Në provimin kombëtar të gjuhës shqipe dhe letërsisë për klasat e 9-ta, njohuritë e nxënësve do të vlerësohen në 3 kompetencat gjuhësore që kanë të bëjnë me: të lexuarit e teksteve letrare dhe jo letrare, të shkruarit për qëllime personale dhe funksionale, si dhe përdorimin e drejtë i gjuhës. Sa i përket përfaqësimit të teksteve letrare dhe teksteve jo letrare, raporti i tyre do të jetë 70 me 30 për qind.
Kështu, testi i gjuhës dhe letërsisë do të jetë i ndarë në tre pjesë, e para që do të ketë në përmbajtje pyetjet rreth njohurive mbi tekstin letrar. Në këtë pjesë nxënësi zhvillon njohuritë dhe aftësitë për të kuptuar, për të analizuar dhe për të vlerësuar tekste të ndryshme jo letrare, si: përshkrime, rrëfime, kronika, biografi, kujtime, intervista, ditar, letra, reklama, fjalime, ese të ndryshme. Nxënësi lexon dhe punon me tekste nga krijimtaria popullore gojore, nga letërsia shqipe dhe ajo botërore, si dhe nga periudha e gjini të ndryshme, përshkruan dhe diskuton për kohën, vendin, mjedisin dhe ngjarjet, duke dhënë detaje nga teksti, veçon temën kryesore. Gjithashtu nxënësi duhet të analizojë personazhet, dallojë dhe tregojë funksionin e figurave stilistike, si dhe gjykon e vlerëson elemente të formës dhe të përmbajtjes së një teksti letrar. Nxënësi dallon elementet kryesore të metrikës në një tekst poetik, diskuton rreth atmosferës që krijon ai, analizon dhe shpjegon funksionin e elementeve kryesore të stilit dhe të gjuhës në një tekst poetik. Nxënësi përcakton tiparet kryesore të disa teksteve në prozë, si: përralla, tregimi, novela, romani, si dhe përcakton tiparet kryesore të tragjedisë, komedisë dhe dramës, analizon tiparet e personazheve dhe tregon funksionet e elementeve të veçanta të dramës.
Pjesa e dytë do të jetë rreth të shkruarit për qëllime personale dhe funksionale. Në këtë pjesë nxënësi ndjek të gjithë hapat e domosdoshëm të procesit të të shkruarit (planifikimi, organizimi i ideve, rishikimi dhe redaktimi). Ai shkruan duke zbatuar karakteristikat e formës, të përmbajtjes 4 dhe të strukturës, tekste të tilla, si: kronika, rrëfime personale, intervista, letra, ditar, reklama, ese, ftesa, përshkrime.
Pjesa e fundit e testit përmban pyetjet rreth drejtshkrimit të gjuhës. Në këtë pjesë nxënësi demonstron njohuri, shkathtësi dhe qëndrime: për gjymtyrët kryesore dhe të dyta, për llojet e fjalive sipas kuptimit, pohimit dhe mohimit dhe sipas gjymtyrëve kryesore, për përdorimin e ligjëratës së drejtë dhe të ligjëratës së zhdrejtë, për fjalët e ndryshueshme (kategoritë e tyre gramatikore) dhe fjalët e pandryshueshme, për përbërësit e fjalës dhe mënyrat e formimit të saj. Nxënësi, gjithashtu duhet të njohë dhe zbatojë rregullat drejtshkrimore.
“Fragmentet ose tekstet që do të jenë pjesë e testit kombëtar të klasës së nëntë për gjuhën shqipe dhe letërsinë do të jenë të panjohura për nxënësit dhe nuk janë pjesë e teksteve shkollore të gjuhës shqipe. Pyetjet ose kërkesat në test, do të jenë të tri niveleve. Sipas ndarjes së bërë, 40 për qind e pyetjeve do të jenë për nivelin e njohurive bazë, 40 të tjera për nivelin mesatar, si dhe 20 për qind e pyetjeve do të jenë për njohuritë e nxënësve të shkëlqyer”, bëjnë me dije autoritetet e dikasterit të Arsimit.

Datat e provimeve kombëtare të arsimit bazë
Provimet kombëtare të arsimit bazë për vitin shkollor 2022-2023 do të zhvillohen në dhjetëditëshin e fundit të muajit qershor.
Testi i parë që do të japin nxënësit e klasave të 9-ta do të jetë në lëndën e gjuhës shqipe, provim i cili është vendosur që të zhvillohet në datën 20 qershor. Tre ditë më pas, përkatësisht në datën 23 qershor do të zhvillohet provimi i dytë në lëndën e matematikës. Ndërsa testi i fundit do të jetë i gjuhës së huaj që do të plotësohet në datën 26 qershor. Për nxënësit e pakicave kombëtare bëhet e ditur se do të zhvillojnë edhe provimin kombëtar të arsimit bazë në lëndën “Gjuhë amtare”, provim i cili do të jepet në datën 21 qershor.
Nxënësit që do të vlerësohen kalues në të tre provimet me shkrim, do të pajisen me dëftesën e përfundimit të arsimit të detyruar 9-vjeçar dhe do të mund të vijojnë më tej me procedurat e regjistrimit për ndjekjen e shkollës së mesme. Ndërsa mbetësit do të kenë mundësi që të rijapin provimet në sezonin e vjeshtës dhe vetëm më pas do të mund të vijojnë me procesin e regjistrimit për në shkollë të mesme.
Rregullat për dhënien e provimeve
Mbeten të njëjta rregullat e zhvillimit të provimeve, sikundër ka ndodhur edhe gjatë viteve të shkuara. Në këto kushte, çdo provim kombëtar i arsimit bazë për këtë vit shkollor do të fillojë në orën 10:00, ndërkohë që nxënësit do të kenë në dispozicion 2 orë e 30 minuta për të plotësuar të gjitha pyetjet e testit të secilës lëndë.
Nxënësit me aftësi të kufizuara që ndjekin shkollat e zakonshme do t’i zhvillojnë provimet kombëtare bazuar në planin edukativ individual me të cilin punojnë në përshtatje me veçoritë e tyre. Ndërsa drejtoria e Institutit të Nxënësve që nuk shikojnë “Ramazan Kabashi”, do të tërheqë testin në qendrën e Shërbimeve Arsimore një ditë para zhvillimit të provimit, të cilin duhet ta kthejë në sistemin e shkrimit “Brail” që është i përshtatshëm për t’u plotësuar nga nxënësit që kanë këtë aftësi të kufizuar. Për secilën lëndë, pyetjet ose kërkesat në test do të jenë të tri niveleve, nivelit të ulët, atij mesatar, si dhe pyetjet për nxënësit e shkëlqyer.
p.k\dita
