Shënim i redaksisë: Në këtë analizë të thelluar mbi Raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë 2026, ish-kryenegociatori Zef Mazi zbërthen atë që lexohet drejtpërdrejt dhe mes rreshtave të Brukselit: krizën e brendshme politike, protestat masive qytetare dhe ngërçin institucional që nuk zgjidhet me “akrobaci politike” apo premtime iluzore për mbylljen e 30 kapitujve brenda 12 muajsh. Duke propozuar zhbërjen e marrëveshjes së vitit 2008 dhe një qeveri kujdestare tranzitore për zgjedhje të lira, Mazi analizon paralelisht edhe transformimin e vetë Bashkimit Evropian – nga problemet e brendshme demokratike dhe idetë fyese për “periudhë prove”, deri te ambicia për t’u shndërruar në një “aktor gjeopolitik” të militarizuar – duke apeluar që vendet kandidate të diversifikojnë marrëdhëniet e tyre në një botë të turbullt.
Nga Zef Mazi
Raporti i KE për Shqipërinë 2026 ofron një analizë shumëplanëshe të ecurisë njëvjeçare të vendit, për periudhën nga 21 shtatori 2025 deri më 1 shtator 2026. Situata e brendshme politike pasqyrohet qartë përgjatë gjithë dokumentit, si në mënyrë të drejtpërdrejtë, ashtu edhe e lexuar mes rreshtave. Që në hyrje të tij, raporti ndalet te protestat e përditshme të nisura në maj 2026, të cilat morën përmasat e një lëvizjeje të gjerë qytetare me thirrje për transparencë, llogaridhënie, luftë kundër korrupsionit dhe një qeverisje më të mirë. Me një pjesëmarrje masive në pikun e tyre, këto protesta shënojnë mobilizimin më të madh në Shqipëri përgjatë gjithë periudhës së tranzicionit demokratik.
Raporti i Komisionit hartohet mbi bazën e kontributeve të një sërë aktorësh – përfshirë ambasadat dypalëshe, Delegacionin e BE-së në Tiranë, organizatat e shoqërisë civile dhe burime të tjera – me fokus të veçantë te shteti ligjor, drejtësia dhe siguria. Formulimet e tij duhen lexuar me shumë kujdes, pasi, përtej asaj që thuhet drejtpërdrejt, shumëçka përcillet në mënyrë të tërthortë. Ky është një zanat i vjetër i Brukselit: të zbukurojë e të llustrojë kur i leverdis, dhe të anashkalojë në heshtje kur nuk i intereson dhe nuk i shkon për shtat.
Megjithatë, kriza e brendshme politike në Shqipëri i ka tejkaluar kufijtë e vendit, gjë që pasqyrohet qartë edhe në raport. Çdo zhvillim i brendshëm cenon drejtpërdrejt besueshmërinë e vendit si kandidat për në Bashkimin Evropian. Pretendimet se protestat po pengojnë procesin e integrimit janë thjesht një manovër politike. Ato përdoren si pretekst për të shuar pakënaqësinë qytetare dhe për të përligjur reagimin e tepruar e të dhunshëm të policisë.
Kjo retorikë synon të zbehë frymën e protestës dhe të fshehë shkaqet e vërteta që i kanë nxjerrë qytetarët në shesh. Një narrativë e tillë është tërësisht e gabuar. Si protestuesit e shumtë në terren, ashtu edhe ata që nuk kanë mundur t’u bashkohen shesheve,.shpesh për shkak të frikës, e kanë shprehur hapur pakënaqësinë e tyre kundër kësaj qeverisjeje dhe mbarë klasës politike.
Përvoja e këtyre dekadave ka dëshmuar se problemet e vendit janë të shumta, madhore dhe të mbartura ndër vite. Fryma dhe arsyet që po i shtyjnë qytetarët të reagojnë prekin çështje thelbësore, të cilat kërkojnë zgjidhje konkrete dhe jo më premtime. Kërkesat janë tashmë të ditura për të gjithë, këdo që të pyesësh, ngre po të njëjtat shqetësime. Ndaj, çdo përpjekje për ta mohuar këtë realitet apo për ta zbutur peshën e këtyre problemeve është sa e pabesueshme, aq edhe e papranueshme. Pas gjashtë muajsh protesta, ka ardhur koha për veprime konkrete. Qeveria vijon të përgjigjet me shou me ironi dhe arrogancë, ndonëse vetë ndodhet e zhytur në afera të rënda politike e korruptive, me pasoja të mëdha për vendin.
