Dr. Dorian Koçi*
Rrugëtimi i vendeve të Europës Lindore drejt integrimit të plotë në familjen europiane filloi pothuajse në të njëjtën kohë. Vala e demokratizimit përfshiu gjithë ish-Europën Lindore. Në këtë demokratizim u ravijëzuan disa sfida që nevojiteshin të kapërceheshin për të bërë të mundur mbushjen e hendekut midis zhvillimit ekonomik, administrativ e kulturor të Europës Perëndimore dhe asaj Lindore. Sfidat dhe problematikat e tranzicionit të vendeve të Europës Lindore drejt demokracisë liberale dhe ekonomisë së tregut duke u përqendruar në variablat kryesorë apo faktorët kyç që e pamundësuan “normalitetin” demokratik janë : (a) regjimi totalitar dhe kohëzgjatja e tij përkundër formave të tjera autoritare; (b) mungesa e një kulture politike dhe institucionale të trashëguar; (c) ekonomia jofunksionale e paaftë për të konkurruar në tregjet globale si pasojë e privatizimeve klienteliste, mungesës së modeleve të zhvillimit dhe strategjive koherente; (ç) mungesa e shtetit të së drejtës, ku pushteti i tretë, do të ishte arbitri i paanshëm në garancitë proceduriale, marrëdhëniet konktraktuore dhe mbikqyrës i pushteteve ekzekutiv dhe legjislativ.
Disa vende në ish Europën Lindore, ku përfshihet edhe Polonia, në saje të reformave të ndërmarra në të gjitha aspektet, e patën më të lehtë kapërcimin e këtyre sfidave duke bërë të mundur që të pranohen anëtarë të NATO-s dhe B.E-së pas një periudhe 15-vjeçare. Disa të tjera, përfshirë disa vende të ish-Jugosllavisë dhe Shqipëria janë ende në procesin e hapjes së negociatave me B.E. Kanë kaluar 16 vjet që nga momenti kur Polonia dhe një grup shtetesh të tjera u pranan në NATO dhe B.E, dhe ende shembulli i klasës politike polake dhe i vendeve të tjera të grupit të Vishegradit citohet si një shembull që duhet ndjekur nga vendet e Ballkanit Perëndimor që aspirojnë hyrjen në Bashkimin Europian. Klasa politike polake e majtë dhe e djathtë i sheshoi kontradiktat e brendshme për të realizuar konsensusin, e madh në mënyrë që të kishin mbështetjen e vendeve të fuqishme dhe mike, si Gjermania dhe Franca. Pesëmbëdhjetë vjet më vonë një rrjet i admirueshëm transporti rrugor dhe hekurudhor është përmirësuar duke e shndërruar Poloninë në një nga vendet më nevralgjike në lidhjet midis Europës Lindore dhe Qendrore, midis Baltikut dhe vendeve të Europës Perëndimore.
Pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike në rang ambasadash më 1992, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Polonisë janë shumëfishuar. Në vitet ‘90, të dyja vendet ishin në procesin e konsolidimit të institucioneve të reja dhe zbatimit të reformave ekonomike. Polonia ishte veçanërisht vepruese gjatë luftës në Kosovë më 1999. Ajo dërgoi në Shqipëri 140 ushtarë në kuadër të Forcës shqiptare të NATO-s (AFOR). Një mision mjekësor polak erdhi në prill 1999. Ai përfshinte 14 zjarrfikës nga skuadra e shpëtimit dhe e kërkimit në Nowy Sacz, 5 mjekë, një infermiere dhe një përkthyes, si edhe 3 makina shpëtimi me pajisjet e duhura, ilaçe, fasho, pako të ndihmës së shpejtë, etj. Mbështetja e Polonisë nuk ishte vetëm logjistike. Ajo mori pjesë edhe në aksionin humanitar shumë të rëndësishëm të strehimit të refugjatëve të luftës në vendet e Europës. Gjatë luftës në Kosovë, qeveria polake ofroi strehim për 1049 refugjatë kosovarë, shumica shqiptarë, të cilët qëndruan në Cieplice dhe Przysieka. Pas mbarimit të konfliktit, grupi i fundit i tyre la Poloninë më 13 gusht 1999. Prania ushtarake polake në Shqipëri mori fund në shtator 1999.

