Aktualisht maturantët po vijojnë me përgatitjet për provimin e tretë të detyruar në lëndën e matematikës, i cili do të zhvillohet ditën e premte të datës 17 qershor. Për të shmangur penalitetet sapo të marrin testin, maturantët duhet të verifikojnë me kujdes përmbajtjen e tij, e cila duhet që të jetë në përshtatje me profilin e shkollës së mesme që keni kryer.
Gjithashtu duhet të kontrolloni me kujdes edhe gjendjen fizike të testit nëse ka probleme dhe është i palexueshëm, apo mungon ndonjë faqe. Nëse vërehen parregullsi ju duhet të kërkoni një test tjetër nga administruesit e provimit. Pasi të merrni testin e ri duhet që të firmosni një deklarate që konfirmon këtë veprim.
“Maturanti duhet që të paraqitet në qendrën e provimit 1 orë e 30 minuta përpara orarit të përcaktuar për fillimin e provimit dhe duhet të ketë detyrimisht me vete mjetin e identifikimit. Për provimin e matematikës mjetet e tjera që lejohen të merren me vete në ditën e testimit janë: stilolaps, vizore, kompas, si dhe një makinë e thjeshtë llogaritëse”. Pasi merr testin maturanti duhet të vëzhgojë me kujdes gjendjen e tij fizike, si dhe nëse është lloji i testit që ka kërkuar gjatë plotësimit të formularit A1. Nëse vëren parregullsi kërkon test tjetër nga administratori i provimit, duke plotësuar një deklaratë për marrjen e testit të ri”, përcaktohet në rregulloren e provimeve.
Duke qenë se testi do të ketë në përmbajtje pyetje me zhvillim dhe alternativa, maturanti së bashku me tezën e provimit do të marrë edhe fletën e përgjigjeve, ku pasi të ketë plotësuar testin, në këtë fletë përgjigje do të shënojë vetëm përgjigjet e sakta të pyetjeve me alternativa. Pyetje të cilat do të vlerësohen në mënyrë digjitale.
Sikundër ka ndodhur edhe me dy provimet e mëparshme, edhe për testin e matematikës në lidhje me skemën e vlerësimit saktësohet se nëse për një pyetje ka mbushur dy rrathë përgjigja për këtë pyetje do të jetë e pavlefshme dhe do vlerësohet me 0 pikë. Kur për një pyetje ka plotësuar alternativën e saktë në test, por nuk e ka shënuar në fletën e përgjigjeve, ajo pyetje do të vlerësohet me 0 pikë. Kur për një pyetje nuk ka mbushur asnjë rreth, sërish do të vlerësohet me 0 pikë. Nuk duhet të përdoret korrektor për ndryshimin e përgjigjeve., pasi këto pyetje do të jenë të palexueshme nga sistemi digjital.
Struktura e provimit të matematikës
Bazuar në kurrikulën e përcaktuar të kësaj lënde, përmbushja e kompetencave matematikore që një nxënës duhet të zotërojë në përgatitjet për provimin e matematikës arrihet nëpërmjet vlerësimit të njohurive të fituara në 5 tematikat kryesore që janë: numri, matja, gjeometria, algjebra dhe funksioni (përfshirë derivatin dhe integralin), si dhe statistika dhe probabiliteti. Për secilën tematikë është paraqitur pesha që zë secila prej tyre kundrejt pyetjeve që do të jenë në tezën finale. Në përgatitjen për përmbushjen e këtij programi orientues do të përdoren programet e lëndës së matematikës, klasat 10-12.
Vijimi i konkurrimit për studimet e larta
Shpallja e rezultateve të të gjitha provimeve të detyruara dhe lëndës me zgjedhje do t’i hapë udhë vijimit të konkurrimit për studimet e larta në të gjitha universitetet publike dhe ato private të vendit për vitin e ri akademik 2022-2023. Autoritetet e arsimit bëjnë me dije se të drejtën për të konkurruar për studimet e larta për këtë vit e kanë të gjithë maturantët dhe kandidatët e tjerë që kanë përfunduar me sukses studimet e arsimit të mesëm të lartë dhe që plotësojnë këto katër kushte: “Janë pajisur me dokumentacionin përkatës ligjor të përfundimit të studimeve të shkollës së mesme, plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, plotësojnë kriteret shtesë të përcaktuara nga universitetet për programet në të cilat konkurrojnë, si dhe nuk rezultojnë të regjistruar në asnjë program tjetër studimi, duke përjashtuar këtu nxënësit dhe studentët e shkëlqyer”.
Sipas procedurave të përcaktuara, nota mesatare për pranimin në institucionet e arsimit të lartë për vitin e ri akademik do të përllogaritet si mesatare e thjeshtë e këtyre treguesve,: “mesatares aritmetike të thjeshtë të notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë, si dhe mesatares aritmetike të thjeshtë të notave të provimeve të Maturës Shtetërore 2022”. Institucionet arsimore të arsimit të mesëm të lartë dhe institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar, janë përgjegjëse për përllogaritjen e notës mesatare dhe dërgimin e këtyre të dhënave në Qendrën e Shërbimeve Arsimore. Përjashtohen nga detyrimi i plotësimit të kriterit të notës mesatare kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve dyvjeçare, me karakter profesional.
