(Bisedë me akademikun Aristotel Spiro)
Bisedoi Ilir Mborja
Më 4-5 nëntor 2024, Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Universiteti “Ludwig Maximilian” i Mynihut organizuan në Tiranë një tryezë ndërkombëtare për të diskutuar origjinën dhe lashtësinë e gjuhës shqipe dhe lidhjet e saj me gjuhët indoevropiane. Tryeza u mbështet në hulumtime të fundit që kombinojnë gjuhësinë filogjenetike dhe metoda ndërdisiplinore, përfshirë këtu edhe artikullin e bujshëm të para do kohësh të studiuesit Paul Heggarty të publikuar në “Science”. Sipas kësaj teorie, gjuha shqipe u shkëput nga trungu indoevropian rreth 6000 vjet më parë, duke ardhur në Ballkan nga lëvizje lindje-perëndim. Disa nga prezantimet përfshinë edhe analiza për përkimet gjuhësore me gjuhët e tjera të Ballkanit dhe sfidat e mbledhjes së të dhënave për shqipen. Ky bashkëpunim i ri ndërkombëtar vlerësohet si një hap i munguar kohët e fundit në lëmin e kërkimit të thelluar mbi origjinën gjuhësore të shqipes dhe etnogjenezën e popullsisë së Ballkanit. Në këtë veprimtari të rëndësishme akademike për vendin e shqipes në familjen e gjuhëve indoevropiane, interes të jashtëzakonshëm ngjalli studiuesi Dr. Aristotel Spiro, i cili mbajti kumtesën me temë:
“PRAPAVENDOSJA E NYJËS NË SHQIPE, RUMANISHTE E BULLGARISHTE: TIPAR KYÇ NË FORMIMN E LIDHJES GJUHËSORE BALLKANIKE”
Duke hulumtuar dukuritë e përbashkëta e të veçanta gjuhësore në këto gjuhë ballkanike, autori i kumtesës u përqendrua në burimin e kësaj dukurie në këto gjuhë dhe e kërkon te shqipja pikënisjen e këtij procesi ose rolin ndihmës në përhapjen e tij.
Rreth kësaj teme menduam t’i drejtohemi me disa pyetje anëtarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, profesor Aristotel Spiros:
Ilir Mborja: Z. Spiro,
Përshëndetje dhe faleminderit që pranuat të bisedoni me ne, për të qartësuar thellësinë e studimit tuaj të veçantë dhe të guximshëm. Studimi juaj që shfaqi një interes ë jashtëzakonshëm tek albanologët tanë dhe të huaj, përfaqëson një qasje të re mbi tema që shpesh konsiderohen komplekse dhe të thella.
Para se të fillojmë me pyetjet, dëshirojmë të vlerësojmë e të nderojmë punën tuaj të palodhshme, punë e cila synon të zbulojë shtigje të reja njohjeje, të sfidojë të mirënjohurat dhe të na inspirojë të kërkojmë të vërtetën pa frikë në fushën e historisë së gjuhës shqipe.
Në bashkëbisedimin me ju, synojmë të ndihmojnë për të zbërthyer disi me një gjuhë sa më të thjeshtë që të jetë e mundur temën komplekse, në mënyrë që audienca e gjerë të kuptojë rëndësinë dhe kompleksitetin e këtij fenomeni gjuhësor në kontekstin historik dhe ndërkulturor të Ballkanit.
Ilir Mborja: Z. Spiro, cila është rëndësia e studimit të fenomenit të prapavendosjes së nyjës shquese për publikun e gjerë, përtej interesit akademik?
Aristotel Spiro: Faleminderit që më jepni mundësinë të sqarojmë publikun për çështje që duken gjuhësisht teknike, por që realisht paraqesin interes. Mendoj se çështja e nyjës shquese është me shumë rëndësi, sepse bëhet fjalë për një veçori kryesore të emrave në shqipe. Nëse në shumë gjuhë të njohura të Evropës, për shembull anglishtja, frëngjishtja, italishtja, spanjishtja, portugalishtja e vendosin nyja shquese është një fjalë e veçantë që vendoset para emrave, në shqipe dhe në gjuhë të tjera ballkanike (rumanisht, bullgarisht, maqedonisht) nyja shquese nuk është fjalë më vete, por përdoret si një mbaresë e trupëzuar pas emrave. Kjo nuk do të thotë se gjuha shqipe shfaq ndonjë sjellje gramatikore jonormale. Thjesht ka mënyrën e saj të shprehjes së shquarsisë. Nuk mund ta përkufizojmë shqipen në raport me gjuhë që konsiderohen si më të njohura e më të rëndësishme ndërkombëtarisht. Shqipja është një gjuhë si gjithë gjuhët e tjera, por në disa vështrime ka zgjedhur të ecë nëpër disa shtigje që nuk kanë ecur gjuhë të tjera. Ndër to është edhe përdorimi i nyjës shquese ose i mbaresës së shquarsisë, siç e quan gramatika e Akademisë. Veçori të tjera janë për shembull, mënyra habitore apo mënyra dëshirore.
