Nga Rami Memushaj
Botuar në DITA
Në janar Ministria e Arsimit dhe e Sporteve në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë e shpallën 2024-ën “Viti i gjuhës”. Ky vendim u pa prej shumëkujt si përgjigje shtetërore ndaj shqetësimit të përgjithshëm se po na prishet gjuha, shqetësim që kryeministri shqiptar e shprehu me fjalët: “gjuha shqipe është e kërcënuar si asnjëherë më parë”.
Kur flitet për kërcënim të gjuhës, nuk është fjala për variantin standard, po edhe për variantet e saj dialektore, pra për gjuhën kombëtare.
Rreziku i një gjuhe vjen nga kontaktet e saj me gjuhët e tjera, sidomos me gjuhë kulturash të larta. Në periudhën para viteve ‘90, për shkak të mungesës së kontakteve të shqiptarëve me të huajt, shqipja ishte e mbrojtur nga ndikimi i gjuhëve të huaja. Mirëpo në kushtet e reja të krijuara pas viteve ’90, kur kontaktet e shqiptarëve me bartësit e gjuhëve të huaja u bënë të shumëfishta, doemos që shqipja do të ndikohej prej këtyre gjuhëve, kryesisht nga anglishtja,italishtja e më pak nga greqishtja.
Për qindra mijëra shqiptarët që braktisën vendin, “gjuhë e bukës” u bë gjuha e vendit ku u ngulën, ndërsa shqipja mbeti për ta gjuhë e dytë, gjuha e rrethit të ngushtë familjar e shoqëror. Po edhe për ata që mbetën në Shqipëri, hapja e vendit krijoi mundësi për lëvizjen e tyre të lirë drejt vendeve të huaja dhe të të huajve në Shqipëri.
Këto lëvizje të ndërsjella, sidomos shkollimi jashtë i mijëra e mijëra të rinjve, një pjesë e të cilëve janë kthyer në vend dhe punojnë në institucione e në biznese, kanë bërë që ligjërimi shqip të ndikohet nga gjuhët e kontaktit. Veç këtyre, rritja e interesit brenda vendit për mësimin e gjuhëve të huaja, me qëllim që nëpërmjet tyre të depërtohet në tregjet e huaja të punës, gjithashtu ka bërë që shqipes t’i kushtohet më pak vëmendje, sepse mendohet se si gjuhë amtare nuk është nevoja të mësohet.
Dhe, më në fund, futja e kompjuterit dhe e terminologjisë angleze të informatikës që lidhet me përdorimin e tij, ka bërë që përqindja e fjalëve nga anglishtja të shtohet ndjeshëm, duke u përdorur edhe atëherë kur shqipja ka fjalë përgjegjëse të tyre. P.sh., shumë përdorues të kompjuterit e kanë më lehtë të thonë maus, direktori, desktop, kanceloj, procesim, sejvoj etj. sesa miush, dosje, ekran, anuloj, përpunim, ruaj etj.
Pra, trysnia e gjuhëve të huaja me të cilat shqipja është në kontakt, sot është shumëfishuar. Nga këto, anglishtja, si gjuha kryesore e komunikimit me të huajt brenda dhe jashtë vendit, po edhe e shkencës dhe e teknologjive të reja, ushtron trysninë më të madhe mbi shqipen.
Ndikimi i saj po ndihmohet edhe me politika arsimore të diskutueshme. Pas anglishtes, për shqiptarët e Shqipërisë vjen italishtja, e cila, ndonëse nuk është gjuhë e teknologjisë, është gjuha e dytë e huaj që flitet më shumë. Ndërsa në Maqedoninë e Veriut shqipja ndikohet së pari nga maqedonishtja, si gjuhë zyrtare, dhe pastaj nga anglishtja; në Kosovë anglishtja është gjuhë e dytë, ndonëse në ligjërimin e brezit të mesme dhe të vjetër vijon ndikimi edhe i serbishtes.
