Albert Habazaj
Si për çdokënd që s’ka më të shtrenjtë se vendlindja e tij, edhe për ne, bijtë e bijat e atij vendi, si Tërbaçi ynë s’ka. Si pjesë e së tërës, ai ka gjurmë të ndritshme në histori, arsim e kulturë, në shëndetësi, letërsi, art, muzikë, folklor, etnografi, etnologji e sport, në inxhinieri e bujqësi, në matematikë e fizikë, në kimi e gazetari, në arkeologji e gjeografi, në përkthime e kritikë letrare, po thuaj në të gjitha fushat e dijes e jetës. Tërbaçi është një fshat i dëgjuar në krahinën e madhe etnografike të Labërisë, historia dhe kultura e të cilit e ka lënë gjurmë në rrjedhat e kohës, duke e bërë të njohur edhe tej hapësirave lokale dhe kombëtare.
Në rrafshin etnokulturor. Nëse përdorim një organigramë të linjës, vertikalisht deri në bazë, Tërbaçi është një fshat i njohur në krahinën e madhe etnografike të Labërisë, në krahinën e Lumit të Vlorës me histori kompakte, në ngushtë në krahinën e Mesaplikut dhe më ngushtë akoma në krahinëzën e Rrëzës. Tërbaçin e kap dielli më shumë se çdo fshat tjetër, që sa del herët mbi Çipin, shumë orë të ditës deri sa ikën i lodhur, por i ndritshëm tej Çikës, në vargmalet e Vetëtimës (Akrokeraunet).
Krahina e Mesaplikut ndahet në dy pjesë: Rrëza (në anën e majtë të luginës, rrëzë vargut Çikë – Lungarë – me fshatrat Vranisht, Tërbaç, Brataj, Lepenicë, Gjorm) dhe Shullëri (në anën e djathtë të luginës, rrëzë Gribës dhe Çipinit – me fshatrat Velçë, Ramicë, Bashaj, Matogjin dhe Shalës – Mesaplik). Bazilika e Mesaplikut (shek.VI e.r) është klasifikuar monument i periudhës paleokristiane. Malet e Vetëtimave, me Çikën kurorë, përmenden nga autorët antikë me emrin Akrokeraune – “Majat e rrufeve”. Akrokeraunet përmenden për herë të parë nga gjeografi dhe historiani i vjetër grek Skilaski (shek.VI-V p.e.r.) Gjykojmë se banorët e këtyre anëve janë autoktonë dhe pema gjenealogjike e tyre i ka rrënjët në moshën e maleve të saj. Tërbaçi ndahet në tri mëhallë kryesore, që mbajnë emrin e fiseve nga kanë origjinën, siç janë: Bragjinas, Harmës e Bitaj, nga të cilët kanë dalë nënmëhallat dhe vëllezëritë përkatëse. Sot Tërbaçi përbëhet nga pesë lagje: Hora, Bramyshnja, Vozdoli, Lekaj dhe Fshati Qendër me rrethinat e rrëzat dhe ka një shtrirje të madhe që nis nga buza e Lumit të Bardhë, hapet në fushë e kodra e ngjitet deri në vargamalet e Vetëtimës e Lungarës, me qendër në gjoks të malit të Tranajoit. Fisi Bragjinaj është zhvendosur nga Tërbaç në Qeparo në fund të shek. XVI, por lidhjet nuk i shkëputi nga vendorigjina.
Në rrafshin administrativ territorial, Tërbaçi është një fshat i njësisë administrative Horë, Bashkia Himarë, Qarku Vlorë, Rajoni Jugor. Labëria është Himarë dhe Himara është Labëri. Labëria ka pasur kryeqendër Himarën.
Parë në planin historik dhe të antropologjisë kulturore, me ligjin 115/2014 “Për ndarjen administrativo – territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, mund të themi se po shkon haka te i zoti. Është një këngë shumë e vjetër që na vjen si mesazh historik i së vërtetës jetësore: “Që në Gumenicë e lartë/ Himarë quhet çdo fshat/ qemë rigatë me fesat/ Osmanlliu me zanat,/ na ndau e mbemë pak,/ nganjëherë biem në gjak”. Himarë-Vlorë, 1944. Fjala fesat përdorej në kuptimin që mund t’u bënin dhe gjëmën armiqve. Ndërsa për këtë këngë, qyshkur thuhej se është ngritur në Himarë (ku dhe është mbledhur), e cila, në kohën e Ali Pashës, u fut në vilajetin e Janinës.
