Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Shanset e humbura të politikës shqiptare
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Kulture > Shanset e humbura të politikës shqiptare
Kulture

Shanset e humbura të politikës shqiptare

Published: February 25, 2023
Shpërndaje

Jovan Bizhyti                       

 Shënime për librin “Dështimi i një sistemi” të gazetarit dhe analistit, Asim Bedalli.

Për ditë e më shumë, në vargun e botimeve në këto dekada të viteve 2000, po ze vend gjithnjë e më shumë letërsia publicistike dhe ajo politike, të cilat jo vetëm na kanë sjellë në kujtesë të shkuarën dhe të tashmen historike të popullit tonë, por dhe analizën e ngjarjeve, personazhet që kanë debutuar e debutojnë në skenën e politikës dhe mentalitetet e konceptet konservatore e arkaike që kanë penguar ecjen përpara të shoqërisë sonë. Një libër i tillë është dhe “Dështimi i një sistemi” i gazetarit dhe analistit, Asim Bedalli, i cili na sjell në retrospektivë ngjarje të politikës shqiptare në dekadën e fundit të viteve 80-të dhe fillimeve të ndryshimeve demokratike në Shqipëri, duke qenë një protagonist dhe vëzhgues aktiv në sferat e larta të politikës e të pushtetit.

- Publicitet -

Në hyrje të librit autori shkruan: “Shënimet e mia janë ato të një njeriu i cili, për shkak të rrethanave të jetës, gjendet në pozicione pune apo kthesash historike, nga ku mund të përjetosh e të kuptosh mekanizmat e funksionimit të një ideologjie dhe të një politike në shërbim të saj”. Ai si një dëshmitar okular i të gjitha situatave dhe ngjarjeve epokale të proceseve demokratike, që përcaktuan fatin e këtyre ndryshimeve, njohu nga afër protagonistët e sferave të larta të politikës shqiptare, siç thotë ai, “Njëra palë në rënie të lirë dhe pala tjetër që vraponte të përfitonte sa më parë karriken e pushtetit”. Në librin e tij midis të tjerave, autori ndalet kryesisht në analizat e punës së tij pranë disa kryeministrave që kanë drejtuar qeveritë shqiptare, që nga Adil Çarçani, që drejtoi në periudhën më të vështirë pas vetëvrasjes së ish kryeministrit Mehmet Shehu, kur Shqipëria pas shkëputjes dhe nga Kina, po përjetonte një krizë të thellë politike dhe ekonomike. Asimi ka kryer detyrën e këshilltarit dhe ndihmësit të parë të Kryeministrit. Më pas, me këtë detyrë edhe në qeverinë e Fatos Nanos, në atë të  “Stabilitetit” me Ylli Bufin dhe në qeverinë “Teknike” të drejtuar nga Vilson Ahmeti, deri në pranverën e vitit 1992, kur pushteti kaloi në duartë e opozitës së re shqiptare të drejtuar nga Partia Demokratike dhe Sali Berisha.

Asimi vinte nga përvoja e punës me rininë, në veçanti në drejtimin e aksioneve që kjo rini kreu në shumë fusha, dhe kryesisht për ndërtimin e hekurudhave Librazhd-Prrenjas dhe më pas në atë Fier-Ballsh në vitet 1973-74. Pastaj, Asim Bedallin e shohim në drejtimin e gazetës “Zëri i Popullit”, organ i KQ të PPSH, një nga gazetat kryesore në shtypin shqiptar. Dhe në vitin 1982, ai emërohet në Këshillin e Ministrave si ndihmës dhe këshilltar i parë i Kryeministrit Adil Çarçani. Që në takimin e parë të prezantimit me të, ai i tha:

“Asim, kam nevojë që problemet të mi thuash siç janë, pa i zbukuruar, ashtu siç fole në plenumin e Komitetit të Partisë të Tiranës, si Krye/Redaktor i “Zerit të Popullit”. Në atë kohë, një nga problemet kryesore të drejtimit të ekonomisë ishte euforia, mbulimi i mosrealizimeve të planit me zëra të dorës së dytë, për të siguruar realizimin global. Këto shpesh bëheshin shkak dhe i debateve në mbledhjet e Qeverisë. Adil Çarçani, ishte një drejtues puntor dhe shumë i përpjekur për detyrën e madhe që i ishte besuar. Ishte me eksperiencë të gjatë prej disa dekadash si Ministër i Ekonomisë dhe më pas si Zv/Kryeministër në Qeverinë e Mehmet Shehut, prej të cilit ruante mbresat më të mira, si një nga drejtuesit jo vetëm më jetëgjati në shtrirje kohe, por dhe nga më të suksesshmit në drejtimin dhe zhvillimin e ekonomisë shqiptare deri në vitet 80-të.

