Poema “Historia e Skënderbeut” është vepra e parë letrare në gjuhën shqipe që i kushtohet Heroit tonë Kombëtar. Kjo poemë e frymëzuar ka ndezur përfytyrimin e Motit të Madh në mendjet e shqiptarëve dhe i ka dhënë krahë idesë së shenjtë për ta bërë Shqipërinë të lirë e të fortë, ashtu siç qe nën Skënderbeun. Ka qenë një dëshirë ngulmuese e atdhetarëve të Rilindjes që t’u jepej shqiptarëve një histori letrare e Heroit Kombëtar. Kush mund ta bënte këtë më mirë se Naim Frashëri? Besohet se Naimi e ka shkruar veprën në vitet 1890–1895, por ajo u botua më 1898 në Bukuresht (ashtu si edhe shumë libra të tjerë shqip të rilindësve), pasi në atë kohë veprimtaria e Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip (e njohur edhe si Shoqëria e Shkronjëzave ose Shoqëria e Stambollit) qe e ndaluar në territorin e Perandorisë Osmane.
Poema epike “Histori e Skënderbeut” e Naim Frashërit është vlerësuar si libri më i lexuar gjatë Rilindjes. Ajo ishte vepra e parë që i bëri shqiptarët të përjetonin bëmat e Heroit Kombëtar e të luftëtarëve të tij, të krijonin një përfytyrim të gjallë për Shqipërinë dhe shqiptarët në kohën e lavdisë së Motit të Madh, të mbusheshin me krenari dhe me entuziazëm, të fitonin kënaqësinë e leximit në gjuhën amtare. Naim Frashëri ishte shkrimtari që u dha shqiptarëve shijen e leximit, do të shkruante albanologu i mirënjohur danez Holger Pedersen (1867–1953) në 50-vjetorin e ndarjes nga jeta të Poetit (këto fjalë mund të gdhenden si kushtim në një përmendore të pritshme të tij: Naim Frashërit – Poetit që u dha shqiptarëve shijen e leximit.
Engjëllit që i zbriti frymëzimin hyjnor për të shkruar këtë poemë epike për Skënderbeun, Naimi i lutet t’i ndriçojë rrugën që t’i japë dritë Shqipërisë nga shpirt i ndritshëm i tija. Naimi, si poet i dritës së diturisë dhe i ndriçimit (dhe drit’ e diturisë përpara do të na shpjerë …) me këtë poemë i bënte shqiptarët të kishin besim se Shqipëria mund të bëhej përsëri siç qe nën Skënderbenë dhe të kishin guximin, trimërinë e mençurinë për ta ringjallur Shqipërinë e pavarur. Thirrja e tij është: Më mirë gjithë të vdesim,/ Të shuhemi menjëherë,/ Se ndë robëri të mbesim … Kjo thirrje e tij ushtoi në fillim të shek. XX në këngën e çetave të luftëtarëve: Se mjaft në robëri/ O e mjera Shqipëri!/ O djem, rrëmbeni pushkëtë,/ Ja vdekje, ja liri!
