Shlyerja e tarifës së studimit për ndjekjen e programeve të ciklit të tretë, nuk do të bëhet njësoj për të gjithë kandidatët që janë pranuar si fitues në programet e fakulteteve që janë pjesë e Universitetit të Tiranës. Autoritetet e këtij institucioni të arsimit të lartë, bëjnë me dije se për kandidatët që janë shpallur fitues për të ndjekur studimet e ciklit të tretë në këtë strukturë të arsimit të lartë, të cilët janë të punësuar si personel akademik me kohë të plotë pranë fakulteteve të Universitetit të Tiranës, tarifa e shkollimit për ciklin e “Doktoratës” do të mbulohet nga të ardhurat e vetë Universitetit. Ndërkohë që të gjithë kandidatët që janë të angazhuar pranë strukturave të tjera të arsimit të lartë, qofshin këto publike apo private dhe që janë pranuar për të ndjekur studimet e ciklit të tretë në programet e Universitetit të Tiranës, do të duhet të shlyejnë vetë tarifën e studimit të miratuar për këtë cikël.
“Për kandidatët që kanë fituar të drejtën për të ndjekur studimet e ciklit të tretë të studimeve të Doktoratës në programet e Universitetit të Tiranës, të cilët janë personel akademik me kohë të plotë pranë njësive kryesore të këtij institucioni të arsimit të lartë, tarifa e shkollimit do të përballohet nga të ardhurat e vetë institucionit. Ndërsa për kandidatët e tjerë që janë shpallur fitues dhe që janë të punësuar në struktura të tjera jashtë UT-së, bëhet e ditur se tarifa e studimeve të ciklit të tretë do të përballohet nga vetë ata, ose nga institucioni që mbështet kërkimin shkencor sipas një marrëveshje paraprake midis tyre”, detajohet në vendimin e miratuar nga Bordi i Administrimit të Universitetit të Tiranës.
Më herët Senati Akademik i këtij institucioni të arsimit të lartë ka përcaktuar edhe tarifën se sa do të kushtojë ndjekja e studimeve të ciklit të tretë. Sipas vendimit të marrë, tarifa e ndjekjes së studimeve të këtij cikli është përcaktuar në vlerën monetare prej 450,000 lekësh. Në vendim saktësohet se të gjitha kostot e tjera mbi këtë tarifë, do të financohen nga subjekte të tjera, ose do të vetëfinancohen nga kandidati doktorant sipas marrëveshjes së lidhur me Universitetin e Tiranës.
Pas një mungesë të gjatë disavjeçare të studimeve të ciklit të tretë, përgjatë këtij viti akademik, strukturat e arsimit të lartë publik në vend kanë konfirmuar çeljen e doktoraturave, duke përcaktuar edhe fituesit sipas kuotave të miratuara për çdo program studimi që zhvillohet në këtë cikël. Prioritetet në përzgjedhje sipas kuotave të miratuara për çdo fushë, fillimisht kanë pasur pedagogët e punësuar me kohë të plotë pranë njësive përkatëse të strukturave të arsimit të lartë në të cilat janë ofruar edhe studimet e ciklit të tretë.
Studimet e doktoratës zhvillohen me kohë të plotë pranë njësisë bazë ose me kohë të zgjatur në ato raste kur doktoranti është i punësuar si personel akademik në një institucion tjetër të arsimit të lartë apo si personel kërkimor në një institucion të kërkimit bazë ose të zbatuar. Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin e arsimit të lartë, kur studimet e doktoratës zhvillohen në bashkëpunim midis institucioneve të arsimit të lartë, pjesë të procesit kërkimor, mund të zhvillohen pranë institucioneve bashkëpunuese. Numri i studentëve doktorantë është përcaktuar nga njësia bazë dhe projekti kërkimor i çdo strukture të arsimit të lartë. Për kryerjen e studimeve të doktoratës, studenti mund të përfitojë edhe financime nga subjekte të tjera apo të vetëfinancohet.
Drejtuesit shkencorë të doktorantëve duhet të kenë titullin “Profesor” ose “Profesor i asociuar” dhe mund të udhëheqin, respektivisht, një numër të caktuar doktorantësh në të njëjtën kohë. Ky numër përfshin të gjitha udhëheqjet që personeli akademik i kategorisë “Profesor” ndjek në të gjitha institucionet e arsimit të lartë ku ai është i angazhuar dhe përcaktohet në Kodin e Cilësisë në Arsimin e Lartë. Në rastet kur një pjesë e studimeve të doktoratës kryhet në një institucion të arsimit të lartë të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, SHBA-ve dhe Kanada-së, bashkudhëheqësi në institucionin pritës mund të jetë me gradën shkencore “Doktor”. Këshilli i Ministrave miraton kriteret që duhet të përmbushë kandidati për fitimin e gradës shkencore “Doktor”, sipas përcaktimeve të këtij ligji, si dhe standardet për fitimin e titujve akademikë “Profesor” dhe “Profesor i asociuar”
Organizimi i programeve të ciklit të tretë
- Cikli i tretë i studimeve përfshin programet e studimeve “Master ekzekutiv”, programet e studimeve specializuese afatgjata, si dhe studimet e “Doktoratës”, referuar nivelit 8 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve.
