Nga Dhimitër Shtëmbari
Edhe atje ku këndon e ku vajton, ku lëvdon e ku kritikon, ku bën një thirrje apo ku lëshon një mesazh, ai mbetet mirëfilli shqiptar.
Ndërsa nisa të shkruaj diçka modeste për shkrimtarin e mirënjohur korçar Kristaq Petraq Turtulli me banim në Toronto të Kanadasë, çuditërisht m’u kujtua një njoftim sportiv i dhënë para ca kohësh:
Vrapuesi nga Kenia, Abdul Mutai, ishte vetëm disa metra nga vija e finishit, por u ngatërrua me shenjat e pistës dhe ndaloi, duke menduar se e kishte përfunduar garën! Kundërshtari spanjoll, Ivan Fernandez, ishte menjëherë pas tij dhe, duke kuptuar se çfarë po ndodhte, filloi t’i bërtiste kenianit për të vazhduar vrapimin. Mutai nuk dinte spanjisht dhe nuk po e kuptonte ç’i thoshte. Duke e kuptuar se çfarë po ndodhte, Fernandez e shtyu Mutain me forcë drejt finishit, drejt fitores.
– Një gazetar e pyeti Ivanin: “Pse e bëre këtë?”
Ivani u përgjigj: “Ëndrra ime është që një ditë të kemi një lloj jete komunitare, ku shtyjmë veten dhe, gjithashtu, shtyjmë edhe të tjerët të fitojnë.
Gazetari këmbëngulte: ” Po përse e le kenianin të fitonte?!”
Ivani ia preu shkurt: “Nuk e lashë të fitonte; ai ishte fitimtari real”.
E ç’bëjmë ne me një shkrim kushtuar shkrimtarit të mirënjohur korçar, Kristaq Turtulli, “Ambasador i Kombit” në Kanada, kur vet ai ka bërë për Korçën dhe Atdheun shumë e më shumë përmes veprave letrare që ka botuar?
Kristaq Turtulli, shkrimtar i njohur, me banim në Toronto të Kanadasë, është pinjoll i një fisi shumë të njohur prej qytetit të Korçës. Si disa prej fisit të vet dikur, ai vazhdon të bëjë një jetë shumë aktive në fushë të artit e të letërsisë. Në një prej mjaft intervistave të dhëna, ai shprehet edhe si humanist, në vazhdë të disa prej paraardhësve të vet:
– Për mendimin tim në emigracion po krijohet një letërsi e shëndoshë me pena të spikatura, ku të imponohen edhe mjaft libra të krijuara nga emigrantët, letërsi që ndiqet dhe lexohet me shumë interes në vendlindje.
Dhe më poshtë vazhdon:
– Po të jap një shembull: romanin “Misteret e Parisit të vogël” e botova në Amazon. Dashamirësit e krijimtarisë sime në Korçë donin ta gjenin librin, por e kishin të pamundur ta blinin në Amazon, mbasi kushtonte. Bisedova me një mikun tim në Korçë, që ishte mirë nga gjendja ekonomike: Botojeni librin, i thashë dhe, nëse nuk mund ta dhuroni, së paku shiteni me çmim të arsyeshëm. Shumë nga dashamirësit e librit janë pak hollë nga ekonomia. Unë nuk dua asgjë. Të ardhurat nga libri, mbajini për vete; vetëm libri të shkojë te lexuesi.
Dhe përfundon:
– Me sa mora vesh, pati interesim të lavdërueshëm për librin.
Kapur nga njëra degë e lisit të madh le të zbresim shumë më poshtë, te rrënja. Dhe le ta nisim këtë shkrim me njërin prej paraardhësve të Kristaq Turtullit.
