Emri i Rado Trajkoviçit është përmendur shumë shpesh së fundmi. Ajo është bërë këshilltare në Qeverinë e Kosovës dhe për këtë ka pasur probleme jo vetëm në pikat kufitare Serbi-Kosovë.
“Kam lindur atje dhe dua të punoj për qetësimin e gjendjes, dhe që kjo të jetë jo vetëm retorike, por mbi të gjitha njerëzore”, tha Trajkoviq për DW. Ajo shton se dy kombet janë të afërta mes vete dhe se së bashku duhet të arrijnë “në Evropë.”
Autoritetet e Beogradit, shton ajo, po e pengojnë punën e saj, sepse e shohin atë si dikë që dëshiron t’ia “heqë Kosovës një pjesë të sundimit mbi serbët nga z. Vuçiç dhe pjesën e tij kriminale që e udhëheq atë, e që është Milan Radoiçiç”.
Trajkoviç thotë se kur është në Beograd jeton në thelb “nën arrest shtëpiak” dhe se atje jeton “aspak e lirë”. Ajo “ndihet më e relaksuar” në Kosovë, edhe pse dikur ishte nën mbrojtjen e fortë të bashkësisë ndërkombëtare.
„Dy realitete“ të serbëve në Kosovë
Në Kosovë – kur bëhet fjalë për serbët – sipas Rada Trajkoviçit, ka “dy realitete”. “Në veri serbët janë shumë të frikësuar dhe janë nën kontroll të plotë – si mendor ashtu edhe fizik – nga elementët kriminalë, Radoiçiç dhe grupet e tij, përmes të cilëve ai kontrollon sjelljen e mbarë popullit serb.” “Serbët poshtë Ibrit kohët e fundit ndjehen po aq të frikësuar, por më shumë nga sulmet që vijnë nga shqiptarët ekstremë”. Prandaj është e nevojshme të parandalohet rrënimi i gjendjes së sigurisë dhe të rikthehet ndjenja e lirisë “sepse pa liri nuk ka përparim”.
Është një punë e vështirë për të arritur përparim në një situatë ku njerëzit janë kryesisht të indoktrinuar në të menduarit se nuk mund të jetojnë së bashku, beson Rada Trajkoviç. “Deficiti i ekipit të Beogradit dhe Prishtinës në negociata (deri më tani) ka qenë se në to nuk morën pjesë njerëz inteligjentë.” Asnjëra palë nuk e kupton thelbësisht realitetin dhe kjo pengon negociatat e mëtejshme.
Sipas bashkëbisedueses sonë, bashkësia ndërkombëtare dhe Vuçiç kanë bërë një gabim të madh kur është fjala për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit: “Ata kanë lejuar që integrimi i serbëve të bëhet nga mafia.” E kur integrimin e bën mafia, “rezultati duhet të jetë vetëm përfitimi.” “Në momentin kur e panë se u kërcënohej përfitimi” ata “kaluan në incidente, në destabilizimin e veriut të Kosovës dhe të vetë Kosovës”, thekson ajo.
Në anën tjetër, “z. Kurti nuk e kupton ose ende nuk e pranon se mbijetesa e serbëve është shumë e rëndësishme dhe se modeli i Republikës Srpska, (…) për shkak të numrit të serbëve që jetojnë në Kosovë, nuk është diçka që komuniteti ndërkombëtar do ta lejojë. Por i jep atyre hapësirë për të krijuar njëfarë modaliteti të mbijetesës funksionale, dhe shumë ekspertë (…) që kuptojnë zgjidhjet evropiane për probleme të tilla po punojnë në këtë drejtim.”
„Shantazhi” i serbëve
“Qeveria e Serbisë dhe zoti Vuçiç, për mendimin tim, janë financuesit kryesorë të Veselinoviçit dhe Radoiçiçit, të cilët përndryshe janë në listën e Departamentit amerikan të Thesarit, si kriminelë apo mafiozë transnacionalë dhe janë të dyshuar për krimin ndaj Oliver Ivanoviçit. Përkundër gjithë kësaj, ata ende i marrin projektet më fitimprurëse nga qeveria serbe dhe kryeministrja Ana Brnabiç”, pohon Trajkoviç.
Serbët e larguar nga institucionet e Kosovës kanë mundësinë e “kompensimit” nga Beogradi. Është “shantazh financiar” dhe “kontroll” i serbëve që nënshkruajnë kontratë me punëdhënësin – Qeverinë e Serbisë. Në këtë mënyrë, qeveria serbe “i detyron njerëzit të jenë besnikë”. “Për aktivitetet e ardhshme, ata janë duke rekrutuar popullatën në drejtim të kontrollit të tyre”, thotë Rada Trajkoviç.
Trajkoviç beson se nuk do të ketë një “zgjidhje përfundimtare” mes Serbisë dhe Kosovës, por se tensionet mes serbëve dhe shqiptarëve mund të ulen, me kusht që Serbia të jetë në anën e Evropës, Amerikës dhe NATO-s “në këtë kohë kur duhet thënë qartë se ne mbështesim Ukrainën”.