Ilir Mborja: Si i përmblidhni metodat kryesore të studimit për të përcaktuar origjinën e prapavendosjes së nyjës në gjuhët ballkanike?
Aristotel Spiro: Duke qenë se ne nuk njohim gjuhët e lashta që fliteshin në rajonin ballkanik, por njohim vetëm fakte historike, pra njohim historinë por jo gjuhën, jemi të detyruar të përdorim metodën e deduksionit logjik. Hamendësojmë se popujt që kanë banuar në këto vise, ilirët, dakët, trakët, myzët kanë folur gjuhët përkatëse, ilirishten, dakishten, trakishten, myzishten e kështu me radhë. Jemi të sigurt gjithashtu se vendin e dakishtes e zuri rumanishtja, e cila lindi nga asimilimi i dakëve prej popullsive të romanizuara, që flisnin latinishten ballkanike. Ky është filli për të zbuluar se nga nisi gjithë kjo punë e nyjës shquese të prapavendosur.
Ilir Mborja: Nisi nga latinishtja ballkanike? Dimë që latinishtja nuk ka pasur nyja shquese as të paravendosura, e le më pastaj të prapavendosura. Si është e vërteta?
Aristotel Spiro: Pikërisht këtu qëndron edhe bukuria e çështjes. Latinishtja klasike, ajo që flitej në Romë dhe që shkruhej në tekstet e autorëve të lashtë romakë, nuk ishte e njëjtë me atë që flitej në rajonin ballkanik të pushtuar nga romakët. Romakët i romanizuan ilirët veriorë dhe popujt e tjerë përreth, por popujt e romanizuar futën në të veçori të gjuhëve të tyre, me një fjalë “përkthyen” në latinishten ballkanike mënyrën e shprehjes në gjuhët që flisnin. Ndër këto ishte edhe sintaksa ose togfjalëshi ku përemri dëftor i dikurshëm “i” (pa parashtesat a- dhe k- siç e njohim tani) përdorej midis emrit dhe fjalës që vijonte (emër ose mbiemër), pak a shumë si në shembujt “gur i malit” ose “gur i randë”. Duke u përsëritur ky përemër dëftor para shumë emrave në gjinore ose mbiemrave në mendjen e folësve të shqipes së stërlashtë ai u lidh me fjalën vijuese përcaktore që vinte pas emrit. Përcaktori, siç e dimë, e konkretizon, e veçon emrin që përcakton: gur i malit, gur i mullirit, gur i kufirit, gur i kuq, gur i zi, gur i çmuar. Këtu fjala “gur” merr kuptim të veçantë, “shquhet” kuptimisht nga fjala që vjen pas. Nëse fjala që vjen pas mund të ndryshojë (malit, mullirit, kufirit, kuq, zi, çmuar), ajo që nuk ndryshon është nyja e përparme, ajo “i” e vogël, që fillimisht, këtu e 1800 vjet më parë ka qenë përemër dëftor. Duke qenë u shfaqur kjo fjalë e vogël kaq shpesh në këto përdorime, ajo dalëngadalë filloi të perceptohej ndër shqipfolësit e lashtë si një përgjithësim i kuptimeve përcaktore të fjalëve që vijonin. E kjo nuk ishte gjë tjetër veçse “shquarsia”; kështu përemri i dikurshëm dëftor ishte shndërruar tashmë në një mjet shques, në nyjë shquese të prapavendosur. Dalëngadalë kjo fjalë e vogël iu ngjit emrit pas të cilit përdorej.
Ilir Mborja: Pse është lënë jashtë dhe si ka mundësi që nuk përfshihet greqishtja në këtë “ballkanizëm”?
