Migena Aleksi – DITA
Të mbështesësh reformën në drejtësi, do të thotë veç të tjerave, edhe të mos mbyllësh sytë para devijimeve të saj. Një drejtësi që lind me hije dyshimi, është një drejtësi që i jep armë në dorë pikërisht atyre që kërkon të ndëshkojë.
DITA ka qenë dhe mbetet një mbështetëse e palëkundur e Reformës në Drejtësi. E kemi konsideruar atë si të vetmen shpresë për të thyer murin e pandëshkueshmërisë që ka rrethuar kështjellat e larta të politikës shqiptare për tre dekada.
Sot, kur shohim se drejtësia po troket më në fund në dyer që dikur konsideroheshin të paprekshme, bindja jonë forcohet. Ky vend ka nevojë jetike për SPAK-un dhe Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH).
Mirëpo, pikërisht sepse besojmë te kjo reformë, nuk mund të heshtim kur shohim se si “mëkati fillestar” i procedurave të dyshimta po njollos pritshmëritë tona më të larta.
Zgjedhja e kreut të BKH-së mbart një pikëpyetje që nuk mund të anashkalohet me heshtje zyrtare. Kemi pritur me durim reagimin zyrtar pas publikimeve tona të pak kohëve më parë.
Dokumentet që kemi konsultuar tregojnë një përmbysje të pashpjegueshme të renditjes meritokratike. Kur kandidati që kryeson me pikë në çdo fazë teknike, nga testimi fizik te ai i integritetit, “humbet” befasisht garën në metrat e fundit, pyetja nuk ka si shmanget: Kush e bëri llogarinë dhe me çfarë interesi?
Nëse BKH është konceptuar si “FBI-ja shqiptare”, ajo duhet të operojë me saktësi kirurgjikale. Një proces përzgjedhjeje që lë pas shijen e hidhur të “përzgjedhjes me dorë” (cherry-picking), është një goditje ndaj vetë institucionit përpara se ai të nisë punën.
Rreziku i shantazhit, arma që u japim të korruptuarve
Ne jemi koshientë se klasa e vjetër politike, ajo që sot ndihet e kërcënuar nga veprimet e SPAK, po përdor çdo mjet për të kundersulmuar. Strategjia e tyre është e qartë. Të zhvlerësojnë moralisht institucionet e reja.
Pikërisht këtu qëndron shqetësimi ynë. Kur një institucion si BKH lind me një procedurë të kompromentuar, ai i jep “municion” pikërisht atyre që duan ta shkatërrojnë reformën. Çdo hetim i nesërm, çdo dosje e nxehtë, do të sulmohet me argumentin se: “Kush na heton? Ata që erdhën në detyrë përmes përmbysjes së listave?”
Drejtësia nuk duhet të jetë vetëm e pavarur, por duhet të duket e tillë në çdo qelizë të saj. Ajo duhet të jetë e pastër si qelibari që të mos jetë e shantazhueshme nga “ujqërit” e politikës.
Kërkesa zyrtare që DITA i ka drejtuar pak kohë më parë Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) nuk është një sulm, por një akt mbrojtjeje për reformën. Ne kërkojmë procesverbalet, shënimet individuale dhe arsyetimet e asaj përmbysjeje renditjeje, sepse publiku ka të drejtë të dijë nëse drejtësia po ndërtohet mbi shkëmb apo mbi rërë.
Heshtja e institucioneve apo tentativat për të fshirë shkrime investigative përmes sulmeve kibernetike, vetëm sa e thellojnë dyshimin. Një reformë që kërkon transparencë nga të tjerët, duhet ta nisë transparencën nga vetvetja.
Ne duam një SPAK të fortë. Ne duam një BKH efikase. Por mbi të gjitha, ne duam një drejtësi që nuk i detyrohet asgjë askujt, përveç ligjit.