Veprat e Naimit, ashtu si edhe të shumë autorëve të shquar të Rilindjes e të shekullit XX, si i vëllai i tij Samiu, Pashko Vasa, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Çajupi, Faik Konica, Asdreni, Fan S. Noli, Lasgush Poradeci, Migjeni, Ernest Koliqi, Mitrush Kuteli e të tjerë, si edhe veprat e arbëreshëve të mëdhenj Jeronim De Rada, Gavril Dara, Zef Skiroi, Zef Serembe etj., kanë zbritur sot në Thesarin e Artë të letërsisë shqipe e të kulturës shqiptare. Ashtu siç varet vlera e kartëmonedhave në qarkullim nga thesari në ar e në metale të çmuara që ka një shtet, ashtu edhe vlerat letërsisë shqipe të ditëve tona përshkohen nga vlera e thesarit në ar që ka Banka Kombëtare e Letërsisë Shqipe. Autorët e atyre periudhave, që kanë qenë të ngarkuara me re të zeza, qëndrojnë në themelet e letërsisë sonë. Sot veprat e tyre vërtet janë kryesisht vepra leximi e studimi për nxënësit e studentët, po pikërisht me këtë ata formojnë ndërgjegjen dhe ndjenjën letrare të shqiptarëve brez pas brezi. Naim Frashëri është një nga shkrimtarët që kanë zbritur në Thesarin e Bankës së Letërsisë. Ai dhe shokët e tij që gjenden atje, i përkasin një epoke të ndryshme nga jona sot, të cilën duhet ta njohim, që të bëhemi më të vetëdijshëm për sjelljet tona dhe sidomos për detyrat tona. Por që t’i kuptojmë mirë e drejt këta shkrimtarë, duhet të rijetojmë kohën e tyre dhe të njohim e të shijojmë gjuhën shqipe ashtu siç ka qenë në atë kohë. Për këtë duhet një udhërrëfyes i ditur. Është një fat nga më të lumturit që “Historia e Skënderbeut” e Naimit dhe vetë Naimi, kanë udhërrëfyesin e vet, që nuk i gjendet shoku në historinë e letrave shqipe, dhe ky është profesori Kostaq Cipo.
Prof. Kostaq Cipo vlerësohet si një ndër gjuhëtarët e filologët e rrallë, që i bëjnë nder shkencës dhe kulturës shqiptare. Dijetar me kulturë të gjerë gjuhësore e letrare, njohës si rrallëkush i gjuhëve të Lindjes (turqisht, arabisht, persisht) e të Perëndimit (greqisht, latinisht, italisht, frëngjisht, gjermanisht), ai ka vënë gurë themeli në organizimin e arsimit të lartë filologjik në vendin tonë, në zhvillimin e studimeve gjuhësore dhe në orientimin e mbarë e të argumentuar të ecurisë së gjuhës letrare shqipe në periudhën e pasluftës. Fatkeqësisht u nda herët nga jeta, në moshën e prodhimtarisë më cilësore (kishte lindur në Elbasan ditën e Krishtlindjeve, më 25 dhjetor 1892 – mbylli sytë në Tiranë më 6 janar 1952, ditën e Ujit të Bekuar, dy javë pasi kishte hyrë në vitin e 60-të të jetës).
- Cipoja qe profesori i lëndëve themelore të gjuhës shqipe në Institutin Pedagogjik Dyvjeçar në Tiranë (themeluar më 1946) dhe autor i teksteve të tyre: “Fonetika”, “Morfologjia historike” dhe i gramatikës së gjuhës shqipe të sotme në dy pjesë: “Gramatika shqipe” (1949, ku përfshihen fonetika e morfologjia) dhe “Sintaksa” (1952). Kjo gramatikë, sipas vlerësimit të prof. Mahir Domit, “ka shërbyer si mbështetje shkencore për procesin e njësimit të normës letrare dhe për studimet e mëtejshme gramatikore”. Prof. K. Cipoja ishte bashkautor dhe drejtues i punës për fjalorin e parë shpjegues të gjuhës shqipe (botuar nga Instituti i Shkencave, 1954). Mori pjesë në komisionin e drejtshkrimit që hartoi projektet drejtshkrimore të viteve 1948 e 1951. Ai dha ndihmesë të veçantë për mësimin e gjuhës shqipe në shkollë me tekstin e tij të gramatikës për shkollën 7-vjeçare të atëhershme (1949). Krahas këtyre veprave të rëndësishme, botoi edhe një varg artikujsh studimorë. Jeta dhe veprimtaria e tij janë treguar në një mënyrë mbresëlënëse nga i biri, Robert Cipo, në librin “Prof. Kostaq Cipo” (Tiranë, 2003, 250 f.).