Mirëpo, pavarësisht orientimit dhe dhënies së rëndësisë së marrëdhënieve diplomatike kryesisht me vendet e fusqishme të B.E., Polonia ka shprehur interesat e veta politike e kulturore për t’u zhvilluar edhe me vendet e Ballkanit Perëndimor. Një rast i mirë i zhvillimit të marrëdhënieve diplomatike, tregtare dhe kulturore në rajon është ai midis Shqipërisë dhe Poloninë. Pas vitit 1990 u normalizuan plotësisht marrëdhëniet midis dy vendeve. U shkëmbyen ambasadorët dhe u riaktivizuan shkëmbimet reciproke të personaliteteve të larta të të dy vendeve. Kështu, vizita të ministrave të punëve të jashtme deri tani kanë ndodhur tri herë, të kryetarëve të parlamenteve dhe të kryeministrave nga dy herë. Ndërkohë, kanë ndodhur për herë të parë edhe vizitat e presidentëve të të dy vendeve. Presidenti polak, Aleksandër Kwaśniewski vizitoi Shqipërinë më 12 dhe 13 nëntor 2003, ku inaguroi edhe bustin e Shopenit në Tiranë; ndërsa presidenti Alfred Moisiu vizitoi Poloninë më 14-16 nëntor 2006. Këto takime të nivelit të lartë në kuadër jo vetëm të marrëdhënieve dypalëshe, por edhe të nismës së Vishegradit që vazhdon ende të mbetet aktive në rajon, kanë forcuar marrëdhëniet midis dy vendeve dhe u kanë hapur udhë iniciativave të rëndësishme që janë konkretizuar edhe në nënshkrimin e marrëveshjeve ekonomike, arsimore e kulturore. Me Poloninë janë nënshkruar mbi 60 marrëveshje në fusha të ndryshme. Polonia është një nga mbështetëset më të fuqishme të aderimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Veçanërisht në vitet e fundit, Polonia është bërë një nga mbështetëset më të zëshme të Shqipërisë dhe veçanërisht të anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Kjo ka ecur krah për krah me rritjen e staturës ekonomike të Polonisë brenda BE-së. Polonia, jo vetëm ka mbështetur vazhdimisht hapjen e negociatave me Shqipërinë pa asnjë kusht, por, gjithashtu ka kritikuar Bashkimin Europian për shtyrjen e tyre, veçanërsisht vendimet e verës dhe të vjeshtës së vitit 2019. Kjo mbështetje për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe kritika ndaj procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian reflektojnë eksperiencën e gjatë dhe historike që Polonia mbart në vetevete përsa i përket idesë së Europës dhe ruajtjes së tërësisë së kësaj ideje nga kërcënimet e jashtme. Për këtë arsye Polonia ka theksuar integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe nga një këndvështrim strategjik, si çështje sigure dhe qëndrueshmërie e të gjithë kontinentit. Polonia është e vetëdijshme për ndikimin shkatërrimtar që Rusia mund të ketë në Ballkan dhe një mungesë e perspektivës europiane të Ballkanit Perëndimor mund të jetë e rrezikshme për të gjithë kontinentin. Diplomacia shqiptare në të njëjtën kohë e ka kuptuar dhe vlerësuar drejt rolin e Polonisë në Bashkimin Europian. Si një nga vendet që përfaqëson Europën e Re, një prej ekonomive me rritjen më të shpejtë në Bashkimin Europian dhe popullsinë e pestë më të madhe në B.E., roli dhe pesha e Polonisë në çështjet e BE-së është rritur. Sigurisht që në vlerësimin e diplomacisë shqiptare nuk ka luajtur rol vetëm e sotmja, por dhe eksperienca në tranzicionin e sukseshëm të Polonisë nga një vend me ekonomi të centralizuar në një vend me rritje ekonomike të qendrueshme dhe një nga ekonomitë që ka kaluar tashmë rritjen ekonomike të Portugalisë dhe Irlandës brenda Bashkimit Europian. Në vitin 2014, Ministri i Jashtëm Shqiptar, Ditmir Bushati vizitoi Varshavën dhe nënshkroi një memorandum bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Polonisë për çështjet e integrimit në BE. Në këtë kontekst, përfitimi i përvojës polake nga ana e Shqipërisë është një aset i çmuar për integrimin e saj të plotë në Bashkimin Europian.
