Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Qipro me shumë dështime dhe pak shpresa!
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Lajmi i fundit > Qipro me shumë dështime dhe pak shpresa!
Lajmi i funditopinion

Qipro me shumë dështime dhe pak shpresa!

Published: September 11, 2026
Shpërndaje

DR. JORGJI KOTE

Javët e fundit, sidomos pas vizitës atje më 29 Korrik të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për Qipron e vogël janë ngjallur shpresa dhe pritshmëri të mëdha. Ajo ishte vizita e parë në ishullin e ndarë me force 52 vite më parë e një sekretari të Përgjithshëm të OKB-së nga viti 2010. Atje ai u takua me Presidentin e Qipros turke, Tufan Erkϋuman dhe të Qipros greke, Nikos Christodoulides. Në këto takime u ra dakord për një zgjidhje tërësore dhe të qëndrueshme mes bashkëpunimit, dialogut politik, respektit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë.

Në deklarimet e tij edhe përpara medias, Gueterres nënvizoi nevojën e ngutshme për përgatitjet lidhur me organizimin e një Konference të zgjeruar për Qipron. Ky proces i ndërtuar mbi bazën e konvergjencave mes tyre, synon krijimin e masave të sigurimit dhe besimit, të metodologjisë dhe përmbajtjes së bisedimeve të ardhëshme. Ky Takim në formatin 5+1 do të përfshijë të dyja palët në Qipro dhe garantët e saj, Greqinë, Turqinë, Britaninë e Madhe, BE-në dhe OKB-në; por pa caktuar ndonjë datë konkrete, madje ky problem nuk do të diskutohet as gjatë Javës së Nivelit të Lartë të OKB-së në Nju Jork në shtator, me qëllim që palëve t’u lihet koha e duhur, mbasi siç tregon përvoja e deritanishme “kur nxiton, vonon“!
Ca më tepër se mbas vitit 2017 janë zhvilluar 6 takime të tilla në Gjenevë, Berlin dhe në Nju Jork, por pa arritur asnjë rezultat.

- Publicitet -

Ndërkohë, Gueteres ka emëruar diplomaten kolumbiane me përvojë Maria Angela Hoguin, si të Dërguarën e tij të Posaçme për Qipron, e cila këto ditë do të jetë në në ishull për takime me të dyja paelët dhe Kryenegociatorët e tyre.
Vetëm se ashtu si më parë, edhe tani problemet dhe vështirësitë filluan qysh me interpretimin me nuanca të ndryshme nga të dyja palët të deklaratave dhe kërkesave të Sekretarit të Përgjithshëm Gueterres. Një ndër to është nëse “ konvergjencat “ të cilat përmendi Gueterres janë kusht, sipas palës turke apo apo realitet, siç pohon pala greke qipriote. Çështje tjetër tejet e debatueshme është metodologjia e këtyre bisedimeve deri në zhvillimin e Konferencës 5+ 1, etj.

Këto dhe të tjerë komponentë janë me shumë rëndësi mbasi situata, dështimet dhe zhgënjimet e shumta gjatë 52 viteve pas pushtimit të pjesës veriore nga forcat turke të japin shumë pak shpresë dhe hapësirë edhe për optimizmin më të moderuar. Për një numër shkaqesh dhe arsyesh historike, megjithë demarshet e deritanishme mungon besimi i duhur.

Mirëpo kjo është shumë serioze, edhe pse bëhet fjalë për një ishull të vogël me 9,2 mijë km katrore me një popullsi 1,2 milion banorë; ku 59 për qind e territorit me gati 1 milion banorë është grek dhe 37 për qind turk me rreth 300.000 banorë, ndërsa 4 për qind është zona e ndërmjetme. Por Qipro ka një emër dhe famë shumë më të madhe si antar i BE-së, parajsë fiskale, atraksion turistik dhe me pozicion strategjik kyç në Mesdheun Lindor.

Besimi i lartpërmendur mungon për shkak të dështimeve të njëpasnjëshme qysh nga data 20 Korrik 1974 kur pas një tentative për grusht shteti nga Greqia, ushtria turke ndërhyri me operacionin ushtarak “ATTILA” duke aneksuar pjesën veriore ose 1/3 e ishullit. Në vitin 1983, aty u shpall Republika Turke e Qipros Veriore ( TRNC) e cila veç Turqisë, nuk është njohur nga asnjë vend tjetër.