Studiuesi Dhori Qiriazi, në një botim albanologjik shkruan se në Shqipëri, Krishtërimi është apostolik, d.m.th, ai është marrë direkt nga goja e apostujve dhe jo përmes popujve të tjerë, duke sqaruar se Krishtërim të hershëm do të quajmë atë që disa studiues e kanë quajtur paleokristianizëm. “Vetë fakti – shkruan ai – që në Shqipëri ekziston fjala apo toponimi Tërbaç, d.m.th. tërë besësh (politeist), tregon se Krishtërim nuk mund të jetë përhapur menjëherë në të gjithë vendin, por pak nga pak, duke filluar nga qytetet dhe duke e shtrirë pastaj në fshatrat, duke përfshirë të gjithë vendin”.
Në rrashfin historik. Labëria dikur quhej Himarë, çka domethënë se këto dy toponime (emërvende) kanë qenë sinonime dhe banorët e dinë këtë gjë, sepse ashtu ka qenë, është e zakonshme për ta. Përbëhej nga 74 fshatra.
Jo thjesht si cilësim zyrtar, por ky fakt merr vlera identiteti aq më tepër sot, që të pesë fshatrat e rrjedhës së sipërme të Lumit (Kuçi me Fshat e Buronja, Kallarati, Bolena, Vranishti dhe Tërbaçi (ish-komuna Horë) janë pjesë administrativo-territoriale e bashkisë Himarë.
Tërbaçi prodhon histori më shumë sesa konsumon. Tërbaçi ka prodhuar disa emblema kombëtare që përdoren në hapësira dhe kohë të tëra historike.
Sipas Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, Tërbaçi është “fshat në rrethin e Vlorës, [karshi] malit të Çikës (L). Dëshmohet si vendbanim i vjetër, janë zbuluar varreza ilire. Është fshat me tradita patriotike. Banorët kanë marrë pjesë gjallërisht në kryengritjet kundër Tanzimatit ku u shqua Lulo Abazi e Miro Tërbaçi. Është vendlindja” e Halim Xhelos dhe Hysni Kapos…” Saktësisht, nga Tërbaçi janë 4 Heronj Populli: Halim Xhelo, Hysni Kapo, Hajredin Bylyshi, Vehbi Hoxha; 3 Heronj të Punës: Hysni Kapo, Muço Delo, Haki Gjondeda; si dhe 4 Gjeneralë: Hysni Kapo, Vehbi Hoxha, Arif Hasko, Delo Balili.
Në librin “Tërbaçi në rrjedhat e historisë” shkruhet: “Fshati Tërbaç bën pjesë në krahinënë e Mesaplikut të rrethit të Vlorës, i cili ndodhet 49.5 km në Jug-lindje të këtij qyteti. Ai është ngritur në pjerrësitë jugore të vargmalit të Lungarës dhe shtrihet në rrëzë të malit të Tranajoit në kuotën 552 m nga niveli i detit. Kufizohet: nga lindja lumi i Shushicës (Lumi i Vlorës ose Lumi i Bardhë quhet me të folmen popullore qyshkur, A.H), i cili e ndan nga fshati Shalës – Mesaplik; nga jugu vargu i malit të Çikës, me majën më të lartë 2045 m, i cili e ndan nga krahina e Himarës me Palasën dhe Dhërmiun; në jug-lindje pylli i Dushkut, përroi i Arapës, të cilët e kufizojnë me fshatin Vranisht; nga veriu fshati Brataj; në veri-perëndim vargmali i Lungarës me majën më të lartë të Stogoit 1832 m; nga perëndimi qafa e Shëngjergjit në kuotën 1152 m dhe pjerrësitë perëndimore të malit të Paliskës në lartësi 1701 m, maja e Boçkës me majën më të lartë 1766, të cilët e ndajnë kufirin me fshatrat Dukat e Palasë…”
Këta njerëz, që banojnë në një terren kryesisht kodrinor e malor, mendojnë se e kanë origjinën e tyre nga ilirët, jo thjesht me argumentin e përgjithshëm se shqiptarët janë pasardhës të ilirëve. Edhe në territorin e Tërbaçit janë zbuluar gjurmë të ilirëve. Ata mendojnë se gjuha shqipe është bijë e ilirishtes, që rridhte nga pellazgjishtja. Një studiues tërbaçiot shkruan: “Ilirët ishin paganë. Varret i bënin në tumula në kodra a në luginëza, më vonë varret i bënin të thellë e me 6 pllaka guri…”
Është një emërvend në Tërbaç që të ve në mendime, e kemi fjalën për toponimin “Varri i Pellazgut”, që ndodhet në një kodër me varre të vjetra në bark të Tërbaçit, saktësisht në vendin e quajtur Shúrbe mbi Sinadane, por mendojmë se vlen një ekspeditë serioze arkeologjike për të përcaktuar saktësisht çfarë eshtrash janë nën dheun e Tërbaçit.