Aristotel Spiro: Në kohën që ka ndodhur kjo latinishtja luante një rol asimilues mbi gjuhët e Ballkanit. Romakët në fakt, për shkak të respektit që kishin për kulturën helene, i përjashtuan grekët nga politikat e asimilimit, dhe lejuan të kultivohej gjuha greke kudo ku kishte popullsi greke, përfshirë dhe kolonitë në brigjet lindore të Adriatikut dhe Jonit (Oricum, Aulona, Apollonia, Epidamnus/Dyrrhachium, Ulcinium). Por popujt e tjerë (ilirët, trakët, dakët etj.) nuk e kishin këtë fat. Ata u nënshtruan me dhunë nga pushtuesit romakë dhe gjuha u vu në shënjestrën e asimilimit të romakëve. lashtë, por nuk arriti ta zhdukte krejt gjuhën. Shqipja i mbijetoi asimilimit romak, por nuk mbeti e paprekur nga gjithë ajo trysni. Edhe prapavendosja e nyjave shquese është, për mendimin tim, rrjedhojë e asaj trysnie të fortë të latinishtes mbi shqipen. Greqishtja e lashtë, nga ana e saj, pati një marrëdhënie kontakti normal me shqipen e lashtë. Marrëdhënia me shqipen nuk ishte e dhunshme, nuk ishte ndonjë marrëdhënie asimilimi. Përveç fjalëve që i huazoi shqipes, nuk arriti të ndikonte mbi gramatikën e saj.
Ilir Mborja: Pse është e rëndësishme që një dukuri të gjendet në të paktën tri gjuhë ballkanike që të konsiderohet “ballkanizëm”?
Aristotel Spiro: Sepse nëse një dukuri e përbashkët gjendet vetëm në dy gjuhë, kjo do të interpretohej si një marrëdhënie midis këtyre dy gjuhëve. Sidoqoftë ky është kusht i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm. Duhet të plotësohet edhe kushti që gjuhët t’u përkasin degëve ose familjeve të ndryshme gjuhësore. Nyjën shquese e ka gjuha shqipe, që është degë më vete në familjen e gjuhëve indoevropiane, e ka rumanishtja, që është gjuhë romane lindore, e kanë edhe bullgarishtja e maqedonishtja që janë gjuhë sllave.
Ilir Mborja: A mund të shpjegoni më përmbledhtas konceptin e “gramatikalizimit” të nyjës shquese dhe të na tregoni, pse ky proces është kaq kompleks?
Aristotel Spiro: Gramatikalizim do të thotë që një fjalë e zakonshme e fjalorit, kur shfaqet shumë shpesh në një vend të caktuar të fjalisë, kthehet në fjalë gramatikore. Fjalë gramatikore janë për shembull, parafjalët, lidhëzat, pjesëzat. Le të marrim emrin “buzë”, i cili ka kuptimin e një pjese të anatomisë së trupit të njeriut. Mirëpo, për arsye se ky emër u përdor shpesh përpara emrave të tjerë, u shndërrua dhe në parafjalë. Themi “buzë e gruas”, “buzë e lagur”, por themi edhe “buzë lumit”, “buzë rrugës”, “buzë varrit”, “buzë greminës” etj. Këtu fjala “buzë” nuk është tashmë emër, por parafjalë. Pak a shumë këtë rrugë ndoqi edhe nyja shquese kur u formua në shqip. Në krye të herës ajo ka qenë përemër dëftor, që u përdor pas një emri për të theksuar çfarë ishte ky emër së bashku me emrin ose mbiemrin që vinte nga pas: togfjalëshat *“gur mal” dhe *“gur randë” thirrën një përemër dëftor midis që të dilte i qartë kuptimi, pra, “gur i mal(it)” dhe “gur i randë”. Nga përdorimi i dendur dëftori “i” iu prapangjit emrit dhe u bë “guri malit” dhe “guri randë”. Në një vështrim të parë kjo skemë është e thjeshtë (dhe ashtu është në të vërtetë). Mirëpo, studiues të ndryshëm janë ngatërruar gjatë studimit të nyjës, sepse u është dukur sikur pozicioni pas emrit është një anomali dhe kanë menduar se në fillim nyja shquese ka qenë e paravendosur, si në gjuhët e tjera të njohura të Evropës, dhe pastaj u pasvendos (Selman Riza, Besim Bokshi). Meqenëse në lindjen