Më në fund, mbas dështimit të Planit të ish-Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së “Annan” më 2004, momenti më shpresëdhënës për një kompromis historik erdhi në muajin Qershor 2017, kur në Forumin e Krans Montanës u zhvilluan negociata intensive ndërmjet dy palëve me ndërmjetësimin e Sekretarit të ri të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres; ky i fundit e filloi misionin e vet me këtë sfidë madhore për të vënë në vend “nderin” e OKB-së. Ai paraqiti një plan konkret me gjashtë pika kryesore – zëvendësimin e sistemit të tanishëm të ndërhyrjes së njëanshme nga fuqitë garantuese me një sistem të ri më efektiv, të bazuar në mbikqyrjen e procesit; forcimin e sigurisë nëpërmjet reduktimit të ndjeshëm të trupave ushtarake turke; përshtatje dhe rregullime në hartën e ishullit për të akomoduar pretendimet territoriale përkatëse; rregullime teritoriale për të lehtësuar zgjidhjen e çështjes së pronave; trajtimin e barabartë për transportin dhe lëvizjen e mallrave dhe shtetasve turq e grekë; së fundi lidhur me ndarjen e pushtetit, Guterres propozonte që Presidenti i Qipros greke të kryente 2/3 e mandatit presidencial dhe pjesën e mbetur Presidenti turk; gjithashtu, për hir të interesave jetike të ishullit të kishte konvergim idesh dhe praktikash dhe votim pozitiv nga të dyja palët.

Ky plan dështoi për shkak të kundërshtimeve nga të dyja palët. Kështu, ekspertët e kanë konsideruar të gabuar kërkesën që Turqia të tërhiqte menjëherë të gjitha trupat e saj nga ishulli. Madje, ajo nuk është gati as tani për një tërheqje minimale të trupave të saj, çka do të ishte thjesht shprehje simbolike e masave të krijimit të besimit dhe sigurisë në ishull. Këtë e ka konfirmuar më 14/11/2018, edhe ish Zv.Presidenti i parë turk Fuat Oktay kur tha se “ Qipro turke është pjesë themeluese dhe përbërëse e ishullit dhe Turqia nuk do të lejojë që Qipro greke ta injorojë këtë fakt”

Shkak tjetër i dështimit të negociatave në Krans Montana ishte imponimi nga OKB-ja i një afati kohor urgjent “ brenda natës”; mirëpo është naivitet të kërkosh të zgjidhësh një “ nyje gordiane” si ajo në Qipro brenda një raundi bisedimesh, një sezoni apo dhe një viti, siç u tentua më 2017. Të dyja palët në bisedime kanë pohuar se zgjidhja e këtij konflikti kërkon një afat kohor më të gjatë. Madje, Europarlamentari spanjoll, Javier Nart, i cili më 15 nëntor 2018 moderoi një takim në Parlamentin Evropian në Bruksel sugjeroi se afati kohor më realist për tërheqjen e trupave turke nga ishulli do të ishte 10 vjet. Por me kusht që të ekzistojë vullneti politik dhe besimi dypalësh që kanë munguar.

Besimi në një zgjidhje të qëndrueshme mungon edhe pse ndryshe nga viti 1974, kur komuniteti turk rrezikohej nga grushti grek i shtetit, sot gjendja në ishull dhe në rajon është krejt ndryshe dhe pa asnjë rrezik për sigurinë e Qipros Turke.
Me të drejtë lind pyetja se tani kur Qipro rrethohet nga vende miq dhe partnerë të BE-së dhe NATO-s, përse duhen trupat turke në ishull? Mirëpo në një vështrim më të gjerë gjeopolitik, kjo lidhet me interesat strategjike turke në Mesdhe dhe në Lindjen e Mesme, që janë theksuar më shumë pas zhvillimeve në këto vitet e fundit.

Qipro është dështim i madh edhe për garantët e saj ndërkombëtarë të caktuar në Protokollin e vitit 1960 me rastin e Pavarësisë së Qipros – Greqisë, Turqisë, Britanisë së Madhe, OKB-së dhe BE-së. Sepse megjithë demarshet dhe përpjekjet e tyre, edhe në këto 25 vitet e fundit, Qipro vazhdon të jetë e ndarë dhe me shumë pak gjasa për një ribashkim, ca më pak të shpejtë.