Në të njëjtën kohë, që prej fillimit të ndërmarrjes së reformave ekonomike në të dyja vendet është rritur dhe vëllimi i tregtisë midis Shqipërisë dhe Polonisë. Polonia qe vendi i parë që në vitin 1993 nënshkroi me Shqipërinë krijimin e shoqërisë së parë të përbashkët aksionere me kapital të huaj, kantierin detar Durrës-Gdansk. Shkëmbimi i mallrave mbështetet kryesisht në importimin nga Polonia të lëndëve të para nga Shqipëria, në radhë të parë, të kromit si edhe të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale. Importet nga Polonia janë prodhimet metalurgjike, makineri të ndryshme, automjete etj. Në katër vitet e fundit, tregtia mes dy vendeve është rritur në mënyrë të konsiderueshme, nga 48.4 milionë euro më 2014 në 73.4 milionë euro më 2018. Në këtë ndryshim, më mbresëlënëse kanë qenë eksportet shqiptare drejt Polonisë, të cilat janë rritur nga 7.7 milionë euro më 2014 në 17.1 milionë euro më 2018. Krahasuar me vitin 2017, ka pasur një rritje prej 3 të eksporteve dhe 10% të importeve. Por në katër vitet e fundit, krahasuar me vitin 2014, ka pasur një rritje prej 122% të eksporteve shqiptare drejt Polonisë dhe një rritje prej 38.2% të importeve nga Polonia.
Një rol të madh në forcimin e marrëdhënieve ekonomike ka luajtur zhvillimi i turizmit në Shqipëri. Vetëm në trevjeçarin e fundit vihet re një rritje e madhe e qytetarëve polakë që kanë vizituar Shqipërinë. Sipas të dhënave të INSTAT, në 11-mujorin e 2018-s, ndër vendet me hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Polonia ka pasur rritjen më të madhe, 34,5%. Në vitin 2018 numri i turistëve polakë ishte 153 mijë, duke u rritur me 34% nga 2017. Por megjithëse ka përjetuar një rënie prej 14% në vitin 2019, ende mbetet i lartë. Kjo rritje e interesit të turistëve polakë për Shqipëri, është bërë e mundur dhe nga fluturimet e drejtpërdrejta nga Krakova, Varshava dhe Katovice drejt Tiranës. Kjo rritje e konsiderueshme nga viti në vit i turistëve polakë në Shqipëri ka bërë të mundur njohjen e ndërsjelltë midis dy kombeve, si edhe rigjallërimin e imazhit të Shqipërisë në Poloni. Gjithsesi, pavarësisht këtyre zhvillimeve pozitive në marrëdhëniet tregtare midis dy vendeve mbetet për t’u bërë më shumë për të rritur investimet polake në Shqipëri, si dhe nivelin e shkëmbimit të mallrave. Është e vertetë që interesat strategjike tregtare të Polonisë janë të fokusuara drejt Gjermanisë dhe vendeve të Vishegradit, ashtu si dhe të Shqipërisë drejt Italisë dhe Greqisë. Por të dyja vendet duhet të gjejnë mundësitë për të rigjallëruar nismat ekonomike, aq më tepër që nisma të tilla ekzistojnë edhe në formën e forumeve ekonomike. Forumi Ekonomik Shqipëri-Poloni u organizua në Tiranë në dhjetor 2016, ku fokusi ishte tek investimet polake në Shqipëri, bashkëpunimi mes kompanive nga të dyja vendet dhe nënshkrimi i dy marrëveshjeve ekonomike në lidhje me bashkëpunimin e Dhomës së Tregtisë dhe të Industrisë së Shqipërisë me homologen e saj polake dhe një marrëveshje tjetër ndërmjet agjencive të investimeve. Rritja e tregtisë dhe interesi i zhvillimit të mëtejshëm u konfimua nga kryeministrja polake, Beata Szydlo në vizitën e saj zyrtare në Tiranë në dhjetor 2016.
