Jo vetëm maturantët, por edhe të gjithë mësuesit dhe personat e tjerë të përfshirë në administrimin e provimeve të Maturës Shtetërore do të penalizohen në rast se ndaj tyre është konstatuar se nuk kanë respektuar rregullat e përcaktuara për zhvillimin e të katër provimeve të këtij viti. Ditën e djeshme është përmbyllur zyrtarisht Matura Shtetërore 2022, ku të gjithë maturantët në vend i janë nënshtruar testit të fundit të zhvilluar në lëndën me zgjedhje. Ndërkohë që në orët e pasdites janë shpallur edhe notat e provimit të dytë të detyruar të zhvilluar në lëndën e gjuhës shqipe dhe letërsisë.
Masat ndëshkimore për nxënësit e mësuesit
Sipas kushteve të përcaktuara më herët në rregulloren për provimet e detyruara dhe lëndën me zgjedhje të Maturës 2022, masat ndëshkimore për maturantët që kanë thyer rregullat në zhvillimin e provimeve, janë: mosnjohja e rezultatit të testimit të kryer, si dhe përjashtimi i tij nga ambienti i provimit. Ndërsa për mësuesit administrues të të gjitha niveleve penalitetet vijojnë nga vërejtje, në paralajmërim për largim nga puna, si dhe pushim nga puna.
Për moszbatim të përbërjes së Komisionit Shkollor të Maturës Shtetërore (pjesë e të cilit duhet të jenë drejtori në rolin e kryetarit, një mësues dhe zëvendësdrejtori), ndaj drejtorit të shkollës do të merret masa “vërejtje” nga titullari, e cila do të depozitohet në dosjen e tij personale.
Gjithashtu në rregullore saktësohet se të gjithë personat e angazhuar në administrimin e provimeve, të cilët nuk kanë një veshje dhe paraqitje serioze që t’i përgjigjet vendit dhe natyrës së punës do të penalizohen me marrjesn e masës ndëshkimore “Vërejtje”. Për rastet kur administruesit e provimit nuk tërheqin në kohë në strukturat përgjegjëse materialet e provimit, kur nuk thërrasin ndihmën e shpejtë në rast nevoje dhe t’i shoqërojnë maturantët edhe në prani të një përfaqësie të MAS, kur nuk udhëzojnë me short përfaqësuesit e administrimit në çdo mjedis, kur nuk kryejnë kontrollin fizik të çdo maturanti në bashkëpunim me përgjegjësit e kateve, të cilin e dokumenton në procesverbalin përkatës, kur nuk shpërndajnë me procesvebal materialet e provimit, kur nuk dokumentojnë çdo parregullsi të vërejtur, kur nuk plotësojnë me saktësi dhe përgjegjësi formularin e zhvillimit të provimit, apo kur nuk paketojnë materialet e provimit sipas rastit, dhe nuk i dorëzojnë në kohën e duhur, do të penalizohen me masën “Paralajmërim për largim nga puna”, e cila do të depozitohet në dosjen e tyre personale të punës.
Ndërsa në rastet kur vërehet se administruesit do të mbajnë celular në ambientet e provimit, kur nuk bëhet identifikimi i duhur i të gjithë të angazhuarve në procesin e zhvillimit të provimeve sipas listës së ardhur nga Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar, kur lejojnë që në ambientet e provimit të jenë drejtuesit e shkollës përkatëse, apo lejojnë hyrjen e personave të tjerë të paautorizuar në shkollë, si dhe në rastet kur faktohet se kanë publikuar përmbajtjen e testit gjatë zhvillimit të provimit, do të merret masa ndaj ndëshkuese me “Largim nga puna”. Kjo masë pasqyrohet edhe në librezën e punës së mësuesit.
Për rastet kur administratori nuk le vendin bosh për maturantët që mungojnë, kur nuk njeh maturantin me të drejtat dhe detyrimet e tij, kur lejon ndërrimin e vendeve të maturantëve, kur nuk dorëzon tek autoritetet e duhura bashkë me testet edhe dokumentin që vërteton se nxënësi është me aftësi të kufizuara, kur nuk i jep çdo maturanti testin që i takon sipas listës së QSHA, nëse nuk i jep maturantit tezën në lëndën me zgjedhje që ka kërkuar gjatë plotësimit të formularit A1 apo A1Z, kur lejon largimin e maturantit nga ambientet e provimit pa përfunduar ai dhe pa dorëzuar testin, kur nuk njofton dhe dokumenton çdo parregullsi të konstatuar, kur nuk kontrollon testin e dorëzuar nga maturanti nëse ka dëmtime, kur largohet nga mjedisi i provimit, kur nuk respekton orarin e zhvillimit të provimit, si dhe kur nuk ka veshjen dhe paraqitjen e duhur, ndaj administratorit merret masa “Vërejtje”, e cila do të depozitohet në dosjen e tij personale të punës.
Kur rezulton se adminsitratori i provimit, apo i sekretimit, si dhe përgjegjësi i katit, mban celular, kur nuk identifikon çdo maturant në mjedis të provimit, lejon përdorimin e telefonit celular, radios ose çdo mjeti tjetër, apo edhe komunikimin e maturantëve mes tyre, apo me persona jashtë ambienteve të provimit, kur komunikon me maturantin për përmbajtje të testit, kur lejon hyrjen e personave të paautorizuar apo publikon testin ndaj administratorëve të provimit meret masa “Përjashtim nga e drejta e dhënies së provimit për ushtrimin e profesonit të mësuesit”, në sesionin e radhës nga data e dhënies së masës, ose masa “Largim nga puna” në rastin e mësuesve, masë e cila pasqyrohet në lirezën e punës.
Masa e largimit nga puna do të merret edhe në rastet kur konstatohet se personi i caktuar si administrues provimi nuk është i trajnuar dhe është mësues i shkollës së maturantëve që janë duke dhënë provim, kur mësuesi është i shkollës apo i lëndës që po jepet provim, teksa edhe praktikantët nuk duhet të jenë të angazhuar në shkollat ku kanë kryer praktikën profesionale të mësuesit. Në këtë rast masa e largimit nga puna do të merret ndaj drejtorit të zyrës vendore arsimore, që ka lejuar të ndodhë kjo gjë. Kjo depozitohet në dosjen e tij personale të punës.
Për pasaktësi në korrigjim ndaj vlerësuesve merren masat: ”Paralajmërim për largim nga detyra” deri në “Largim nga detyra”, si dhe “Përjashtim nga e drejta për të qenë korrigjues për pesë vite rresht”, sipas përcaktimeve të Kodit të Punës, masë e cila do të depozitohet në dosjen e tyre të punës.
Për publikim të të gjitha formave të testeve të Maturës Shtetërore nga hartuesit merret masa për “Largim nga puna” si dhe “Përjashtim nga e drejta për të qenë hartues për të paktën pesë vite”, masë e cila gjithashtu do të depozitohet në dosjen e tyre personale.
Për publikim të të gjitha formave të testeve të Maturës Shtetërore, si materiale të një rëndësie të veçantë nga çdo person i tretë deri në çastin e përfundimit të kohës së provimit ndaj individit që i ka publikuar do të kërkohet ndjekje penale nga organet përkatëse nga Drejtoria e Përgjithëshme e Arsimit Parauniversitar.