Por Adili ishte më i butë, më tolerant dhe më strikt në shinat partiake, veçanërisht në marrëdhënie me KQ të Partisë dhe me direktivat e saj. Ai ishte larg dhe kërkesës së ashpër të llogarisë e arrogancës që manifestonte paraardhësi i tij, Mehmet Shehu. Për funksionin që kishte, ai i shihte me objektivitet vështirësitë që po kalonte ekonomia e vendit dhe mangësitë që po rriteshin dita-ditës si procese tepër të vështira, por ai nuk doli dot jashtë kornizave mbytëse të sistemit ekonomik në fuqi. Kjo jo vetëm për kufizimet e tij ideore, por dhe të mungesës së forcës e të guximit për të ndërmarrë iniciativa e reforma, që do e çonin më përpara ekonominë që po gllabërohej për ditë e më shumë nga krizat që ndiqnin njera tjetrën.

Para viteve 80-të, ishin inkurajuese disa tregues të ekonomisë e të zhvillimit social të shoqërisë, veçanërisht industria e lehtë e ajo ushqinore patën një zhvillim të dukshëm. Bujqësia po ashtu, kishte një rritje inkurajuese, veçanërisht bonifikimi e sistemimi masiv i tokës e shfrytëzimi i saj, që çoi gati në rritje tri herë të sipërfaqes së punueshme, ku rreth 52% e saj u vu nën ujë me një rrjet perfekt vaditës e kullues. Të ardhurat kombëtare në vitet 60-70 u rritën gati tri herë më shpejtë se shtesa mesatare e popullsisë. Jo pak arritje pati dhe në fushën e arsimit, kulturës, shëndetsisë, të mbrojtjes e tjera.

Por në fillimet e viteve 80-të, rritmi i zhvillimit të ekonomisë filloi të bjerë gradualisht. Këtu ndikuan shumë faktorë, ku njeri prej tyre ishte dhe mbyllja në vetvete totalisht e gjithë jetës së vendit, pas shkëputjes dhe me Kinën e largët. Ekonomia në këto kushte, nuk mund të ecte me arnime, por duheshin reforma të thella. Pengesa kryesore ishte centralizmi ekstrem i planifikimit dhe i drejtimit të ekonomisë. Autori i librit midis të tjerave shkruan: “Udhëheqja e Partisë së Punës edhe pas vdekjes së Enver Hoxhës, i qëndroi besnike këtij parimi, pavarësisht se kriza ekonomike ku ishte futur vendi, thellohej vazhdimisht. Edhe në pragun e rënies së sistemit, kur ekonomia kishte rënë në reçension e amulli, Ramiz Alia në Plenumin e 9-të të KQ, që ishte ndër pleniumet e fundit të Partisë së Punës, zgjidhjen e shihte jo tek reformat rrënjësore të ndryshimeve, por tek vazhdimësia e këtij mekanizmi centralizues ekonomik. Këtë e kish kuptuar dhe Kryeministri gjerman i Bavarisë J. Shtraussi, në vitin 1984 në ato pak takime që bëri me udhëheqjen shqiptare gjatë vizitës 2-3 ditore në Shqipëri, i cili në një nga intervistat dhënë gazetarëve në pyetjen që i bënë: “Nëse po ndryshon Shqipëria”? Ai u përgjigj:

“Ata flasin për përmirësime, e jo për ndryshime!”