Dr. Mihal Turtulli, njëri prej katër anëtarëve të Këshillit të Lartë, zgjedhur në Kongresin e Lushnjës
Mihal Turtulli u lind në Korçë në një nga familjet më të pasura të trevave jugore shqiptare. Familja e tij shkoi herët në Fajum të Egjiptit. Shkollohet në kolegjin francez të Aleksandrisë, të cilin e përfundoi në vitin 1876.
Më tej vazhdoi studimet universitare në Greqi e në Francë dhe specializohet mjek patolog. Kthehet në vitin 1885 në Kajro, ku shërbeu mjek në disa spitale. Ndërkohë, specializohet edhe si okulist. I dhënë mbas shkencës mjekësore, nuk reshti së shkruari artikuj edhe jashtë okulistikës.
Në vitin 1910 themelohet në Kajro Shoqëria “Bashkimi”, ku, përkrah Aleksandër Xhuvanit, Filip Shirokës, Sotir Kolesë etj., merr pjesë edhe Mihali. Me t’u themeluar kjo Shoqëri përpiloi një promemorie, që ia drejtoi gjithë Fuqive të Mëdha për të mbrojtur të drejtat e shtypura të shqiptarëve nga Perandoria Osmane.
Në vitin 1912 kthehet në Shqipëri. Gjatë tetë vjetve, deri në vitin 1920, bën një jetë aktive në shërbim të Atdheut, deri edhe në detyra të larta shtetërore.
Në Kongresin e Lushnjes u zgjodh në organin më të lartë, si një nga katër anëtarët e Këshillit të Lartë, përkrah Aqif Pashë Elbasanit, Luigj Bumçit dhe Abdi bej Toptanit.
Mbas dhjetorit të vitit 1924 Dr.Turtulli kthehet në Egjipt. Dënohet nga Zogu me 101 vjet burg, por, me t’u shpallur një amnisti, kthehet për pak kohë në atdhe. Më 1934 dërgoi nga Selaniku mbi 100 libra si dhuratë për bibliotekën e Korçës, bibliotekë e themeluar prej kushëririt të tij, Thoma Turtulli. Në tërësinë e tyre kishte libra historie për Shqipërinë, më të shumtët në gjuhë të huaj, por edhe në gjuhën shqipe.
Në letrën shoqëruese që i bënte bashkisë, ai deklaronte se po përpiqej të dërgonte në Korçë, si dhuratë për bibliotekën e qytetit, edhe bibliotekën e vet të plotë, të cilën e kishte në Aleksandri dhe, nëse kjo nuk arrihej me gjallje, do të dërgohej në Korçë, pasi kjo ishte e dëshmuar edhe në dhiatën e tij.
Dr. Mihal Turtulli u nda nga jeta më 3 janar të vitit 1935 në Egjipt.
Humanisti i shquar Thoma Turtulli i la dhuratë Korçës Liceun, spitalin, bibliotekën, kinemanë dhe jetimoren
Thoma Turtulli, m’í shquari ndër të shquarit e fisit Turtulli, ishte me origjinë nga Vithkuqi, dikur qytet me disa lagje, kisha e shkolla, që rivalizonte për nga përparimi edhe Voskopojën. Por njësoj, si Voskopoja, edhe Vithkuqi u dogj dhe u grabi tri herë.
Familja Turtulli u zhvendos në Korçë dhe shumë shpejt bëhet njëra prej familjeve më të njohura tregtare të kohës. Kompania e Thomait zhvillonte tregti me Durrësin, Shkodrën, Tiranën, deri edhe me Selanikun, Manastirin e Stambollin.
Ndjenja e spikatur prej atdhetari, shumë shpejt e bëri Thomain t’i përkushtohej punëve të mëdha filantropike, për ta bërë Korçën shembull të një qyteti evropian. Edhe pse nuk shquhej për nivel të lartë arsimor, ai gëzonte dhunti të jashtëzakonshme organizimi e drejtimi. Në krye të punëve, por edhe në mes të tyre: punonte edhe vet mes ndërtuesve.