Ajo që e bën edhe më shqetësues këtë proces, nuk është vetëm përmbysja e renditjes, por edhe shfaqja publike e Këshillit të Lartë të Prokurorisë gjatë seancës plenare. Kushdo që ndjek procesverbalin apo dëgjon diskutimet e asaj mbledhjeje, përballet me një realitet tronditës, mungesën e plotë të peshimit moral dhe ligjor.
KLP duhet të ishte arena e një debati të fortë mbi integritetin dhe meritokracinë, sidomos kur bëhej fjalë për përmbysjen e renditjes së një kandidati që udhëhiqte me pikë në çdo fazë teknike. Por pamë një seancë që ngjante më shumë me një formalitet noterial. Çështja e kreut të BKH-së u kalua me një shpejtësi që e fyen inteligjencën e publikut.
Anëtarët e KLP-së dukeshin sikur po votonin për një rregullore administrative të rëndomtë dhe jo për njeriun që do të ketë në dorë çelësat e hetimeve më të nxehta në vend.
Zgjedhja e kreut të BKH-së ka lënë një njollë që mund dhe duhet të pastrohet vetëm përmes së vërtetës së plotë. Nuk mund të luftohet korrupsioni i vjetër me hije korrupsioni të ri. Që reforma të triumfojë mbi shantazhet e politikës së pandëshkuar, ajo duhet të jetë e pacënueshme në integritetin e saj.
Çdo gjë më pak se kaq, është thjesht ndërrim i duarve që mbajnë çelësat e dosjeve, por jo ndryshim i sistemit që qytetarët kërkojnë me dëshpërim.
PYETJET QË REDAKSIA I KA DËRGUAR KLP-SË NË MËNYRË ZYRTARE
Për këto pyetje ka ardhur një përgjigje e pjesshme, ende jo e plotë:
I nderuar Kryetar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë,
Të nderuar anëtarë të KLP-së,
Në mbështetje të Ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, si dhe në ushtrim të interesit publik dhe rolit të medias për informimin e saktë të opinionit publik, ju drejtohemi me këtë kërkesë zyrtare për vënie në dispozicion të dokumentacionit lidhur me procesin e përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Konkretisht, kërkojmë të na vihen në dispozicion, në formë kopjeje zyrtare (elektronike ose shkresore), dokumentet e mëposhtme:
– Procesverbalet zyrtare të mbledhjeve të Komisionit të Përzgjedhjes për të gjitha fazat e vlerësimit të kandidatëve, përfshirë fazat 1–6 të procesit.
– Tabelat e renditjes së kandidatëve pas përfundimit të secilës fazë të vlerësimit, përfshirë renditjen përfundimtare para fazës së fundit dhe mënyrën se si ajo është reflektuar në vendimmarrjen finale.
– Aktet zyrtare shpjeguese ose arsyetimet me shkrim që justifikojnë ndryshimin ose përmbysjen e renditjes së kandidatëve nga fazat e mëparshme në fazën përfundimtare të procesit, nëse një ndryshim i tillë ka ndodhur.
– Çdo shënim individual, vlerësim, koment apo opinion i shkruar nga anëtarët e Komisionit të Përzgjedhjes, përfshirë, por pa u kufizuar, shënime të natyrës “jam për kandidat tjetër” apo formulime të ngjashme që ndikojnë në vendimmarrje.
– Vendimin përfundimtar të KLP-së për përzgjedhjen e Drejtorit të BKH-së, së bashku me relacionin shoqërues dhe bazën ligjore të përdorur për këtë vendim.
– Aktet që përcaktojnë peshën e secilës fazë të vlerësimit dhe mënyrën e llogaritjes së pikëve, si dhe çdo dokument që tregon nëse dhe si është respektuar renditja meritore e kandidatëve.
Kjo kërkesë bëhet në funksion të transparencës, verifikimit të respektimit të procedurës ligjore dhe informimit të saktë të publikut mbi një proces me rëndësi të veçantë për funksionimin e drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit.
Në zbatim të ligjit nr. 119/2014, presim përgjigjen tuaj brenda afatit ligjor.
Me respekt,
Sektori i Investigimit
Gazeta Dita