Dhe autori nxjerr konkluzionin: “Vallë ishte thjeshtë paaftësi e miopi politike që udhëheqësit e lartë të partisë e të shtetit shqiptar nuk e kuptonin që ky mekanizëm ekonomik ishte shkaku kryesor i krizës së vendit? Apo ndoshta ishte dhe frika për të ndërmarrë reforma të thella të ndryshimeve të sistemit, që mbanin mbërthyer ekonominë, pse jo dhe pushtetin politik në gjithë vendin”. Por kjo kërkonte aftësi dhe guxim të një burri shteti, si dhe zgjidhje me një bisturi kirurgjikale të dhimbshme, që për fatin e keq, Ramiz Alia dhe Adil Çarçani, si dy udhëheqësit e partisë e të pushtetit në ato kohë, nuk ishin të atij kualiteti për t’i dal zot vendit e fateve të popullit.

Edhe mbyllja me botën e jashtme, sipas parimit të “Mbështetjes në forcat tona” ishte gjithashtu një nga shkaqet kryesore të dështimit të ekonomisë dhe të vet sistemit socialist të vendit. Duket që këtë e kish kuptuar Enver Hoxha, sidomos pas pasojave që solli prishja me RP të Kinës. Ai nisi të bëjë përpjekje për t’a nxjerrë Shqipërinë nga kjo mbyllje. Vizita e Kryeministrit të Landit të Bavarisë të Gjermanisë Perëndimore, Franz J. Shtrauss në vendin tonë në gushtin e vitit 1984, ishte pjesë e këtyre përpjekjeve të Enver Hoxhës për të dal nga ky izolim. Ai ishte një nga personalitetet më me influencë të politikës gjermane në atë periudhë. Ardhja e tij në Shqipëri, u duk si një rrufe në qiell të pastër! Për këtë vizitë në atë kohë, u fol pak dhe përgjithësisht u mbulua me një terr informativ. Edhe për vizitën e dytë të tij në maj 1986, gjithashtu nuk u fol asgjë!

Asim Bedalli, si ndihmës dhe një nga këshilltarët kryesor të Kryeministrit Adil Çarçani, ka qenë pjesë e grupit të punës në takimet me Kryeministrin Shtrauss dhe në kujtimet e tij, midis të tjerave në këtë libër ai shkruan: “Vizita e Shtrauss-it në vendin tonë, nisi si “turistike” dhe përfundoi “politike”. Ajo ishte përgatitur nga vet Enver Hoxha. Ai diti t’a rris interesin e gjermanëve për Shqipërinë. Të drejtën e kombit gjerman për t’u bashkuar, Enver Hoxha e kish artikuluar që në maj të vitit 1981. Ky qëndrim u shpreh dhe në Kongresin e 8-të të PPSH. Shqipëria ishte i vetmi vend që ishte shprehur zyrtarisht për të drejtën e kombit gjerman për ribashkim dhe për të patur një shtet të vetëm. Kjo i bënte jehonë dhe çështjes shqiptare. Ishim dy raste unike në Europë si shtete të përgjysmuara. Gjysma e popullsisë gjermane ishte në anën sovjetike, ashtu si dhe gjysma e shqiptarëve ishte në anën e RF të Jugosllavisë”.

Nisur nga ky opinion i Shqipërisë, RF Gjermane nisi të tregojë një interes në rritje për Shqipërinë. Kjo nisi të ndihej jo vetëm në shtypin gjerman, që filloi t’i bënte jehonë çështjes së Kosovës, por edhe disa qarqe politike në Gjermani e më tej po prenoncoheshin për këtë problem. Në horizont u duk një shkëndi afrimi. Vizita e parë e Kryeministrit Bavarez, Shtrauss-it, duke kaluar nga Mali i Zi për në Greqi nëpërmjet Shqipërisë në rrugë toksore, u quajt “Turistike”. Në të vërtetë Qeveria shqiptare i propozoi të qëndronte një ditë në Shqipëri, dhe ai qëndroi jo një ditë por tri ditë, nga data 17 deri 20 gusht 1984. Kjo vizitë nga niveli i takimeve që ai zhvilloi në Shqipëri, fliste shumë. Ai u takua me Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Reiz Malile dhe me Zv/Kryeministrin dhe Anëtarin e Byrosë Politike, Manush Myftiun.