Falë punës së tij këmbëngulëse, më 25 dhjetor të vitit 1927 çeli dyert kinemaja “Majestik”.
Ishte po Thoma Turtulli që i dhuroi qytetit arsimdashës të Korçës bibliotekën. Tashmë ky institucion i bukur i Korçës, i inauguruar më 1930, do të kishte në atë kohë rreth 30 000 libra.
Por bamirësi korçar Thoma Turtulli nuk u ndal vetëm këtu. Gjatë po këtyre viteve ai i dhuroi qytetit të tij edhe Liceun, këtë ngrehinë të bukur që do të shërbente si vatër dijeje brenda e jashtë Shqipërisë.
Ndërkohë, ai nuk do të rrinte pa i bërë edhe një tjetër dhuratë qytetit të vet: spitalin, inauguruar në vitin 1934. Sakaq, edhe bashkëshortja e Thomait, Athinaja, i dhuroi shtetit 40.000 franga ari për ndërtimin e shkollës industriale.
Thonë, dhe është e vërtetë: Thomaj kontribuonte edhe për përgatitjen e pajës së shumë vajzave, që nuk ishin në gjendje të përgatitshin për dasmë.
Tenori Llambi Turtulli, që interpretoi skenave të Evropës e të Amerikës
I lindur dhe i rritur në një mjedis ku jetohej mes librave, Llambi Turtulli do të merrte rrugën e muzikantit. Mësimet e para i mori në Mësonjëtoren e Vashave, nën drejtimin e disa misionarëve amerikanë. Kjo shkollë ishte kthyer në vatër e rëndësishme e emancipimit shoqëror dhe kombëtar, e njohur si “foleja kombëtare”, e cilësuar prej Mihal Gramenos.
Më pas Llambi shkoi në Bukuresht, ku mori mësime për kanto. Pas këtyre studimeve u kthye në Korçë, ku dha edhe koncertin e parë. Shumë të suksesshëm. Shkroi gjatë shtypi i kohës.
Po këtë vit, 1928, i pajisur me bursë prej ministrisë së Arsimit për tre vite, Llambi u nis për në Itali. Aty u regjistrua në Konservatorin e Milanos, të cilin e përfundoi më 1936. Veç mësimeve universitare, këtu ai ndoqi edhe kurse kantoje nga emra të mëdhenj të interpretimit.
Karrierën si tenor e nisi me interpretimin në operan “Cavaleria Rustikana” në Teatrin “Puçini” të Milanos dhe, më pas, i vijoi aktivitetet koncertore në shumë qytete të Italisë. Në vitin 1930 iu përgjigj ftesës së Neço Mukos për t’iu bashkuar grupit shqiptar në regjistrimet e tyre pranë kompanisë diskografike “Pathé” në Paris.
Dy vite më vonë, më 14 shtator 1932, një grup i përbërë nga Llambi Turtulli, Jorgjia Truja, Lola Gjoka e Thoma Bezhani, nën menaxhimin artistik të maestros Sotir Kozmo dha në Korçë një koncert artistik. Edhe ky koncert u prit siç dinin të prisnin korçarët!
Në vitin 1935 Llambi shkoi në Zvicër, ku interpretoi në 12 koncerte në Lugano, në të cilat qenë të pranishëm edhe personalitete të nivelit botëror.
Pas diplomimit, në vitin 1937 shkoi në Budapest, ku interpretoi në operan “Lucia Di Lammemmoor”, “Toska” dhe “La Bohemé”, si dhe zhvilloi një turne në Boston, Mass. Në qershor të po atij viti, kur këndonte në Itali pranoi propozimin për një turne në Amerikë. Shkoi atje dhe, për shtatë javë rresht, interpretoi nëpër studiot e ndryshme të radiove të Bostonit. Ca më pas udhëtoi tri herë nëpër Evropë.
