Nga Prof. Dr. Xheladin Çeka
Mbështetur në bazën spitalore të Spitalit Civil të Tiranës në 22 shtator 1952, filloi aktivitetin mësimor Instituti i Lartë Mjekësor, si pjesë e një grupi institutesh arsimore shtetërore, themeluar me Vendimin Nr. 381, datë 07.06.1952 të Këshillit të Ministrave. Instituti i Lartë Mjekësor filloi rrugëtimin e tij me 67 studentë, ndër të cilët 13 femra; një risi kjo për shoqërinë e asaj kohe.
Më 9 korrik 1953, në gazetën “Bashkimi” do të botohej shkrimi: “Kuadrot e ardhëshme mjekësore” të Drejtorit të parë të këtij instituti, Dr. Aleko Bozo. Ku ai shprehej ndër të tjera:
“ILM është burimi i mjekëve të rinj që do t’i shërbejnë popullit tonë. ILM u hap dhe filloi punën e tij rregullisht më 1 tetor të vitit 1952. Sipas këtij shkrimi, ILM filloi të funksionojë në vitin e parë me gjashtë lëndë kryesore: Anatomi, Histologji, Fizikë, Kimi, Biologji dhe Marksizëm Leninizëm; shtuar këtu dhe tre lëndët e tjera: Latinisht, Rusisht dhe Fiskulturë.
ILM-ja e filloi veprimtarinë e vet në një godinë me dy salla dhe tre dhoma të vogla, që ishin në kufirin ndërmjet pavioneve I, II, III dhe Shkollës Ushtarake. Aty zhvilloheshin edhe leksionet dhe seminaret e tre viteve të para të jetës së ILM, janë shprehur Doc. Skënder Çiço dhe Prof. Gjergji Minga.
Në vitin e dytë ILM-ja u zhvendos në ish-godinën e Laboratorit Bakterologjik të Shtetit, ku sot është Dekanati i Fakultetit të Mjekësisë dhe Rektorati i UMT. E plotëson këtë njohje Prof. Besim Elezi, ish student i gjeneratës së parë të ILM-së, kur shprehet: “Në një dhomë të vogël të Medresesë, pedagogu shqiptar i sapoardhur nga Rusia, mbajti leksionin e parë në gjuhën shqipe”. Dihet tashmë që leksionin e parë në gjuhën shqipe e ka mbajtur Doc. Piro Goda, në lëndën e Kimisë. Ndërsa leksionet e para në dy lëndët mjekësore të vitit të parë të fakultetit, në lëndën Anatomi i mbajti profesori rus, Prof. Jefim Fiodoroviç Nikulçenko, pasuar nga Prof. As. Fiqiri Basha, Dr. Skënder Dauti dhe Prof. Petrit Gaçja; dhe në lëndën Histologji, Prof. Aleksandër Anikin, pasuar nga Doc. Skënder Çiço.
Themelimi i Institutit të Lartë Mjekësor është një histori unikale themelimi dhe suksesi. Kuadrot e larta-pedagogë të ardhur nga Bashkimi Sovjetik në Shqipëri hodhën themelet e Institutit të Lartë Mjekësor. Ata qenë themeluesit dhe drejtuesit e parë të shumicës së lëndëve a katedrave të këtij instituti, që organizuan dhe drejtuan punën e katedrave të porsaformuar.
Bazuar në kujtime të bashkë-kohësve, dokumenta të arkivës si dhe duke iu referuar polifotos së të diplomuarve të parë në Fakultetin e Mjekësisë në vitin 1957, rezulton se 23 prej pedagogëve për kursin të parë të studentëve të diplomuar, ishin profesorë rus. Nërsa pedagogët shqiptarë në kohën e diplomimit të studentëve të parë, nga 9 që ishin në fillim të veprimtarisë së ILM-së, shkuan në 44.
Por, dihet gjithashtu se një numër i pedagogëve të ILM-së së asaj kohe kishin studiuar në Perëndim: Itali, Gjermani, Francë, Austri, Greqi, Turqi etj. Në vitin 1955, Drejtori dhe më pas Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Dr. Medar Shtylla i aktivizoi këto kuadro si pedagogë: Dr. Shiroka, Dr. Polena, Dr. Kolivopuli, Dr. Ashta, Prof. Besim Zyma, Prof. Xhavit Gjata, Prof. Kristo Kristidhi, Prof. Fejzi Hoxha, Prof. Kadri Kërçiku, Prof. Xhevdet Asllani, Prof. Petro Cani, Prof. Shefqet Ndroqi etj.