Autori i librit shtron pyetjen:-“A ishte vërtetë vizita e Shtrauss-it në Shqipëri e rastësishme”?! Dhe në përgjigjen e tij ai thotë se,-“Atë që nuk e thanë asnjëherë autoritetet zyrtare shqiptare, e tha vet Shtraussi në një nga intervistat e tij vite më vonë. Sipas tij, ai kishte kohë që kërkonte të kontaktonte me autoritetet zyrtare shqiptare. Bile, që në vizitën e parë në vitin 1984, siç ka shprehur ai vet, kërkoi të takonte dhe me Enver Hoxhën, pasi kishte ardhur me propozime konkrete për Shqipërinë. Ai u konfirmoi autoriteteve shqiptare, se për vizitën e tij në Shqipëri, kish biseduar dhe me Kancelarin e RF Gjermane, Helmut Kohl”.

Në 19 maj 1986, Shtraussi erdhi serish në Shqipëri. Këtë herë niveli i bisedimeve ishte dhe më i lartë, ku takoi dhe bisedoi dhe me Kryeministrin Adil Çarçani. Në këtë takim, Shtraussi propozoi një marrëveshje dhjetëvjeçare, që do të nënshkruhej me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy shteteve. Ai i tha Adil Çarçanit se, RF e Gjermanisë mendon t’i japi Shqipërisë 30 milion marka gjermane ndihmë në vit, për të shkuar gradualisht tek nevojat që kishte Shqipëria në ato kohë. Dhe këto ndihma ishin në formë “Fondi Perduti”, (Fonde që nuk kthehen). Pra, po hapte rrugë për ndihma, që nuk quheshin kredi, për të kapërcyer handikapin e Kushtetutës sonë, që i ndalonte kreditë e jashtme. Ai propozoi që, me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona, të nënshkruhej dhe marrëveshja për bashkëpunim tekniko-shkencor, ku të fiksoheshin dhe ndihmat ekonomike.

Ndarja nga jeta e Enver Hoxhës në prill 1985, e ngadalësoi ndezjen e dritës jeshile të këtij ndryshimi imediat për fatet e vendit. Udhëheqja e Partisë e mëpasme me Ramiz Alinë në krye, nuk e shfrytëzoi këtë mundësi që trokiti si një sinjal shprese për fatet e ekonomisë shqiptare. Edhe në këtë rast,- shprehet autori,- “Prevaloi ideologjia dhe jo nevojat ekonomike të vendit”! Një delegacion që shkoi për bisedime në Bon të RF Gjermane, i kryesuar nga Foto Çami, sekretari ideologjik i KQ të Partisë, dhe në përbërje të tij ishte dhe Sofo Lazri, Anëtar i KQ dhe funksionar në aparatin e KQ të Partisë, nuk zgjidhi ndonjë problem.

“Pra, përbërja e delegacionit ishte e çuditshme!- shkruan autori. Jo sikur po shkohej për të diskutuar për probleme ekonomike, por sikur po shkohej në mbledhje të partive komuniste!”.

Dhe ky delegacion humbi shumë kohë në bisedime me palën gjermane, për t’a interpretuar kredinë si dhënie reparacionesh, në një kohë që Shtraussi e kish bërë të qartë se, kapitulli i reparacioneve ishte mbyllur që në Konferencën e Paqes në Paris. Ndërsa kreditë, nuk i lejonte Kushtetuta e jonë, sikur ajo të ishte “Bibla” apo “Kurani”. Me aq pak informacion sa dilte nga këto bisedime, pala gjermane kishte propozuar dhe disa projekte për t’u përfshirë në këtë marrëveshje të përbashkët ekonomike. Midis tyre bëhej fjalë për modernizimin e industrisë nxjerrëse minerare, për të cilat Shqipëria kishte rezerva të pasura nëntokësore, ngritjen e një industrie farmaceutike, që mbështetej në shfrytëzimin e florës së pasur të vendit tonë, si dhe projekte të tjera të rëndësishme ekonomike. Më së fundi pala gjermane i tha delegacionit tonë, t’i vini kësaj ndihme çfarë emër të doni, vetëm reparacione jo, sepse kjo do të hapte “Kutinë e Pandorës”. Por Ramiz Alia përpëlitej me dyshimet e pasigurinë e tij, si rezultat i mungesës së guximit dhe natyrës së tij të lëkundur.