Është interesant një fakt. Kënga del mbi shumë rrethana të pafavorshme që kanë ushtruar presione historikë, etnokulturorë, linguistikë, gjeografikë etj., që dihen mbi prejardhjen tonë. Kënga tradicionale e në rastin konkret kënga labe polifonike e fshatit Tërbaç vjen si e dërguar e Perëndisë. Kënga si transmentuese gojore e traditave, dokeve, vlerave njerëzore e mënyrës së jetesës bëhet zëdhënëse në breza, që njerëzit mendojnë se na kthjellon sado tangjent për origjinën. Kënga thotë :“Nëna shqipëtare/ Mbes’ e ilireshës/ Ka lind’ e ka rritur/ Trima dhe të besës…”
Territorin e paratërbaçiotëve e ndante nga Ceria amantine vetëm shtrati i Lumit të Vlorës dhe i lidhte ura e Bogdanit, e ndërtuar, sipas përvojës helene, në shek.I p.K, më e vjetra e llojit të saj në Shqipëri, që dallohet nga blloqet shumëtonëshe në harqet e këmbët e saj.
Prof. Aleks Trushaj i cilëson momumente antike Shpellën e Teutës dhe Urën e Bogdanit në Tërbaç. Ai shkruan: “Gojëdhënat thonë se këtu mbretëresha e Ilirëve, Teuta, kishte strehuar ushtrinë e saj. Rrotull ka dhe gjurmë fortifikimesh. Kur Teuta pushtoi kryeqendrën e Lidhjes Epiriote, Foiniken, në vitin 230 p.K., ushtritë e saj kanë përdorur luginën e Shushicës (quajtur kështu nga sllavët, ndërsa grekët helenë e quajtën Polianthos Lumin e Bardhë siç njihet ajo rrjedhë natyrore e përhershme uji të ëmbël që del nga burimi i Kuçit e Vërmikut e shkon nëpër një shtrat dhe derdhet në Vjosë apo të trevës etnografike të Lumit të Vlorës A.H) për të dalë në bregdetin kaon të Himarës dhe për të vazhduar drejt qytetit të Foinikes, i ngritur në fushëgropën e Delvinës. Për nevoja të qarkullimit të ushtrisë së saj u ngrit dhe ura e Bogdanit”
Shpella e Teutës, Bregu i Bogdanit, Ura e Bogdanit njihen mirë nga banorët e atjeshëm dhe dihet që i përkasin territorit të Tërbaçit. Nga reliktet e gjetura në varret ilire në territorin e Tërbaçit si në Bregun e Shënkollit, në fushën e Bramyshnjes, në Shëngjergj, në Qafën e Shkëmbit të Pirgut, në Fëng të Leke, në Kryzë, në Dolonik, në Qafë të Kusarëve etj., gjykojmë se pararendësit e tërbaçiotëve kanë qenë ilirë – mesapë, amantë, sikurse ka dhe mendime sikur tërbaçiotët ishin edhe trashëgimtarë të fisit ilir labian. Pra të parët e Tërbaçit mendohet se janë ilirë vendas, autoktonë, sikurse ka patur dhe të ardhur.
Ka hipoteza të ndryshme për rrënjët e gjenezën, por, si banorët dhe studiuesit pohojnë të njëjtën origjinë të mesme, që përkon me mesin e gjysmës së dytë të shek. XIV.Të gjithë janë të mendimit se kanë një të parë të përbashkët dhe, ndryshe nga stërkatragjyshi i papërcaktuar ilir i lashtësisë, stërgjyshi i përbashkët i mesjetës ka një emër të përveçëm, që quhet Gjin Kriqi dhe është i pranuar nga të tërë tërbaçiotët si i pari i origjinës së tyre të mesme. Në faqen veriore të malit të Tranajoit thonë se banonte ai, atje ku sot është vendi me toponimin e ruajtur “Gjinakriq”. Kështu është folur nga të parët deri më sot, këtë pohojnë dhe banorët që jetojnë atje, që kanë vendlindken apo vendorigjinën nga Tërbaçi.
