Kanceri i zorrës së trashë, i quajtur ndryshe kanceri kolorektal, është gjithashtu një ndër kanceret e shpeshtë të diagnostikuar në çdo vend. Sipas të dhënave të raportuara, Autritetet e Institutit të Shëndetit Publik sqarojnë se incidenca dhe prevalenca e këtij kanceri, kanë ardhur në rritje gjatë dekadave të fundit në mbarë botën. Në 2019 (viti i fundit para pandemisë) vlerësohet të jenë diagnostikuar rreth 1.9 milion raste të reja me kancer kolorektal dhe janë regjistruar më shumë se 900 mijë vdekje në të gjithë botën. Në kancerin e zorrës së trashë përfshihen disa nozologji të dallueshme nga pikëpamja klinike, dy më të rëndesishmet janë: kanceri i kolonit dhe kanceri i rektumit. Kujdes, kanceret e zorrës së hollë (intestini) nuk duhen ngatërruar me kancret e zorrës së trashë. Ato janë shumë të rralla dhe nuk përbëjnë një problem të rëndësishëm në shëndetit publik.
Rastet reja që diagnostikohen çdo vit
Duket se ky kancer ka pësuar rritje të rëndësishme edhe në vendin tonë gjatë 10 viteve të fundit, nga nivele tradicionalisht shumë të ulëta, krahasuar me rajonin. Kjo mund të jetë e lidhur pjesërisht me prirje në rritje, si pasojë e stilit të jetesës, por edhe sidomos me fillimin e programit masiv të depistimit përmes gjakut okult në feçe. Në periudhën 2017-2019 në Shqipëri janë diagnostikuar çdo vit rreth 400 raste të reja me kancer kolorektal, një dyfishim krahasuar me periudhën e mëparëshme. Rritja e shtrimeve spitalore është më e lartë se rritja e incidencës së këtij kanceri, duke dëshmuar për një numër gjithnjë e më të lartë kontaktesh të rasteve të diagnostikuara me sistemin shëndetësor.
Incidenca e kancerit të zorrës së trashë është më e lartë te meshkujt krahasur me femrat, duke filluar nga mosha 50 vjeç. Incidenca është dukshëm më e madhe tek meshkujt në moshën 60-69 vjeç krahasuar me femrat. Kjo dukuri vërehet si në vendin tonë, ashtu edhe në botë. Risku për kancer të zorrës së trashë rritet në menyrë graduale me moshën, deri në moshën 70 vjeç, për t’u ulur më pas.
Risku është i përfillshëm edhe në moshat 35-40 vjeç, por rreth 85 për qind e rasteve të reja diagnostikohen në moshat mbi 50 vjeç. Mosha mesatare e rasteve të reja në momentin e diagnozës është 63 vjeç. Në periudhën 2015-2019 incidenca rezulton të jetë mesatarisht më e lartë në qarqet e Gjirokastrës, Beratit, Korçës dhe Fierit. Totali i rasteve të reja në popullatën e qarkut Tiranë përbën rreth një të tretën e totalit të rasteve të raportuara gjatë kësaj periudhe nga gjithë vendi.
Vdekshmeria vjetore
Vdekjet nga kanceri i zorrës së trashë zenë 6.2 për qind ndaj totalit të vdekjeve nga tumoret. Përqindja më e lartë është tek meshkujt (53 për qind) krahasuar me femrat (47 për qind). Gjatë 5 viteve të periudhës para pandemike 2015-2019, vërehet një rritje e nivelit bruto të vdekshmerisë. Konkretisht në vitin 2015 vdekshmeria ishte 7.9 per 100 mijë banorë, ndërkohë që në vitin 2019, ishte 8.4 per 100 mije banorë, me një rritje prej 6.4 për qind. Megjithëse vdekshmëria bruto nga kanceri i zorrës së trashë është në rritje ndërmjet viteve 2015 e 2019, vërehet se vdekshmëria e standardizuar, për këtë periudhë, është e qëndrueshme, dhe madje mes 2019 dhe 2015 ka një ulje me pothuaj 8 për qind. Kjo do të thotë se, nëse nuk do të kishim një rritje të moshës mesatare të popullsisë gjatë këtyre viteve, nuk do të kishim rritje të vdekjeve nga ky kancer. Në këtë mënyrë, risku specifik për çdo grup-moshë për të vdekur nga kanceri i zorrës së trashë praktikisht ngelet i njëjtë. Kjo prirje që konfirmohet edhe në vdekjet e ashtquajtura ‘të parakoheshme’ për grupmoshën 30-69 vjeç, mund të jetë shprehje e një diagnostimi më të hershëm dhe trajtmi në kohë të këtij kanceri.