- Programet e studimeve “Master ekzekutiv” ofrojnë arsimim të një niveli të lartë shkencor dhe profesional. Ato kanë kohëzgjatje normale një ose dy vite akademike dhe organizohen përkatësisht me 60 ose 120 kredite. Ato përmbyllen me punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diploma “Master ekzekutiv” në fushën e arsimimit të kryer.
- Programet e studimeve specializuese afatgjata janë programe të formimit profesional që ofrojnë njohuri për profesione të veçanta. Ato zgjasin jo më pak se dy vite akademike dhe organizohen me jo më pak se 120 kredite. Ato përmbyllen me provim formimi ose me punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet “Diplomë specializimi” në fushën përkatëse të programit të studimit.
- Studimet e doktoratës ndërtohen mbi programe individuale për aftësim të pavarur të kandidatëve në kërkimin shkencor në fushat e përcaktuara nga njësia bazë ose njësia kryesore. Ato kanë në themel kërkimin shkencor dhe veprimtaritë krijuese. Studimet e doktoratës zgjasin jo më pak se tri vite akademike dhe jo më shumë se pesë vite akademike. Në përfundim të studimeve të doktoratës lëshohet diploma e gradës shkencore “Doktor”. Institucionet e arsimit të lartë vendosin kritere për vlerësimin vjetor të ecurisë së kandidatëve dhe vazhdimin e punës për zhvillimin e projektit kërkimor.
- Pranimi në programet e ciklit të tretë të studimeve është i mundur për kandidatët që kanë fituar diplomën “Masteri shkencave” ose “Master i arteve”dhe plotësojnë kriteret e pranimit, të përcaktuara nga institucioni i arsimit të lartë. Kriteret e pranimit në programet e ciklit të tretë përcaktohen nga njësitë bazë, në përputhje me standardet shtetërore të cilësisë. Këto kritere bëhen publike nga strukturat e arsimit të lartë, qofshin këto publike apo private, dhe i përcillen QSHA-së, si dhe ministrisë përgjegjëse për arsimin.
- Kriter pranimi në një program studimi të ciklit të tretë është njohja nga kandidati e një prej pesë gjuhëve të huaja të Bashkimit Evropian: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht, e vërtetuar përmes testeve të njohura ndërkombëtare, në përputhje me udhëzimin përkatës të ministrit përgjegjës për arsimin. Nëse individi ka fituar një diplomë të një programi studimi të kryer në një nga këto gjuhë, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e këtij kriteri.
Kohëzgjatja e punësimit të personelit akademik
- Sipas kushteve të përcaktuar në ligjin për arsimin e lartë, personeli akademik, që mban titullin “Profesor”, shërben në detyrë deri në moshën 68 vjeç, me përjashtim të rastit kur, me kërkesën e tij, largohet nga detyra. Mbështetur mbi nevojat e institucionit të arsimit të lartë dhe me pëlqimin e tij, ai mund të shërbejë në detyrë edhe pas moshës së lartpërmendur, përmes kontratave me kohëzgjatje deri në një vit, të përsëritshme, sipas përcaktimeve në statutin e institucionit të arsimit të lartë.
- Personeli akademik, që mban titullin “Profesor i asociuar”, shërben në detyrë deri në moshën 65 vjeç. Mbështetur mbi nevojat e institucionit të arsimit të lartë dhe me pëlqimin e tij, ai mund të shërbejë në detyrë edhe pas moshës së lartpërmendur, përmes kontratave me kohëzgjatje deri në një vit, të përsëritshme, sipas përcaktimeve në statutin e institucionit të arsimit të lartë.
- Personeli akademik i kategorisë “Profesor” mund të shkëputet përkohësisht nga institucioni i arsimit të lartë, për një periudhë maksimale prej pesë vjetësh, për t’u angazhuar në detyra të rëndësishme shtetërore dhe politike. Për periudhën e shkëputjes mund të zëvendësohet nga personel akademik i punësuar me kontratë me afat të caktuar. Pas përfundimit të detyrës, me kërkesë të tij, anëtari i personelit akademik rikthehet në vendin e mëparshëm të punës ose në një vend të barasvlershëm.
- Personeli akademik i punësuar me kohë të plotë në një institucion të arsimit të lartë nuk mund të punësohet si personel akademik me kohë të plotë në një institucion tjetër të arsimit të lartë, brenda dhe jashtë vendit. Ai mund të angazhohet me kohë të pjesshme vetëm në një institucion tjetër të arsimit të lartë, me miratimin e drejtuesit të njësisë bazë dhe të rektorit, si dhe në marrëveshje mes institucioneve. Pjesëmarrja e personelit akademik në projekte, konsulenca, botime dhe shërbime që realizohen në institucionin e arsimit të lartë, ku ai është i punësuar me kohë të plotë, nuk konsiderohet si dypunësim brenda institucionit.