Mbi të gjitha, Qipro përfaqëson një dështim të OKB-së, megjithë rezolutat, emisarët e ndryshëm, konferencat dhe demarshet e saj të shumta diplomatike.
Qipro është dështimi i madh dhe për BE-në, e cila zyrtarisht ka rolin e” vëzhguesit aktiv” në këtë krizë. Ndonëse ka debate dhe kundërshti për rolin e saj, sidomos nga pala turke që e kundërshton për “ konflikt interesi” meqenëse Qipro është antare e BE-së. Mirëpo një logjikë tjetër politike të thotë se kur BE-ja interesohet, jep këshilla dhe ndërmjetëson për konflikte jashtë saj, ajo nuk ka si të mos interesohet për zonën e Mesdheut dhe për një vend antar të saj nga viti 2004.
Për më tepër, kur BE-ja ka dhënë për Qipron turke nga viti 2006 një shumë prej mbi 1 miliard Euro për infrastrukturën, shoqërinë civile, shkollat, etj.

Duke saktësuar këtë pozicion politik “ as mish as peshk“ zyrtarët e BE-së e justifikojnë atë me argumentin se procesin e drejton OKB-ja, ndërsa “pronare” e tij është vetë Qipro”. Shënojmë se javët e fundit pala turke kundërshtoi me zhurmë edhe emërimin e Ndërmjetësuesit të Posaçëm të BE-së për Qipron, Zv.Presidentin e Komisionit Europian, Raffaele Fitto.

Për pasojë, Qipro është kthyer në një nga krizat më të gjata në historinë e pasluftës së II Botërore, duke iu shtuar listës së “ konflikteve të ngrira”

Veç kësaj, krahasuar me 52 vite më parë kanë ndryshuar shumë dhe kushtet gjeopolitike në rajon dhe më gjerë. Kështu, krahas Greqisë, anëtare e BE-së ka vite që është edhe Qiproja greke, ndërsa Turqia nuk i ka çelur ende negociatat dhe as nuk dihet nëse do t’i çelë ndonjëherë me BE-në. Ndërkohë, nisur nga vëllimi i madh i tregtisë dhe investimeve me to, dalja e Britanisë së

Madhe nga BE-ja ka patur pasojat e saj për Qipron, Greqinë dhe Turqinë.
Ndërkohë, Turqia, siç e dëshmoi edhe Samiti i NATO-s në Ankara në korrik është ngjitur shumë më lart në hierarkinë gjeopolitike, duke sfiduar edhe BE-në dhe po kërkon të shtrijë më tej zonat e saj të influencës; në një kohë kur marrëdhëniet me Greqinë, megjithë uljet dhe ngritjet koniunkturore kanë mbetur problematike.

Pas këtij digresioni retrospektiv historik, le t’i rikthehemi mesazheve, kushteve dhe këndvështrimeve të të dyja palëve me nuancat e ndryshme në Qipro në vijim të vizitës së Gueteres në Nikosia më 29 Korrik dhe takimit të dy presidentëve qipriotë më 26 Gusht dhe 2 Shtator.
Edhe ideja që shprehu e dërguara e Posaçme e OKB-së, María Ángela Holguín për një shtet federatë, siç e duan qipriotët grekë dhe Konfederatë për qipriotët turq u prit me shumë dyshime, edhe pse ajo i mohoi këto njoftime.
Pala qipriote greke kërkon përgatitje në substancë, mbi bazën e konvergjencave të arritura dhe duke i paraqitur ato udhërrëfyesi në rrugën përpara.
Ndërsa pala turke pretendon që procesi i ri i bisedimeve duhet të jetë NDRYSHE dhe pa kthim prapa.

Argumenti i qipriotëve turq dhe i negociatorit të tyre Özdil Nami mbështetet në kushtin e Gueterres lidhur me “zhvillimin e Takimit të ardhshëm në formatin 5+1 mbas përgatitjeve të duhura lidhur me krijimin e masave të besimit, përcaktimin e metodologjisë dhe substancës së bisedimeve”.

Ndërsa sipas Zëdhënësit të qeverisë së Qipros greke, Antoniu, “Palët do të paraqesin komentet e tyre mbi dokumentin duke rikonfirmuar konvergjencat dhe kësisoj do t’i çelet rruga Konferencës së zgjeruar ku do të njoftohet rifillimi i bisedimeve” Ish negociatori greko qipriot, Toumazos Tselepis mendon se krijimi i masave të besimit do të diskutohet por jo si kusht për rifillimin e bisedimeve.
Më tej, sipas Negociatorit qipriot turk, Özdil Nami, në qendër të negociatave të ripërtërira duhet të jetë metodologjia dhe jo destinacioni si deri tani. Sipas tij, duet t’i kushtohet e njëjta rëndësi Rrugës përpara, sepse e ardhmja e Qipros do të përcaktohet më shumë se SI dhe jo jo se Çfarë do të bisedojmë.

