Nga Migena Aleksi*
Historia jonë e afërt mund të shkruhet fare mirë përmes godinave që kemi rrëzuar, më shumë sesa atyre që kemi ruajtur. Shembulli i Teatrit Kombëtar mbetet një nga rastet më domethënëse të këtij rituali të vetëshkatërrimit urban e kulturor.
Fill pas mosdekretimit të ligjit nga Ilir Meta për prishjen e tij, kryebashkiaku i Tiranës thotë gjithsesi që “Teatri do të shëmbet dhe kjo tani është çeshtje kohe” (!) Nuk po zgjatem në këtë, por as nga pikëpamja e shtetit ligjor kjo nuk është normale. Nuk po zgjatem këtu sepse dua më shumë ta shoh vertikalisht si histori këtë temë të rëndësishme – dhe jo në pamjen e saj horizontale të pushtetit të ditës.
Teatri u ndërtua në vitin 1939, në ditët e para të pushtimit italian, me atë stil racionalist që, pavarësisht origjinës, u bë pjesë e identitetit arkitektonik të Tiranës. Është më shumë se një ndërtesë: është një dëshmi e shtresëzimit historik të qytetit, një kujtesë fizike e periudhave që kanë kaluar mbi këtë vend.
Nga kinema në vitet e luftës, në skenë kombëtare pas saj, ajo godinë i përballoi regjimet, ideologjitë dhe krizat. Me sa duket nuk do t’i mbijetojë reformës urbane të shekullit XXI.
Kur qeveria njoftoi se ndërtesa do të shembej, e justifikoi me mungesën e mirëmbajtjes dhe me nevojën për një teatër të ri “bashkëkohor”. Por pas asaj fjalie të butë burokratike, qëndron një plan i ashpër: privatizimi i truallit publik përmes një kompanie ndërtimi, e cila thuhet se do ngrejë ndërtesa të larta, duke lënë një teatër të ri, më të vogël, më të kontrolluar, më pak qytetar.
Kështu, arti po përplaset me fadromën. Do fitojnë betonierët. Artistët që janë ngritur në mbrojtje të godinës përçmohem si romantikë, idealistë, madje si pengesë për “zhvillimin”. Ndoshta disa prej tyre janë partiakë pa lidhje me kujtesën dhe vlerat e saj, por ndjesia e revoltës është reale dhe sjkon përtej tyre.
Nuk po rrëzohet vetëm një godinë. Do shembet bashkë me të një pjesë e ndërgjegjes kulturore të Tiranës. Në çdo vend normal, ndërtesat e tilla bëhen muze, qendra arti, hapësira kujtese.
Në Shqipëri, duam t’i kthejmë në truall ndërtimi, sepse kujtesa nuk jep fitim. Ne nuk ruajmë dot historinë. Po e konvertojmë edhe atë në metra katrorë. Kjo është filozofia e një kohe që e mat zhvillimin me kulla dhe asfalt. Kjo nuk ndodh vetëm në Tiranë: ndodh në Durrës, në Vlorë.
Në vendet që duan të bëhen pjesë e Europës, kujtesa është aset. Kështu siç veprojmë ne, çdo brez e gjen veten më të varfër shpirtërisht, sepse i ka humbur monumentet e vetëkuptimit. Një vend që nuk ruan dot teatrin e vet, si mund të ruajë skenën e vet historike?
—
Botuar në DITA. Autorja është aktiviste, ish-gazetare që aktualisht jeton në Kanada