Kjo trysni e gjuhëve të kontaktit ndihet nga të gjithë në leksikun e shqipes, që është rrafshi i gjuhës më i prekshëm nga ndikimet e huaja. Në ligjërimin e përditshëm, nën ndikimin e medieve pamore-dëgjimore, kanë hyrë shumë baarbarizma.
Sot mund të dëgjosh një amvisë të flasë për benefite, një grua fshati të thotë u shokova, një fermer të thotë kam suport financiar, një vajzë të shkolluar të pyesë a është i aksesueshëm ashensori, një gazetare të raportojë për incident që shkakton karroca, një zyrtar të thotë do të vazhdojmë me hapa të agravuar, ka impakt, për të mediuar (ndërmjetësuar) etj. Si rrjedhim i kësaj manie për të përdorur fjalë të huaja sot në ligjërimin e përditshëm hasen 20-30 fjalë “kopile” me denduri shumë të lartë. Këto fjalë, ashtu si çelësi kopil që hap shumë dyer, përdoren në kontekste të ndryshme në vend të fjalëve të shqipes. Janë fjalë me kuptim të turbullt, që nuk e mbulojnë qartë konceptin që synojnë të shprehin. Si rrjedhim, edhe thëniet e ndërtuara me to nuk arrijnë t’i shprehin si duhet mendimet dhe ndjenjat e folësit.
Përdorimi i këtyre fjalëve “kopile” ndodh jo se shqipes i mungojnë fjalët e veta. Ajo për secilën syresh ka vargje sinonimesh që mund të shprehen mendime të qarta dhe emocione e ndjesi shumë të holla. P.sh., fjala “kopile” shokoj përdoret në vend të fjalëve: çudit, habit, mahnit, çmerit, emocionoj, lë pa mend, lë me gojë hapur etj.; dhe trondit, hidhëroj, pikëlloj, helmoj etj.
Arsyet pse këto fjalë përdoren nga “autoritetet” e ligjërimit publik – folësit televizivë dhe njerëzit publikë – janë kultura e mangët gjuhësore e tyre ose ksenomania. Kurse folësit e thjeshtë i përdorin se ashtu i kanë dëgjuar nga këto autoritete që i japin tonin ligjërimit publik.
Përdorimi i barbarizmave të tillë fare të panevojshëm, që edhe njerëzve pa shumë shkollë ua vrasin veshin, nuk përbën shqetësim për institucionet shkencore që merren me gjuhën.
Prej tyre nuk shihet asnjë reagim, asnjë listë fjalësh që t’u dërgohet periodikisht redaksive të medies së shkruar, televizive e elektronike me këshillën për të mos i përdorur, pa folur për lista fjalësh të reja që hyjnë në gjuhë çdo vit, siç bëjnë akademitë e botës.
Edhe më shqetësuese është se nga ndikimi i gjuhëve të kontaktit po preken fonetika dhe gramatika, nën sistemet bazë të shqipes, që e bëjnë atë një gjuhë të veçantë në rrethin e gjuhëve europiane. Një nga parametrat fonetikë që po preket, është theksi i fjalës. Jo vetëm fjalët e huaja, po edhe fjalë të vetë shqipes brezi i ri i shqipton me theks në rrokjen e parë. Kështu, dëgjojmë Mákro(n) për Makrón,Úrsulapër Ursúla, Dubróvnik për Dubrovník, Montevídeo përMontevidéo, féjsbuk për fejsbúk, kóvid për kovíd, términal për terminál, vódafon për vodafón etj.; Zḗmblak për Zëmblák, Ármandpër Armánd, Bójken për Bojkén, Érvin për Ervín, Gláuk për Glaúk, áudit për audít, kónferencë për konferéncë, ópinion përopinión etj.
Parametri i theksit në shqipe kërkon theksimin e fjalës në rrokjen e fundit ose në të parafundit, nëse rrokja e fundit rrëgjohet gjatë lakimit a zgjedhimit të fjalës. Shqiptimi i fjalëve me theks në rrokjen e parë, si në anglishte, jo vetëm që ia vret veshin shqiptarit, po ka edhe një efekt domino në gramatikën e shqipes.