Studimet mbi tranzicionin dhe ndryshimet politike që përfshinë Europën Juglindore në kapërcyellin e viteve ’90 janë fokusuar kryesisht në vektorët politikë dhe ekonomikë, duke lënë paksa mënjanë vektorin kulturor dhe përfshirjen e elementeve kulturore në këto transformime politike të rëndësishme që shënuan rënien e komunizmit dhe triumfin e demokracisë liberale. Shqipëria dhe Polonia nuk bëjnë përjashtim nga kjo përqasje analitike ndaj tranzicionit në Europën Juglindore. Prandaj shkëmbimet kulturore midis tyre kanë përforcuar marrëdhëniet mids dy vendeve. Një rol të madh në këtë drejtim ka luajtur përtëritja e traditës së hershme të viteve ’50 të arsimimit të të rinjve shqiptarë në universitetet polake. Në fushën kulturore dhe arsimore me Poloninë, më 4 maj 1993 është nënshkruar marrëveshja për bashkëpunimin kulturor dhe akademik, në bazë të së cilës Polonia akordon 12 bursa në vit për studime të larta për rininë shqiptare. Ky numër studentësh shqiptarë që janë diplomuar në universitetet e Polonisë ka bërë të mundur, jo vetëm përfitimin e dijes në auditoret polake, por edhe shkëmbimin e bashkëpunimeve shkencore dhe akademike. Në këtë kontekst, është nënshkruar edhe një marrëveshje për kërkime arkeologjike në Shkodër midis Qendrës së Studimeve Albanologjike të Tiranës dhe Universitetit të Varshavës. Fryt i këtij bashkëpunimi janë edhe rizbulimi kohët e fundit të rrënojave të një qyteti antik në afërsi të Bushatit, rrethi i Shkodrës, si edhe gërmimet arkeologjike në vetë kështjellën e Shkodrës. Me një interes të veçantë për kulturën ilire janë edhe gërmimet që misioni arkeologjik polak kreu në qytetin e lashtë të Rizonit, kryeqytetin e mbretëreshës Teutë. Rhizon është një vendkërkim i ri në Mal të Zi, i zbuluar në vitin 2001 nga Qendra e Kërkimeve mbi Antikitetin në Europën Juglindore e Universitetit të Varshavës. Shtrihet brenda qytetit aktual të Risanit në pjesën veriore të Grykës së Kotorrit, i njohur si Gjiri i Risanit, 11 km në veri të Kotorit. Lavdia e hershme e qytetit është vërtetuar nga spoliat e shumta të shtëpive që ekzistojnë akoma nga periudha turke e veneciane, si dhe nga arkitektura e mëvonshme. Vëmendja përqendrohet në pjesët e arkitrarëve, me mbishkrime, dyshemetë me mozaikë dhe në rrugët karakteristike të varreve vendase – cippe, të zbukuruara me boçe pishe të stilizuar përreth mbishkrimit.