Pas bisedimeve, delegacioni erdhi në mbrëmje vonë në mbledhjen e Qeverisë, një mbledhje e mbyllur. Asim Bedalli si pjesëmarrës në atë mbledhje shkruan: “U ngrit e foli vetëm Foto Çami, pa kërkuar mendime e debate nga të pranishmit. Ai tha se, i kemi duartë e lidhura, nuk na lejon kushtetuta! Ministrat rrinin me fytyra të habitura dhe të mërzitur njëkohësisht, që nuk po gjëndej një zgjidhje për të kapërcyer këtë ngërç, në një kohë që ekonomia përpëlitej në darën e krizës. Degë të tëra të ekonomisë vuanin për disa dhjetëra e qindra milionë dollarë, që do të siguronin lëndën e parë që i mungonte prodhimit. Gjermanët propozuan variante të ndryshme bashkëpunimi, por ato ndeshën në murin e nenit të “shenjtë” të Kushtetutës, që nuk lejonte kredi! Pas rënies së murit të Berlinit, që i hapi rrugë bashkimit të Gjermanisë, humbi dhe interesi i saj për Shqipërinë. Shtraussi nuk erdhi më, më pas ai u nda dhe nga jeta”.

Asim Bedalli dhe në këtë rast shtron pyetjen, njëkohësisht jep dhe konkluzionin:

“Përse nuk u pranua oferta më e mirë që i është ofruar ndonjëherë Shqipërisë në dekadat e fundit të viteve 80-të?! Çfarë pengonte? Asaj i kish hapur rrugë vet Enver Hoxha, për të cilin Ramiz Alia përbetohej se do ndiqte rrugën e tij”!

Ka pak dokumente për të gjykuar rreth hezitimit të tij për mospranimin e kësaj oferte. Por në të vërtetë për një gjë jemi të sigurt, atij i mungonte aftësia e burrit të shtetit, i mungonte aftësia për të marrë përgjegjësi për zgjidhjen e kësaj situate që kërkonte momenti historik që po kalonte vendi. Ky ishte një shans i madh i humbur nga politika dhe njerëzit që e drejtonin, për t’i dhënë ndoshta një drejtim tjetër zhvillimeve historike të vendit tonë.

Nisur nga këto situata, autori në këtë libër, na sjell përvoja jo të këndëshme nga politika shqiptare edhe pas viteve 90-92, kur Shqipëria hyri plotësisht në shinat e sistemit të ri demokratik mbështetur në ekonominë e tregut dhe pluralizmin politik. Largimi nga skena politike e Partisë së Punës dhe e njerëzve që e kanë drejtuar atë, u shoqërua me tubime masive, që e çuan situatën e vendit në kriza të vazhdueshme politike dhe ekonomike, ku herë pas here rrezikohej dhe sigurimi i bukës së popullit. U desh të krijoheshin radhazi disa qeveri të majta, që nga ajo Çarçani, pastaj qeveria Nano pas krijimit të Partisë Socialiste, bile Nano 1 e Nano 2, të pasuara nga ajo e “Stabilitetit” me Kryeministër Ylli Bufin, “Qeveria Teknike” e drejtuar nga Vilson Ahmeti dhe së fundi në 22 mars 1992, pushteti kaloi për herë të parë në duart e opozitës me në krye Partinë Demokratike.

Në këto zgjedhje populli votoi për ndryshimin, duke besuar tek kjo forcë politike opozitare. Por zhgënjimi nuk vonoi dhe shanset për realizimin e ëndrrës së popullit shqiptar për demokraci largoheshin dita-ditës. Partia Demokratike me Sali Berishën në krye, instaluan që në fillim strategjinë e tensionit me tubime e greva masive, që paralizuan më tej jetën e vendit. Ndryshimi erdhi paqësisht, politika e vjetër u dorëzua në rënie të lirë, pa rezistencë, ndaj dhe populli kish nevojë për qetësi, për reforma dhe jo për tensione e shkatërrime. Betejat për vjedhje e shkatërrime të pasurisë që për mbi 40 vjet ishte kthyer në pasuri e të gjithë popullit, politika e mbrapsht e ktheu në një katrahurë, që e futën popullin në trazira e vëllavrasje.