Në botimin e nivelit më të lartë akademik, sikurse është Fjalori Enciklopedik Shqiptar, për Tërbaçin shkruhet: “Botimi i ri i vitit 2009 nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë “Fjalor Enciklopedik Shqiptar” na jep këtë informacion: “Tërbaçi. Fshat në komunën e Vranishtit në rr. e Vlorës (J). Shtrihet rrëzë shpatit L të malit të Çikës, në l.m.d.505 m. Popullsia: 1149 banorë (2005), ndaj 1287 banorë në v.1926. (Vërejmë që s’ka prurje por rrjedhje të popullsisë, komunitet, i cili njihet i tëri indigjen, jo ardhës. Janë rrënjës, vendës, anas, se kanë të folme, gjuhë, mënyrë jetese, doke, tradita, një minimikroetnokulturë të njëjtë: shën.im-A.H).
Gjetjet arkeologjike dëshmojnë se ka qenë i banuar që në shek. IV p.e.r. Me emrin e sotëm Tërbaçi njihet që nga viti 1431. Banorët e Tërbaçit kanë marrë pjesë në kryengritjet kundër Tanzimatit, ku u shquan luftëtarët Lulo Abazi [Habazaj] dhe Miro Tërbaçi [Strati]. Gjatë LANÇ kanë rënë 55 [60] dëshmorë nga Tërbaçi, ndër të cilët 3 Heronj të Popullit [në të vërtetë janë 4, që njihen, dihen dhe me dokumente]. Tërbaçi është vendlindja e Halim Xhelos. Në Bramyshnjë të Tërbaçit në [20] janar 1944 u formua [përurua] Brigada V [Hero i Popullit] Veprimtaritë kryesore ekonomike: blegtoria (kryesisht të imtat), kultivimi i drithërave dhe pemëtaria. Ka shkollë 9 vjeçare, qendër shëndetësore, njësi tregtie e shërbimesh. Sot ka shumë banorë me origjinë apo nga ata që jetojnë atje, të cilët kanë shtuar parqet me bletë dhe kanë mbjellë ullinj. (Fjalët, shifrat, plotësimet në kllapa të rrumbullakta e katrore janë saktësimet e mia – A.H).
Vetëm duke lexuar paragrafin e cituar nga FESH, kuptojmë që Halim Xhelo nuk doli si rrufe në qiell pa rè, nuk lindi në një tokë djerrë, por në një fshat të dëgjuar me histori dhe të nderuar me këngë. Dhe ç’ka është më e rëndësishme, kjo stafetë nderi u përcoll me dinjitet e u trashëgua bujarisht brezave me Shqiponjën e Labërisë, Besnikun e Lirisë Hysni Kapo e të tjerë bij e bija që dhanë ndihmesën e tyre në të gjitha fushat e jetës, të shkencës dhe diturisë në përgjithësi, në vendlindje, Vlorë, Tiranë, anekënd Atdheut dhe matanë hapësirave shqiptare, si profesorët e paharruar Qemal Xhaka (përkthyes) e Nasi Bozheku (neurolog), apo albanologu i njohur Bardhosh Gaçe, sikurse më parë Laze Malo gjykimtari, Vehbi Hoxha, Arif Hasko, Delo Balili, Muço Delo, Haki Gjondeda, Bilbil Gjika (hero lufte dhe pune i pashpallur, i quajtur dhe Gjergj Elez Alia i Tërbaçit); si dhe në vijim Halim Habazaj apo Kastriot Gjini, Pëllumb Çela apo Aurela Gaçe e shumë të njohur të tjerë.