Një numër objektesh fshihet nën tokë. Gjatë punimeve gërrmuese zbulohen mozaikë, varre, mure të vjetra, nxirren fragmente enësh, monedhash, copëra skulpturash. Që nga fillimi i kërkimeve tona arkeologjike në qytetin e Teutës, janë kryer studime sistematike të mbetjeve të mureve mrojtëse. Muret janë të ndërtuara me blloqe të mëdha me përmasa 1,20 x 1,40 x 0,60 m. Kanë gjerësi 2,6 m dhe janë ngritur me teknikën emplekton, që konsiston në ndërtimin e dy faqeve të jashtme të murit, duke e mbushur hapësirën ndërmjet tyre me plisa dhe gurë. Pas hedhjes në hartë të mbetjeve të të gjitha fortifikimeve, doli në pah se Rhizoni ka qenë i rrethuar me mur me gjatësi totale 1 km. Kjo mënyrë organizimi e mbrojtjes është e njohur në shumë fortesa në territorin e Shqipërisë, si në Lissus, Byllis, Apolloni, por edhe në Miletus, Samikon, dhe Asine. Një nga gjetjet më interesante ishte planimetria e një lagjeje të qytetit, çka i lejon arkeologët që t’i përgjigjen pyetjes se si jetonin shtetasit ilirë të Teutës. Një kompleks arkitekturor me lagje banimi, si edhe me funksione tregtare u zbulua në një nga rrugët e lashta të Rhizonit, përgjatë lumit. Një oborr i vogël dhe i shtruar lidhej me ambiente të tjera që u shërbenin qëllimeve të ndryshme. Një nga këto ambiente ishte për përdorim shtëpiak me qypa të mëdhenj të vendosur në anë të saj. Zbulimet e misionit arkeologjik polak janë të një rëndësie të veçantë, jo vetëm për kulturën ilire, por edhe për fazat e hershme të historisë së Europës. Drejtuesja e programit, prof. Katarzyna Chalasinska – Macukow, rektorja e Universitetit të Varshavës shprehet se vendet ballkanike, historia e të cilëve na kujton atë të vendit tonë, në një masë të madhe është ende terra incognita. Çdo vit sjell zbulime të reja mahnitëse dhe sekrete të reja. Elementet e këtij mozaiku po fillojnë të të krijojnë një tablo të qartë të historisë sonë të përbashkët europiane. Na gëzon fakti që në këto kërkime arkeologët polakë mund të marrin pjesë së bashku me partnerët e tyre lokalë.
Marrëdhëniet kulturore midis dy vendeve promovohen dhe janë nën kujdesin e shoqatave të miqësisë midis Shqipërisë dhe Polonisë. Në Shqipëri veprojnë shoqata e miqësisë “Shqipëri-Poloni” e krijuar në vitin 1992 dhe shoqata “Frederik Shopen”, e themeluar në vitin 1995. Ndërkohë në Poloni, në maj të vitit 1994 u riaktivizua Shoqata Poloni-Shqipëri, e krijuar në vitin 1959, por që kishte ndërprerë veprimtarinë e saj në vtin 1961.
