Mbi 33 mijë maturantë në të gjithë vendin kanë zhvilluar gjatë ditës së djeshme provimin e parë të detyruar të Maturës Shtetërore 2022 në lëndën e gjuhës së huaj (anglisht, italisht, gjermanisht, frëngjisht dhe spanjisht). Për 2 orë e gjysmë me radhë maturantët kanë plotësuar testin që i përkonte gjuhës së huaj që kanë zhvilluar gjatë treve të shkollës së mesme.
Sikundër përcaktohet edhe në rregulloren e provimeve të miratuar nga dikasteri i Arsimit, pak orë pas përfundimit të testit, është zbardhur edhe çelësi me përgjigjet e sakta për secilin variant të testit të gjuhës së huaj të plotësuar dje nga maturantët. Nëpërmjet verifikimit të përgjigjeve të duhura, maturantët do të mund të orientohen vetë në lidhje me ecurinë e provimit të gjuhës së huaj, si dhe rezultatin e mundshëm që do të marrin në këtë provim. Çelësin e përgjigjeve të sakta për këtë provim e gjeni online në faqen zyrtare të Qendrës së Shërbimeve të Arsimit në adresën www.qsha.agov.al.
Teksa kanë detajuar skemën se si do të bëhet vlerësimi i provimeve të detyruara dhe lëndës me zgjedhje, autoritetet e arsimit kanë bërë me dije se edhe për provimet e këtij viti maturantët do të mund të kërkojnë një kopje të testit të korrigjuar nëse do të jenë të pakënaqur me vlerësimin e marrë. Por tërheqja e kopjes së testit të korrigjuar nuk do të shoqërohet me rivlerësim të tij.
Pas përfundimit të provimit, të gjitha testet janë mbledhur në qendrat e përcaktuara të korrigjimit. Vlerësimi i testeve do të realizohet vetëm në qendra vlerësimit të përzgjedhura nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit. Sipas procedurave të përcaktuara, vlerësimi i provimeve do të bëhet nëpërmjet sistemit digjital për pyetjet me alternativa, si dhe korrigjimit manual nga mësues të certifikuar për pyetjet me zhvillim. Në rastet e dhënieve të përgjigjeve të gabuara, apo mosplotësimit të duhur të pyetjes maturantët nuk do të penalizohen me zbritje pikësh. Vlerësimi në këto raste do të jetë me zero pikë. “Nëse për një pyetje keni mbushur dy rrathë përgjigja për këtë pyetje do të jetë e pavlefshme dhe do të vlerësohet me 0 pikë. Kur për një pyetje keni plotësuar alternativën e saktë në test, por nuk e keni shënuar në fletën e përgjigjeve, ajo pyetje sërish do të vlerësohet me 0 pikë. Gjithashtu në skemën e vlerësimit përcaktohet se edhe për pyetjet ku nuk keni mbushur asnjë rreth, sërish do të vlerësoheni me 0 pikë.
Vlerësimi maksimal i tezës së provimit të secilës lëndë të maturës do të jetë me 60 pikë. Nëpërmjet rregullores së miratuar pak javë më parë, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka përcaktuar edhe pragun minimal të pikëve që duhen për të kaluar provimin. Kështu, për të qenë kalues në këtë provim, maturanti duhet të sigurojë detyrimisht 25 për qind të këtij totali pikësh (15 pikë) me të cilat vlerësohet testi.
Kandidatët që nuk sigurojnë këtë nivel të kërkuar pikësh, e humbasin të drejtën për të qenë pjesë e garës së pranimeve për studimet në shkollat e larta, përgjatë raundit të parë të pranimeve që do të zhvillohen në mbyllje të muajit korrik. Këta kandidatë duhet të presin sezonin e vjeshtës për të dhënë sërish këtë testim dhe vetëm në rast se rezultojnë kalues do mund të përfshihen në garë për studimet larta duke aplikuar në raundin e dytë të pranimeve që do të zhvillohet përgjatë muajit shtator. Rezultatet pozitive të tre provimeve të detyruara dhe lëndës me zgjedhje janë vendimtare në përmbylljen me sukses të ciklit të shkollës së mesme, çka më pas i hap udhë edhe procesit të konkurrimit për studimet e larta universitare.
Nesër provimi i radhës
Testimet e maturës do të vijojnë edhe përgjatë ditës së nesërme (11 qershor), ku do të zhvillohet testi i lëndës së gjuhës shqipe dhe letërsisë, për të vijuar më pas në datën 17 qershor me testin e tretë në lëndën e matematikës, si dhe me 24 qershor ku do të zhvillohet provimi i fundit i maturës së këtij viti në lëndën me zgjedhje.
Edhe për këto provime do të vlejnë të njëjtat rregulla administrimi. Specialistët këshillojnë maturantët që të bëjnë kujdes në ndjekjen e procedurave të kërkuara, pasi në të kundërt mund të rrezikojnë përjashtimin nga ambientet e provimit, apo mosnjohjen e rezultatit të testit. E nëse kjo ndodh ju rrezikoni të mbeteni jashtë garës për të fituar studimet e larta në degën e preferuar në konkurrimin e raundit të parë të pranimeve, si në universitetet publike, ashtu edhe në ato private
Sipas kushteve të përcaktuara nga MAS, maturanti dhe kandidati pasi merr testin dhe fletë-përgjigjen kontrollon që ato janë të duhurat sipas profilit të shkollës së mesme që ka ndjekur. Gjithashtu duhet të kontrolloni me kujdes edhe gjendjen fizike të testit nëse ka probleme dhe është i palexueshëm, apo mungon ndonjë faqe. Nëse vërehen parregullsi ju duhet të kërkoni një test tjetër nga administruesit e provimit. Pasi të merrni testin e ri duhet që të firmosni një deklarate që konfirmon këtë veprim. Në ditën e provimit duhet të keni me vete vetëm mjetet e lejuara, teksa në rregullore përcaktohet maturanti do të përjashtohet nga provimi, nëse konstatohet se ka ndryshuar vendin që i është caktuar, merr, jep informacion apo kopje, ose komunikon me maturantë/kandidatë të tjerë, bën komente për përmbajtjen ose zgjidhjen e testit, mban telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimit, refuzon kontrollin nga ana e administratorëve gjate hyrjes në qendrën e provimit. Ndërsa në rastet të tilla nuk njihet rezultati i provimit: kur përdor laps, stilolapsa me ngjyra jo si atë të përcaktuar në rregulloren e provimit, nëse ka hequr ose dëmtuar kodin e sekretimit të testit (barkodin), nëse ka dëmtuar testin (palosur, zhubrosur, grisur, vendosur shenja të dallueshme dhe të veçanta), të evidentuara në procesverbal, nëse vërtetohet kopja, e pjesshme, ose e plotë, gjatë procesit të vlerësimit dhe konfirmohet nga Kopoted, si dhe kur është marrë masa e përjashtimit nga provimi.