Së pari, prishet struktura ritmike e thënies, që nuk tingëllon më si frazë shqipe dhe në poezi prishet rima e vargjeve. Po të vijojë kjo modë shqiptimi, parametri fonetik i theksit do të zëvendësohet me parametrin gjegjës të anglishtes.
Nga shqiptimi i fjalëve si në anglishte preket jo vetëm prozodia, po edhe morfologjia shqipes, sidomos e emrit, qoftë e fjalëve dy a më shumërrokëshe, qoftë e emrave të përveçëm të huaj ose e akronimeve. Sa u përket fjalëve shumërrokëshe që theksohen në rrokjen e parë, është në natyrën e shqipes që i pret duke filluar nga rrokja e dytë e patheksuar e tyre, dmth. kjo rrokje shqiptohet me sforcim të madh dhe, kur është mbaresë, nuk shqiptohet fare. Pra, këta emra bëhen të palakueshëm. Por mediet po na krijojnë edhe klasa të tjera fjalësh të palakueshme, si p.sh. emrat e përveçëm të huaj (Makron reagoi, Vuçiç takohet me Makron, në qeverinë e Makron, i tha Makron) dhe akronimet, si AMA, SPAK etj. (SPAK u njoftua, kreu i SPAK, thirrje SPAK, vë në dijeni SPAK, sipas SPAK).
Si rrjedhim i përdorimeve të tilla ka rrezik që shqipja të humbasë dalëngadalë edhe parametrin morfologjik të lakimit. Falë këtij parametri, morfologjia e shqipes i “tret” emrat e huaj, kështu që në gjuhën tonë, ndryshe nga gjuhë të tjera me lakim, nuk ka emra të palakueshëm.
Siç ka vënë në dukje prof. A. Kostallari, falë këtij parametri morfologjik, “në vend që të asimilohej, shqipja, përkundrazi, i ka asimiluar fjalët e huaja”.
Shqiptimi i emrave të theksuar në rrokjen e parë pa mbaresa ka edhe pasoja logjiko-sintaksore, sepse i duhet dëgjuesit a bashkëbiseduesit ta shtojë mbaresën mendërisht për të rrokur funksionin e fjalës. Ndikimet e huaja në fushën e sintaksës, gjithashtu janë të shumta, si në rendin joshqip të gjymtyrëve të fjalisë (siç ju thatë); në ndryshimin e drejtimit të foljeve nga ndikimi i anglishtes dhe i italishtes (ura rrezikon shembjen, bëj viktimën, telefonoj vëllain) etj., pra po preken edhe parametra sintaksorë të shqipes.
Edhe në zgjedhimin e foljes po vërehet tronditja e eptimit të brendshëm (ndërrimet e tingujve). Nga të parët tanë analfabetë kemi trashëguar një tip të veçantë zgjedhimi që përdor jo vetëm mbaresat, po edhe ndërrimet e zanoreve për të dalluar vetat, kohët etj. Mirëpo sot në ligjërimin brezave të shkolluar foljet me ndërrime përdoren gabim, çka vërehet sidomos në ligjërimin e folësve kosovarë dhe të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut (Kroacia do të del fitues, zgjedhet presidenti, Kosova do të merr pjesë, ia lejon deputetit të flet maqedonisht etj.).
Ndër mediet e shkruara, dëgjimore-pamore e elektronike, televizioni është pa dyshim konsumatori më i madh i gjuhës, po edhe media me ndikimin më të fuqishëm jo vetëm në fushën e informimit, po edhe në punë të normës gjuhësore. Për shkak të autoritetit që ka, ligjërimi i folësve televizivë shërben si model për shikuesin e thjeshtë. Mund të themi që folësi televiziv është një lloj mësuesi i gjuhës amtare.