e nyjës shquese të prapme merr pjesë në mënyrë të pashmangshme edhe nyja e përparme, studiuesit shtruan pyetjen “Cila ka qenë e para: nyja e prapme apo nyja e përparme?” duke e shtruar këtë si një çështje themelore për nyjat. Kjo pyetje alternative ka qenë në qendër të vëmendjes së studiuesve për dhjetëvjeçarë të tërë. Në fakt nuk është aspak ky problemi i nyjave të shqipes. Problemet e vërteta sot lidhen me vendin që zë nyja e përparme në gramatikën e shqipes. Shumë studiues nuk e njohin atë si fjalë më vete, por e quajnë pjesë të emrit, mbiemrit, foljes etj. Forma e rasës gjinore nuk perceptohet pa nyjën e përparme, aq sa nyjën e përparme e quajnë “nyjë e gjinores”. Tek mbiemri dhe përemri dhe folja gjërat janë edhe më të vështira, pasi nuk perceptohet lehtë mbiemri pa nyjë të përparme, në atë masë sa dallohen mbiemra të “nyjshëm” dhe të “panyjshëm”. E vërteta është se nyja e përparme qëndron në të gjitha rastet si një fjalë e mëvetësishme, një morfemë e lirë me një status të veçantë përdorimi. Edhe analiza gjuhësore edhe intuita e hollë gjuhësore dallojnë qartë se nyjat e përparme janë fjalë më vete. Një problem tjetër është njohja e nyjave të përparme si elemente fjalëformuese. Në gramatikat shqipe është shprehur mendimi se nëpërmjet “paranyjëzimit” formohen fjalë të reja. Potë njëjtat gramatika u njohin nyjave edhe aftësi trajtëformuese. Por është shumë kundërthënëse që i njëjti element gramatikor të ketë njëkohësisht edhe aftësi fjalëformuese edhe aftësi trajtëformuese. Kjo është e gabuar; nyjat e përparme nuk kanë as njërën as tjetrën aftësi. Shikoni, pra, sa shumë çështje lidhen me nyjat e përparme dhe të prapme.
Ilir Mborja: Sa e besueshme do të jetë teoria që prapavendosja e nyjës është përftuar përmes ndikimit të gjuhës së paraardhësve të shqipes?
Aristotel Spiro: Në fakt nuk ka ndonjë gjuhë paraardhëse që ka ndikuar tek shqipja në pikëpamje të prapavendosjes së nyjës shquese apo të ndonjë veçorie gramatikore. Nuk ka nënë të shqipes dhe bijë të ilirishtes. Nëse ndjekim një rrugëtim historik të gjuhës, do të shohim një gjuhë të vetme, e cila pëson ndryshime të vazhdueshme derisa shndërrohet dalëngadalë në një formë gjuhësore që ndryshon shumë nga forma që ka pasur shekuj më parë. Kështu, forma e dikurshme gjuhësore ngjan me një gjuhë tjetër. Kjo ka ndodhur edhe me shqipen. Unë besoj se në momentin që dëftori u shndërrua në nyjë shquese të prapavendosur përfundoi një proces i gjatë shndërrimesh gramatikore, i tillë që gjuhën shqipe (ose arbërishten) e ndryshoi cilësisht nga paraardhësja e vet. I gjithë ky proces ka dashur disa shekuj që të zhvillohej. Ky ndryshim besoj se është shoqëruar edhe me ndryshimin e emrit të gjuhës nga populli që e ka folur.
Ilir Mborja: Cilat janë disa nga implikimet e rëndësishme historike dhe gjeografike që mbështesin idenë e përhapjes së këtij fenomeni përmes kontaktit ndërgjuhësor?
Aristotel Spiro: Fakti që gjuhët që e kanë këtë veçori janë edhe sot në fqinjësi gjeografike do të thotë se nyja shquese është përhapur nëpërmjet kontaktit ndërgjuhësor. Kjo ka ndodhur në lashtësi. Është e sigurt se rumanishtja dhe gjuhët e tjera neolatine ballkanike, si arumanishtja e meglenorumanishtja, si gjuhë romane lindore, e morën këtë ballkanizëm nga latinishtja vulgare.
Ilir Mborja: Përse është përjashtuar bullgarishtja si burim i këtij ballkanizmi dhe çfarë roli ka luajtur ajo në përhapjen e dukurisë?