Sipas tij, rëndësinë përcaktuese të Metodologjisë e dëshmoi edhe dështimi i bisedimeve më të fundit në vitin 2017 në Krans Montana. Ndonëse të tria fuqitë garantuese kishin ofruar mbështetjen e tyre për zgjidhjen e krizës, përfshirë BE-në dhe OKB-në. Edhe pse bisedimet u udhëhoqën dhe u zhvilluan midis përfaqësuesve të të dy komuniteteve qiopriote. Dhe kur ishin arritur shumë konvergjenca në qëndrimet e tyre. Ja pse, sipas tij nuk është më e mjaftueshme krijimi i kushteve të bisedimeve si në Krans Montana por duhet shumë më tepër.

Këtu del në pah propozimi me 4 pika i Presidentit të Qipros turke, Tufan Erhürman, i cili kërkon skicimin e procesit ne tryezë me tre faza – përcaktimi i një kalendari kohor, i një mekanizmi nëse do të ketë mosmarrëveshje midis palëve dhe zgjedhjet thelbësore për masën e gjerë të njerëzve dhe jo t’i pyesim ata thjesht të pranojnë ose refuzojnë një zgjidhje tërësore me një PO ose JO!

Me një fjalë, sfida tani është të bihet dakord nga të dyja palët për trasenë e bisedimeve, dhe jo më të bisedojmë Sërish por NDRYSHE! Vetëm kështu do të arrihet “kilometri i fundit“ që përmendi Gueterres në Nikosia më 29 Korrik 2026.
Së fundi, në vijim të vizitës dhe porosive të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Gueterres në vizitën e tij në Ishull, më 26 Gusht, 2 dhe 9 Shtator janë zhvilluar takime midis dy Presidentëve të pjesës turke dhe asaj greke, përkatësisht Tufan Erkϋuman dhe Nikos Christodoulides. Në këto takime t karakterizuara nga një atmosferë miqësore dhe konstruktive është rënë dakord në parim lidhur me masat për krijimin e frymës së re të dialogut dhe mirëbesimit në trajtimin e aspekteve të ndryshme teknike, përpara se të kalohet në aspektet më politike dhe përmbajësore. Gjithashtu, ata janë dakord që krahas grupeve të ekspertëve dhe diplomatëve, edhe ata vetë të takohen çdo javë dhe, sipas rastit, edhe më shpesh.

Gjithsesi, tani mbetet për t’u parë se sa këto shpresa të reja të mëdha do të kthehen në realitete, diçka tejet e vështirë nisur nga përvojat e lartpërmendura dhe sfidat e shumta që kanë të dyja palët, Greqia dhe Turqia por edhe garantët e tyre më mëdhenj. Ndaj, urojmë që Qipro e vogël të ketë Shpresa por edhe Shanse të mëdha.

DITA

 

 

 

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo
Posto një koment

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajmi i Fundit

  • Lea Ypi: Për socializmin moral që bazohet te vlerat universale të Iluminizmit
  • Qipro me shumë dështime dhe pak shpresa!
  • Ullishtja kombëtare e pronësisë shqiptare
  • U largua nga Ministri i Brendshëm, reagon Besfort Lamallari
  • Rrezikon Shqipërinë dhe Maqedonine e Veriut: Kërcënimi i heshtur nga virusi vdekjeprurës Krime-Kongo

Komentet e Fundit

  1. xxx on Ron Yeffet hapi “fermë kuajsh” në resortin e Ergys Agasit, kur ky ishte në kërkim dhe dy javë përpara sekuestrimeve nga SPAK
  2. Patriot on Ambasadori gjerman flet pas provave të reja për Ballukun: Antikorrupsioni në nivele të larta, parakusht i panegociueshëm
  3. M6 on Akuzohet se ka pastruar dhe fshehur 1.5 milion euro, thirret në SPAK deputeti Luan Baçi
  4. Flamur Struga on Prokurorët e Hagës kërkojnë gjashtë vjet burg për Thaçin për pengim të drejtësisë
  5. blog de musica on HISTORI: Kryekomandanti me origjinë shqiptare që ka mbiemrin më të njohur por edhe më të çuditshëm në Greqi

Kategori

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?