Në çdo demokraci funksionale, skandale të tilla do të kishin sjellë menjëherë dorëheqjen e qeverisë. Por Shqipëria vuan nga një ngërç i thellë në sistemin e saj politik dhe drejtues, i cili ka arritur deri në pikën ku shteti identifikohet me individin, me liderin e secilit krah politik. Tek ne, drejtuesit politikë po qëndrojnë në krye më gjatë se sa ka qëndruar Brezhnjevi në ish-Bashkimin Sovjetik. Duket sikur anashkalohet me vetëdije, ose thjesht nuk kuptohet, fakti se pushteti i tejzgjatur në kushte të tilla do prodhojë pashmangshmërisht dëme të rënda dhe afatgjata.
Marrëveshja e vitit 2008 mes Berishës dhe Ramës ka prodhuar pasoja të rënda për vendin. Në vazhdën dhe në frymën e saj, u ndërmorën ndryshime të thella si në kuadrin kushtetues të shtetit, ashtu edhe në statutet e partive politike. Kjo marrëveshje duhet zhbërë. Është e domosdoshme të rihartohen Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor, pasi me rregullat aktuale askush nuk beson më se vendi mund të ketë drejtimin e duhur apo se mund të përgatiten, organizohen e zhvillohen zgjedhje të lira, të ndershme dhe të pakontestueshme.
Një rrugëdalje konkrete do të ishte krijimi i një qeverie të përkohshme, kujdestare e asnjanëse, e cila do të garantonte realizimin e këtyre reformave dhe përgatitjen e vendit për zgjedhje të reja të përgjithshme. Ky ngërç i thellë kërkon zgjidhje urgjente dhe largpamëse, të udhëhequra vetëm nga interesi i përbashkët dhe e mira e vendit. Sepse një udhëheqës quhet i mirë kur bën mirë për të sotmen, por quhet i madh vetëm kur mendon dhe ndërton edhe për të nesërmen.
Përballë morisë së detyrimeve dhe rekomandimeve të Komisionit Evropian, si dhe dobësive institucionale që shkojnë deri në mosfunksionim për shkak të ngërçit dhe politizimit të skajshëm – gjë që ka sjellë edhe një lloj delegjitimimi – pretendimi se mund të mbyllen 30 kapituj brenda 12 muajsh duket thjesht iluzor.
Kur thuhet se një objektiv i tillë është i realizueshëm, kjo bëhet vetëm për kalkulime politike, mediatike dhe elektorale. Vendosja e një afati të tillë është një akrobaci politike, e cila, nëse nuk përmbushet, të ekspozon si të pabesueshëm.
E njëjta logjikë vlen edhe për rekomandimin mbi nisjen e hartimit të Traktatit të Aderimit në vitin 2027. Ky hap nuk varet vetëm nga Komisioni Evropian, por para së gjithash nga ecuria reale e vendit tonë dhe nga miratimi me konsensus politik i të 27 shteteve anëtare – çka përbën një sfidë më vete. Për ilustrim, përpilimi i projekt-traktatit të aderimit për Malin e Zi u miratua para dy vitesh, vetëm pasi ai kishte mbyllur tashmë 18 kapituj.
Edhe në rastin e Malit të Zi, mbetet e paqartë nëse ky proces do të përmbyllet brenda vitit 2027, siç parashikon Komisioni, duke qenë se i duhen mbyllur edhe 15-16 kapituj të tjerë. Ndaj, të krijosh pritshmëri të tilla për Shqipërinë ose buron nga naiviteti – gjë që vështirë të besohet – ose është thjesht një balonë propagandistike për konsum të politikës së brendshme.
Synimi është t’u mbushet mendja qytetarëve se miratimi nga 27 vendet anëtare për nisjen e traktatit në vitin 2027 është një proces i lehtë dhe i shpejtë, në një kohë kur Shqipëria ka ende plot 30 kapituj për të mbyllur.
Integrimi në Bashkimin Evropian nuk është vepër e një individi të vetëm; nuk realizohet me vullnetin e një personi apo me retorikën e “NE-së”, dhe as nuk është një proces që zgjidhet nga sot për nesër apo varet nga fjalët e një drejtuesi, cilido qoftë ai. Kjo është një çështje madhore kombëtare dhe institucionale, ndaj duhet trajtuar vetëm si e tillë, duke përfshirë në mënyrë serioze e aktive mbarë shoqërinë. Duhet mbajtur parasysh se rreth 70 për qind e legjislacionit të BE-së (acquis communautaire) nuk zbatohet në kryeqytet apo në institucionet qendrore, por drejtpërdrejt në pushtetin vendor. A është i vetëdijshëm pushteti ynë lokal për këtë barrë përgjegjësie dhe a është realisht i përgatitur për vitin 2027? Përafrimi i legjislacionit, sado i rëndësishëm të jetë, nuk mjafton i vetëm. Për çdo hallkë të këtij procesi duhet të flasin ekspertët dhe njerëzit kompetentë, që njohin nga afër ecurinë dhe vështirësitë reale. Sot, edhe kur ndonjëri prej tyre merr fjalën, deklaratat mbeten të përcipta e kryesisht lavdëruese – ndonëse në të vërtetë edhe ata janë lënë në hije, pasi skenën e ka zënë vetëm një njeri.