“Kush kontrollon të shkuarën, kontrollon të tashmen dhe kush kontrollon të tashmen kontrollon dhe të ardhmen”. Ky citat i shkëputur nga vepra “Viti 1984” i shkrimtarit britanik George Orwell duket sikur ilustron edhe përpjekjet për të rifituar lirinë individuale dhe kombëtare nën ankthin totalitarist të nazizmit dhe komunizmit që përjetoi Polonia në shekullin e XX. Për t’iu kundërvënë pikërisht këtyre përpjekjeve në Varshavë dhe gjithandej në Poloni janë hapur shumë muze si vende të rëndësishme të kujtesës kolektive. Nazizmi pati një projekt politik, kulturor dhe ekonomik për ta zhbërë Poloninë dhe shpirtin polak, duke eliminuar 6.500.000 veta, nga të cilët 3.000.000 hebrenj në fabrikën e vdekjes në Aushvic dhe duke ngritur një sistem të ashpër kundërpërgjigjeje e terrori ndaj çdo përpjekjeje rezistence. Muzeu i Revoltës Polake, i ndërtuar në vitin 2004, pikërisht në prag të hyrjes së Polonisë në Bashkimin Europian është një pasqyrë e gjallë se si një popull i tërë që nuk pajtohet me diktaturën dhe terrorin, organizohet për të shpërthyer në kryengritje e revoltë për dinjitet e liri. Muzeu i Revoltës është i ndërtuar sipas një konceptualizimi modern të muzeologjisë, ku gjen pasqyrim dhe historia sociale dhe dhimbja. Ankthi, shpresa e liria pasqyrohen në linjë muzeore përmes objekteve e fotove të njerëzve të thjeshtë që jetonin në kuartetet e Varshavës. Edhe në Shqipëri janë përuruar disa shenja të rëndësishme muzeore të kujtesës kolektive shqiptaro-polake, të mbështetura nga shoqata e miqësisë Shqipëri-Poloni. Më së pari, është rehabilituar dhe nxjerrë në pah kontributi i profesor Zuberit, i lënë në harresë gjatë regjimit totalitar. Në qytetin e Kuçovës, ku ai jetoi dhe dha një kontribut të çmuar për gjeologjinë shqiptare, është përuruar busti i tij. Profesor Zuber është shpallur Qytetar i parë i Nderit për Kuçovën dhe dy rrugë, njëra në Kuçovë dhe tjetra në Tiranë mbajnë emrin e tij. Përveç bustit në Kuçovë, profesor Zuber është dekoruar me medaljen “Martir i Demokracisë” dhe me Urdhrin “Nënë Tereza” nga Presidenca. Rindërtimi i muzeut gjeologjik shqiptar në kujtim të tij do të plotësonte një borxh të madh moral që ka Shqipëria dhe shoqëria shqiptare ndaj kësaj figure të rëndësishme të mendimit gjeologjik botëror. Po kështu, dy nga sheshet shqiptare mbajnë emrat dhe bustet e Papa Gjon Palit II dhe kompozitorit të madh polak, Shopen. Vizita e Atit të Shenjtë, Papa Gjon Pali II në Shqipëri më 25 prill 1993, i dha Kishës katolike shqiptare të martirizuar hierarkinë e parë të pasdiktaturës së komunizmit; klasës udhëheqëse të vendit i tregoi udhën e demokracisë së mirëfilltë; ndërsa të gjithë qytetarëve, pa dallim, u kujtoi vlerën e vëllazërimit dhe të harmonisë, vërtet të larmishme e pluraliste fetare e shoqërore, si thesar për të sotmen e të nesërmen. Mes entuziazmit të njerëzve të mbledhur në sheshin “Skënderbej”, Papa Gjon Pali II, tashmë Shën Vojtila iu drejtua popullit shqiptar me këto fjalë: “Shqipëri qëndro në lartësinë e detyrave që të presin!”. “Të mos harrohet e kaluara, por të shikohet e të ndërtohet me guxim e ardhmja!”.., ”Kjo liri e besimit fetar, të cilën ju më në fund po e shijoni, nuk është vetëm një dhuratë e çmuar e Zotit për ata që kanë hirin e fesë, por është një dhuratë për të gjithë, sepse liria e besimit në Hyjin është themeli i garancisë për çdo shprehje të lirisë. Ajo prek njeriun në intimitetin e vet, në atë pikë të shenjtë dhe të padhunueshme që është ndërgjegjja, ku qenia njerëzore takohet me Krijuesin, dhe fiton ndërgjegjësinë e plotë të dinjitetit të vet. Nga një liri e tillë, e trajtuar ashtu siç duhet, nuk ka përse t’i trembemi asnjë çrregullimi shoqëror….Siç na mëson edhe feja: Nëse kemi një Krijues të përbashkët, që të gjithë jemi vëllezër”. Ishin këto fjalë që kanë gdhendur në kujtesën kolektive të shqiptarëve imazhin e Papa Gjon Palit II, e që në një vend tolerant e me harmoni fetare, busti i tij të qëndrojë në një nga sheshet kryesore të Tiranës.