Ka dy cilësi ky fshat, ndoshta më të spikatura nga fshatrat e tjerë: Së pari, unitetin. Tërbaçi është dalluar ndër kohëra si një fshat me shumë dashuri, mirëkuptim dhe unitet të veçantë me njëri-tjetrit, qoftë para armikut, hasmit apo qeverive. Kodin moral të tërbaçiotëve e shpreh Xhebro Gjika, atdhetar e vjershëtor i shquar popullor, bir i këtij fshati:… “Çoku ngjante më të rrallë/ gabonte ndonjë njeri,/ e keshëm zakon të vendit/ s’e jepnim në qeveri. Besa-besë e burr’ i burrit/ ia bënim gjyqin aty”…
Së dyti, besën. Jo se tek të tjerët ka munguar, por tërbaçiotët kanë bërë sakrificë sublime për të ruajtur mikun, bujarët e besnikët e tij, trimat e lirisë. Është e shkruar në histori dhe e kënduar në këngë, se tërbaçiotët me kryeplak Sinan Abazin e Parë (vëllai i Lulo Abaz Mehmetit) strehuan në shpellat e Somait 13 Bilbilenjtë me kryetar çete Bilbli Shakon nga Progonati në vitin 1855. Bilbilenjtë, ngaqë mbronin fshatarët e varfër dhe hakmerreshin kundër qeveritarëve turq e feudalëve, ndiqeshin nga koshadhet osmane, aq më tepër që trimat e Kurveleshit e Labërisë kishin vrarë një nga feudalët turq, i cili grabiste popullsinë e pafajshme të Zagories, Palopogonit e gjetkë. Ekspeditat ndëshkimore osmane arritën ta gjenin fshatstrehimin e kaçakëve me famë dhe morën me pranga në duar kryepleqësinë e Tërbaçit, Sinan Abazin, Malo Micon, Laçe Hoxhën, Zenel Hodon dhe Seit Salatin dhe i internuan në Janinë. Historia është epiko-tragjike si në mitologji dhe, kur Biblilenjtë e kuptuan çfarë kishte ndoshur në Tërbaç, për besë e burrëri, për të shpëtuar parinë e mirëpritësve, shkuan dhe u dorëzuan vetë në Janinë. Populli e kujton këtë ngjarje besnikërie e trimërie të rrallë me këtë këngë: “Të xhumanë, në pasdreke/ Tërbaç erdhën tesqeretë,/ Kërkohen-ë Bilbilejtë./ Bilbilejtë trembëdhjetë/ Vanë në litare vetë!”… Qysh nga ajo kohë, shpella e Somait quhet Shpella e bilbilenjve.
Në fushën e arsimit. Qeveria e Përkohshme e Vlorës me Ismail Qemalin kryeministër dhe Luigj Gurakuqin Ministër Arsimi çeli në Tërbaç shkollën e parë shqipe me mësues Gani Iljaz Habazaj më 16 shtator 1913. Ishte një nga 10 të parat në prefekturën e Vlorës, nga të cilat 1 ishte në qytet dhe 9 në fshatra dhe përkatësisht në Kaninë, Drashovicë, Dukat, Tragjas, Oshtimë, Kudhës, Matogjin (Smokthinë), Tërbaç, Vranisht. Në ato vite Tërbaçi ka pasur 10 mësues dhe pikërisht: Murat Miftar Habazaj (Tërbaçi), Halim Xhelo Skëndaj, Ibrahim Ali Skëndaj, Rakip Elmaz Rrokaj, Gani Iljaz Habazaj, Muço Delo Balili, Nuro Ahmet Hoxhaj, Musa Hasan Muho dhe vëllezërit Myslym e Rustem Muho Sina. 10 mësues nga një fshat… Dhe kur? Në një kohë pus të errët jo nga tisi apo cipa e regjimit, por nga masivet e murme që kishin zënë shtresë të ndryshkur. Vërejmë që tërbaçiotët, siç kanë bërë emër në histori, kanë lënë dhe gjurmë drite për arsim e kulturë. Vlen të theksojmë telegrafisht se, ç’ka shkruar autori Nilo Borgia, kur citon vështirësitë e detyrës së misionarit të sprovuar Imzot Catalano, arkipeshkv katolik i Durrësit, në kishën e Dhërmiut – Himarë ku shërbeu: “…Pikërisht sot erdhi tek unë një prift prej fshatit Tërbaç, i cili ka dërguar këtu të birin dhe fëmijë të tjerë për të mësuar”. Dhe në vijim, po në atë faqe: “Nivica, Zhulati dhe Shën Vasili, këto tre fshatra së bashku me dy të tjera të quajtura Tërbaç ishin shpallur pro Romës që në vitin 1581”.
