Në vitin 2023, në Shqipëri lindën vetëm 22,210 bebe. Ky është numri më i ulët që nga viti i largët 1934.
Rënia e lindjeve është përshpejtuar dy vitet e fundit, duke tejkaluar edhe skenarët më pesimistë të INSTAT në projeksionet e popullsisë.
Treguesit e fertilitetit kanë rënë poshtë nivelit 1,2 duke e klasifikuar vendin në krizë demografike.
Ekspertët vërejnë se, përveç emigracionit, ka disa faktorë me sfond ekonomik, si kostot e larta të banesës dhe arsimit që po pengojnë familjet e reja të bëhen me fëmijë.
Të dhënat tregojnë se edhe në Luftën e Dytë Botërore, në Shqipëri kanë lindur më shumë se sa sot.
P.sh., në vitin 1942 lindën mbi 36 mijë foshnja në një kohë kur numri i grave në moshë riprodhimi 15 deri 49 vjeç ishte më i ulët se sot.
Në vitin 1950, kur ishte vendosur komunizmi, lindën 47,291 foshnja, sipas të dhënave nga arkivat e INSTAT, teksa numri i grave në moshë riprodhimi ishte vetëm 259,472 mijë.
Vitin e kaluar lindën pak më shumë se 22 mijë foshnja, teksa numri i grave në moshë riprodhimi ishte 647,884, ose tre herë më i lartë se në vitet 1950.
Është e kuptueshme se që nga vitet ’50-’60, Shqipëria ashtu si edhe Europa kanë evoluar në drejtim të planifikimit familjar, barazisë gjinore, integrimit të grave në tregun e punës, por në vendin tonë ka ende një përqindje më të madhe të grave që lindin fëmijë më pak se sa duan.
Demografët dhe sociologët janë të shqetësuar se lindjet në Shqipëri kanë rënë përtej të gjitha parashikimeve.
Skenari pesimist për ecurinë e popullsisë deri në vitin 2060 i zhvilluar nga INSTAT parashikonte që në vitin 2023, të lindnin 27,281 foshnja, por në realitet kanë lindur vetëm 22,210, ose 19% më pak se pritshmëritë më pesimiste.
Majlinda Nesturi, eksperte për statistikat gjinore në zyrën e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, tha se, emigrimi i popullsisë në moshë riprodhimi ka ndikimin më të lartë në rënien e lindjeve në të gjithë faktorët e tjerë.
Znj. Nesturi thotë se ka edhe një tendencë më të ulët për lindjet, e cila nuk është parashikuar e tillë në hipotezat e projeksioneve.
Projeksionet e popullsisë 2019 – 2031 nga INSTAT nuk i morën në konsideratë normat e larta të emigracionit dhe rënien e fertilitetit, ndaj treguesit demografikë kanë pasur një përkeqësim më të lartë në krahasim me të gjithë skenarët.
Ekspertët pohojnë se, politika është shumë e vonuar për të zbatuar një grup masash, të cilat duhet të kenë në fokus frenimin e emigracionit dhe evidentimin e mjeteve që mund të ndihmojnë çiftet e reja të lindin fëmijë.
Profesor Ilir Gëdeshi, i cili prej vitesh studion fenomene që lidhen me emigracionin, vëren se, ndërhyrjet për emigrimin e të rinjve duhen bërë në dy drejtime.
Së pari, duhet të frenohet emigrimi, sidomos i trurit dhe kjo mund të arrihet duke siguruar perspektiva më të mira për të rinjtë shqiptarë për të qëndruar në Shqipëri për arsimin e tyre dhe më pas në karrierë.
Ndërhyrja e dytë ka të bëjë me krijimin e kushteve për rikthimin të larguarve, sidomos atyre që studiojnë jashtë, pasi janë një aset i çmuar që mund të japin një ndihmesë gjithëpërfshirëse.
Ermira Galanxhi, eksperte me përvojë në çështjet e demografisë, tha se, duhen ndërhyrje që të përmirësojnë gjendjen ekonomike të familjeve të reja.
Sipas saj, duhet një ekzaminim i detajuar i nevojave të familjeve të reja sipas rajoneve dhe më pas të hartohet një paketë politikash që t’i ndihmojnë ato në kostot për të rritur fëmijët.