Nga viti 1995 në Tiranë zhvillon aktivitetin shoqata kulturore “Miqtë e Shopenit”. Kultura muzikore është mbi kombet dhe ajo përbashkon njerëzit në një kulturë universale. Shopen mbetet simboli i kontributit polak në muzikologjinë botërore dhe prej shumë kohësh ai është një autor shumë i dashur për instrumentistët shqiptarë. Përurimi i bustit të tij në Tiranë më 12.11.2003 në prani të presidentit polak, Aleksandër Kvashnjievski shënon një gur të rëndësishëm kulturor në marrëdhëniet midis dy vendeve dhe e vë Tiranën në listën e qyteteve ku admiruesit e Mjeshtrit të madh të muzikës mund të vendosin një buqetë me lule. Me këtë rast shoqata e miqësisë Shqipëri Poloni do t’i dërgonte një letër presidentit polak, ku mes të tjerash do t’i shkruante se ky bust ishte një dhuratë e mrekullueshme e shoqatës “Frederik Shopen” të Polonisë dhe fondacionit ndërkombëtar “Frederik Shopen” me qendër në Varshavë. Për kryeqytetin e vendit tonë, Tiranën, kjo është shprehje e miqësisë së madhe midis dy popujve tanë. Kjo dhuratë e miqve tanë nga Polonia është një gjest i veçantë për kryeqytetin e Shqipërisë; ndërkohë, edhe Tirana i bëri një nder të madh këtij kompozitori, duke e pranuar atë në gjirin e qytetarëve të vet.
Një shenjë tjetër e kujtesës kolektive shqiptaro-polake në Tiranë është basorelievi i kryeministrit të parë polak jokomunist në Europën Lindore, Tadeusz Mazovieckit. Në vitin 1992 ai u emërua i dërguari i posaçëm special i Komisionit të të Drejtave të Njeriut të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për ish-Jugosllavinë. Pasi ndodhën masakrat e regjimit të Millosheviçit kundër popujve boshnjakë dhe popullit të Kosovës, ai dha dorëheqjen e parevokueshme në shenjë proteste ndaj OKB-së se nuk ishte e aftë të vepronte për mbrojtjejn e këtyre popujve. Basorelievi u përurua më 17.06.2015 me pjesëmarrjen e Ministres së Kulturës së Shqipërisë, zonjës Mirela Kumbaro dhe Ministres së Kulturës dhe të Trashëgimisë Kombëtare të Polonisë, zonjës Malgorzata Omilanoëska.
Letërsia me vlerat e saj universale ka shërbyer gjithmonë si një urë komunikimi midis dy kulturave dhe marrëdhënieve të ndërsjella midis dy popujve. Përkthimi më i hershëm i letërsisë polake në shqip është i romanit Quo Vadis? të nobelistit Henryk Sienkiewicz (1864 – 1916), botuar më 1895 në Poloni (Çmimi Nobel për Letërsi -1905). Në gjuhën shqipe, në një formë të reduktuar në dialektin gegë, ai u përkthye në vitin 1933 nga Atë Vinçens Prenushi OFM (1884 – 1947). Përkthimi i tij i plotë, nga italishtja u bë më 1956 nga Hajro Babameto (1925 – 2010), por doli në dritë vetëm në vitin 1999. Romani frymëzohet nga legjenda e Quo vadis-it e shtjellon në formë alegorike stigmatizimin e tiranisë dhe korrupsionit të një elite të privilegjuar njerëzish në kohën e Neronit. U shkrua në formë alegorike nga autori në mërgim pikërisht në një kohë kur atdheu i tij, Polonia vuante në zgjedhën e tri dinastive më autokratike të Europës së shekullit XIX: Hohenzollern, Romanov e Habsburg. Viti 1933, kur u përkthye në Shqipëri, korespondon me mbylljen e shkollave të huaja nga mbreti Zog, përfshirë edhe ato fetare, çka shikohej nga kleri katolik shqiptar si një persekutim ndaj traditës së tyre shekullore.