Prof. Jup Kastrati shkruan: “Në Dhërmi përdorej greqishtja, por edhe shqipja, se kishte nxënës deri nga Dukati e Tërbaçi. Kishte për të ardhur ndonjë edhe nga Vithkuqi, 5 ditë larg”. Përse të mos mendojmë që dijetari italian i arbëreshizuar, At Nilo Catalano, Nili Katëlani (1637-03.06.1694) “Sprovën e gramatikës së Gjuhës shqipe” në vitet 1693-’94 e hartoi për ata 80 nxënësit e etur për dije që vinin nga Dukati e nga Tërbaçi, nga Kudhësi e Piqerasi, nga Lukova e Shën Vasili, nga Lëkurësi e nga Saranda, edhe për ata që vinin nga Vithkuqi, 5 ditë në këmbë, (se s’kishte makina në atë kohë). E përgatiti këtë manual si tekst shkollor për mësimet e dhëna në këtë mësonjëtore, për t’i pajisur me dije dhe kulturë. Rikonfirmojmë se nuk kanë qenë vetëm të pushkës banorët e Himarës, ku Tërbaçi si pjesë integrale e saj, por edhe të penës. Në Himarë qysh pothuaj 4 shekuj më parë janë çelur shkolla shqipe, është folur shqip, është shkruar shqip, është predikuar shqip.
Në fushën e kulturës. Shkrimtari Skënder Hasko në një artikull të botuar në revistën “Pioneri” ka shkruar për traditën folklorike dhe stafetën e saj në shkollën 8-vjeçare “Halim Xhelo”, Tërbaç: “Drejtori i shkollës, rapsodi i njohur Kujtim Mici tregoi për historikun e grupit të të vegjëlve: “Grupi polifonik i fëmijëve në fshatin tonë është krijuar në vitin 1946. Qysh atëherë s’ka pushuar kurrë””. Sidomos pas vitit 1966, në Tërbaç jeta folklorike u bë e organizuar, strukturuar mbi bazën e traditave më të mira të të parëve. Ishte pikërisht Kujtim Mici, mësues, drejtor i shkollës 8 vjeçare “Halim Xhelo dhe drejtues i grupit polifonik të fshatit, në Tërbaç që organizoi punën zinxhir (paralele, pa ndërprerje e në vijimësi) me grupet labe të pleqve, të burrave, të grave, atë miks, të djemve e të vajzave të fshatit dhe deri tek ai pionierëve dhe i fatosave të shkollës. Qysh në atë kohë morën hov shkëlqimtar: 1. Kënga tradicionale, mbështetur në këngën “pleqërishte” e “të shtruar” të Tërbaçit, duke e pasuruar e ngritur në art me tekstin poetik të kënduar, me melodi, interpretim e veshje; 2. Vallja labe e Tërbaçit, (krenaria edhe dhembja jonë, e papërsëritshme dhe e paarritshme nga kush tjetër), që me vallen e kënduar “Drit’ e planetit tërë” arriti kulmin e realizimit dhe kapi majën e feksi në Festivalin e Dytë Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, tetor 1973, duke u shpallur Laureat i festivalit. Grupi i madh i Tërbaçit i interpretonte me nivel të lartë artistik këngët që shquheshin për përmbajtje ideo – emocionale të fuqishme dhe mund të cilësohen si stil me ngarkesë të veçantë, që rrezaton dhe në rrafsh kombëtar e më gjerë.
Kujtojmë sa për ilustrim ç’ka shprehim, se grupet polifonike të Tërbaç – Vranishtit kanë fituar çmimin ndërkombëtar “Europa për zhvillimin e folklorit” më 1986. Grupi i madh kapi maja me artistin Sinan I. Hoxha, që pruri risi si marrës i rrallë gjëmimtar, (po aq dhe hedhës me drithërimë ngjethëse në vitet ’75), me kthyesin me grykë Rexhep Abazi, hedhësin tradicional Mejdi Skendaj, ndërsa vetëm pas pak vitesh me marrësin titanik Syrjat Hodo, kthyesin e paarritshëm Nebi Xhaka dhe hedhësin mjeshtëror Bilbil Xhaka. Përveç traditës, mendojmë se qe dhe fat dhuntia, talenti, autoriteti dhe vizioni i Dragoit të këngës dhe valles labe, Kujtim Micit të Tërbaçit që thuri shumë tekste me nivel të lartë artistik, që kompozoi 36 melodi këngësh e vallesh labe për stilin muzikor të Tërbaçit dhe i dha emër të madh atij grupi. Me bindje të plotë, mund t’i quajmë një detashment pararojë i Folklorit shqiptar. Krahas grupit të madh të burrave të valles dhe këngës labe sipas stilit muzikor të Tërbaçit, që e bëri epokën e tij, sot bëjnë jetë