Llambi Turtulli u martua me pianisten Norma Nasy, e diplomuar në shkollën e muzikës “Julliard” dhe në Universitetin “Columbia”. Ata mbanin një studio në Nju Jork. Ata shpresonin të ktheheshin një ditë, sigurisht pas Luftës, për të vazhduar punën koncertore dhe mësimdhënien, por… nuk u qe dhënë mundësia!!!
Tenori Llambi Turtulli u nda nga jeta në Kaliforni, më 10 qershor 1979.
Shkrimtari i njohur Kristaq Turtulli, “Ambasador i Kombit”, në rrugën atdhetare të të parëve të vetë
I lindur më 18 nëntor të vitit 1954 në Korçë dhe me banim në Toronto të Kanadasë, Kristaq Turtulli vazhdon të shquhet si poet, shkrimtar, gazetar dhe piktor.
Pasi mbaroi shkollën artistike të pikturës në vendlindje, ndoqi studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës, në degën gjuhë – letërsi shqipe.
Për shumë vite punoi mësues letërsie dhe, më pas, gazetar e editor në revistën “Meridian”, si dhe në disa nga gazetat e revistat më të suksesshme të vendit. Ka qenë për vite me radhë zëvendëspresident i klubit të shkrimtarëve ballkanikë: “Bota e re”, frymëzuesi dhe organizuesi i ‘Netëve poetike korçare”, si dhe zëvendëspresident i Shoqatës Adhetare “Korça, Tradita, Progresi”.
Po cili është, edhe më tej, Kristaq Turtulli?
Le ta njohim: Rrjedh nga një familje shumë e shquar; bamirëse, tregtare e patriotike. Stërgjyshi i tij, Mihal Turtulli, ka pas qenë shtetar i lartë: anëtar i Këshillit të Lartë, zgjedhur në Kongresin e Lushnjes, ndërsa gjyshja e tij, Dhoksia, ka pas qenë mbështetëse e Themistokli Gërmenjit. Kur këtij iu vra një trim në luftë, Dhoksia dërgoi vullnetar në çetë të birin, Petraqin (babain e Kristaqit). Stërgjyshi tjetër, Thoma Turtulli, i dhuroi qytetit të vet për bamirësi spitalin, bibliotekën, Liceun, kinemanë dhe shtëpinë e jetimores. Xhaxhai, Llambi, ka qenë tenor me famë botërore dhe ka dhënë koncerte në Paris, Milano, Boston etj.
Edhe e motra, Krisanthi, bashkëshortja e të ndjerit Behar Koçibelli, është një piktore e talentuar.
Vet Kristaqi, personazhi i shkrimit tonë, është fitues i disa çmimeve kombëtare në prozë. Disa nga librat e tij janë përkthyer në gjuhën angleze. Ndërkohë, është anëtar i Unionit të Shkrimtarëve të Kanadasë.
Veprat letrare të Kristaqit; romanet, vëllimet me novela, poezitë e poemat kanë një rreth të gjerë lexuesish si brenda vendit, në mërgim, po ashtu edhe mjaft lexues të tjerë anglishtfolës.
Gjatë veprimtarisë së tij të pandërprerë letrare, ai ka promovuar disa libra të suksesshëm në Kanada, në bashkëpunim edhe me Shoqatën e Bashkësisë Shqiptaro – Kanadeze në Toronto. Ndërkohë, ka organizuar takime të shumta me lexuesit e artdashësit shqiptarë jo vetëm në vendlindje, por edhe në Kanada, Amerikë, Greqi, Itali, Francë etj.
Në respekt të këtij kontributi të veçantë letrar e atdhetar, Qeveria shqiptare i ka akorduar titullin e lartë “Ambasador i Kombit”.
Përmes veprave të shumta letrare jeton me zemrën e Atdheut
Veprat letrare të shkrimtarit të mirënjohur Kristaq Turtulli janë të shumta dhe të shumëllojshme. Ka shkruar trilogji: “Syri i Ritës”, “Tulipani i Koresë” dhe “Hidhësia e Puthjes”.