Faktorët e riskut dhe parandalimi
Vetëm në 5 për qind të rasteve një ndryshim gjenetik, që ka çuar në kancer kolorektal, mund të trashëgohet te fëmijët. Zakonisht personat që kanë prindër të cilët janë diagnostikuar me kancer kolorektal nën moshën 60 vjeç, duhet të konsiderohen me risk më të lartë. Megjithatë, 95 për qind e kancereve kolorektale nuk mund të shpjegohen nga trashëgimia. Ato zhvillohen si pasojë e një ndryshimi spontan gjenetik në një, apo disa qeliza të zorrës së trashë. Ndryshimi spontan gjenetik nga ana e tij mund të nxitet nga faktorë të ndryshëm. Koliti ulcerativ dhe sëmundja Crohn e rrisin gjithashtu riskun për zhvillim të kancerit kolorektal. Shpesh është e vështirë të identifikohet një shkak për kancerin kolorektal, Megjithatë, faktorët e mëposhtëm të lidhur me mënyrën e jetesës janë parë të rrisin riskun e këtij kanceri.
Dieta
Është verejtur se kanceri kolorektal ka qenë më i shpeshtë tek popullatat që konsumojnë më shumë produkte mishi (sidomos mishi i kuq, sallamet, etj) dhe yndyrnash shtazore dhe më pak fruta perime apo drithëra.
Aktiviteti fizik, pesha trupore, alkooli, duhani
Ka studime që tregojnë se risku i këtij kanceri mund të ulet përmes shtimit të aktivitetit fizik, uljes së peshës trupore, uljes së konsumit të alkoolit dhe lënies së duhanit.
Aspirina
Ka gjithashtu studime që dëshmojnë se marrja e dozave të ulëta të aspirinës mund të ulë riskun për kancer kolorektal në varësi të moshës dhe sëmundjeve bashkëshoqëruese. Task Forca Amerikane për shërbimet parandaluese e rekomandon përdorimin afatgjatë të aspirinës me dozë të ulët tek grupe të caktuara individësh, nën mbikqyrjen e mjekut të familjes. Në këtë mënyrë këshillat për jetë të shëndeteshme që jepen për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare mund të vlejnë edhe në uljen e riskut të kancerit kolorektal!
Depistimi
Pavarësisht nga përpjekjet për jetesë të shëndetëshme, kanceri kolorektal është vështirë të parandalohet. Mënyra më e mirë për kontrollin e tij dhe uljen e riskut për vdekje të parakohëshme është depistmi. Depistimi është ekzaminimi masiv i popullatës së përgjithëshme për të identifikuar rastet me shenja të fshehta të një ndryshimi të hershëm në zorrë që mund të kthehet në kancer invaziv. Depistimi mund lejojë diagnozën e fazave para kanceroze në murin e zorrës, ose të kancereve në faza fillestare kur mund të trajtohen më lehtë.
Duhen 10-15 vite nga shfaqja e anomalive të para në zorrë deri në zhvillimin e plotë të kancerit kolorektal. Ndryshimet tipike anormale që ndonjëherë çojnë në kancer kolorektal janë polipet. Polipet janë masa apo zhvillime në murin e brendshëm të zorrës së trashë. Ato nuk janë kancer dhe shumica e tyre nuk do shkaktojë kurrë kancer.
