Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
Rrugëtimi i një historie dhe miqësie
Libri në shqip dhe italisht “Me italianët, kronikë gjysmë shekulli më pas”, i shkruar nga gjeneral Bako Dervishaj, në vitin 2003, trajton si komandant i Qarkut të Vlorës i Ushtrisë Nacionalçlirimtare, fatin e mbi 11.000 ushtarëve e oficerëve italianë, të dezertuar nga ushtria e Musolinit. Në shtator të vitit 1939, pas pushtimit të Shqipërisë Italia fashiste, Bako Dervishaj ishte me shërbim ushtarak në regjimentin “Lupi Di Toscana”. Në Romë u njoh me major Massario, në pension, i cili kishte marrë pjesë në Luftën Parë Botërore dhe në Luftën e Vlorës 1920. Gjatë vizitave në shtëpinë e tij, majori i fliste me admirim për popullin e Vlorës, për karakterin e popullit shqiptar, për traditat të cilat kishin lënë gjurmë në ndërgjegjen e tij. Para se të largohej në gusht të vitit 1942 për në Shqipëri, Bakos majori i thotë se djali i tij gjendej me shërbim në ushtrinë italiane në Malin e Zi, dhe po t’i jepej rasti, ta ndihmonte me çfarë të kishte mundësi. Ky amanet i këtij majori italian bëri që Bako Dervishaj të përcaktonte qëndrimin ndaj atyre ushtarëve dhe oficerëve italianë të mbetur në Shqipëri, pas 9 shtatorit 1943.
Pas betejës së Drashovicës 1943, shumë ushtarë dhe oficerë italianë u vendosën në kamp përgjatë lumit të Ramicës. Një kompani me mortaja mbërriti në shpellën e Ramicës, dhe dy oficerë i bënë vizitë në shtëpinë e Bako Dervishajt. Krahina e Smokthinës përbëhej nga rreth 500 familje, ku çdo familje strehoi të paktën nga një italian secila, gjë që u kthye në një normë morale aq e natyrshme, sa që ishte e vështirë të qëndroje jashtë saj. Gjatë qëndrimit të tyre në Smokthinë si “emigrant” nga ana e italianëve nuk pati asnjë të sëmurë apo të vdekur. Ata, të strehuar e të punësuar nëpër familjet fshatare shqiptare nuk ishin as punëtorë, as shërbëtorë dhe as refugjatë. Ata ishin thjesht robër të liruar dhe të strehuar për t’u mbrojtur. Bënin punë të përbashkët nëpër familje, jo për të fituar, por për të shtuar prodhimin bujqësor e blegtoral dhe për të jetuar dhe ata vetë.
Në fillim të tetorit të vitit 1943, Çelestino shkon në shtëpinë e komandantit dhe e informoi se të gjithë italianët ishin sistemuar dhe i kërkoi të hynte në radhët e ushtrisë shqiptare. Isha shumë i lumtur, shkruan Bako Dervishaj, duke menduar që ndihma modeste kishte ndikuar për t’iu ngritur atyre sadopak moralin. U përgatiti leje kalimi me qëllim që të mos hasnin në pengesa, derisa të takonin repartin e parë partizan. Tek më përshëndeti, Çelestino i dhuroi një dylbi, të cilën e mbajti deri në përfundim të luftës. Luftës po i vinte fundi dhe ndërkohë angazhimi i italianëve në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare bëhej gjithnjë dhe më i organizuar. Pas çlirimit të Tiranës, u krijua batalioni i gjashtë i Brigadës së V Sulmuese i përbërë me tre kompani 180-200 partizanë.
Udhëheqja e batalionit ishte komandant Ernesto Çelestino, komisar Giorgio Chia, zëvendëskomandant Bruna Regno, zëvendëskomisar Izedin Bimo etj. Batalioni mbajti flamurin italian me yll. Ylli kishte marrë vlerën e një simboli që bashkonte të pesë kontinentet në Aleancën e Luftës Antifashiste. Drejtuesit e tij u graduan sipas rregullave të Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare. Batalioni me në krye Çelestinon, përreth 6-7 muaj mori pjesë aktive në luftën kundër nazi-fashizmit në Kosovë e më thellë, deri në Vishegrad të Jugosllavisë. Me mbarimin e misionit ushtarak, batalioni i gjashtë u inkuadrua në Regjimentin “Antonio Gramshi” dhe më pas u riorganizua për t’u kthyer në Shqipëri të armatosur, nga ku, pas grumbullimit të tyre në qytetin port të Durrësit, të gjithë u nisën për në Bari të Italisë.