Aplikimi online për fotokopjen e provimeve të Maturës Shtetërore 2022
– Për të marrë kopjen e korrigjuar të testeve të maturës, maturanti fillimisht duhet të aplikoni në portalin www.e-albania.al ku duhet të identifikoheni si qytetar.
– Në vijim duhet të zgjidhni shërbimin “Aplikim për kopje të testit të maturës/fletëpërgjigjes së maturës”.
– Pasi të klikoni në butonin “Përdor”, duhet të plotësoni të gjithë të dhënat e nevojshme të kërkuara në formular (shkolla, DAR/ZA, provimin përkatës, adresa).
– Më pas klikoni butonin “Dërgo”. QSHA-ja njoftohet në sistemin përkatës për kërkesën e ardhur dhe verifikon të dhënat e dërguara nga aplikanti.
– Pas trajtimit të kërkesës, QSHA-ja nxjerr kopjet e provimit të maturës dhe materialin PDF të skanuar e ia nis aplikantit te “Hapësira ime”, në seksionin “Dokumentet e mia”.
– Ju do të njoftoheni dhe me email, në kohën që shërbimi ka përfunduar.
Provimi i Matematikës\Rrezikoni të përjashtoheni nga provimi nëse:
- Nuk paraqiteni në orarin e përcaktuar dhe nuk keni me vete mjetet e lejuara.
- Kur ndryshoni vendin që ju është caktuar.
- Merrni ose jepni informacione me kandidatët e tjerë rreth përmbajtjes së testit, kur bëni komente për zgjidhjen e pyetjeve
- Kur mbani telefon celular, radio apo mjete të tjera të komunikimit me vete.
- Kur refuzoni kontrollin gjatë hyrjes në qendrën e provimit, si dhe kur prishni qetësinë në mjedisin e provimit.
Maturantit nuk i njihet rezultati nëse:
- Përdor laps, stilolapsa me ngjyra jo si atë të përcaktuar në rregulloren e provimit.
- Nëse ka dëmtuar testin (palosur, zhubrosur, grisur, vendosur shenja të dallueshme dhe të veçanta), të evidentuara në procesverbal.
- Nëse vërtetohet kopja, e pjesshme, ose e plotë, gjatë procesit të vlerësimit dhe konfirmohet nga komisionet përkatëse, si dhe në rastet kur është marrë masa e përjashtimit nga provimi.
Tematikat nga ku do të merren pyetjet e testit të matematikës (pesha që do ketë secila):
Për maturantët, ja kur mund të kërkoni kopjen e testeve të korrigjuara?
Ndonëse nuk do të ketë rivlerësim, edhe për provimet e Maturës Shtetërore 2022 maturantët do të mund të njihen me kopjen e korrigjuar të provimit të secilës nga tre lëndët e detyruara (gjuhë e huaj, letërsi, matematikë), si dhe provimit me zgjedhje. Autoritetet e arsimit kanë përcaktuar në rregulloren e provimeve, se maturantët do të mund të aplikojnë për të marrë kopjen e korrigjuar të testit të secilës lëndë në rast se do të jenë të pakënaqur me shpalljen e notave. Lidhur me afatet, sqarohet se maturantët do të mund të kërkojnë kopjen e korrigjuar të testit vetëm në përfundim të zhvillimit të të gjitha provimeve që përfshin Matura Shtetërore. Prej disa ditësh ka nisur procesi i korrigjimit të dy provimeve të zhvilluara deri më tani në lëndën e gjuhës së huaj, si dhe letërsisë e gjuhës shqipe. Brenda pak ditësh do të shpallen rezultatet e provimit të parë, për të vijuar më pas edhe me rezultatet e testit të letërsisë.
“Maturanti\kandidati ka të drejtën të kërkojë fotokopjen e testit të tij, vetëm pas përfundimit të të gjitha provimeve. Nuk ka rivlerësim të testit”, përcaktohet në rregulloren e miratuar më herët nga Ministria e Arsimit dhe Sportit për Maturën 2022. Ekspertët e këtij dikasteri kanë bërë me dije se nuk do të ketë rivlerësim, për vetë faktin se çdo test kalon në duart e disa mësuesve gjatë procesit të vlerësimit, çka redukton në zero mundësinë për vlerësime të pasakta. Aplikimet për marrjen e kopjes së korrigjuar të testit do të mund të bëhen online në portalin “e-albania” edhe për provimet e këtij viti. Praktikë kjo që është konfirmuar gjatë ditës së djeshme edhe nga vetë ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi. Procedurën se si do të duhet të veproni për të bërë aplikimin online në portal për fotokopjet e testeve të maturës e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit.
Shërbimi elektronik në këtë portal “Aplikim për kopje të testit të maturës/fletëpërgjigjes së maturës” u vjen në ndihmë studentëve, që të dërgojnë online një kërkesë, për të marrë në mënyrë elektronike një kopje të testit të tyre të maturës. Pas dërgimit të aplikimit drejt Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA) , ai do të procesohet nga specialisti i QSHA-së dhe në varësi të informacionit, kthimi i përgjigjes dhe i materialeve të kërkuara kryhet me anë të e-mailiit nëpërmjet dokumenteve të nënshkruara në mënyrë digjitale.