Por, kur nuk flet si duhet, folësi televiziv bëhet një mësues i keq. Fatkeqësisht, televizionet janë mbushur me vajza e djem fotogjenikë, po shumë syresh pa kulturë gjuhësore dhe pa respektin për mjetin me të cilin sigurojnë bukën. Kuptohet se sa shumë do të ndihmonte televizioni në cilësinë e ligjërimit letrar, nëse prej tij do të mbahej një qëndrim i përgjegjshëm ndaj gjuhës, mjetit kryesor që kjo medie përdor për të komunikuar me shikuesit. Por, mjerisht, ky qëndrim i përgjegjshëm ndaj gjuhës mungon.
Përditë bombardohemi me një shqipe jo të pastër nga pikëpamja e shqiptimit, leksikut, morfologjisë dhe e sintaksës, shkurt, me një gjuhë që mund ta quajmë “shqiplishte”.
Sikur të parët tanë të kishin qenë kaq ksenomanë sa jemi ne sot, shqipja do të ishte romanizuar që në shekujt e parë të pushtimit romak. Por ata u lidhën fort pas gjuhës së vet si rreth një strumbullari, ajo i mbajti të bashkuar duke i dalluar gjuhësisht nga pushtuesit. Dhe kur më vonë u përçanë, jo për faj të tyre, në katolikëe ortodoksë, në suni e bektashi, arbrit e lanë emrin e vjetër dhe e quajtën veten “shqiptarë”, dmth. ata që flasin shqip. E pat vënë re këtë dyqind e ca vjet më parë Xh. Hobhauzi, që thotë se, kur e pyet një turk se çfarë është, të thotë jam mysliman; kur e pyet një grek, të thotë se është ortodoks; po kur pyet një shqiptar, të thotë se është shqiptar. Pra, gjuha ka qenë ajo që i ka ruajtur shqiptarët si komb i veçantë dhe do t’i ruajë në qoftë se edhe brezat që do të vijnë, do ta ruajnë ashtu si e ruajtën të parët.
Shqipja është pasuria jonë më e madhe, vjega ku mbahet identiteti ynë, pasaporta jonë. Po e humbëm, do të humbim si komb. “Shenj’ e kombërisë është gjuha, – thotë Samiu; – çdo komp mbahetë me gjuhët;… Kaqë kombe që janë shuarë, mos pandehni se vdiqn’ a u vranë të tërë; jo, kurrë; po u përzjenë me të tjerë kombe, muarrë gjuhën’ e atyre, edhe u bënë nga ata pa të çquarë.”
Pse ne pasardhësit e tyre duam ta dorëzojmë gjuhën tonë? Duke ditur se çdo shtet që bëhet pjesë e Bashkimit Europian hyn në të me gjuhën, me historinë e me kulturën e vet, ne shqiptarët si do të hyjmë në Europë? Me një gjuhë deledash – pak shqip, pak anglisht, pak italisht?
Dhe këtu dalim te roli i shtetit dhe i institucioneve të tij që merren me gjuhën. Mund të themi pa e tepruar aspak që ky rol është pothuaj zero. Sigurisht që nisma si kjo e vitit të gjuhës ndihmojnë në ndërgjegjësimin e folësve, sidomos të brezit që ndjek shkollat,për nevojën e një kujdesi të shtuar ndaj gjuhës sonë. Por, pas përfundimit të kësaj nisme, asgjë nuk do të ndryshojë në praktikën e ligjërimit të medieve dhe të administratës shtetërore.
Shteti kujdesin për gjuhën e ka detyrim kushtetues, si në Shqipëri, edhe në Kosovë, dhe nuk duhet të stepet nga akuzat e çakejve linguistë se po ndërhyn në punë të gjuhës.
Gjuhëtari amerikan Joshua A. Fishman, duke qortuar ata që ishin kundër planifikimit gjuhësor dhe politikave gjuhësore të shtetit, një nga librat e tij të fundit e ka titulluar “Do not Leave Your Language Alone” (Mos e braktisni gjuhën tuaj), pra jo rrini larg gjuhës, po merruni me gjuhën.