- Cipoja ishte jo vetëm një dijetar i pashoq, po edhe një atdhetar aktiv, antifashist i vendosur, i përndjekur dhe i internuar familjarisht në Itali, entuziast i lirisë dhe i përparimit, e sidomos një Mësues i madh e i paharruar për brezat e studentëve të tij, të cilët e ngritën në një shkallë të re cilësore mësimin e gjuhës shqipe në shkollë me librat dhe nën shembullin frymëzues të profesorit të tyre. K. Cipoja kishte jetuar fazën e fundit të Rilindjes Kombëtare. Qe 20 vjeç kur u mblodh Kuvendi i Vlorës dhe u shpall Pavarësia. Ishte mbrujtur me idealet e asaj lëvizjeje kombëtare dritëdhënëse dhe me dashuri të thellë për veprimtarët e saj të shquar, veçanërisht për Naim Frashërin, si poeti që iu gjend popullit të vet në kohën e duhur, i ndriçoi mendjen, i ngrohu shpirtin e i trimëroi zemrën.
Për poemën “Histori e Skënderbeut”, me 22 këngë dhe 11.652 vargje, studiuesit e letërsisë shqipe kanë shprehur vlerësime si për temën e trajtuar dhe mesazhet që përcjell (qëndresa ndaj pushtuesit, atdheu dhe liria mbi të gjitha), ashtu edhe për frymëzimin dhe arritjet artistike të Poetit. Duke lexuar komentet e K. Cipos, ndihet se atij ia kishin marrë mendjen Skënderbeu dhe Naimi bashkë, por profesori i nderuar, si filolog me shije të mprehtë letrare dhe adhurues i poezisë e i poetëve (lexonte në origjinal poetët e mëdhenj të Iranit), nuk lë pa vënë në dukje ato vargje të poemës, ku muza e Naimit ka fluturuar në lartësitë e frymëzimit poetik, ashtu edhe disa pjesë të tjera, ku ka qenë me flatra të lodhura dhe nuk është ngritur dot atje ku duhej.
Ky botim i poemës “Histori e Skënderbeut”, i paraqitur në Panairin e Librit (nëntor 2023) nga shtëpia botuese “Albas”, vjen pas 70 vjetësh nga botimi i parë (1953). E ndërmorëm përgatitjen e këtij botimi të dytë të “Historisë së Skënderbeut” në redaktimin e prof. Kostaq Cipos jo vetëm për t’i dhënë shkollës një nga veprat më të njohura e më domethënëse të letërsisë së Rilindjes, po edhe për t’i bërë një homazh, ndonëse të vonuar, prof. Kostaq Cipos në 130-vjetorin e lindjes dhe 70-vjetorin e ndarjes nga jeta, duke nxjerrë nga harresa shpjegimet dhe komentet letrare e gjuhësore aq origjinale, të mprehta e të frymëzuara, me të cilat ia bën lexuesit më të afërt e më të dashur këtë poemë plot ngjyra e dritë, plot gjëmime luftërash dhe tablo të mrekullueshme të natyrës shqiptare, plot rrahje të forta zemre dhe plot dhembje e gëzime. Aparati kritik me të cilin e ka pajisur këtë poemë prof. K. Cipoja, me pasurinë e vëzhgimeve e të shpjegimeve gjuhësore e stilistike, përbën një vepër shkencore më vete, që meriton të studiohet për të mësuar prej saj se si duhet punuar për ribotimin e veprave të klasikëve të letërsisë sonë, në mënyrë që ato të jenë të afërta, të kuptueshme dhe tërheqëse për lexuesin e sotshëm, me gjithë kohën që ka rrjedhur që nga krijimi i tyre.
“Historia e Skënderbeut” e Naim Frashërit është botuar shumë herë dhe nuk mungon në libraritë tona, por ashtu siç është shkruar në fund të shek. XIX, ajo nuk arrin ta bëjë për vete lexuesin e sotshëm: shumë fjalë e shprehje kanë nevojë të shpjegohen, shumë ngjarje e persona kanë nevojë për sqarime, arti poetik i Naimit ka nevojë për komente sipas stilistikës letrare – të gjitha këto i ka arritur më së miri prof. Kostaq Cipoja me redaktimet dhe komentet e tij shembullore. Në këtë vështrim puna e tij përbën edhe një shkollë gjuhësore e letrare për formimin më të mirë të mësuesve të letërsisë shqipe dhe të atyre që u bie barra të merren me ribotimin e veprave të letërsisë së traditës, siç është bërë zakon të quhet letërsia shqipe deri në mesin e shek. XX.
