Nga Bashkim Koçi
U bë udhë që shumë kritikave të publikuara në shtyp rreth problemeve që kanë “asfiksuar” OVP të LANÇ, Trojka Veli Myftari, Idajet Beqiri dhe Vera Tarifa, kanë bërë “replika të detyruara” në emër të Kryesisë. Diçka e tillë ndodhi edhe në përgjigje të një shkrimit tim në gazetën DITA me titull “DORËHIQUNI!”.
Shumë lexues – por në mënyre të veçantë ata që kërkojnë largimin sa më parë dhe pastrimin e Organizatës nga uzurpatorët – më bënë me shumë të drejtë pyetjen: Nga cilët e kërkon dorëheqjen kur tashmë dihet botërisht që këta tre persona qëndronë në ato pozicione në mënyrë të paligjshme dhe për më shumë janë bërë “trima” të flasin e të marrin vendime në emër të Kryesisë?
Së pari, Kryesia “e dalë” nga e ashtuquajtura Konferencë e 13, është inekzistente, ose NUL. Dhe këtë gjë e kanë vendosur jo ne, por organet gjyqësore. Por për një moment po e marim sikur të jetë e ligjshme. Në çdo organizatë, institucion apo bashkësi njerëzish, themeli i funksionimit të drejtë është respektimi i vullnetit të shumicës.
Ky nuk është vetëm një parim formal, por një normë themelore e drejtësisë dhe e demokracisë së brendshme. Por çfarë ndodh kur ky parim shkelet? Konkretisht kjo e ashtuquajtur Kryesi e OVP të LANÇ nuk është, nuk ekziston. Për ta bërë më të qartë lexuesin, bëjmë me dije se Veli & Idajet, falë marrëzisë së tyre, brënda një periudhe të shkurtër kanë larguar nga Kryesia figurat më të spikatura, më me autoritet dhe më të devotshmit që mund të përfaqësojnë Organizatën e Veteranëve.
Është larguar Kryetari i Komitetit Kombëtar, veterani Prof. Hulusi Hako, intelektuali, i cili i bën nder të madh Organizatës, Asim Bedalli, shefja e Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë dhe motër dëshmori, Anila Gjokoreci, shefi i Departamentit të Propagandës, Kastriot Hadëri, ai i Financës, Kolë Malaj, veprimtari i shquar Kristaq Prifti, N/kryetari dhe Shefi i Departamentit të VP, Petrit Bregu, kontribuesi më i pazakontë në Durrës Besim Shahini, intelektuali durrsak Vasil Mema, e vetmja Kryetare e OVP në zonën Juglindore në Librazhd, Ruzhdije Hasula. Për të mos përmendur kundërshtarët me votë në largimin e Prof. Hulusi Hakos, shoqet Katjusha Pogaçe, Dhora Lloja etj.
Atëherë më lind e drejta t’u pyes ty Veli e Idajet (se Vera është e përdorur në mënyrën më fyese): Me ç’të drejtë shkruani, si mund të guxoni të firmosni në fund të replikave tuaja si të jetë autore “Kryesia e OVP të LANÇ”?
Këtë marifet e bëtë edhe në replikën ndaj një shkrimi udhërrëfyes për të rikthyer unitetin në Organizatë, me autor Asim Bedallin, birin e veteranit me emër të madh Mahmut Bedalli.
Ka raste kur dy apo tre individë, siç është rasti në fjalë, marrin përsipër të flasin, të vendosin dhe madje të përfaqësojnë një shumicë të tërë, pa patur as mandat, as konsultim dhe as miratim. Kjo do të thotë se ky fenomen nuk është thjesht një keqkuptim i rolit. Është një devijim i qartë nga parimet e përfaqësimit.
Qëllimin, madje objektivin, për të spastruar institucionet e OVP të LANÇ, e kanë patur herët, pra pas Konferencës së 12, atëherë kur iu vu “fshesa” autoriteteve ndër më me kontribute në OVP të LANÇ si Akademiku Pëllumb Xhufi, ish-deputeti Spartak Braho, Prof. Ksenofon Krisafi, Prof. Ac. Bernard Zotaj, intelektualen Elidiana Canaj dhe shumë emra të tjerë të cilët kanë lënë një boshllëk gati të pariparueshëm.
Një sjellje e tillë përbën, në thelb, një përvetësim të zërit të të tjerëve. Nuk është shumica ajo që flet, por një pakicë që i jep vetes të drejtën të vendosë në emër të saj. Kjo është e rrezikshme, sepse krijon një realitet të rremë, ku vendimet nuk burojnë nga vullneti kolektiv, siç është Kryesia, por nga interesa të ngushta dhe shpesh të padeklaruara.
Kur një pakicë vepron në këtë mënyrë, si Trojka “Veli, Idajet dhe Vera”, kemi të bëjmë me një formë të vogël oligarkie – një përqendrim të padrejtë të vendimmarrjes në pak duar. Në këto kushte, transparenca zbehet, besimi dëmtohet dhe vetë struktura e organizatës fillon të lëkundet, të zhbëhet.
Shumica nuk është dekor. Çdo vendim që pretendohet të jetë në emër të saj duhet të mbështetet mbi konsultim, debat, statut dhe miratim të qartë. Prandaj, është e domosdoshme që çdo përpjekje për të uzurpuar përfaqësimin të refuzohet.
Një organizatë është aq e fortë sa drejtësia e vendimmarrjes së saj. Drejtësia fillon aty ku respektohet vullneti i shumicës, jo aty ku ai zëvendësohet, siç po veprojnë uzurpatorët.
Trojka po vijon të ecë “triumfalisht” pa vënë re se po bëhet aq qesharake sa na jep të drejtën të t’u pyesim: Ku po shkoni kështu?
Gjej rastin të ngre zërin jo vetëm si gazetar, por edhe si njohës relativisht i mirë i nivelit moral dhe intelektual të Trojkës, që të mos pritet më, por të gjënden rrugët institucionale, mbështetur në Ligj dhe në Statut, për t’ja rikthyer Organizatës qetësinë dhe titullin e lartë “Nderi i Kombit”, titull që për fat të keq, është fyer, përlyer.e nëpërkëmbur keqas.
