Për të marrë vërtetimin e listës së notave, qofshin këto të plota apo të pjesëshme për studimet në Universitetin e Tiranës, nuk do të jetë më e nevojshme që të paraqiteni pranë sekretarive mësimore të fakulteteve përkatëse. Me ndryshimet e bëra, shërbimi elektronik në portalin qeveritar “e-albania”, mundëson që brenda një afati pesë ditor, çdo student apo ish-student i Universitetit të Tiranë të pajiset me vërtetimin e listës së notave për studimet e larta të kryera ndër vite në fakultetet e këtij universiteti, si dhe listën e notave të plotë apo të pjesëshme për ata që janë duke ndjekur aktualisht studimet e larta.
Nëpërmjet shërbimit elektronik në portalin “e-albania”, çdo student i Universitetit të Tiranës mund të pajiset me vërtetim që lëshohet për efekt dokumentacioni, listën e notave,statusin i studentit, për efekt pensioni, për abone studenti, për regjistrimi në bibliotekë, nëambasadë, aplikime të ndryshme, përfitim burse, etj. Dokumentet e mësipërme lëshohen nga institucionet e varësisë të Universitetit të Tiranës. Shërbimi kryhet për studentët nga sekretaria mësimore, ndërkohë që e gjithë procedura zhvillohet në portalin qeveritar “e-albania”.
Marrja e vërtetimeve për listën e notave, apo të llojeve të tjera ofrohet për programet e studimeve të Fakultetit të Ekonomisë, Drejtësisë, Gjuhëve të Huaja, Historisë dhe Filologjisë, Shkencave të Natyrës, Shkencave Sociale; Filialit të UT-së në Sarandë, si dheInstitutit të Studimeve Evropiane. Për këtë shërbim nuk nevojitet dokumentacion shoqërues, ndërkohë që koha e nevojshme e marrjes së shërbimit është brenda 5 ditëve pune nga momenti i aplikimit fillestar. Lëshimi i këtij vërtetimi mbështetet në: Ligji nr. 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë dhe aktet e dala në zbatimtë tij, Statuti dhe Rregullorja e Universitetit të Tiranës.
Procedura që duhet të ndiqni
Sikundër ndodh me të gjitha shërbimet e tjera që ofrohen elektronikisht në këtë portal, edhe për të marrë vërtetimet për listat e notave, apo vërtetimet për statusin e studentit, etj, fillimisht duhet që të hyni në portalin “e-albania” në adresën www.e-albania.al. Pasi të hyni në portal dhe të bëni identifikimin përkatës si qytetar, duhet që të zgjidhni shërbimin e listuar si “Vërtetim Listë notash”. Më tej, duhet që të klikoni butonin “Përdor”, ku do të shfaqet formulari përkatës elektronik në të cilin do të duhet që të plotësoni me kujdes të gjitha të dhënat e kërkuara, ku pasi të plotësoni të dhënat e duhura, do të duhet që tëklikoni butonin “Dërgo” që ndodhet në faqen e fundit të formularit. Do të jetë sekretaria mësimore e njësisë kryesore të Universitetit të Tiranës, që do të shqyrtojë kërkesën e ardhur dhe në varësi të vendimit që merret, i kthen përgjigje me email aplikuaesit, me URL-në e shkarkimit të përgjigjes elektronike të ruajtur tek “Dokumentet e mia” në e-Albania, ose me njoftim arsyes së refuzimit për lëshimin e dokumentacionit përkatës.