Rekomandimet e Komisionit Evropian i renditin qartë, sipas fushave përkatëse, kriteret e nevojshme për çdo hap, duke reflektuar edhe shkallën reale të zbatueshmërisë së tyre: disa prej tyre nuk janë zbatuar fare, disa kanë pasur një zbatim modest, të tjera janë mbartur nga vitet e kaluara pa gjetur zgjidhje, ndërsa për një pjesë të konsiderueshme konstatohet mungesë progresi ose numërim në vend. Kjo tregon se mbetet një volum i madh pune për t’u kryer.
Rekomandimet duhen trajtuar domosdoshmërisht një për një dhe duhen zbatuar konkretisht – jo me retorikë dhe jo vetëm në letër – por duke ngritur mekanizma të verifikueshëm dhe kapacitete reale zbatuese.
Që kjo zbatueshmëri të arrijë nivele të kënaqshme, të pranueshme dhe të matshme, do të duhen shumë më tepër se 12 muaj punë intensive e të fokusuar. Ky proces kërkon ekipe të përgatitura lart në aspektin politik, diplomatik e profesional, të cilat operojnë në një klimë politike normale, të qetë, bashkëpunuese dhe konstruktive. Këtu flasim për një horizont shumëvjeçar, përballë një Komisioni Evropian dhe një ekipi komisionerësh krejt ndryshe nga ai i periudhës para viteve 2019–2020, para ardhjes së Ursula von der Leyen në krye të tij.
Kur nisëm këtë rrugëtim 30 vjet më parë, kishte një përzierje naiviteti, mundësish, trashëgimie, pasioni dhe dëshire për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian – gjë e mirë në vetvete. Megjithatë, as atëherë dhe as në vitin 2020 nuk e kisha imagjinuar se do të vinte një kohë, si 4–5 vitet e fundit e në vijim, kur do të shihnim një BE ku ndodhin ankesa e zhvillime të rënda si anulimi i zgjedhjeve në Rumani apo ndërhyrje policore pranë Gjykatës Kushtetuese në Poloni.
Nuk kisha menduar aspak se në ndonjë vend anëtar apo brenda vetë Unionit do të zhvilloheshin pa kurrfarë llogaridhënieje – dhe pa iu dridhur qerpiku Ursulës – ngjarje të tilla si: anulimi i zgjedhjeve presidenciale në Rumani (që më pas u shoqërua me pranime apo debate për gabime në vendimmarrje), shtypja e edicioneve të lajmeve në televizionin publik në Hungari, arrestimi tre javë para zgjedhjeve i kreut të partisë kryesuese në sondazhe në Slloveni, marrja nën kontroll e ndërtesave të televizionit publik me policinë dhe zëvendësimi i drejtuesve në Poloni, shkarkimi i drejtuesve të televizionit publik dhe spastrimet e punonjësve në Slloveni, apo burgimi i ish-zyrtarëve qeveritarë pa u garantuar hapësirë e plotë mbrojtjeje në Hungari.
Këtyre u shtohen dhënia e përshpejtuar e shtetësisë për afro një milion emigrantë pa dokumente të rregullta, sanksionimi i gazetarëve apo i ndonjë ish-koloneli të zbulimit strategjik me vendime politike pa bazë të qartë ligjore e pa të drejtë ankimi, mungesa e kohezionit, si dhe kufizimi i fjalës së lirë – ku je i lirë të flasësh vetëm për aq kohë sa pushteti vendos se çfarë përbën “dezinformim” dhe çfarë duhet censuruar, e kështu me radhë.