I vlerësuar jo thjesht nga lexuesi, por edhe nga kritika letrare, shkrimtari korçar i Torontos i ka pas dërguar lexuesit në vitin 1987 novelën “Ana”, vlerësuar me çmim kombëtar; novelën “Nëna”, vlerësuar me çmim kombëtar në vitin 1989; novelën për fëmijë “Aventurat e Arushit Topik”, vlerësuar po me çmim kombëtar në vitin 1989; vëllimin me tregime për fëmijë “Zogjtë”, botuar në vitin 1989.
Të shumta janë edhe veprat letrare të botuara mbas viteve nëntëdhjetë në Toronto, siç janë romanet “Hija e ariut”, “Hani me dy porta”, vlerësuar me çmimin e madh “Fan Noli”, “Ç’është jeta e një njeriu”, “Vetmia e zërave”, “Dëgjo, floriri im!”, vlerësuar me çmimin “Foqion Postoli”, “Në trenin e linjës 16”, “Syri i Ritës”, “Tulipani i Koresë”, “Puthje e pamundur”, “Ikje prej vetes”, “Ati dhe fati”, “Misteret e Parisit të vogël”, “Engjëlli i Koresë”. Ka botuar, ndërkohë, edhe një varg novelash, si dhe dy libra të tjerë me titujt “Zëra në lavjerës” dhe “Zëra në humbëtirë”.Ndërkohë, ka gati për botim edhe veprat letrare “Ikona e dhimbjes” (roman) dhe “Litari i mallit”, libër me tregime.
Se ç’vlera ideo – artistike kanë veprat e shkrimtarit Kristaq Turtulli, le të mos merremi me të gjitha, duke u ndalur në vetëm te njëra prej tyre, te libri “Dëgjo, floriri im!”:
Prof. Sami Repishti ka thënë për këtë libër: “Sa superioritet moral e shpirtëror që na siguron lavdinë e nderin e qenies njeri – të lirë e me dinjitet, të pajisur me arsye dhe me ndërgjegje!”
Ndërsa Llambro Ruci: ‘E lexova romanin “Dëgjo, floriri im!” të shkrimtarit Kristaq Turtulli, libër mbresëlënës kryqëzim dramatik i epokave historike me heronj e personazhe, që këmbehen në skenë. Shkëlqen në të humanizmi dhe patriotizmi, që të lejon të ngjallësh një dramë shekspiriane”.
Ndërsa Përparim Hysi: ‘Në romanin: “Dëgjo, floriri im!” shkrimtari Kristaq Turtulli ka derdhur gjithë vlagën e shpirtit.’
Aktori dhe regjisori Gjergji Trola shprehet: “Te romani: “Dëgjo, floriri im!” i shkrimtarit të shquar Kristaq Turtulli ndjehet serenada e serenadave më të bukura korçare. Dashuri e fuqishme dhe dhembje e madhe, si në ferrin e Dantes. Një uverturë e fuqishme Bet’hoviniane; të drithëron, të mbahet fryma deri sa mbyll faqen e fundit të këtij libri të rrallë”.
* * *
Shkrimtari i mirënjohur korçar, Kristaq Turtulli, përfshihet, pa as më të voglin dyshim, në radhën e figurave më të shquara të diasporës shqiptare në fushë të letërsisë.
Vepra e tij e plotë tingëllon fuqishëm shqiptare. Autori ka menduar dhe ndjerë kurdoherë vetëm si shqiptar. Edhe atje ku këndon e ku vajton, ku lëvdon e ku kritikon, ku bën një thirrje apo ku lëshon një mesazh, ai mbetet mirëfilli shqiptar.
Ja pse vepra e tij meriton të përfshihet denjësisht në leksionet e pedagogëve të universiteteve shtetërore e private të Shqipërisë.
