Gjyqtarët janë mbledhur këtë të enjte në një mbledhje të jashtëzakonshme për të diskutuar ngërçin e krijuar me pagat e muajit gusht për magjistratët dhe administratën gjyqësore.
Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, e cilësoi situatën si të jashtëzakonshme, duke theksuar se bllokimi i pagave nuk është më thjesht një problem financiar, por prek funksionimin normal të gjykatave, pavarësinë e gjyqësorit dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas Sadushit, çështja nuk duhet të trajtohet si një përplasje mes gjyqësorit dhe ekzekutivit.
“Mund të ketë debat për mënyrën e zbatimit, por jo për detyrimin për të zbatuar një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.
Kreu i Gjykatës së Lartë nënvizoi se një vendim përfundimtar i Kushtetueses mund të kritikohet apo të mos pëlqehet, por nuk mund të lihet pa u zbatuar.
“Kur ai është përfundimtar, nuk diskutohet më nëse pajtohemi me të, por diskutohet vetëm se si do të zbatohet”, u shpreh Sadushi.
Ai theksoi se mosveprimi i Kuvendit për miratimin e formulës së re të pagave nuk mund t’i japë ekzekutivit të drejtën të pezullojë efektet e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Në një shtet të së drejtës, organi shtetëror i nënshtrohet vendimit, jo vendimi vullnetit të organit shtetëror”, deklaroi ai.
Sadushi ngriti gjithashtu pyetjen se cila është paga që administrata shtetërore duhet t’u njohë gjyqtarëve nga 1 gushti 2026, pas shfuqizimit të formulës së mëparshme nga Gjykata Kushtetuese.
Sipas tij, një formulë e shpallur antikushtetuese nuk mund të vazhdojë të zbatohet përmes praktikave administrative apo mosveprimit të institucioneve.
“Një normë e shfuqizuar nuk mund të rikthehet në fuqi përmes mosveprimit dhe as të mbahet në jetë përmes një praktike administrative”, tha Sadushi.
Ai theksoi se e drejta e gjyqtarëve për pagë buron nga Kushtetuta dhe ligji dhe nuk mund të varet nga planifikimi buxhetor.
“Nuk është Kushtetuta ajo që përshtatet me buxhetin, por është buxheti që duhet të përshtatet për të bërë të mundur zbatimin e Kushtetutës”, u shpreh kreu i Gjykatës së Lartë.
Sadushi e lidhi çështjen e pagave edhe me pavarësinë e gjyqësorit, duke argumentuar se paga është pjesë e statusit kushtetues të gjyqtarit dhe një garanci konkrete për ushtrimin e pavarur të funksionit.
Në fjalën e tij, ai u ndal edhe te administrata gjyqësore, e cila sipas tij nuk mund të mbajë pasojat e një mosmarrëveshjeje institucionale që nuk e ka krijuar.
“Zhbllokimi i menjëhershëm i pagave të administratës gjyqësore nuk është çështje negocimi, por detyrim njerëzor, institucional dhe shtetëror”, deklaroi Sadushi.
Ai u bëri thirrje institucioneve që të mos lejojnë që punonjësit e gjykatave, përfshirë sekretarët gjyqësorë, kancelarët dhe nëpunësit, të përballen me pasojat e situatës.
Në përfundim, kreu i Gjykatës së Lartë e vendosi debatin në një kuadër më të gjerë, atë të kulturës kushtetuese dhe integrimit europian.
Sipas tij, respektimi i vendimeve të gjykatave dhe ndarja e pushteteve janë tregues të funksionimit real të shtetit të së drejtës.
“Shteti i së drejtës nuk matet me gatishmërinë për të zbatuar vendimet që na leverdisin, por me bindjen ndaj Kushtetutës, kur zbatimi është i vështirë”, tha Sadushi.
Ai theksoi se gjyqësori nuk po kërkon privilegje, por respektimin e garancive që burojnë nga Kushtetuta, ligji dhe vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese.
j.l./ dita
