Të rinjtë që kanë kryer së paku ciklin e studimeve të nivelit të parë “Bachelor” edhe përgjatë këtij viti do të mund të konkurrojnë për të ndjekur praktikën kombëtare 3-mujore, jo vetëm në institucionet e administratës qendrore, strukturave të tyre vartëse dhe njësive vendore, por edhe në dhjetëra subjekte të ndryshme private dh organizata jofitimprurëse. Aplikimi për praktikat ka nisur tashmë, dhe çdo i ri që i përket moshës 21-26 vjeç mund të plotësojë kërkesën për vendet e shpallura të ndjekjes së praktikave kombëtare në të gjithë vendin. Pjesë e këtij programi mund të bëhen vetëm të rinjtë që nuk kanë ndjekur më herët praktikat kombëtare të realizuara në aplikimet e thirrjeve të mëparshme.
Autoritetet përgjegjëse të zbatimit të këtij programi sqarojnë se për të mos rrezikuar që aplikimi juaj të s’kualifikohet, duhet të bëni kujdes në plotësimin e disa kritereve, siç janë: mosha që duhet të jetë brenda kufijve të përcaktuar, niveli minimal i studimeve universitare të kryera deri në momentin e aplikimit, si dhe çfarë është më e rëndësishmja gjatë plotësimit të formularit online, duhet të tregoni kujdes dhe të bëni vetëm një aplikim. Kjo pasi, nëse konstatohet se ju keni aplikuar më shumë se një herë, ju do të skualifikoheni nga programi.
Ministria e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët është institucioni që kryen rolin e sekretariatit teknik dhe koordinimin ndërinstitucional të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës në institucionet e administratës shtetërore në nivel qendror e vendor, institucionet e tjera publike, njësitë e vetëqeverisjes vendore, shoqëritë tregtare, si dhe së fundmi organizatave jo fitimprurëse. Programi është një mundësi për të rinjtë profesionistë nga mosha 21 deri 26 vjeç, të cilët kanë përfunduar minimalisht ciklin e parë të studimeve “Bachelor”. Qëllimi i vërtetë është eksperienca e punës. Zhvillimi i praktikës së punës njihet si përvojë pune, gjatë rekrutimit në institucionet e administratës publike dhe të tjerë.
Si të aplikoni online për vendet e shpallura?
Sikundër ka ndodhur edhe në thirrjet e realizuara gjatë sezoneve të mëparshme, plotësimi i formularit të aplikimit do të zhvillohet online në adresën www.praktika.riniafemijet.gov.al . Para plotësimit të formularit të përcaktuar, ju duhet të shikoni me kujdes të gjitha vendet e lira të praktikës të shpallura nga strukturat shtetërore dhe ato jopublike, dhe pasi të kontrolloni profilet e kërkuara studimore nga secili institucion dhe qytetet respektive, ku do të zhvillohet praktika, ju mund të nisni edhe aplikimin tuaj. Në përfundim të afateve të përcaktuara të aplikimit, strukturat përgjegjëse do të bëjnë edhe verifikimin e të gjitha kërkesave të paraqitura dhe më pas, në varësi të vendeve të lira për praktikat, do të bëjnë edhe shpalljen e fituesve që do të pranohen në to. Lajmërimi do të bëhet nëpërmjet postës elektronike vetëm për kandidatët që janë pranuar si fitues për të vijuar praktikën tre mujore, e cila do të zhvillohet përgjatë muajve shtator-dhjetor 2022.
Profilet e vendeve të lira për praktikat
Sipas të dhënave të bëra publike deri më tani janë shpallur rreth 1714 vende të lira për ndjekjen e praktikave kombëtare 3-mujore në të gjithë vendin. Këto vende janë të shpërndara në 15 institucione të administratës shtetërore, në 110 institucione varësie të tyre, në 30 shoqëri tregtare dhe shoqata, në 15 institucione publike të pavarura, në 44 njësi të vetëqeverisjes vendore, si dhe 5 organizata jofitimprurëse. Duke aplikuar online në secilën prej tyre do të gjeni edhe profilet përkatëse në të cilat do të zhvillohen praktikat e këtij sezoni. Në përfundim të tre mujave të praktikës, , institucionet bëjnë përzgjedhjen e praktikantëve që do të punësohen me kontratë 1 vjeçare, duke u bazuar tek performanca e vlerësimit të praktikantëve, si dhe nevojave të secilit institucion.
Qëllimi i Programit Kombëtar të Praktikave të Punës është përfitimi i një përvoje kualifikuese, që ndikon në zhvillimin e kompetencave profesionale, akademike dhe personale. Programi ju mundëson njohjen me institucionet e administratës shtetërore dhe institucione të tjera publike apo private. Gjatë fazës së parë të këtij programi do të realizoni detyra dhe angazhime në institucionet përkatëse, bazuar në një plan pune tremujor, të drejtuar nga një mbikëqyrës.
Pas përfundimit me sukses të fazës së parë të programit do të pajiseni me certifikatë të lëshuar nga Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët dhe Departamenti i Administratës Publike Përfitimet e praktikës së punës janë të jashtëzakonshme. Aftësitë e transferueshme që përfitoni dhe marrëdhëniet profesionale që krijoni janë resurse që do t’ju vijnë në ndihmë për shumë kohë. Sapo të diplomoheni, do t’ju duhet të përballeni me një treg pune konkurrues dhe përvoja juaj mund të bëjë diferencën. Është vërtetuar shumë herë se praktika e punës jep rezultat pozitiv dhe lehtëson kalimin nga universiteti drejt tregut të punës
SI TË APLIKONI
- Aplikimi mund të kryhet online në adresën www.praktika.riniafemijet.gov.al në opsionin “Aplikoni” deri në përfundim të muajit korrik 2022.
- Përpara se të aplikoni, kontrolloni profilet e kërkuara studimore nga secili institucion dhe qytetet respektive, ku do të zhvillohet praktika.
- Kujdes: Nëse aplikoni më shumë se një herë, do të s’kualifikoheni.
- Përzgjedhja do të kryhet nga institucionet për të cilat është kryer aplikimi, bazuar në metodologjinë e Programit.
- Vetëm Fituesit do të lajmërohen nëpërmjet adresës elektronike.
- Faza e parë e programit do të zgjasë tre muaj, e do të zhvillohet përgjatë periudhës shtator-dhjetor 2022.
- Dokumentet e nevojshëm për aplikim: CV, Letër motivimi