Ndryshe nga sa ishte deklaruar më herët, gara për licencat e reja në shëndetësi është shtyrë për në muajin qershor. Mijëra praktikantë të diplomuar në 9 specialitetet mjekësore, si: fizioterapi, mami, infermieri, mjekësi e përgjithshme, teknik laboratori, teknik imazherie, logopedi, si dhe stomatologji, do të mund t’i nënshtrohen provimit të shtetit për të fituar lejen e ushtrimit të profesionit në profilin përkatës gjatë muajt shtator. Ndërkohë që më herët sezoni i testimeve ishte parashikuar për t’u zhvilluar gjatë muajit qershor.
“Për të gjithë kandidatët aplikantë në provimin e shtetit në profesionin e rregulluar të Mjekut, Farmacistit, Stomatologut, Infermierit, Mamisë, Fizioterapistit, Teknikut të Imazherisë, Teknikut të Laboratorit dhe Logopedistit, për sezonin XXII, bëjmë me dije se provimet do të zhvillohen në godinën e Qendrës së Shërbimeve Arsimore duke filluar nga data 20 shtator 2022. Kandidatët e interesuar duhet që të drejtohen pranë urdhrit profesional përkatës, për t’u regjistruar për pjesëmarrje në provimin e shtetit, si dhe për të kryer të gjitha procedurat e tjera të nevojshme”, bëjnë me dije autoritetet e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit.
Specialistët e kësaj qendre janë tashmë duke punuar për hartimin e kalendarit me datat në të cilat do të zhvillohen provimet e shtetit për secilin profil mjekësor, i cili do të bëhet publik gjatë javëve në vijim, së bashku edhe me listën zyrtare të kandidatëve që plotësojnë kushtet për të garuar në këtë sezon për lejen e ushtrimit të profesionit në një nga profilet mjekësore të përmendura më lart. Në lidhje me orarin e pjesëmarrjes në provim, bëhet e ditur se edhe për sezonin e ri të testimeve që do të zhvillohen në shtator, oraret e zhvillimit të provimit të shtetit do të jenë të përcaktuara për çdo kandidat dhe nuk do të ketë ndryshime orari përtej planifikimit që do të publikohet gjatë ditëve në vijim. Çka do të thotë se nëse nuk do të paraqiteni në datën dhe orarin e përcaktuar specifikisht vetëm për ju sipas listës që do të shpallë Qendra e Shërbimeve të Arsimit, do të duhet të prisni sezonet e ardhëshme të testimeve për të garuar sërish për lejen e ushtrimit të profesionit. E deri në sezonin e radhës së testimeve, ju nuk do të mund të aplikoni për vendet e lira të punës që mund të raportojnë strukturat mjekësore publike apo private që funksionojnë në vendin tonë.
Sikundër ka ndodhur gjatë testimeve të zhvilluara në sezonet e mëparshme, edhe për provimet e shtetit të këtij sezoni të ri, në ndihmë të bluzave të bardha, ekspertët e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit kanë detajuar edhe fondin e mijëra pyetjeve nga të cilat do të përzgjidhen edhe pyetjet që do të jenë pjesë e tezës së provimit të licencës. Kështu, çdo kandidat mund të orientohet rreth përmbajtjes që do të ketë testi i licencës, duke u njohur me fondin e detajuar të pyetjeve që gjendet në faqen online të Qendrës së Shërbimeve të Arsimit.
Edhe për testimet e shtatorit do të vlejnë po të njëjtat rregulla në organizimin dhe zhvillimit e provimeve të shtetit për shëndetësinë. Gjatë paraqitjes për pjesëmarrje në provim, kandidati duhet të ketë parasysh dhe të zbatojë këto rregulla: të paraqitet pranë Qendrës së Shërbimeve të Arsimit 30 minuta përpara orarit të nisjes së provimit, teksa duhet të jetë i pajisur me Kartë ID ose Pasaportë (dokumenti origjinal) dhe kopje të tyre, faturën origjinale me vulën përkatëse, të pagesës së tarifës së provimit, të kryer në një bankë të nivelit të dytë bazuar në herën e pjesëmarrjes.
Kandidatët, të cilët nuk paraqesin këto dokumente, nuk mund të marrin pjesë në provimin e shtetit. Mungesa e një prej këtyre dokumenteve ju penalizon duke ju lënë jashtë testimit, çka do të thotë se duhet të prisni sezonet e vitit të ardhshëm për të hyrë sërish në testin e licencës, duke humbur kështu shanset për të aplikuar përgjatë kësaj periudhe për vendet e lira të punës në spitalet dhe qendrat mjekësore publike dhe private në vend. Për të qenë kalues në këtë provim duhet të siguroni mbi 50 pikë me përgjigjet e dhëna.
Sipas rregullores së përcaktuar për provimet e shtetit, personi, që kërkon të ushtrojë një profesion të rregulluar, duhet të ketë përfunduar programin përkatës të akredituar të studimit, si dhe kualifikimet profesionale në atë profesion, të cilat duhet të vërtetohen me dokumente zyrtare, të lëshuara nga institucionet përgjegjëse brenda ose jashtë vendit dhe të njohura në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për profesionet e rregulluara.
Për të mos rrezikuar hyrjen në testimin e licencës çdo kandidat duhet të ketë shlyer më parë edhe tarifën e testimit, vlera e të cilës përcaktohet nga hera e pjesëmarrjes në këtë provim. Kështu, kandidatët që kalojnë në testim për herë të parë do të paguajnë një tarifë prej 10,000 lekësh, ndërsa ata që hyjnë për të dytën, apo më shumë herë, do të duhet të shlyejnë një tarifë e cila vjen në rritje. Tarifat e plota që duhet të shlyeni për çdo herë të pjesëmarrjes së sezonin e provimeve të shtetit për sigurimin e licencës profesionale në profilet mjekësore e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit.
Tarifat që duhet të shlyeni sipas herës që testoheni për licencën :
- Tarifa për kandidatët që e japin për herë të parë provimin e shtetit do të jetë 10,000 lekë
- Tarifa për kandidatët që e japin për herë të dytë provimin e shtetit do të jetë 12,500 lekë
- Tarifa për kandidatët që e japin për herë të tretë provimin e shtetit do të jetë 15,000 lekë
- Tarifa për kandidatët që e japin për herë të katërt provimin e shtetit do të jetë 17,500 lekë
- Tarifa për kandidatët që e japin për herë të pestë provimin e shtetit do të jetë 20,000 lekë
- Tarifa për kandidatët që e japin për herë të gjashtë apo më shumë provimin e shtetit do të jetë 25,000 lekë