Autori, veç të tjerave, na sjell në libër dhe një fakt sa konkret aq dhe trishtues. Në Divjakë të Myzeqesë, ekzistonte një serë djellore moderne për perime të hershme në stina të ndryshme të vitit, për të cilën ishin bërë investime të mëdha, që i sillnin popullit të asaj zone bregdetare të ardhura të mira. Ndryshimet politike të sistemit i hapën rrugë zhvillimit të pronës private, ku dhe për këtë serë qindra hektarëshe po mendohej për t’i hapur rrugë privatizimit, që do e çonte më tej mbijetesën dhe zhvillimin e mëtejshëm të saj.

Ato ditë të pranverës së vitit 1992, erdhi në Divjakë një sipërmarrës i fuqishëm Italian dhe shprehu interesin për të investuar më tej në këtë biznes të fuqishëm. Por nuk kaluan veç disa ditë dhe një drejtues politik në krye të Partisë Demokratike mbajti në Divjakë një tubim të tensionuar, ku midis të tjerave i tha popullit: “Akoma e mbani në këmbë atë serë, investim komunist?! Zhdukeni sa më parë, se demokracia do e bëjë edhe më të mirë”! Dhe kaq deshën militantët ekstrem, të nesërmen aty u zhduk çdo gjë, mbetën vetëm mbeturina xhamash të thyera dhe tubacione të ujitjes të hedhura andej-këndej. Pjesët metalike të serës u grabitën për tenda hardhish në oborret e shtëpive! Kështu pasuan dhe shkatërrime e grabitje të tjera në uzina, fabrika, e në linja të ndryshme prodhimi, po ashtu dhe gjithë ajo pasuri armatimesh e veprash mbrojtëse ushtarake e tjera, u zhdukën pa asnjë strategji e planifikim shtetëror, sikur të ishin mall pa zot!

Dhe gradualisht me këtë lloj politike, nisën me radhë skandalet, që nga lulëzimi i skemave fantazmë piramidale, që shkatërruan më tej ekonominë dhe varfëruan xhepat e popullit, e deri në revoltat e dhunshme pas shembjes së tyre, që e çuan vendin në prak të një lufte civile. Autori sjellë shëmbuj të këtyre ngjarjeve në 30 vitet e tranzicionit shqiptar dhe bënë njëkohësisht analizën e politikës dhe të njerëzve që e kanë drejtuar atë në këto dekada. Në mbyllje të librit, ai citon një thënie të ish Presidentit të Çekisë, Vaclav Havel, i cili midis të tjerave thotë: “Fati i shoqërive të tranzicionit, varet nga viti i parë i tyre, nëse keni sukses për gjatë tij, rruga e suksesit afatgjatë do të jetë më e lehtë, por nëse jeni të zhgënjyer prej tij, me siguri zhgënjimi do të jetë gjithashtu i gjatë”.

Shoqëria e jonë, nëpërmjet kësaj strategjie politike dhe me të njejtat figura të vjetëruara, të konsumuara e të korruptuara që mbanë në krye të saj, këtë tranzicion do vazhdoj t’a çoi në “kalandrat greke” dhe shanset e humbura vazhdojnë t’i ndjekin pas fatet e popullit tonë.

 

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • Letër e hapur për kryeministrin Edi Rama nga një socialiste: Pse ti dhe ne nuk jemi më një?
  • 10 qershor 2026
  • Mushkonjat e Strasburgut, flamingot e Zvërnecit dhe fabula e Ezopit
  • Protesta si Ftesë dhe Festë
  • Çfarë përfaqëson 10 qershori për Kosovën

Komentet e Fundit

  1. Roni on Shqipëria e bukur e sheshit
  2. demo on Shqipëria e bukur e sheshit
  3. tahip on Shqipëria e bukur e sheshit
  4. Skela on Shqipëria e bukur e sheshit
  5. RROFTË 🇦🇱SHQIPERIA🇦🇱 on Shqipëria e bukur e sheshit

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?