Në Shqipëri, gratë po lindin më pak fëmijë se sa duan
Me gjithë ndryshimet ekonomike dhe sociale, shoqëria shqiptare ruan ende vlerat e traditës dhe familjes. Gratë shqiptare duan ende të lindin fëmijë më shumë se sa kanë.
Të dhënat nga Anketa Demografike dhe e Shëndetit, që u krye në vitin 2018, treguan se një grua në moshë riprodhimi (15-49 vjeç) do të lindë më shumë se dy fëmijë.
Para gjashtë vitesh, gratë u pyetën se sa ishte numri ideal i fëmijëve që do të donin të lindnin gjatë jetës së tyre. Rezultatet treguan se 100 gra donin të sillnin në jetë së paku 250 fëmijë, një shifër kjo më e lartë se norma e zëvendësimit të prindërve që garanton rritjen natyrore të popullsisë.
Në të vërtetë, këto gra lindën shumë më pak fëmijë se sa dëshironin në idealen e tyre. Gjashtë vite më vonë nga anketa, 100 gra në moshë riprodhimi lindën vetëm 121 fëmijë, as gjysmën e asaj që e konsideronin si ideale më 2018.
Praktikat e vendeve të tjera, që kanë përjetuar rënien normave të fertilitetit para nesh, tregojnë se mjeti më efektiv ishte mbështetja e familjeve të reja të martuara.
Në vitin 2003, Spanja mori një reformë për rritjen e lindjeve në të cilën nënat me fëmijë deri në tre vjeç që punonin përjashtoheshin nga tatimi mbi të ardhurat personale. Lehtësitë tatimore zgjeroheshin me nënat që lindnin më shumë fëmijë. Gjithashtu një bonus bebesh prej 2500 eurosh jepej për çdo lindje.
Shumë nga këto lehtësi u hoqën në vitin 2010, nga pasojat e krizës ekonomike, por studimet gjetën se lindjet në Spanjë ndërmjet 2004 dhe 2010 u rritën me 5%.

2012-2022, Shqipëria me rënien më të madhe fertilitetit në Europë
Të dhëna të krahasueshme të Eurostat tregojnë se Shqipëria ka parë rënien më të madhe të fertilitetit nga viti 2021 deri në vitin 2022. Të dhënat zyrtare nga Eurostat tregojnë se norma e lindshmërisë në Shqipëri ishte 1.71 fëmijë për grua më 2012 dhe në vitin 2023 zbriti në 1,21 fëmijë për grua.
Kjo do të thotë se në vitin 2012, në vendin tonë 100 gra lindën 171 fëmijë, ndërsa në vitin 2022, po 100 gra lindën vetëm 121 fëmijë. Duke i krahasuar të dhënat me vendet e tjera europiane shihet se Shqipëria ka rënien më të madhe të lindshmërisë për grua me 0.5 fëmijë më pak se në vitin 2012.
Në vitin 2022, sipas Eurostat, Shqipëria la pas vetëm Spanjën, Ukrainën dhe Maltën që raportuan më pak se 1,2 fëmijë për grua. Në vitin 2022, edhe Italia ishte më mirë se Shqipëria me normë fertiliteti 1,24 fëmijë për grua. Rënia e madhe lindjeve më 2023 pritet të përkeqësojë treguesin e lindshmërisë nën 1,2 fëmijë për grua.
Nga ana tjetër, edhe në vitin 2022, Franca kryesoi Europën me normën më të lartë të lindshmërisë me 1,79 fëmijë për grua, e ndjekur nga Rumania, Mali i Zi, me nga 1.71 fëmijë për grua.
Aktualisht në Europë, lindjet kanë rënë poshtë shkallës së zëvendësimit të popullsisë 2.1 për grua, çka do të thotë se popullsia e kontinentit, pa llogaritur emigracionin, është në rënie. (shiko grafikun Ndryshimi i normës së fertilitetit në Europë ndërmjet 2012 dhe 2022)
Shtyrja e moshës për martesë, synimet për karrierë dhe në shumë raste pamundësitë ekonomike po bëjnë që gratë shqiptare të lindin gjithnjë e më pak fëmijë.