Aristotel Spiro: Bullgarishtja, si gjuhë sllave duhet ta ketë filluar këtë proces pas ardhjes së sllavëve në Ballkan. Duke qenë se jemi të sigurt që në përhapjen e këtij ballkanizmi merr pjesë latinishtja vulgare, atëherë bullgarishtja nuk ka gjasa të jetë burimi i këtij ballkanizmi. Ku bullgarishtja u formua si gjuhë dhe bullgarët si komb, romakët kishin kohë që ishin larguar nga Ballkani.
Ilir Mborja: A mund ta ketë zhvilluar vetë bullgarishtja brenda veçorinë e prapavendosjes së nyjës shquese?
Aristotel Spiro: Nëse e konsiderojmë ballkanizëm, mendoj se jo. Përveç faktit historik që janë shfaqur vonë në Ballkan, ka edhe një fakt gjuhësor shumë të rëndësishëm: bullgarishtja nuk ka nyja të përparme (siç ka shqipja) ose nyja dëftore (siç ka rumanishtja), të cilat janë elemente të domosdoshme për një proces gramatikalizimi, që çon në lindjen e nyjave shquese. Detyrimisht duhet menduar ndikimi i një gjuhe tjetër ballkanike, sintaksën e së cilës bullgarët e morën si model për të zhvilluar në gjuhën e vet nyjën shquese të prapavendosur. Dhe kjo gjuhë besoj se ka qenë rumanishtja.
Ilir Mborja: Si ka mundësi që latinishtja të jetë burimi i këtij ballkanizmi, kur dihet që latinishtja nuk ka nyja shquese as të paravendosura as të prapavendosura.
Aristotel Spiro: Nuk bëhet fjalë për latinishten që flisnin qytetarët e Romës së lashtë, por për latinishten vulgare ballkanike, që ishte rezultat i kontaktit me popullsitë vendase dhe i ndikimit të gramatikave të tyre mbi latinishten që ata përdorën dhe prej së cilës u romanizuan. Dakët u romanizuan dhe u bënë rumunë prej ushtarëve romakë, që përbëheshin kryesisht prej ilirësh të romanizuar prej kohësh. Popullsi të tjera ilire të romanizuara u shpërngulën në trevat dake ku punonin në minierat e shumta. Mendoj se këta ilirë të romanizuar kishin futur në shprehitë e tyre gjuhësore dëftorin e pasvendosur pas ndryshimeve dramatike që pësoi ilirishtja (ose protoshqipja) nga kontakti me latinishten. Nëse pjesa veriore e ilirëve u romanizua plotësisht, ilirët e jugut arritën të mbijetonin gjuhësisht dhe etnikisht për të evoluuar në një etni të ri të quajtur arbër, ata që shekuj më vonë e quajtën veten shqiptarë.
Ilir Mborja: Si ndikojnë njohuritë tona mbi gjendjen gjuhësore të Ballkanit të lashtë në hipotezat për origjinën e fenomenit të prapavendosjes së nyjës shquese?
Aristotel Spiro: Nuk dihen shumë gjëra për gjuhët e Ballkanit të lashtë. Nuk ka shumë të dhëna për trakishten, për myzishten, për ilirishten, për dakishten. Përveç greqishtes dhe latinishtes nuk kemi dokumente të shkruara për gjuhët e tjera që fliteshin në rajon. Ne themi ilirishte, or me këtë emër mund të nënkuptojmë popullsi të ndryshme dhe dialekte të ndryshme, që mund të interpretohen si gjuhë të ndryshme. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për trakishten, myzishten e dakishten. Prandaj studimi i drejtpërdrejtë i procesit të formimit të nyjave dhe i shumë zhvillimeve të tjera gramatikore në shqipe, rumanishte etj. është i pamundur dhe jemi të detyruar të përdorim metoda të tërthorta.
Ilir Mborja: Nuk mendoni se me konkluzionet tuaja mund të keqkuptohen nga turboalbanologët e do përkëdhelni sedrën e tyre të sëmurë?
Aristotel Spiro: E keni fjalën për përfundimin e studimit tim që e vendos shqipen si burim të ballkanizmit të prapavendosjes së nyjës shquese, besoj?
Ilir Mborja: Po, pikërisht për atë.