Shkrimtari i shquar shqiptaro – kanadez në Toronto, Kristaq Turtulli
Mihal Turtulli – ish anëtar i Këshillit të Lartë, zgjedhur në Kongresin e Lushnjes
Bashkëshortët Thoma e Athina Turtulli, ish humanistë të shquar të Korçës
Llambi Turtulli, tenor i shquar, që ka luajtur në skena të Europës e të Amerikës
Spitali i Korçës, dhuruar qytearëve prej humanistit, i ndjeri Thoma Turtulli
Dalemindri i nderuar Dhimiter Shembari,kete nderi bere; Birit te families atdhetare- TURTULLI* *Ambasador i Kombit*- Kanada -Z.Kristaq P Turtulli;Ju thene gjithcka,Ai meriton.
Me konsiderate nga mbi 100*Pasues Veterane* bashkeatdhetare te Torontos-Guri Naimit D.
Respekt per ju, miku im I nderuar Dhimitër Shtëmbari per fjalet e ngrohta, dashamiresine tuaj te lavderuar ndalesen dhe shkrimin tuaj aq vleresues dhe qytetar per familjen time TURTULLU, per figurat e shquara te saj, per kontributin qe kane dhene per kombin dhe shqiptarizmin, per bamiresi aq te njohur. Ju falenderoj per miresine dhe vemendjen tuaj ndaj krijimtarise sime. Me lejoni te shpreh per ju mirenjohjen me te thelle. Miresia, kujdesi dhe vemendja juaj me ve perpara te tjera obligime ndaj vetes dhe memedheut tim te dashur.
Pac perhere shendet dhe mbaresi ne jete dhe familje.
Mirenjohje mirenjohje pa fund MIK I DASHUR DHIMITER SHTEMBARI.
Me shume respekt Kristaq Turtulli
*C’sjell SEHATI nuk sjell MOTI.*Diteindie mes Toronos festojme;!
Me*PASUESIN Veteran*Arkile Robo-*Pasuesit Veterane*
47 vjetorin i festojne!
(Vargezon”Pasuesi veteran” *86 vjecar-Dhimiter Xhoga.)
*Sot nje ditlindie spontanisht festojme(1)
Te 47 vjecarit bir nga Lushnja emigrant;
Dobesia ime-familien njohur ne Vite;
Ushtar 1955-1958 me kodrave *te VAINIT*.
Kujtime te paharruarra marre….
**Arqileja-burre BABAXHAN,mes Torontos emigrant;
Nga FISI-Robo-47 Vjetorin feston-spontanisht;
Lokali *BARCODE*-mes*Pasuesve veterane*,
Ditet NJEMIJE e urojme-sot-30 Korrik 2022;
Prag 6 vjetorit te Org.*Pasues Veterane*..!
*** Urimin e pare*Arnold Gezim Salillari,
Kryetar org.*Pasuesit Vetrane*-sapo zgjedhur,
Krah-Oren Sh. Kosapolli,bir Peje-Kosove,
Ardit Kamberi-Inxh-infomatike-Korcar .
Enis Suki nga Patosi me,Alma Celen-Elbasanase.
****Pasuesit Veterane ne Toronto,sa festuar 65 Vjetorin;
Pershendetur-Orgabizata e VETERANEVE ne Tirane..
Pershendetie qe na impenjon,per ecuri te metejsme,
Ua trasmentova,mbi 100 Pasuesve veteran ne Toronto,
Une;Si Antar i Komitetit Vetraneve*ne Tirane-
*****Arqile Robo dhe njehere-DITET NJEMIJE te urojme;
Djithe emigranteve me kete rast po KUJTOJME:
Amanati e te pareve bashkekombesve-po Ua-trsmentojme;
*Bjerini BOTES ane e MBANE…
Po MOS e HARRONI VATANE*
Toronto 30-07- 2022 Dh .Xhoga- Guri Naimit D-86 vjecar-me*Pasues Veteran*!