***
Gjenerali Bako Dervishaj një jetë e kaloi në ushtri. Ai veshi uniformën e ushtarit, të partizanit në luftë, provoi të gjitha gradat e karrierës ushtarake deri tek ajo e gjeneralit. Historia shpesh i ka dënuar shqiptarët. Ishin shqiptarët që luftuan dhe mbrojtën Europën nga dyndjet e Perandorisë Osmane dhe përsëri shqiptarët mbetën jashtë saj. Shqiptarët luftuan e sakrifikuan në luftën kundër nazi-fashizmit dhe u bashkuan me aleancën antifashiste dhe përsëri mbetën jashtë saj. Shqiptarët, të parët që u larguan nga “Kampi i Lindjes”, denoncuan të parët “Traktatin e Varshavës” dhe përsëri mbetën larg Europës moderne. Të izoluar krejtësisht, me kufi të përgjysmuar u përpoqën të mbijetonin kundër armiqësive të reja e të vjetra që historia kishte caktuar për ta. Gjenerali shkruan se politika shqiptare e atyre viteve (1944-1990) zgjodhi alternativën më të mirë për popullin e vet, por mendoj se dhe politika ndërkombëtare e këtij gjysmë shekulli nuk ofroi për Shqipërinë dhe shqiptarët ndonjë alternativë tjetër. Në mijëvjeçarin e ri shqiptarët po futen me një shpresë të re dhe ndoshta me një shans të ri. Përsëri Shqipëria ndodhet në krahun e Fuqive të Mëdha demokratike, me një etje të madhe për të qenë partnere e qytetërimit Europian. Mbështetja që ju dha shqiptarëve në luftën kundër barbarizmit serb nxori në dukje shumë vlera dhe virtyte, nxori në pah mikpritjen dhe bujarinë që këtij populli nuk i kishin munguar edhe më përpara.
Gjenerali në vitet e fillim shekullit XXI bisedoi me misionarë ushtarakë italianë në Shqipëri, duke u shpjeguar se si dikur qaja hallet për dhjetëra mijëra italianë të braktisur e të pashpresë. Shqiptarët u gjendën atëherë pranë atyre italianëve dhe i pritën ata në shtëpitë e tyre, jo si pushtues, por si viktima të një politike që i solli në Shqipëri për të bërë një luftë që nuk iu përkiste atyre. Gjenerali u ndie i kënaqur dhe optimist kur shikonte ndihmën dhe përkrahjen ndërkombëtare që i dhanë Shqipërisë të gjitha vendet demokratike dhe veçanërisht Italia. Njëri nga tre djemtë e tij punon në një shoqëri tregtare italiane dhe vajza është martuar me një italian. Afërsinë me këtë popullin po e ndiej në familjen time, si dikur në kohën e luftës…
Histori miqësie nga lufta dhe deri më sot
“Lidhje dashurie me Bel Paese, e vërteta dhe reflektimet” shkruar nga Idajet Sejdiaj, është një tjetër libër i shkruar me shumë ndjenja për miqësinë midis shqiptarëve dhe italianëve pas gati 80 vitesh nga Lufta e Dytë Botërore, në kushte paqeje. Shkruan në parathënie Dimitri Markomichelakis, është historia e një njeriu të madh dhe një dashurie të madhe për Italinë dhe për Shqipërinë… Lajtmotivi i librit zbulon dashurinë e pakufishme të autorit për Italinë dhe për italianët dhe shpalos një këndvështrim të ri, që një popull pranë nesh është mik dhe jo armik i Shqipërisë. Autori i librit kapërceu detin dhe si një Uliks në kërkim të Itakës, falë mirësisë, largpamësisë, këmbënguljes dhe vendosmërisë së tij nuk pushoi kurrë së luftuari për t’u lidhur në një urë të re. Nëpërmjet kujtimeve të autorit lexuesi rizbulon ngjarje të sotme dhe të kaluara, të harruara dhe të dorëzuara pas historisë, të cilat risjellin në kujtesë pjesë nga kultura e përbashkët.
Në kapitullin për fëmijërinë autori thekson se është rritur me dashurinë për Italinë dhe popullin italian. Në shtator të vitit 1943 ushtria italiane ishte gjendur papritur në rrëmujë dhe babai i tij, Seferi kishte pritur 5 ushtarë italianë të Divizionit që ishin vendosur në Mesaplik, në Luginën e lumit të Smokthinës. Ata ishin tre ushtarë të thjeshtë, toger Michele dhe kapiteni Biasi. U mirëpritën në familje dhe e kthyen mikpritjen duke punuar në tokën private të familjes dhe kultivuan grurë, misër, patate dhe produkte të tjera të tokës sonë si perime, bishtaja dhe fruta të tjera të para. Qëndrimi i tyre në familjen e autorit ishte deri në riatdhesimin, që u bë në vitin 1945. Në kujtesë të popullit të Ramicës u krijua mendimi se populli italian ishte i mirë dhe dashamirës, kishin ardhur pushtues dhe u larguar si miq.