Në vitin 1950 në rolin e Ministrit të Shëndetësisë, Dr. Medar Shtylla aktivizoi gjithashtu studentët shqiptarë që studionin për mjekësi në vendet e ish-demokracive popullore: Prof. Josif Adhami, Dr. Skënder Dauti, Prof. Koço Pora, Prof. Klement Shteto, Prof. Ylli Popa dhe shumë nga studentët e mjekësisë që studiuan kryesisht në Bashkimin Sovjetik, por dhe në vendet e tjera të lindjes. Kështu në vitin 1961, Fakulteti i Mjekësisë kishte vetëm pedagogë shqiptarë, numri i të cilëve arriti në 46.
Politika e rekrutimit të kuadrit të ri në Fakultetin e Mjekësisë ka shkuar paralel me progresin e klinikave dhe katedrave të këtij fakulteti, me prirjen për të marrë kurdoherë më të mirët. Ndër këto dallon një VKM e fillim viteve ’80 për mbajtjen direkt në institucionet qëndrore, përfshirë universitetitn, të studentëve ekselentë. Janë aktualisht disa dhjetëra prej tyre, me kontribute të vyera prej gati 4 dekadash në Fakultetin e Mjekësisë.
Më 7 mars 1968, u proklamua nga Shteti trekëndëshi revolucionar: “Mësim, punë prodhuese dhe përgatitje fizike e ushtarake”, me ndikim dhe në vetë kurrikulën e Fakultetit të Mjekësisë. Ndërkohë u rrit numri i pranimeve të studentëve të Fakultetin të Mjekësisë në 400 studentë në vit.
Në vitin 1976, u ul numri i studentëve në 125 studentë në vit dhe u fut për herë të parë nota mesatare e shkollës së mesme si kriter pranimi në fakultet.
Në vitin 1981, u bë ristrukturimi i disa katedrave të Fakultetit të Mjekësisë duke u bazuar në disiplinat klinike. Po ashtu dhe i pavioneve/klinikave.
Në vitin 1990, kur drejtonte Prof. Sabit Brokaj, u fut për herë të parë sistemi 6 vjeçar i studimeve në degën Mjekësi e Përgjithëshme dhe u bënë ndryshimet përkatëse në kurrikul, në përputhje me frymën e re që po vinte në universitet.
Periudha 1992-1999, përkoi në kohë me ndryshimet kurrikulare në Fakultetin e Mjekësisë sipas trendeve europiane, në përputhje me dy projekte Tempus: Medalba dhe Klinikalba, me kohëzgjatje nga 3 vjet secili, dejtuar nga Prof. Fedhon Meksi dhe Prof. Anesti Kondili.
Ristrukturimet e kësaj kurrikule kanë vazhduar ndër vite dhe sot ne kemi një kurrikul të Fakultetit të Mjekësisë me çertifikatën e Akreditimit Ndërkombëtar (2020) në dy programet: Mjekësi e Përgjithëshme dhe Farmaci.
“koha nuk duhet pritur, por duhet gjetur…”
Historiku i fillimit të krijimit të insitucioneve të arsimit të lartë mjekësor në Shqipëri daton në vitet ’30 të shekullit XX, në kohën kur Mbretëria Shqiptare filloi reformimin e sistemit shëndetësor, çka u finalizua me inaugurimin e Spitalit të Përgjithshëm Civil (sot Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë), bashkë me Shkollën e Infermierëve dhe Mamive. Pranë Spitalit të Përgjithshëm Civil të Tiranës ushtruan artin mjekësor plot profesorë të huaj, kryesisht nga Gjermania dhe Austria si Prof. Lehman (Neurokirurg), Prof. Shlesinger, Prof. Quastler (kardiolog), të cilët natyrshëm propozuan dhe themelimin e Fakultetit të Mjekësisë. Por vitet e turbullta të Luftës së Dytë Botërore lanë gjurmët e veta në shëndetësinë dhe arsimin shqiptar të atyre viteve sigurisht.