Shteti dhe institucionet e tij gjuhësore mund dhe duhet të bëjnë shumë për gjuhën, që të zbatohen normat e standardit në të gjitha fushat e veprimtarisë shoqërore. Dhe në rrethana si këto që u përshkruan më sipër, ndërhyrja e shtetit dhe institucioneve shkencore që merren me gjuhën bëhet një detyrë urgjente.
Së pari, duhet të ruajmë ato që bota na i njeh si veçori gjuhësore tonat. P.sh., në shkollë fëmijët mësojnë që klasat e numrave t’i ndajnë me pikë, ndërsa shifrat dhjetore me presje. Ky është përafërsisht edhe formati i shkrimit të numrave që i njohin shqipes platformat Windows dhe të ngjashmet me to. Mirëpo në faturat e pagesave, në dokumentet bankare dhe shtetërore në Shqipëri e Kosovë numrat shkruhen si në anglishte: klasat e numrave të ndara me presje dhe shifrat dhjetore të ndara me pikë, ndërkohë që në Europën kontinentale numrat nuk i shkruajnë si anglezët. Në dokumente bankare ose fatura pagesash gjermane, franceze, italiane etj. zbatohet mënyra josaksone e shkrimit të numrave, që është si ajo që jep Windows-i për shqipen. Dy shtetet shqiptare, kur të hyjnë në Europë, do të përdorin mënyrën angleze apo mënyrën europianetë shkrimit të numrave? A nuk duhet të ndërhyrë për ta ndrequr këtë anomali?
Së dyti, janë shqetësuese tabelat me emërtimet e njësive të shërbimit jo vetëm në rrugët dhe në sheshet kryesore, po edhe brenda lagjeve. Shumica dërrmuese e tyre janë në gjuhë të huaja, sa të duket sikur nuk je në Shqipëri a në Kosovë. Në këto emërtime nuk ka asgjë që t’i lidhë me vendet ku fliten ato gjuhë. Nuk janëvetëm njësi shërbimi me emra të huaj, ka edhe emërtime të tjera objektesh shtetërore, p.sh. “Air Albania Stadium”, “Tirana International Airport”, “Vlora Terminal”, emërtime radiosh e televizionesh etj. Pse të mos jenë në shqip emërtimet e shitoreve, hoteleve, restoranteve etj.? Edhe në rast se emërtimi i huaj është i nevojshëm, emërtimi shqip duhet të jetë i pari.
Të përdorësh vetëm emërtime të huaja, është shenjë e mungesës së respektit për gjuhën amtare, po edhe një ndotje gjuhësore që tëvret syrin dhe veshin. Nga kjo mani e përdorimit të emërtimeve të huaja mendojmë se ka ardhur koha të hiqet dorë sa më parë.
Atdhetarizmi duhet të shfaqet jo vetëm në sporte, po në gjithçka që na takon si komb dhe, në radhë të parë, në gjuhë.
Sa u përket institucioneve shkencore, si akademitë e shkencave dhe institutet e gjuhësisë, duhet thënë se i detyrohen shumë gjuhës. Është tejet e pakuptueshme që libri “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe” është botuar vetëm një herë në këta 50 vjet. Prej dhjetëra vjetësh ky doracak themelor, që duhet të jetë në tryezën e kujtdo që shkruan, nuk gjendet në shitje. Ka një këshill gjuhe që nuk po bën asgjë për gjuhën, nuk po merr asnjë masë për përmirësimin e rregullave të drejtshkrimit.
Këto dhe shumë të tjera janë shërbimet që kanë për detyrë të bëjnë për gjuhën shqipe të dy shtetet, akademitë dhe institucionet shkencore gjuhësore. Nga këto, e para gjë urgjente është miratimi i ligjit për gjuhën, që prej vitesh fle në sirtarët e Kuvendit të Shqipërisë. Konferencat e tubimet për gjuhën, që shkojnë pa lënë gjurmë e pa u dhënë udhë çështjeve të ngutshme që presin të zgjidhen, nuk i bëjnë ndonjë shërbim shqipes. Ato vetëm sa pasurojnë kurrikulumin e kumtuesve dhe të organizuesve të veprimtarive të tilla.
©Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016