Nuri Bufi
Fshati Strum ndodhet në rrugën nacionale Fier- Berat në kilometrin e 18 -të, në përbërje të njësisë bashkiake Roskovec.
Pamja magjepsëse e këtij fshati, e parë me syrin poetik, është i vendosur në një terren kodrinor malor, me një hark ylberian. Në kulmin e saj formon një vatër, e quajtur “Sofra e Strumit”. Vend i cili vite më parë e zotëronin gurë dhe ferra, sot me punë përkushtuese të arkitektes, njëkohësisht kryetare e bashkisë Roskovec, zonja Majlinda Bufi, është kthyer në një lulishte përrallore për argëtimin e të gjithë moshave.
Reliefi pamor, me një pjerrësi deri në fushat e fshatit Suk 2, e bën atë një amfiteatër gjigant natyror. Përballë këtij amfiteatri natyror në veri, jo më shumë se dy kilometra, spektakolare ngrihet një tjetër bregore, e butë dhe e veshur me gjelbërim.
Rrafshi i sipërm i saj formon podiumin nga ku Zoti ofron bekimin fshatit, pra ndodhet kisha e “Shën Gjergjit”, ndërtim i vitit 1782.
Origjina e emrit “Strum” vjen nga sllavishtja e vjetër “vend burim i rrjedhshëm”. Strumi lidhet në perëndim me kënetën e quajtur “Këneta e zezë e Strumit”. Është e burueshme, e rrjedhshme, zë një sipërfaqe prej dyzet hektarësh, me bimësi të larmishme e eksploruar nga vendet perëndimore. Bimësia e së cilës është shumë e kërkuar në industrinë përpunuese-artistike.
Oazi ujor ka një thellësi legjendash e cila mund të ketë lidhje të nëndheshme me detin.
Në vitet e hershme, nga këneta dëgjoheshin sirena balenash, thonë banorët.
Pranë “Kënetës së zezë” të Strumit, kalon rruga “Egnatia”. Kjo rrugë për vështirësitë e hasura, për kalimtarët e asaj kohe, në këtë zonë, është bërë e njohur, sigurisht me emërtimet slave si “Strugë”, fjalor i njohur nga vendasit.
Me emrin “Struga” njiheshin të gjitha rrjedhjet natyrore para bonifikimit të vendit. Pra emërtimi sllav si “Strugë” të këtij vendi mendoj se nga vetë banorët në periudha të më vonshme, është transformuar nga “Strugë” në “Strum”.
***
Fshati Strum në shekuj njihet i varfër ekonomikisht, por i pasur për nga mendësia, burrëria, trimëria dhe dashuria për atdheun. Trusnia e gjatë e të qenit si komb të nënshtruar nga periudha e hershme otomane dhe në vazhdim të okupimit nga vendet e huaja e ato fqinje, ndihej jo pak edhe nga banorët e këtij fshati.
Përpjekjet patriotike zenë fill me historinë e hershme të sundimit osman. Revoltat dhe kundërshtitë e vazhdueshme ndaj atij regjimi, përfaqësoheshin jo vetëm nga gjinia mashkullore, por dhe ajo femërore.
Në krye të revoltave u bë shembull i ndjenjave të larta patriotike, vajza, bija e këtij fshati e quajtur “Bukuroshja e Strumit” e cila në përballje me trupat e kazermës ushtarake turke, vret dhe rrëzon për tokë oficerin e xhandarmërisë turke.
Sot, vajza heroinë, përbën jo vetëm një legjendë, por ajo përfaqësohet me një shtatore madhështore e vendosur në hyrje të qytetit Roskovec.
Shtatorja mjaft elegante, mban emrin “Vajza Myzeqare”.
Burim njohje e kësaj ikone si diamant i fshehur në gjirin e kësaj treve, u bë kënga kushtuar trimërisë dhe bukurisë së saj.
Kjo këngë që ishte lënë në harresë prej shumë vitesh, merr dritë me kujtesën e Enver Hoxhës, në vitet 80-të. Ai kujtonte se në fëmijërinë e tij ka qenë në zonat Strum, Roskovec dhe Marinëz i shoqëruar nga i ati Halil Hoxha dhe dajua i tij për të marrë pjesë në një dasmë në Marinëz te familja Joti Prifti.
Atje kishte dëgjuar të këndohej një këngë tepër brilante, pikërisht ajo e “Bukuroshes së Strumit”.
Shpejt, me kalimin e kohës, u bënë hulumtimet brenda këtyre zonave të sipërpërmendura dhe bënë të mundur zgjimin e kësaj kënge të re e cila u fut si pasuri e trashëgimisë kulturore në fondin e artë të këngës popullore myzeqare.
Era e patriotizmit që gëlon te fshati Strum, është edhe solidarizimi e pjesëmarrja e qindra bij e bijave në përkrahjen e LANÇ -it, të cilët rrokën armët deri në çlirimin e plotë të vendit.
Në ditët e sotme, gjurmët patriotike ndihen si një këmbanë e fuqishme dhe mbahen gjallë nga aktivitete përkujtimore dhe ato kulturore –artistike të ndjekura nga aktivistë, muzikantë si Refat Hyria, Kostandin Dorre, Skënder Tomorri, Idajet Hazizi, Novrus Malta, Kladiola Bufi dhe Ferdinand Tomorri.