aktive folklorike Grupi i Të Rinjve të Tërbaçit me Endri Hodon dhe Grupit të Vajzave të Tërbaçit “10 Shqiponjat e Tërbaçit” me korife Shpresa Kapo Çelaj dhe ato zonja të rënda, si Antoneta Goxho Mehmetaj, Liri Gaçe Shkurtaj, Liljana Rrapi Kapaj, Vito Shiroku Vera, Evgjeni Habili Seferaj, Meme Ribaj Habazaj, Fatmira Hodo Skendaj, Flutura Nanaj, Lavdie Goxho Xhaka e Hava Çelaj Muçaj që ruajnë, pasurojnë dhe transmetojnë brezave këngët e ninullat e stërgjysheve, gjysheve dhe nënave të tyre, artin e Dashuri Hodo Mehmetaj, Nazo Dauti (Diana Ribaj) e shumë artisteve të mrekullueshme popullore (pa mohuar ndihmesën e fillimtareve Baftie Dauti Xhelilaj e Madelona Mëzuraj Skëndaj, që për arsye objektive nuk janë pjesëmarrëse në grupin e Shqiponjave që vijon fluturimin hapësirave folklorike. Ansambli i Shqiponjave të Tërbaçit, me drejtues artistik dhe autor tekstesh Albert Habazaj interpreton këngë dhe valle të kënduara labe, sipas stilit muzikor të Tërbaçit në variantin grarisht, ku dallohen për ëmbëlsi, elegancë, qartësi e kumbim, ngrohtësi dhe dashuri, brenda dhe jashtë vendit. Ato janë nderuar me dekoratën e lartë “Naim Frashëri” nga Presidenti i Republikës. Emri i tyre i vërtetë është Sakrificë Shpirti.
NJE STUDIMI DHE PASQYRIM I SHKELQYER NGA NJE INTELEKTUAL ME SHUME VLERA.TERBACI,FSHAT QE KA PRODHUAR HISTORI,TRIMA DHE MENCURI.
Hajro LIMAJ
Mburrje malsore. Halim Xhelo ishte veteran i Kominternit sllavo-komunist rus dhe tradhtar i Shqiperise. Hysni Kapo e familja e tij ishin qe nga vitet 1920 agjente te konsullates jugsollave ne Vlore.
Partizanet sllavo-komuniste gjate luftes se dyte boterore me komisare dhe komandate Dushna Mugoshen e Miladin Popoviçin tradhtuan Shqiperine dhe i sherbyen ushtrise jugosllave edhe ne trojet shqiptare ne Jugosllavi.
Nje studim I mirefillte, I mrekullueshem per gjithe ata qe e Kane vendlindjen e tyre Terbacin, por edhe per njerez pasionant per historine e gjeografine. Urime authorities
Nuk pash te shkruhej emri me te cilin fshati permendet ne Letren qe fshatrat e Laberise i shkruajten Papes per ndihme ku Tërbaç quhet Trumbacei
o mali o idiot muti po a se ke kuptuar që fjala sllavokomunist është term nazist.
a nuk e ke kuptuar që komunistët nuk ndahen sipas rracës?
nuk mund të thuhet sllavokomunist por psh komunist me prejardhje serbe ose sllave.
ju jeni ende me mentalitet nazist.
kominterni është internacionalja komuniste dhe ska lidhje fare as me atë që ti e quan fare sllavokomunizëm por me çështjen e komunizmit shkencor.
partizanët shqiotaër që ti me njohurit e tua të cekta i thua sllavokomunistë i shërbyen ushtris jugosllave thua ti.
por e vërteta ësht që me këtë veprim që ushtria shqiptare ndoqi deri në jugosllavi nazistët bëri që edhe kosova të çlirohej paçka se pastaj kosova nuk pati të drejtë vetvendosjeje sepse jugosllavi kishte shumë miq asokohe.
por nëse partizanët shqiptarë nuk do kishin bindur kosovarët që ti shpallnin luftë nazistëve sot mbase kosova do ishte vërtet serbi.
çuditem me ju
skini idenë fare ça ësht komunizmi dhe direkt kur ësht fjala për të dilni ju dhe e godisni a thua se jeni ideologë të ideologjisë borgjeze me karakter të hapët antikomunist
“sllavokomunist term nazist” hahahaha
“kominterni dhe komunizmi shkencore” hahahaha
“nëse partizanët shqiptarë nuk do kishin bindur kosovarët që ti shpallnin luftë nazistëve” hahahahahaah
Bre muzhik, dallohesh se ke diplome kristali ne filozofine shkencore te Beogradit dhe Moskes.
O “Mali” o komentus i pjerdhur! Ky artikull eshte histori dhe lavdi per nje fshat dhe krahine dhe nuk eshte politike anti balliste! U rente pika! U eshte bere mendja politike dhe doni te dukeni si ideologe te sistemit borgjez!!