Sa kushton marrja e listës së notave
Janë përcaktuar tashmë edhe tarifat që duhet të shlyejnë kandidatët që do të aplikojnë online për të marrë një listë notash, të plotë apo të pjesëshme. Jo në të gjitha rastet do të jetë e nevojshme shlyerja e tarifave për marrjen e listës së notave. Sipas përcaktimeve të bëra në rregulloren e Universitetit të Tiranës, saktësohet se: “lista e notave për qytetarët që kanë përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës bëhet kundrejt një pagese prej 500 lekësh. Lista e notave të pjesshme, apo lista e notave të plota, do të jenë pa pagesë për studentët që ndjekin studimet brenda kohëzgjatjes normale të programit të studimit. Limiti në këtë rast është se kjo kategori do të mund të marrë deri në dy vërtetime pa pagesë brenda një viti akademik. Ndërsa, për studentët që janë përsëritës dhe studentë që marrin vërtetimin e tretë pagesa do të jetë në vlerën e 200 lekëve.
Kategoritë që do të marrin vërtetimin e listës së notave kundrejt pagesës, do të duhet që tarifën e përcaktuar ta shlyejnë para nisjes së aplikimit. Për kategoritë që kërkohet pagesa, ërpara se të dërgohet aplikimi online, ju duhet të shkarkoni faturën dhe të kryeni pagesën në bankë. Më pas në formularin e aplikimit, duhet të ngarkoni mandatpagesën e lëshuar nga banka.
Periudha e vlefshmërisë
Vlefshmëria e dokumentit të marrë nëpërmjet portalit online është e ndryshueshme në varësi të llojit të listës së notës që do të merret nga aplikuesi. Kështu, vlefshmëria e listës së notave të pjesshme është për një vit akademik, ndërsa vlefshmëria e listës së plotë të notave është pa afat.
Studimet e ciklit të parë
Programet e studimit të ciklit të parë që zhvillohen në Universitetin e Tiranës synojnë të japin njohuri bazë mbi metoda e parime shkencore të përgjithshme dhe aftësi të caktuara në një larmi të gjerë profesionesh e specialitetesh. Programet e studimit të ciklit të parë në Universitetin e Tiranës realizohen, si rregull, me 180 kredite europiane dhe kohëzgjatja normale e tyre është 3 vite akademike. Studentët në këtë program, mbështetur në kriteret e vendosura në rregulloren e UT-së për notën mesatare, mund të diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar ose punim diplome. Në përfundim të programeve të studimit të ciklit të parë, lëshohet diplomë universitare “Bachelor” në fushën e arsimimit të kryer.
Studimet e ciklit të dytë
Programet e studimit të ciklit të dytë zhvillohen në “Master i shkencave” dhe Master “profesional”.
Programet e nivelit shkencor i pajisin të diplomuarit që zotërojnë diplomën universitare “Bachelor”, me njohuri të thelluara shkencore teorike dhe praktike në drejtimin përkatës. Ky program mund të realizohet me 120 kredite me kohëzgjatje normale jo më pak se dy vite akademike. Këtu përfshihen 30-40 kredite për një projekt kërkimor, nën udhëheqje të kualifikuar, i cili përfundon me diplomë (mikrotezë). Në përfundim të programit të studimit të ciklit të dytë, lëshohet diplomë universitare “Master i Shkencave” në fushën e arsimimit të kryer. Programi i studimit mund të realizohet edhe si program i integruar i studimit i ciklit të dytë, me 300 kredite dhe me kohëzgjatje normale prej 5 vitesh akademike. Ky program studimi ofrohet në drejtësi, si dhe në fusha të tjera të përcaktuara nga aktet nënligjore. Studimet në këtë program përmbyllen me punim diplome dhe studentët pajisen me diplomë të integruar në fushën e arsimimit të kryer.
Ndërsa programet e studimit “Master profesional” u ofrojnë të diplomuarve me një diplomë të ciklit të parë njohuri me karakter praktik profesional në drejtimin përkatës. Realizohen me 60 ose 120 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është një vit ose dy vite akademike, përkatësisht. Studentët në këtë program, mbështetur në kriteret e vendosura në rregulloren e fakultetit për notën mesatare, mund të diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar ose punim diplome. Në përfundim të programit të studimit të ciklit të dytë, lëshohet diplomë universitare “Master profesional” në fushën e arsimimit të kryer.
