlulëzuar, shelgje flokëlëshuar dhe në mes tyre një lofatë që ndez pllajën me prushin e luleve të saj.”

Natyrën e lidh bukur dhe me dashurinë, ndjenjat e sëcilës i krahason me frutat e pemëve dhe me dëborën që mbulon kreshtat e maleve:

“U çava si shega e kuqe, duke flakëruar për ty!

U thinja si bora e malit, duke menduar për ty!

Plasa si guri i shkëmbit, duke të pritur ty!”

Pra, me këto krahasime e figura letrare, autori jep mesazhin e ndjenjave të zjarrta ndaj dashurisë, së cilës njeriu duhet ti qëndrojë besnik në të gjitha fazat e jetës.

Nasho Jorgaqi shpesh metaforat dhe figurat letrare poetike, shumë herë i krahason me natyrën, me bimët e drurët e ndryshëm frutorë. Ai në librin e tij krahason se dhe bimët dashurojnë në mënyrën e tyre natyrore si dhe njerëzit. Ai shkruan:

“Isha fëmijë e u bëra burrë dhe nga pamja e oborrit të shtëpisë, një gjë nuk ka ndryshuar. Ulliri dhe pjergulla, që vazhdojnë të rrinë të përqafuar. Koha asnjëherë nuk i ka ndarë. Ngaherë ashtu i mbaj mend, ai i lartë, i thinjur, disi hijerëndë, ajo e lakuar, e brishtë, e gjelbër, mbushur me fruta dhe plotë nur.

-Nga herë të pandarë, natën dhe ditën, në të ftohtë e në të nxehtë.

Nga herë të rrokur me njeri-tjetrin, në erë e në shi, në dimër dhe në verë.

Nga herë të përqafuar, nga rrënjët deri në kreshtën e trungut.

Vallë si nuk u lodhën, si nuk u mërzitën njëherë?!

Ç’është ajo forcë, që vitet kalojnë dhe ato i mbanë në këmbë?

Ç’është ajo dashuri drurësh, që më zgjon kaq ëmbël imazhin e përqafimit njerëzor?!”

Një mataforë e bukur që e hyjnizon forcën e dashurisë, e bënë atë mbi njerëzore, deri dhe tek pemët, ku ulliri dhe pjergulla e simbolizojnë këtë hyjnizim.

Në këto vargëzime të prozës poetike, një vend të rëndësishëm zë gruaja, gjysma e njerëzimit, Eva që ra në krahët e Adamit dhe shumuan njerëzimin. Nasho Jorgaqi këtë grua e përshkruan bukur si një qënie e rëndësishme e bukurisë dhe dashurisë njerëzore, ku ai shkruan:

-“Çështë kjo bukuri e gruas, që shpërthen e lulëzon ashtu nëpër tërë qënien e saj?

Nga fijet e flokëve, tek sheshi i ballit të saj.

Nga streha e qerpikëve, te bebja e syve.

Nga gropëzat e faqeve, te çerdhja e buzëve.

Nga lartësia e supeve, te shtegu i belit.

Nga zejet e dhëmbëve, te fildishi i thonjve.

Nga harpa e krahëve, te shtyllat dorike të këmbëve.

Gruaja, një ngrehinë e magjishme, një qënie e perëndishme,

Një lule toke gatuar me qiell, pa të cilën bota do të ishte shkretëtirë!”

Tematika e kësaj lirike në formën e prozës poetike të Nasho Jorgaqit në këtë libër, është e gjërë dhe e larmishme. Midis të tjerave, do vlerësoja gjuhën e pasur shqipe që përdor ai. Cilido lexues që qëmton në veprat e këtij shkrimtari, pasuron shumë fjalorin e gjuhës sonë të bukur shqipe, së cilës, veçanërisht brezi i ri, po i arnon shumë fjalë të huaja nga gjuhët e përvehtësuara të Europës.