Kohët e fundit, në rrethet diplomatike dhe mes ambasadorëve të BE-së kanë qarkulluar diskutime dhe propozime fyese e tallëse ndaj vendeve kandidate, ku kërkohet vendosja e një “periudhe prove” 10 apo 15-vjeçare, gjatë së cilës këto vende të mos kenë as të drejtë vote. Kjo është një shpikje e pastër për ta zvarritur integrimin, ose për të institucionalizuar një Bashkim Evropian me dy shtresa: anëtarët ekzistues me të drejta të plota dhe vendet kandidate të trajtuara si “anëtarë të dorës së dytë”, pa peshë në vendimmarrje. Një skemë e tillë synon gjithashtu të anashkalojë të drejtën e vetos – që përbën themelin e vendimmarrjes sipas Traktatit të Bashkimit Evropian – si dhe të tjetërsojë frymën dhe germën e Nenit 7 të Traktatit. Në asnjë dokument themeltar të BE-së nuk ekziston koncepti i “periudhës së provës”, ashtu siç nuk ekziston as koncepti i “anëtarit të asociuar”, të cilin e shpiku Ursula von der Leyen për Kanadanë dhe më pas u tërhoq prej tij pa pikë turpi.
Kemi mbërritur në një pikë ku rezultati i gjithë kësaj situate përmblidhet në paradoksin se “BE-ja duhet të mbrojë veten nga vetë BE-ja” – ashtu siç është shprehur kryeministri i një prej vendeve anëtare. Përtej kësaj, Unioni po përballet me një mori çështjesh konfliktuale tepër serioze, siç është miratimi i buxhetit shumëvjeçar 2027–2034 dhe paralajmërimi për veto ndaj tij nga ana e kancelarit gjerman, nëse nuk miratohet paketa prej 90 miliardë eurosh ndihmë për Ukrainën. Kjo paketë po kundërshtohet drejtpërdrejt dhe hapur nga Sllovakia, Çekia, Polonia, Hungaria e ndonjë vend tjetër, të cilat nga ana e tyre kanë kërcënuar me veto bllokimin e çdo ndihme të re për Ukrainën.
Bashkimi Evropian nuk e fsheh ambicien për t’u shndërruar në një “aktor gjeopolitik” – një synim i kodifikuar në një sërë dokumentesh të Komisionit gjatë mandatit 2019–2024 nën drejtimin e Ursula von der Leyen. Vetë koncepti i “Komisionit Gjeopolitik” u artikulua dhe u promovua prej saj si shtylla qendrore e kësaj presidence, duke u lidhur drejtpërdrejt me mbështetjen ndaj Ukrainës dhe paketat e sanksioneve kundër Rusisë, të cilat paraqiten si dëshmi e një roli aktiv në arenën ndërkombëtare. Nga “Komisioni Gjeopolitik” te “Riarmatimi i Evropës”, distanca është vetëm një hap i vogël.
Arkitektura financiare e ngritur nga BE-ja për riarmatimin, forcimin e industrisë së mbrojtjes dhe mbështetjen ushtarake për Ukrainën është e shtresëzuar dhe thith burime gjithnjë e më të mëdha, përtej kontributeve që shtetet anëtare japin për NATO-n.
Kjo strukturë mbështetet në instrumente të ndryshme – kredi, grante dhe fonde jashtëbuxhetore – me objektiva që shtrihen nga programet afatgjata strukturore deri te masat e emergjencës. Janë miratuar paketa financiare të paprecedenta (përfshirë 90 miliardë euro kredi, të pasuara nga kërkesa për 45 miliardë të tjera), me synimin për të mbështetur vijimësinë e pushtetit atje dhe për të mundësuar luajtjen e rolit të “palës së tretë” në konfliktin me Rusinë.
Nuk duket aspak ekzagjerim të thuhet se ambicia për t’u bërë një “aktor gjeopolitik” lidhet pazgjidhshmërisht me aftësinë për të projektuar forcë ushtarake në krahun lindor dhe, në masë të madhe, me fatin e Ukrainës së pasluftës. Ajo që nisi si një projekt i shtyrë nga faktori anglo-amerikan, me kalimin e kohës u shndërrua në një trampolinë për ambiciet e pushtetit të një Bashkimi Evropian të dominuar nga rryma të ashpra ndaj Rusisë dhe nga grupe interesi që përfitojnë nga zgjatja e konfliktit në Ukrainë. Po ndalem këtu, pasi një shtjellim më i thelluar do të kapërcente përmasat e një artikulli gazete.
Në një situatë, kur bota është në prag të dy përplasjeve shkatërruese (Ukrainë dhe Iran), në mot tepër të turbullt, është e udhës që vendet kandidate të mendohen seriozisht për të ridimensionuar marrëdhëniet e tyre tregtare, ekonomike etj, me botën dhe të evitojnë t’i fusin të gjitha vezët në një shportë.
—-
Botuar në DITA. Zef Mazi ka shërbyer si Ambasador i RSH, Asistent Special i Drejtorit të Përgjithshëm të IAEA për Strategji, si dhe Kryenegociator i RSH për Integrimin.