Në kujtimet e tij, publicisti Mustafa Greblleshi, në kohën kur ishte redaktor i Gazetës “Roja Kombëtare” (pranvera e vitit 1943 – pak kohë para kapitullimit të Italisë fashiste), shkruan se një ditë bashkë me një kolegun e tij të gazetës, Fiqiri Llagami, kishin shkuar te Ministri i Arsimit, Xhevat Korça, për t’i marrë një intervisë.
Fiqiri Llagami i bënte pyetje Ministrit dhe unë me bllok në dorë, mbaja shënime, – shkruan Greblleshi. Pyetja e parë e Fiqiri Llagamit ishte:
– Zoti Ministër, më duket se ka ardhur koha që edhe Shqipëria të ketë universitetin e saj. Ç’mendoni ju si Ministër i Arsimit për këtë?
– Unë mendoj se nuk ka ardhë koha, – u përgjigj Ministri.
– Ka raste kur koha nuk duhet pritur, – shtoi Fiqiri Llagami, – ajo duhet gjetur…
– Hapja e një universiteti nuk është e lehtë, – tha Ministri, – madje është diçka shumë e vështirë. Duhen godina, duhen pajisje laboratorike, duhen kuadro. Nuk kemi asnjërën prej tyre…
Koha e një ndryshimi esencial…
Në kohën kur Dekan i Fakultetit të Mjekësisë ishte Prof. Dr. Sabit Brokaj, kurrikula ndryshoi në kohëzgjatjen e studimeve: nga pesë vjet në gjashtë vjet, ashtu siç ishte thuajse në tërë kurrikulat e fakulteteve të mjekësisë në tërë Europën. Ishte koha e një ndryshimi esencial, që nga koha e hapjes së fakultetit. Po ashtu, një vit më pas, në përputhje me ndryshimet politike të kohës, u hoqën nga kurrikula lëndët shoqërore. U hoq gjithashtu puna prodhuese dhe stërvitja ushtarake. Ndërkohë u futën në kurrikul lëndë si: Psikologjia mjekësore, Filozofia dhe lëndë të tjera të karakterit social, përfshirë dhe ato që dikur kishin si bërthamë lëndën e Higjenës.
Në kompleks kurrikula u konsultua me ato të mbi 50 Fakulteteve të Mjekësisë në tërë Europën. Ndaj kjo mund të quhet me të drejtë kurrikula që parapriu ndryshimet komplekse që shoqëruan ato që lidhen me ndryshimet politike të kohës. Është koha, kur një numër pedagogësh të Fakultetit të Mjekësisë hartuan, firmosën dhe i dërguan një peticion presidentit Ramiz Alia, nëpërmjet të cilit i kërkonin ndryshimin e madh: dorëheqjen e Qeverisë Çarçani, lirimin e të burgosurve politikë, ndryshimin e emrit të partisë nga Partia e Punës në Parti Socialdemokrate, me program socialdemokrat, ndalimin e eksporteve të produkteve ushqimore etj…
Firmosën gjithashtu peticionin edhe Prof. Petrit Gaçja, anëtar i KQ dhe Prof. Ylli Popa, deputet i Kuvendit Popullor; duke u bërë kështu, siç do të shprehej vite më vonë Prof. Isuf Kalo në shkrimin e tij “Festa Jubilare dhe sfidat e rinovimit të Fakultetit ë Mjekësisë, 2012”, vatra më aktive në mbështetjen dhe më tej në udhëheqjen e Lëvizjes studentore të Dhjetorit 1990. Të asaj lëvizje që solli lirinë dhe ndryshimin e rendit tonë shoqëror. Ku padyshim, roli i Dekanit të asaj kohe, Prof. Sabit Brokaj, në këtë hap të guximshëm për kohën, për ideimin, mbështetjen dhe realizimin e këtij peticioni, aty në Sallën e Madhe, të quajtur më pas “Salla Blu”, apo “Aula Magna”, të Fakultetit të Mjekësisë, për mua si pjesëmarrës dhe bashkëfirmëtar, si dhe për të gjithë ata që kanë qenë aty me siguri, bashkëfirmëtar në atë kohë, do të mbetet i paharruar…
Takime me njerez te ketij niveli i bejne vecse mire shendetit politik te Shqiperise.