INSTAT raportoi se në vitin 2022, lindshmëria ka rënë për grupmoshat 20-24, 25-29 dhe 35-39 vjeç, ndërsa për grupmoshat më të vjetra ka shënuar rritje të lehtë. Në vitin 2022, mosha mesatare në lindje është 29,5 vjeç.
Gjithashtu raporti gjinor në lindje është përkeqësuar, pasi për çdo 100 vajza të lindura, lindën 107 djem më 2022. Ky raport është më i lartë se raporti natyral, që është 105 për vendin tonë.
Koeficienti Bruto i Riprodhimit (KBR) është një tregues i mirë për matjen e rritjes së brezave të ardhshëm. Ai mat normën me të cilën gratë zëvendësojnë veten gjatë viteve të jetës riprodhuese. Mënyra e llogaritjes së KBR-së është e njëjtë me atë të ISF-së, por në këtë rast merren parasysh vetëm lindjet e bebeve femra.
Në vitin 2022, KBR-ja është 0,59, që do të thotë se gratë në Shqipëri janë rreth 41% larg zëvendësimit të vetvetes. Ky tregues ndikohet direkt nga sjellja riprodhuese e grave.
Me këtë ecuri, popullsia e Shqipërisë pëson rënie në mënyrë të pakthyeshme, pasi do të ketë gjithnjë e më pak femra, të cilat janë baza e riprodhimit.
KBR-ja po përkeqësohet me shpejtësi pasi në vitin 2021, ishte 0,63, që do të thotë se gratë në Shqipëri janë rreth 37% larg zëvendësimit të vetvetes. Treguesi ndikohet drejtpërdrejt nga sjellja riprodhuese e grave dhe nga preferenca për të lindur djem.

Emigracioni i të rinjve thellon plagën e lindjeve
Disa anketa dhe metodologji të zhvilluara nga INSTAT dhe organizata të ndryshme joqeveritare tregojnë për një përkeqësim të fenomenit të emigracionit në dekadën e tretë, që nga rënia e regjimit komunist. Një prej tyre, që mat emigracionin dhe diasporën, tregon se nga viti 2011 deri më 2020, janë larguar nga vendi rreth 600 mijë persona.
Të dhëna të tjera nga Eurostat, raportojnë se 80% e azilkërkuesve nga Shqipëria janë nën 35 vjeç. Siç tregojnë të dhënat po emigron pjesa më vitale e popullsisë për të krijuar familje. Emigrimi i të rinjve reflektohet edhe në një tregues tjetër, bonusi i bebeve.
Shpenzimet e qeverisë për të shpërblyer financiarisht të porsalindurit u rritën nga viti 2019-2022, por nga ana tjetër, lindjet në vend në të njëjtën periudhë ranë më shpejt. Vit pas viti, bonusi u përfitua nga fëmijët me prindër shqiptarë që kanë lindur jashtë, por që ende kanë gjendjen civile në Shqipëri.

Bebet e lindura në vitin 2023 shënuan rënie mbi 11% në krahasim me vitin 2022, por pagesat për bonusin e bebeve erdhën në rritje. Bonusi i bebeve në më shumë se 40% të vlerës së tij ka shkuar për foshnjat e lindura jashtë vendit, pavarësisht se qeveria synoi që me këtë mjet financiar të përmirësonte lindjet brenda vendit.
Që nga viti 2019 deri në fund të vitit 2023, qeveria ka paguar në formën e bonusit të bebeve mbi 141 milionë euro, por nga ana tjetër, numri i lindjeve në të njëjtën periudhë ka rënë me 22%.
Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, Këshilli i Ministrave miratoi një kusht, në të cilin bonusi përfitohet nga prindërit e bebeve që kishin 180 ditë në Shqipëri në vitin paraardhës. Këto të dhëna do të merren nga sistemi TIMS.
Gjithashtu, qeveria vendosi që bonusi të përfitohet nga të huajt që janë vendosur në Shqipëri si azilkërkues apo refugjatë, të cilët vendosin që shtetësia e fëmijës së tyre të jetë shqiptare.
