Me nisjen e vitit të ri akademik 2022-2023 në auditorët e Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës, do të pranohen 2415 fitues të rinj, që do të vijojnë ndjekjen e studimeve të larta në të gjitha programet e ciklit të parë “Bachelor”, si dhe degët e ciklit të dytë “Master shkencor” apo “Master profesional”.
Lidhur me kuotat e pranimeve të reja, në vendimin e miratuar pak më herët nga Senati Akademik i Universitetit të Tiranës përcaktohet se 1200 janë të drejtat e studimit të miratuara për fituesit e rinj që do të dalin në radhët e maturantëve që do konkurrojnë gjatë këtij viti për pranimet e reja në katër degët e studimit të ciklit të parë “Bachelor”. Ndërsa për pranimet në ciklin e dytë, 620 është numri i kuotave të miratuara për të 11 programet e nivelit “Master shkencor”, teksa 595 është numri i kuotave të miratuara për pranimet e reja në programet e nivelit të dytë “Master profesional”. Ndarjen e plotë të kuotave për secilin program studimi e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit.
Kriteret për fituesit në degët “Bachelor”
Në mbyllje të muajit korrik të gjithë maturantët dhe kandidatët e tjerë që do të kalojnë me sukses provimet e Maturës Shtetërore, si dhe që plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar nga qeveria do të mund të vijojnë konkurrimin për të fituar një të drejtë studimi në programet e ciklit të parë. Nota mesatare minimale për pranimin në institucionet e arsimit të lartë për vitin e ri akademik do të përllogaritet si mesatare e thjeshtë e këtyre treguesve,: “mesatares aritmetike të thjeshtë të notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë, si dhe mesatares aritmetike të thjeshtë të notave të provimeve të Maturës Shtetërore 2022”.
Gara për kuotat e reja të pranimeve në këtë cikël do të zhvillohet në katër programe të ndryshme studimi që janë: Financë-Kontabilitet, Ekonomiks, Administrim biznes, si dhe Informatikë ekonomike.
Dy janë kriteret mbi të cilat do të bazohet përzgjedhja e fituesve që do të mund të ndjekin për herë të parë studimet në këto programe studimi të ciklit të parë. Konkretisht bëhet fjalë për kriterin e notës mesatare të studimeve të shkollës së mesme, si dhe mesatares së lëndëve preferenciale të përzgjedhura nga degët e ekonomikut.
Lidhur me ndikimin që do të ketë secili prej këtyre kritereve, autoritetet e arsimit të lartë sqarojnë se nota mesatare e shkollës së mesme për të gjitha vitet, përfshirë dhe provimet e maturës shtetërore (llogaritet si mesatare e thjeshtë) do të përbëjë 50 për qind të pikëve totale që maturanti do të grumbollojë në procesin e konkurrimit për këto degë. Po ashtu edhe nota mesatare e 4 gruplëndëve të përcaktuara (për të gjithë vitet gjatë të cilave shtrihen lëndët, përfshirë notat e maturës shtetërore) përbën 50 për qind të totalit të pikëve që maturanti fiton në garë. Sa i takon këtij kriteri përcaktohet se katër janë lëndët preferenciale të përcaktuara si prioritet për degët e Ekonomikut, Matematikë 15 për qind, Ekonomia 15 për qind, Fizika me 10 për qind, si dhe gjuha e huaj po me 10 për qind. Shumatorja e pikëve të siguruara nga vlerësimi i këtyre dy treguesve përbën edhe rezultatin final me të cilin konkurron çdo maturant për degët e Ekonomikut. Kandidatët që në renditje kanë pikët më të larta sipas numrit të kuotave të miratuara për secilën degë, do të mund të paraqiten për të vijuar me procedurat e regjistrimit si fitues.
Programet e studimit të ciklit të parë synojnë të japin njohuri bazë mbi metoda e parime shkencore të përgjithshme dhe aftësi të caktuara në një larmi të gjerë profesionesh e specialitetesh. Programet e studimit të ciklit të parë në Universitetin e Tiranës realizohen, si rregull, me 180 kredite europiane (ECTS) dhe kohëzgjatja normale e tyre është 3 vite akademike. Studentët në këtë program, mbështetur në kriteret e vendosura në rregulloren e UT-së për notën mesatare, mund të diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar ose punim diplome. Në përfundim të programeve të studimit të ciklit të parë, lëshohet diplomë universitare “Bachelor” në fushën e arsimimit të kryer.
Kriteret për pranimet e ciklit të dytë
Edhe për programet e ciklit të dytë janë përcaktuar kriteret se si do të përzgjidhen fituesit. Sa i takon përzgjedhjes së fituesve të rinj në çdo degë të këtij cikli, tre janë prioritet e përcaktuara nga ky fakultet.