Në kapitullin shkolla dhe puna ushtarake, autori tregon për përvojën e punës si profesor matematike në shkollën e Ramicës. Pasi studion në Akademinë Ushtarake duke qenë profesor në gjuhën italiane, pasi zëvendësoi një ish-kolonel në pension, i cili kishte mbaruar studimet në Akademinë e Modenës para vitit 1939. Në akademi përveç kurseve të gjuhës, bashkë me ushtarakë të tjerë studiuan përdorimin e pajisjeve transmetuese dhe alfabetin Morse, për të përgjuar çdo komunikim dhe lëvizje të ushtrive të huaja në kufi me Shqipërinë, NATO-n dhe Traktatin e Varshavës.
Në kapitullin “Impakti i parë me Italinë”, tregon udhëtimin e parë me traget në Bari, ku u pritën me një mikpritje të jashtëzakonshme. Në Akademinë e Modenës u vendosëm në strukturën e vënë në dispozicion dhe qëndroi gjatë javës, duke ndjekur prezantimin e nxënësve. Akademia ishte e vendosur në një godinë të bukur, ku studionin studentët ushtarakë. Në këtë kapitull nëpërmjet fotove autori jep kolonel Goffredo Zignani komandant batalioni i vullnetarëve italianë të pushkatuar nga gjermanët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndërsa pas vitit 1993, tregon për rolin e ministrit të korruptuar, në filmin “L’America” të Gianni Amelio, me Michele Placido të njohur në Shqipëri nga filmi “Oktapod” dhe gjenerali me katër yje Alberto Zignani, komandant i përgjithshëm i Guardia di Finanza.
Në kapitullin “Jeta në Itali”, tregon se kur u lirua nga shërbimi në Shqipëri, në moshën 45 vjeç nuk mund të bëja punë të vështira. Autori fliste anglisht dhe italisht, kishte patentë drejtimi kamioni, filloi të punojë si përfaqësuese në një kompani shqiptare të pjesëve të automjeteve, një nga më të mëdhatë në Shqipëri. Ai tregon punën këmbëngulëse dhe shumë kërkuese, me përgjegjësi të mëdha, duke shkuar në panairet tregtare në Torino, Frankfurt si dhe lidhjen e kontratave të furnizimit, etj. Pandemia dhe kanceri i prostatës është një kapitull tjetër që është pasuar nga dy vite të tmerrshme.
Në kapitullin “Konsideratat përfundimtare”, autori tregon se duke ditur mirë gjuhën italiane, që nga viti 1973 ka ndjekur me interes jetën politike, ekonomike dhe sociale të Bel Paese. Për mendimin e autorit populli italian është më afër në frymë dhe traditë me popullin shqiptar. Në Itali ekziston komuniteti arbëresh, i shtrirë kryesisht në Italinë Jugore, i cili përfaqëson një urë lidhjesh solide me Shqipërinë. Pothuajse një milion shqiptarë jetojnë në Itali, të cilët emigruan pas ndryshimit të regjimit që ndodhi në vitin 1991 dhe që janë integruar mirë në jetën shoqërore, duke u bërë kryesisht shtetas italianë. Pothuajse 70% e shqiptarëve e kuptojnë italishten dhe shumica e tyre madje e flasin atë. Në këtë kapitull jepen mjaft raste për miqësinë midis njerëzve të thjeshtë, ku midis tyre bën pjesë dhe autori deh familja e tij.
Njohje me autorin
Idajet Sejdiaj ka lindur në Ramicë të Vlorës më 20.08.1948 në një familje të pasur fshatare. Babai i tij ishte oficer nga fundi i Luftës së Dytë Botërore deri në kthimin e tij në Ramicë në vitin 1956. Idajet ndoqi shkollën fillore në Ramicë dhe të mesmen në gjimnazin e Vlorës me rezultate të shkëlqyera. Në vitin 1967, në moshën 19-vjeçare, mori diplomën universitare për mësues matematike dhe u emërua në shkollën e Ramicës ku punoi tre vite. Ai hyri në Akademinë Ushtarake të Tiranës në Departamentin e Shërbimeve Sekrete Ushtarake, ku studimi i gjuhës italiane ishte vendimtar. Me përfundimin e studimeve, u emërua profesor i italishtes në Shkollën e Shërbimeve Sekrete Ushtarake. Pasi kreu studimet në Shkollën e Luftës dhe u emërua Komisar Politik i Shkollës së Shërbimeve Sekrete Ushtarake (ekuivalente, në Itali, me rolin e drejtorit të shkollës) deri në vitin 1989, kur u transferua në Akademinë Ushtarake me detyrë profesor i gjuhës italisht. Në vitin 1993 doli në rezervë dhe u zhvendos në Itali për 10 vjet, nga viti 1993 deri në vitin 2003, më pas u vendos përgjithmonë në Shqipëri, në Tiranë, ku punon si sipërmarrës.