Totali i bebeve përfituese, sipas të dhënave të Monitorimit të Ministrisë së Shëndetësisë, është për 161,943 të porsalindur. Nisur nga numri i lindjeve për vitet 2019-2022, sipas të dhënave të INSTAT, është 108,535 lindje, çka rezulton se 33% apo 53,408 bebe përfituese të bonusit jetojnë jashtë.
Në Shqipëri, rënia e lindjeve ka qenë më agresive për shkak të emigrimit të lartë të viteve të fundit. Një anketë e “Gallup International” e renditi Shqipërinë në mesin e 10 vendeve të para në botë për shkallën e lartë të emigrimit në periudhë 2019-2021.


Monitor

“Vaksinat” Covid kishin dhe agjente sterilizimi ne lote te ndryshme, sipas vendeve ku u aplikuan. Arma Biologjike qe e shiten per vaksine, po funksionon sipas parametrave. Diku sterilizim, diku vdekje nga semundje kardiovaskulare dhe diku kancera agresive qe shfaqen pas nje periudhe te caktuar dhe sipas organizmit individual. Axhenda e shpopullimit te njerezimit, u akseleruar me aplikimin e armes. Ju vazhdoni merruni me Partite dhe shashkat shumengjyreshe qe ju hedhin, nderkohe qe po ju vrasin e shpopullojne, me qetesi e dashuri. Gjithashtu dhe Vaksinat HPV, qe Manastirliu u shiti vajzave te mitura Shqiptare, kane agjente sterilizimi. Kur keto vajza do te arrijne ne nje moshe qe te duan te behen nena, nuk do te kene mundesi qe ta realizojne kete.
ne kete kohe nuk eshte habi qe lindin ma pak femi,gjysma e popullit kan ikur nga varferia shkaku i nji shteti i koruptuar ,njerzit nuk kane buken dites dhe nuk mendojne te bejne femi ne fshatra ku munon edhe uji dhe ruget por kete shteti eshte fajtore ,por ata vete jetojne ne villa dhe nuk ju mungon as gje ,populli esht zgjuar nga gjumi prandej ndodhe kjo.
Rinia ne moshe ka emigruar.Nje apartamet duhet te punosh 100 vjet ne Shqiperi dhe jalla ta blesh me keto cmime. Zgjidhje ka,por nuk do ky se ulen cmimet e banesave te Oligarkeve.
Shteti te jape parcela ndertimi ndermarrjeve qe kane mbetur,Psh.Policise,Ushtrise,Shendetsise,Arsimit,,Kush ka nevoje per shtepi,Te shkoje te punoje mbas dite vullnetarisht dhe te paguajne hakun e materialeve.Ndermarrjeyt private te ndertojne per punonjesit e tyre,,Ja,ku u gjet Zgjidhja.Gazeta Dita te bashkohet me 10 gazeta,te paguajne truallin.Paret e btruallit dhe paret e ndertimit ti paguajne gazetaret qe duan shtepi me keste.Ja,ku u gjet zgjidhja edhe per gazetaret.
Po nuk duan Rama me oligarket e Droges dhe ndertimit,se ju bien cmimet.
Ky vend do të shpopullohet nga të ndershmit, të mënçurit dhe profesionistët – më thoshte në fillimet e demokracisë një mikja ime. Ligji 7501 ishte ligji më kriminal që shkatërroi që në themel vendosjen e demokracisë. (tek ne kapitalizmi primitiv).
Tek ne nuk ka kapitalizem perderisa te gjithe drejtuesit i kemi nga radhet e PPSh-es,perderisa edhe sot e kesaj dite i behet popullit biografia dhe akoma ata qe monizmi i beri armiq edhe sot quhen armiq , perderisa tek ne ekziston lufta e klasave,perderisa tek ne ndihen superiore ata qe deri dje na e nxine jeten, perderisa tek ne shtresat e popullit qe ishin me te perbuzurat ne monizem vazhdojne akomate jene te atilla, perderisa tek ne si ne kohen e Berishes, te Nanos e Metes , si dhe sot ne kohen e Rames te gjithe drejtuesit jane pjella e monisteve nuk mund te presesh as demokraci dhe as kapitalizem por vetem pabarazi e diktature…