Konkurrimi për pranimet në programet master do të bëhet me anë të dosjes, ku çdo kandidat do të duhet që në afatet e përcaktuara të dorëzojë dosjen me dokumentet e duhura. Cdo kandidat ka të drejtë që të garojë duke përzgjedhur deri në katër programe të ndryshme studimi të secilit nivel studimi. Në dokumentacionin që duhet të dorëzoni në dosjen e konkurrimit duhet të përfshini detyrimisht: formularin e aplikimit të plotësuar në mënyrë sa më të saktë, diplomë dhe listë notash të ciklit të parë, të njehsuara me origjinalin, dëftesë pjekurie ose diplomë dhe certifikatë notash e shkollës së mesme, të njehsuara me origjinalin, 2 fotografi standarde personale, fotokopje të mjetit të identifikimit, si dhe certifikatën e mbrojtjes së gjuhës së huaj që duhet vetëm për aplikantët që do të garojnë për kuotat e miratuara në programet e studimit të nivelit “Master i shkencave”.
Prioritet në përzgjedhje do të kenë fillimisht kandidatët që kanë kryer studimet e larta të ciklit të parë në degët e këtij fakulteti, të cilët garojnë edhe për vijimin e studimeve të ciklit të dytë. Ndërkohë që më pas përzgjedhja do të vijojë me kandidatët që kanë mbaruar studimet e larta po në degë të njëjta, por në institucionet e arsimit të lartë publik dhe privat vendas dhe të huaj. Do të pranohen diplomat Bachelor të fakulteteve të tjera ekonomike të shkollave publike dhe jo publike, vendase e të huaja, pasi të jetë bërë njohja e tyre sipas rregullave përkatës. Më tej, nëse do të ketë sërish kuota të lira, përzgjedhja do të vijojë me kandidatët që kanë mbaruar studimet në degë të përafërta me degët ku do të vijojnë studimet e ciklit të dytë. Për programet e nivelit “Master shkencor” çdo aplikues duhet të zotërojë të paktën në nivelin B 1 (të vërtetuar me dokumentin përkatës) një nga gjuhët e huaja të vendeve të Bashkimit Europian (anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht)”. Studentët fitues në secilën degë të studimeve master do të përzgjidhen mbi bazën e mesatares së arritur në studimet e ciklit të parë (Bachelor) dhe tre preferencave të deklaruara më lart.
Programet e studimit “Master i shkencave” pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara teorike, si edhe me aftësim për kërkim shkencor në një fushë të caktuar. Këto programe organizohen në: programe që realizohen me jo më pak se 120 kredite formimi në vijim të ciklit të parë dhe me kohëzgjatje normale dy vite akademike. Programet e studimeve “Master profesional” pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara, profesionale në një fushë të caktuar. Këto programe organizohen me 90 ose 120 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është një vit ose dy vite akademike. Studimet e ciklit të dytë “Master profesional” përmbyllen me provim përfundimtar formimi ose punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë “Master profesional” në fushën e arsimimit të kryer.
KUOTAT PËR FITUESIT E RINJ TË 2022 NË PROGRAMET E CIKLIT TË PARË “BACHELOR”
- Financë-Kontabilitet 440
- Ekonomiks 100
- Informatikë Ekonomike 240
- Administrim Biznesi 420
KUOTAT PËR FITUESIT E RINJ TË 2022 NË PROGRAMET CIKLIT TË DYTË “MASTER I SHKENCAVE”
- Administrim Biznesi 50
- Administrim Publik 40
- Marketing 70
- Financë 120
- Kontabilitet dhe Auditim 100
- Ekonomiks 35
- Sisteme Informacioni në Ekonomi 60
- Siguria e informacionit 60
- Menaxhim Turizmi 25
- Menaxhim Risku 30
- Statistika Zyrtare 30
KUOTAT PËR FITUESIT E RINJ TË 2022 NË PROGRAMET CIKLIT TË DYTË “MASTER PROFESIONAL”
- Administrim-Biznes 55
- Administrim-Publik 25
- Marketing 70
- Menaxhim Turizmi 25
- Financë 180
- Kontabilitet dhe Auditim 110
- Sisteme Informacioni në Ekonomi 50
- Financë, Kontabilitet dhe Auditim 50
- Teknologji e Informacionit në Menaxhimin Biznesit 30
Kriteret për fituesit në radhët e maturantëve:
- Nota mesatare e shkollës së mesme për të gjitha vitet, përfshirë dhe provimet e maturës shtetërore (mesatare e thjeshtë) përbën 50 për qind të vlerësimit.
- Nota mesatare e gruplëndëve (për të gjithë vitet gjatë të cilave shtrihen lëndët, përfshirë notat e maturës shtetërore) përbën 50 për qind të vlerësimit, (e cila ndahet në Matematikë 15 për qind, Ekonomi 15 për qind, Fizikë 10 për qind, Gjuhë e huaj 10 për qind)