Programet e ciklit të tretë
Cikli i tretë i studimeve përfshin programet e studimeve “Master ekzekutiv”, programet e studimeve specializuese afatgjata, si dhe studimet e doktoratës, referuar nivelit 8 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve.
Programet e studimeve “Master ekzekutiv” ofrojnë arsimim të një niveli të lartë shkencor dhe profesional. Ato kanë kohëzgjatje normale një ose dy vite akademike dhe organizohen përkatësisht me 60 ose 120 kredite. Programet e studimeve specializuese afatgjata janë programe të formimit profesional që ofrojnë njohuri për profesione të veçanta. Ato zgjasin jo më pak se dy vite akademike dhe organizohen me jo më pak se 120 kredite. Ato përmbyllen me provim formimi ose me punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet “Diplomë specializimi” në fushën përkatëse të programit të studimit.
Studimet e doktoratës ndërtohen mbi programe individuale për aftësim të pavarur të kandidatëve në kërkimin shkencor në fushat e përcaktuara nga njësia bazë ose njësia kryesore. Ato kanë në themel kërkimin shkencor dhe veprimtaritë krijuese. Studimet e doktoratës zgjasin jo më pak se tri vite akademike dhe jo më shumë se pesë vite akademike. Në përfundim të studimeve të doktoratës lëshohet diploma e gradës shkencore “Doktor”. Institucionet e arsimit të lartë vendosin kritere për vlerësimin vjetor të ecurisë së kandidatëve dhe vazhdimin e punës për zhvillimin e projektit kërkimor.
Kohëzgjatja dhe gjuha e studimeve
Kohëzgjatja maksimale e studimeve në një program studimi nuk mund të jetë më shumë se dyfishi i kohëzgjatjes normale të studimeve që parashikon programi, pa marrë në konsideratë periudhën e kohës kur studenti i ka pezulluar studimet. Studenti, që nuk arrin të përfundojë studimet brenda kohëzgjatjes maksimale të programit, ka të drejtë të aplikojë për të rifilluar studimet, në të njëjtin program studimi ose në një program tjetër. Ai u nënshtrohet kritereve dhe procedurave të shpallura për regjistrimin në programin e studimit të institucionit pritës. Kreditet e grumbulluara nga studenti gjatë periudhës së mëparshme të studimeve mund të transferohen, me vendim të njësisë bazë të institucionit që pranon studentin, sipas kritereve të përcaktuara në rregulloren e saj.
Programet e studimit në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë ofrohen normalisht në gjuhën shqipe. Këto programe mund të ofrohen dhe në një nga gjuhët zyrtare të Bashkimit Europian, të miratuar në aktin përkatës të hapjes së programit të studimit. Përjashtohen nga ky rregull programet e përbashkëta të studimit të ofruara me institucione të huaja të arsimit të lartë dhe programet e studimit që kanë për objekt mësimin e gjuhëve të huaja.
Si të merrni online listën e notave:
- Identifikohuni si qytetar në portal në adresën e-albania.al.
- Zgjidhni shërbimin “Vërtetim Listë notash dhe klikoni butonin “Përdor”.
- Plotësoni formularin elektronik me të dhënat e nevojshme dhe klikoni butonin “Dërgo” në faqen e fundit të formularit.
- Sekretaria mësimore e njësisë kryesore e UT-së proceson kërkesën e ardhur dhe në varësi të vendimit që merret i kthen përgjigje me e-mail aplikuaesit, me URL-në e shkarkimit të përgjigjes elektronike të ruajtur tek “Dokumentet e mia” në e-Albania, ose me njoftim arsyes së refuzimit.
- Për kategoritë që kërkohet pagesa; Përpara se të dërgohet aplikimi online, ju duhet të shkarkoni faturën dhe të kryeni pagesën në bankë. Në formularin e aplikimit, duhet të ngarkoni mandatpagesën e lëshuar nga banka.
