Deputetët do të mblidhen sot në orën 10:00 në seancën plenare. Në fokus janë katër interpelanca me Ministra, Reforma Administrativo-territoriale, si dhe një sërë projektligjesh që prekin sektorë të ndryshëm. Një interpelancë është me Ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Demo, e kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
Dy interpelancat e tjera janë me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, të kërkuara respektivisht nga deputetët Ermal Pacaj dhe Tedi Blushi. Ndërsa, Interpelanca e katërt është me Ministrin e Financave, Petrit Malaj, e kërkuar nga deputeti Tedi Blushi.
Një prej pikave kryesore të seancës është projektligji “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”. Për ta kaluar projektligjin, nevojiten 84 vota, të cilat socialistët rrezikojnë të mos i plotësojnë, pasi dy prej ligjvënësve, Vullnet Sinaj dhe Erion Braçe e kanë kundërshtuar ndarjen e re.
Edhe deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka deklaruar votën kundër draftit të PS-së. Për të plotësuar numrin e nevojshëm të votave, në seancë pritet të jenë edhe kryeministri Edi Rama, me mungesa të konsiderueshme këto kohë në sallën plenare.
Nga ana tjetër, opozita ka deklaruar se do të zhvillojë protesta brenda e jashtë Kuvendit. Në të njëjtën kohë që nis seanca, në orën 10:00, mbahet edhe protesta e qytetarëve, por nuk është ende e qartë nëse opozita do të kërkojë tu bashkohet.
Po ashtu në rendin e ditës janë përfshirë gjithashtu projektligji për ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, marrëveshja me Maqedoninë e Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar dhe kryerjen e kontrolleve të përbashkëta, si dhe ndryshime në ligjet për bankat dhe sistemin e pagesave.
Deputetët do të shqyrtojnë edhe ndryshime në ligjin për mbrojtjen e mjedisit, projektligjin për treguesit gjeografikë për produktet artizanale dhe industriale, si dhe ndryshime në legjislacionin për markat tregtare, patentat, modelet e përdorimit dhe certifikatat e mbrojtjes shtesë.
Një tjetër pikë e rëndësishme është projektvendimi për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a., lidhur me marrëveshjet e bashkëpunimit, prodhimin, importin, eksportin dhe tregtimin e armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake.
RENDI I DITËS:
I. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 8.10.2026, ora 10:00.
II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 5.10.2026.
2. Njoftime.
3. Interpelancë urgjente me Ministrin e Punëve të Brendshme, z. Ervin Demo, kërkuar nga një grup
deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
4. Interpelancë me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Ermal
Pacaj.
5. Interpelancë me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Tedi
Blushi.
6. Interpelancë me Ministrin e Financave, z. Petrit Malaj, kërkuar nga deputeti Tedi Blushi.
7. Projektligji “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e
Shqipërisë”
8. Projektligji “Për ratifikimin e konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit,
bërë në Luksemburg, më 13 maj 2025″.
9. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë
dhe qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit
kufitar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe kryerjen e
veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar”.
10. Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9662, datë 18.12.2006, “Për bankat në Republikën e
Shqipërisë”
11. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 133/2013, “Për sistemin e pagesave”.
12. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”,
të ndryshuar”.
13. Projektligji “Për treguesit gjeografikë për produktet artizanale dhe industriale”.
14. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 52/2025, “Për markat tregtare”.
15. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 53/2025, “Për patentat, modelet e përdorimit
dhe certifikatat e mbrojtjes shtesë”
16. Projektvendim “Për ngritjen e komisionit hetimor të Kuvendit, “Për kontrollin e ligjshmërisë të
veprimtarisë së shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a., në drejtim të marrëveshjeve të bashkëpunimit,
prodhimit, importit, eksportit dhe tregtimit të armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake”.
17. Projektvendim “Për disa ndryshime në vendimin nr. 87/2026, “Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në
përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit'””.
18. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
j.l./ dita