E lexova me kureshtje shkrimin dhe me terhoqen vemendjen dy fakte.
1-mbiemri Gjondeda apo toponimi, qafa e Shengjergjit. Jane emra te krishtere kur shumica e emrave dhe mbiemrave ne ate fshat jane mysliman. Keto emra te krishtere jane mbetje te kohes paraturke, apo te ardhur per shkak te historive te dhimbeshme shqiptare? Dihet se, per shkak te luftrave, nga veriu cvendoseshin drejte jugut shume banore.
2- vendndodhja e fshatit, pothuaj afer majes se malit, kur fshatrat e tenere ndodhem me poshte, me afer lumit. Te krijohet pershtypja e nje vendosje Jo te natyrshme. Vendosja e te parve aty me ngjan me vendosjen e atyre kalimtarve, ne nje vend te huaj, ku jane zene vendet e mira. Pozicioni me duket dhe si nje vendosje midis lumit te vlores dhe bregdetit. Mund te mos kete keshtu.
Bre bre bre. Po ku mo? Pordhi kali në dër të hanit? Mor miro klusha Komunista, na do na shkruani ndonjë herë mo për masakrat e Komunistëve mo pa shkak tek Balli Kombëtar mo? Po mo për Masakrën e Dukatit nga Mehmet Kasapi mo? 3 Brigada mo të Komanduarbmeb Mehmet Kasapin edhe Hysni Leshin mo sulmiëuan në befasi Katundin e Dukati të Vlorës mo? Po për Heronjtë të vërtetë të Tërbaçit mo që nuk ju nunstruan në asnjë munurë mo propagandës së Agjetëve të Kuq mo? Po për Atdhetarin e vërtetë mo Mdhat Frashërin mo? Po për Hysni Lepenicën mo? 40 makina mo të ushtrisë Italiane? Por duke u përgatitur për aksionebtë tjera Klushat Kumuniste më 29 Nëntor 1943 3 Brigada Të Klushave monKomuniste i Hrumbulluan Në Malin e Barcalla Gjormve Terbaçit mo? Edhe më e bukura mbasi kaluan ditën aty dhe muarën udhëzimet e e fundit, të nesermen mo para orvet të mesnatës për në vëndinva qëlluar me bomba dore., atëhere mo Kommandatura e Klushave Komuniste dhanë urdher “para partizanë” edhe i ranë në befasi si Tradhtarëbtë Shqipërisë mo. Po për trimat si Oso Kuka në Kalanë e Vranitës mo që e vranë Klishat Koministe mo? 11 të plagosur nga Tradhëtarët Partizanë mo? 50 të vrarë mo të gjithë në moshë të re mo Nga Klushat Komuniste? Pë pse mo Nuk i Nxir këto mo Dita?
Po na shkruani për Edvinin: “Xhaxhi Enver dorën për mbi Buthë Ma vendos njëherë-ça Vrimë që paske mo Shejtanë, Qënke eshe i Vegjel-po Xhaxhi Enver” – ose për Sali Protopapën me Horat e tija mo që të vrasin Natën eshe të Shesin Ditën tek Sërbët mo – ose për Ilir ShkëdhatDhini që vjellë edhe nënën e tija për 3 Leka mo?
Ahhh E Mjera Shqipëri Për Këta Bastadë Qe Ke Lindur edhe Vashdon Të Lindësh!
Terbaci, kuci luci e gopi i semes, hisniu e halim xhelua.., po edhe sa kohe do na cani trapin me zonen e pare operative. A na e rruaci te tere, yyyt skerbythje!
@AC/DC
ato haluçinacionet e tua me beograd e me moska ik e tregoji nëpër lokalet e rakive të ballistozogistëve dhe mjaft the budalliqe ktu.
ndërsa për komentuesit saimir dhe partizani i lirisë nuk kam ça them.
i gjykoni vet nga gjuha që flasin.
këta njerëz e bastarduan gjuhën e bukur shqipe për të cilën sa e sa poetë bënë vargje dhe poezi për të
Bukur, e lexova me nje fryme dhe mesova shume gjera; mbi te gjitha dashurine per vendlindjen nga ana e autorit …
Shume bukur. Ky shkrim na shtoi akoma më shumë dashurinë për vendlindjen tonë të dashur. Zbuluam gjëra që nuk i dinim. Bravo studiusit per këtë material që na serviri. Bravo!