Për fat të keq dorëshkrimet e veprave të Naimit nuk janë ruajtur dhe kështu jemi të detyruar të gjykojmë për drejtshkrimin dhe format gramatikore që ai i ka përdorur me vetëdije vetëm sipas veprave të botuara, të cilat, në kushtet e shtypshkronjave të asaj kohe (kur radhitja bëhej me dorë), kanë jo pak mangësi tipografike. Për këtë arsye, si në botimin e Bukureshtit (me alfabetin e Shoqërisë së Shkronjëzave), ashtu edhe në botimin e tejshkronjëzuar në alfabetin e sotshëm dhe të redaktuar nga prof. K. Cipoja, vërehen jo pak gabime shtypi e luhatje në drejtshkrim e në trajtat morfologjike. Të kemi parasysh edhe se K. Cipoja nuk arriti të bënte vetë ndonjë ndreqje gabimesh për këtë libër të vëllimshëm, që doli nga shtypi më 1953, pas ndarjes së tij nga jeta (6 janar 1952).
Në përgatitjen e këtij botimi të dytë ndoqëm kriteret e punës së prof. Kostaq Cipos dhe jemi përpjekur të veprojmë sikur të kishte qenë ai, d.m.th. të sjellim përmirësime në analogji me ndërhyrjet e tij dhe t’i plotësojmë redaktimet e tij, duke e kërkuar fjalën a trajtën e dyshuar në të gjithë tekstin nëpërmjet kompjuterit. Kjo na ka dhënë mundësi që rastet e luhatjeve drejtshkrimore e gramatikore t’i zgjidhim duke u përpjekur të dallojmë format gjuhësore që poeti i ka përdorur sipas bindjes së vet, nga lajthitjet (ndoshta edhe ndërhyrje) e rastit dhe nga gabimet e shtypit. Për këtë tekstin e poemës sipas redaktimit të prof. Kostaq Cipos (botimi i vitit 1953), i shkruar në kompjuter me përpikëri nga i nipi që mban dhe emrin e tij, Kostaq R. Cipo, e ballafaquam me shumë kujdes me botimin e parë (Bukuresht, 1898), shënuam të gjitha dallimet ndërmjet dy botimeve, të cilat u shqyrtuan një për një dhe u bënë një numër përmirësimesh, duke iu përmbajtur më shpesh origjinalit (1898), kur format përkatëse kanë qenë mbizotëruese atje.
Duke punuar mbi një poemë si kjo, sytë e mendjes (nuk thonë kot: sheh mendja, nuk sheh syri!) herë pas here na kanë shkuar larg nga shkronjat e vargjeve, natyrisht për meritë ose “faj” të Skënderbeut e të Naimit së bashku. Se kjo vepër, sa herë ta lexosh, e sidomos edhe me komentet e prof. K. Cipos, nuk të lë pa prekur tejzat e shpirtit, herë të ngre peshë e të bën me krahë, herë të mallëngjen e të ther në zemër. Prandaj mund të ketë mbetur diçka për t’u ndrequr në një botim tjetër, me gjithë kujdesin tonë për t’u nderuar si përpara Poetit, ashtu edhe përpara adhuruesit të tij, të cilit ia detyrojmë riardhjen e kësaj poeme në duart e lexuesve të sotshëm. Sidoqoftë kemi bindjen se ky botim është më i përpikti nga gjithë ribotimet e derisotshme të kësaj vepre të Naimit. Duke ia besuar punën tonë shtëpisë botuese “Albas”, e specializuar për botimet shkollore, kemi besim se ky libër do të përfshihet në veprat e rekomanduara të Bibliotekës së Nxënësit dhe do të pritet me dashamirësi e vlerësim.
Prof. Emil Lafe
Dr. Thoma Qendro