Sindikata e Universiteteve ka vendosur të bojkotojë mësimdhënien në të gjitha universitetet publike në vend, në shenjë solidariteti me studentët dhe nxënësit që prej ditësh protestojnë kundër qeverisë dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Vendimi u mor nga Kryesia e Sindikatës gjatë protestës së zhvilluar një ditë më parë nga studentët dhe pedagogët, të cilët marshuan drejt Kryeministrisë dhe refuzuan ofertën për dialog të kryeministrit.
Bojkoti nis këtë të mërkurë dhe do të vijojë deri në një njoftim të dytë. Ndërkohë, pedagogët kanë bërë të ditur se do të mblidhen çdo ditë përpara Korpusit Qendror të Universitetit Politeknik të Tiranës. Në njoftimin e saj, Sindikata argumenton se vendimi vjen pas protestave të vazhdueshme të studentëve për arsim cilësor, shërbime shëndetësore dinjitoze, siguri për jetën dhe pronën, si dhe llogaridhënie nga institucionet.
Sipas Sindikatës, kërkesat e studentëve nuk kanë marrë përgjigjen e duhur nga autoritetet, ndërsa prej 13 tetorit protestuesit janë përballur edhe me dhunë policore, të cilën organizata e cilëson ekstreme. Pedagogët kërkojnë hetim për dhunën ndaj protestuesve. Përmes këtij vendimi, Sindikata kërkon ndalimin e menjëhershëm të dhunës ndaj studentëve, hetimin e përdorimit të forcës nga policia dhe plotësimin e kërkesave të protestuesve.
“Arsyet e bojkotit: Studentët protestojnë prej muajsh për arsim cilësor, shëndetësi dinjitoze, siguri jete e prone, për të drejtën e llogaridhënies etj. Përgjigjja që kanë marrë nuk ka qenë dialogu, por heshtja dhe, që nga 13 tetori dhe në vijim, edhe dhuna ekstreme. Pedagogët nuk mund të vazhdojnë mësimin si zakonisht, ndërkohë që studentët e tyre goditen në rrugë. Pedagogët ndajnë të njejtat oipinione me studentet në lidhje me zhvillimet politike, ekonomike, korrupsionin galopant, mungesën e meritokracisë etj. Bojkoti nuk është braktisje e auditorit. Është mënyra jonë për të treguar se auditori, pa të drejta dhe pa dinjitet, humbet kuptimin e vet. Do të kthehemi në auditor, sapo studentët tanë të marrin përgjigjen që meritojnë”, thuhet në njoftim.
j.l./ dita