Vepra më e rëndësishme letrare që ka pasur ndikim për një kohë të gjatë në opinionin shqiptar është përkthimi i poezive dhe poemave të poetit kombëtar polak Adam Mickiewicz (1798 – 1855) nga Lasgush Poradeci më 1960. Adam Mickiewicz është një poet i shquar i epokës së romantizmit, një publicist dhe aktivist i lëvizjes kombëtare polake. Mickiewicz, si rrallëkush ka fatin e veçantë që të konsiderohet si poeti kombëtar në Poloni, Lituani dhe Bjellorusi. Estetika dhe filozofia romantike ishin kryesisht pranë poetit dhe shumë shpejt u pasqyruan në ciklin “Baladat dhe romancat”, i cili formoi bazën e vëllimit të parë të veprave të Miscavige, botuar në Vilna më 1822. Në parathënien e tij – “Mbi poezinë romantike” – ai përvijoi vizion i një arti të ri. Një vit më vonë, del vëllimi i dytë i veprave të poetit, i cili përfshin dy poema – “Grazhina” dhe “Dzyady” (jo plotësisht). Ai bëhet një poet i njohur, kreu i romantizmit polak. Vepra e tij më e rëndësishme, poema “Pan Tadeusz” e shkruar në vitet 1832-1834 e që konsiderohet si enciklopedi e jetës polake, është përkthyer pjesërisht nga prof. Qevqep Kambo, me titullin Pan Tandeusz ose Sulmi i fundit në Lituani më 1960 dhe e plotë, me përkthimin e Jorgo Gjikondit, më 1998. Në personalitetin e tij u mishëruan poeti romantik kombëtar dhe aktivisti politik e patrioti për fitimin e pavarësisë së Polonisë. Në Ballkan dhe në Shqipërinë që kishte vuajtur shumë nga mungesa e lirisë, vargjet e Mickiewicz jehonin si eter për lirinë.

Vitet e fundit, sidomos pas vitit 2000 është rritur numri i përkthimeve të letërsisë polake në shqip dhe numri i autorëve shqiptarë të botuar në Poloni. Në Shqipëri numërohen mbi 60 libra të literaturës polake, përkhyer në gjuhën shqipe, ku spikasin autorë të shquar polakë, si Ryszard Kapuscinski, Andrzej Stasiuk, Czeslaw Milosz të përkthyer nga Astrit Beqiraj, Pandeli Çina e Leonard Zissi. Në polonisht janë përkthyer autorët shqiptarë, si, Ismail Kadare, Ylljet Aliçka, Fatos Lubonja e Fatos Kongoli.
Mbështetja e pakushtëzuar që Polonia i ka dhënë Shqipërisë për hapjen e negociatave dhe anëtarësimin e saj të plotë në Bashkimin Europian, si edhe njohja e Republikës së Kosovës ka krijuar një klimë shumë të mirë bashkëpunimi politik, ekonomik e kulturor midis botës shqiptare dhe asaj polake. Perspektivat e këtij zhvillimi përforcohen më shumë edhe nga fakti që Polonia, tashmë në kuadër të Nismës së Grupit të Vishegradit, mund të luajë një rol më të madh dhe përcaktues në forcimin e demokracisë liberale dhe ekonomisë në rajon. Diga historike e ruajtjes së qytetërimit europian nga Baltiku në Adriatik mund të ringrihet në një vijë lineare zhvillimi ekonomik e kulturor brenda Bashkimit Europian, duke prodhuar në të njëjtën kohë paqe dhe stabilitet në rajon.
*Autori është historian dhe autor i monografisë “Nga Adriatiku në Balltik: Udhëkryqe shqiptaro-polake”, Toena, Tiranë, 2020. Pjesa që po botojmë është kapitulli VII i këtij libri.