Aristotel Spiro: Turboalbanologët ose etimologët vulgarë nuk gëzojnë me asnjë nga përfundimet tona, sepse nuk e kuptojnë gjuhën e shkencës gjuhësore. Madje atyre nuk u intereson fare shkenca, por akrobacitë banale me tingujt e shkronjat dhe kultivimi i pasioneve të sëmura nacionaliste. Më e keqja është se këto përfundime nuk i pret me dashamirësi as media televizive, sepse media në një masë të madhe është bërë çerdhja ku mblidhen klloçkat turboalbanologe, që ngrohin së bashku me moderatorët televizivë vezët e gjarprit të fashizmit. Qëllimi i gjuhëtarit nuk është të nxjerrë shqipen si burimin e gjuhëve të gjithë botës, nuk është të nxjerrë shqipen si burimin e ballkanizmave, por ta studiojë çdo dukuri gjuhësore ballkanike dhe të hetojë të vërtetën ashtu siç ka qenë. Gjuhëtari i ngjan një detektivi që heton një ngjarje, për shembull një vrasje. Qëllimi i tij është të gjejë autorin e vërtetë të ngjarjes, dhe jo një person tjetër, të cilin mund të mos e pëlqejë. Përndryshe do të dënohet një i pafajshëm. E njëjta gjë ndodh edhe me kërkimin shkencor. Gjuhëtari kërkon gjithmonë të vërtetën me argumente bindëse, cilado qoftë ajo, përndryshe nuk quhet shkencëtar, por manipulator. Shqipja më rezulton si burim i ballkanizmit të prapavendosjes së nyjës shquese, jo sepse kam pasur në mendje një obsesion për ta nxjerrë patjetër shqipen në këtë rol, por vetë analiza e fakteve historike dhe analiza dhe krahasimi gjuhësor midis shqipes, rumanishtes, bullgarishtes dhe maqedonishtes tregojnë se me të vërtetë gjuha shqipe u bë modeli i prapavendosjes së nyjës së prapme shquese në latinishten ballkanike, në rumanishte dhe së këndejmi në bullgarishte e maqedonishte.
Ilir Mborja: Z. Spiro, mendoni se qëndrimi juaj i prerë ndaj turboalbanologëve dhe medias mund të krijojë një hendek të panevojshëm mes studiuesve dhe publikut të gjerë? Si mund të ndërtohet një urë komunikimi për ta bërë kërkimin shkencor më të kuptueshëm dhe më të pranueshëm për një audiencë më të gjerë, pa rënë në vulgarizim?
Aristotel Spiro: Me parimet e studimit shkencor nuk mund të bëjmë asnjë lëshim dhe me etimologët vulgarë / turboalbanologët nuk bëjmë asnjë kompromis. Është jashtë çdoi imagjinate që një studiues serioz të përkulet përpara banaliteteve që serviren si dije shkencore. Me këtë kategori kontrabandistësh të dijes nuk kemi asnjë lidhje dhe nuk kemi as predispozicionin më të vogël për t’i marrë me të mirë. Ajo që më shqetëson më shumë është media private shqiptare, e cila luan një rol të pandershëm me dëme kolosale për shoqërinë e sotme, një shoqëri që e shtyjnë drejt batakut mendor. Është për të ardhur keq që moderatorë televizionesh private me mangësi të theksuara kulturore dhe me mendësi anakronike ftojnë nëpër studio lloj-lloj injorantësh, që sillen si fallxhorë të etimologjisë dhe nyjëtojnë gjithfarë budallalëqesh dhe idiotizmash. Pa median këta sharlatanë nuk do të kishin asnjë fuqi. Media i faktorizon ata, por njëkohësisht helmon ndërgjegjen e teleshikuesve, ndërgjegjen e shoqërisë. E shoh si një krizë të shoqërisë, që arrin të manipulohet lehtë nga një informacion i rremë. Nga ana tjetër njoh edhe një përgjegjësi të punëtorëve të albanologjisë që të kryejnë një akt qytetar duke e popullarizuar shkencën e gjuhës dhe sidomos etimologjinë shkencore duke e bërë atë të kuptueshme dhe tërheqëse për masën e gjerë të qytetarëve, larg përrallave që e nxjerrin shqipen si gjuhën e parë në botë dhe nënë e gjithë gjuhëve të botës. Vetëm kështu njerëzit do ta shohin gjuhën dhe etimologjinë si një shkencë që i ndihmon për të njohur anë të veçanta të historisë së popullit shqiptar, që asnjë shkencë tjetër nuk mund t’ua mësojë.