Megjithatë, disa tipe polipesh mund të transformohen gradualisht në kancer. Shumica dërrmuese e rasteve me kancer kolorektal vijnë nga polipet e quajtura adenoma. Polipet ose masat para-kanceroze në zorrën e trashë mund të gjakosen lehtë dhe kjo të shkaktoje prani të qelizave të gjakut shpesh të padukshëm në feçe.
Nëpërmjet një testi të thjeshte të quajtur të gjakut okult në feçe (FOBT) mund të verifikohen personat që kanë gjakrrjedhje të tilla të padukshme dhe pa shenja klinike. Sërisht shumica dërrmuese e personave që dalin pozitiv në këtë test, nuk kanë probleme me kancerin dhe ndoshta nuk do të kenë kurrë probleme me kancerin kolorektal në jetën e tyre, por ata konsiderohen me risk të lartë dhe është rekomandueshme të bëjnë ekzaminime shtesë të zorrës, të tilla, si: kolonoskopia, sigmoidoskopia, etj. Këto do të lejonin identifikimin e polipeve apo problemeve të tjera në zorrën e trashë.
Pas identifikimit polipet mund të hiqen duke parandaluar një kancer të mundshëm. Depistimi i kancerit kolorektal rekomandohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe nga qeveritë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Europian. Grada e rekomandimit është A, që do të thotë se përfitimi është shumë i madh krahasuar me efektet anësore.
Ekzaminimet që përdoren si teknika të depistimit primar
Janë një sërë ekzaminimesh dhe testesh që rekomandohet të kryhen për diagnostikimin e kësaj sëmundjeje. Konkrteisht, mjeku mund të këshillojë kryerjen e një tetsi gjaku okult në feçe, apo ekamzinime të tjera si: Kolonoskopia, Sigmoidoskopia, Skaneri ose tomografia e kompiuterizuar (TC).
Testi i gjakut okult në feçe (FOBT)
Ka fakte të mjaftueshme se testimi çdo vit, ose çdo dy vjet ulin vdekshmerinë nga kanceri kolorektal në një popullatë. Në vendin tonë ky testim është i përfshirë në ekzaminimin shëndetësor bazë për personat 35-70 vjeç dhe ofrohet çdo vit në qendrën shëndetësore më të afërt. Çdo vit kryhen disa qindra mijëra testime dhe rreth 0.9 për qind e tyre rezultojnë pozitive dhe rekomandohen për ndjekje të mëtejshme të gastroenterologët e specializuar.
Kolonoskopia
Kolonoskopia dhe sigmoidoskopia janë ekzaminime të zorrës së trashë përmes një tubi plastik me burim drite. Ato lejojnë mjekun të shohë me imtësi murin e zorrës së trashë dhe të identifikojë polipet apo masat parakanceroze. Dallimi mes kolonoskopisë dhe sigmoidoskopisë është se e para lejon shikimin e gjithë zorrës së trashë, ndërsa e dyta lejon shikimin vetëm të një të tretës së ulët të zorrës së trashë (rektumi dhe pjesa sigmoide).
Sigmoidoskopia
Sigmoidoskopia është më praktike dhe duke qenë se shumica e kancereve zhvillohen në këtë pjesë të zorrës, shpesh preferohet kundrejt kolonoskopisë që gjithsesi është ekzaminim më i plotë. Ka fakte të mjaftueshme se si kolonoskopia dhe sigmoidoskopoia kur praktikohen si ekzaminim primar depistues ulin vdekshmerinë (si edhe incidencen) nga kanceri kolorektal në një popullatë. Edhe kur kryhen një herë të vetme në jetë të personat mbi 45 vjeç.
Skaneri ose tomografia e kompiuterizuar (TC)
Është ekzaminim që përdor rrezet X për të parë me imtësi zhvillimet anormale në zorrën e trashë. Ka përparësi se është një ekzaminim jo invaziv (pa nevojën e futjes se kolonoskopise në zorrë). Megjithatë, është më e shtrenjtë, praktikohet më rrallë dhe nuk ka ende fakte të mjaftueshme mbi ndikimin afatgjatë në uljen e vdekshmërisë.