Sa bukur ky profesor i shquar i letërsisë shqipe, mbanë në prozën e tij një margaritar të tërë në fjalorin me fjalë të bukura e tashmë të rralla që po vijnë drejtë shuarjes në gjuhën tonë. Ja disa nga fjalët e bukura e të rralla që Nasho Jorgaqi i ka përdorur dhe në këtë libër të prozës së tij poetike:

-“Të kapluar nga mendimet”, “Ngërdheshi buzët”, “Nga kurmi yt u shastisa”, si dhe fjalë të tjera: Ndajnate, mugët, frushullima, margaritarta, rrëmeti, fanepse, pikëzuar, kaltëruar, barkuar, malluar, dregëzuar, ciflosur, hiret, degëshumë, kundronë, mpakur, farfuritëse, zhbëu, tendëargjëndë, degëlulëzuar, e shumë e shumë fjalë të tjera të gjuhës sonë të bukur, që shpesh janë lënë në harresë.

Për prozën dhe lirikat e Nasho Jorgaqit, kanë bërë vlerësime dhe disa nga kolegët më në zë të letrave shqipe si:

Dritëro Agolli,-“Proza e Nasho Jorgaqit, një prozë e brishtë, e tejdukshme si xham. Ai është një mjeshtër i shquar i bukurisë së fjalës shqipe.”

Nasi Lera,-“ Prozën dhe lirikat e Nasho Jorgaqit i lexon me një frymë. Të tërheq fortë lirizmi i thellë. Një dhembje lirike që të prek.”

Vath Koreshi,-“Nasho Jorgaqi është një vrojtues i thellë i shpirtit njerëzorë.”

Ymer Çiraku,-“Nëpër këto etyde dhe proza të shkurtra letrare, ka një harlisje ndjenjash e metafora që të mrekullojnë me aromën e një lirishteje. Nasho Jorgaqi punon si në filigram, i përkushtuar dhe parreshtur, duke derdhur jo vetëm pasion të thellë, por dhe shumë delikatesë, finesë dhe poezi.”

Nasho Jorgaqi në këtë lirikë poetike, ndjenë dhe fundin e tij, moshën e pleqërisë, të cilën e përkufizon me fjalët, “Vjen fundi i rrugëtimit që ke nisur!” Midis të tjerave ai shkruan:

“Vjen një moshë kur koha nuk ka më mëshirë! Rrethi i saj i hekurt, sa vjen e mbyll horizontin e jetës. Merr fund loja gazmore e shpërfilljes. Vendin e saj e zënë kufijtë e përllogaritur të ekzistencës. Jeta kthehet në një aritmetikë që di vetëm të zbresë. Të gjitha zbritjet nisin e mbarojnë me ty. Vjenë një moshë që koha merr pa mëshirë nga ditët e jetës tënde. Çdo gjë që ke bërë në jetë, nis ngadalë të shpërbëhet. Heshtja mposht fjalën, qetësia bëhet frymëmarja e shpirtit. Nga brenda fiken dritat pak e nga pak, nga jashtë bien hijet si gjethet në fundin e vjeshtës!” Ai dhe në biseda të lira e përsëriste shpesh:

– “Nuk më tremb vdekja, por harresa!”

Megjithse ky kollos i letrave shqipe, që nuk ka veç një vit që është ndarë nga jeta, shkëlqimit të veprave të tij, nuk ka për ti rënë kurr hija e harresës. Pra Nasho Jorgaqi jeton e do jetojë me veprat e tij në masën e lexuesve, në libraritë e bibliotekat si një shkrimtar i preferuar dhe i dashur i kohës dhe në kujtimet e miqëve e shokëve të shumtë që la pas dhe që s’kanë për t’a harruar kurrë.

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • LISTA: Arrestimet në Kadastrën e Durrësit, këto janë pronat që u tjetërsuan nga zyrtarët nën hetim
  • 10 korrik 2026
  • Një cirk i dështuar
  • Xhafaj kritika KLGJ: Gabim i madh zbatimi i hartës së re gjyqësore, ua thashë që në fillim
  • Çfarë do të ndodhë me protestën

Komentet e Fundit

  1. Dulla on LISTA: Arrestimet në Kadastrën e Durrësit, këto janë pronat që u tjetërsuan nga zyrtarët nën hetim
  2. Gani USA on Çfarë do të ndodhë me protestën
  3. MODERATORI on Çfarë do të ndodhë me protestën
  4. Kokpalari 21 janarit on Një cirk i dështuar
  5. MIGENA ALEKSI on Një cirk i dështuar

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?