DR. JORGJI KOTE
Nga Brukseli për Dita
Vendimi i Gjykatës së Lartë të SHBA-ve i datës 20 Shkurt për anulimin e tarifave të importit, meqenëse nuk ishte marrë miratimi i Kongresit Amerikan ishte shuplaka tjetër e radhës ndaj politikave tarifore të Presidentit Trump. Por, në vend të reflektimit të duhur ai ndërmori hapin tjetër; duke shfrytëzuar një hapësirë ligjore, Trump njoftoi vendosjen e tarifave të reja në masën 15 për qind ndaj importeve të gjithë vendeve me një afat ligjor maksimal 5 mujor. Kjo këmbëngulje politike lidhet me fiksimin e tij ndaj doktrinës transaksionaliste, të tejkaluar në kohë këtu e 40 vite më parë; ndaj ia vlen ta shpjegojmë disi më gjatë më poshtë.
Në vitin 1987, Donald Trump, sipërmarrësi i suksesshëm 39 vjeçar i pasurive të patundshme botoi librin e tij më të shitur ” The Art of the Deal” ( Arti i Ujdisë). Aty ai tregon përvojën e suksesshme në këtë fushë, me sugjerime, shembuj dhe këshilla praktike. Mirëpo, vështirë t’i ketë shkuar dikujt ndërmend se 3 dekada më vonë, ai libër do bëhej Manuali i tij politik, tanimë si President i SHBA-ve.
Ndaj, duke lexuar këtë libër, kushdo mund të mësojë mbi artin dhe taktikat e Presidentit Trump sidomos në politikën e jashtme. Sipas ekspertëve të njohur, sot për Presidentin Trump globi është si një tryezë e madhe bisedimesh dhe ujdish tregtare. Peter Neumann, historian i mirënjohur gjerman dhe Profesor në të famshmin King’s College në Londër pohon se ” Për Trump gjithçka është biznes”.
Me fjalë të tjera, parimet, vlerat, taktikat dhe strategjitë e njohura në fushën e biznesit dhe marketingut, të cilat studiohen në shkolla dhe universitete të posaçme, Trump po i shtrin me përparësi edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare; edhe pse janë dy fusha të ndryshme, të cilat krahas emëruesve të përbashkët zhvillohen nga aktorë dhe në varësi të faktorëve që në shumicën e rasteve janë të ndryshëm e që veprojnë në rrethana të ndryshme, madje edhe të kundërta.
Ashtu si në biznes dikur, edhe si President sot, Trump vepron me shpejtësi marramendëse, duke mos i lënë të marrin frymë partnerët dhe kundërshtarët, madje as njerëzit e vet; kur dihet se në diplomaci, me përjashtim të krizave dhe konflikteve gjërat ecin më me ngadalë, me procedura dhe në kanale të ndryshme. Këtë ai e përdor si formë trysnie dhe ngutjeje për të krijuar kushte dhe avantazhe më të favorshme për transaksione dhe ujdira me interes për SHBA-të dhe atë vetë. Ndaj, edhe te best selleri i lartpërmendur ai shprehet qartë se ” Ujditë janë shprehja artistike dhe mënyra më e mirë e tij për të siguruar sukses”.
Ai filloi të zbatojë parimet e biznesit qysh në vitin 1985, kur ishte pronar i një klubi futbolli; në këmbim të pagës së majme prej 8 milion dollarësh për trajnerin e ekipit, ai u kërkoi të gjithë lojtarëve të paguanin, sepse të gjithë do të përfitonin prej tij.
Të njëjtën logjikë ndoqi disa vite më parë për ndërtimin e Murit të Meksikës, duke i kërkuar qeverisë së saj të paguante shpenzimet, se ajo do të përfitonte prej murit!
Nisur nga kjo qasje, Trump bën të pamundurën që ” me hir ose pahir” t’i detyrojë të tjerët të paguajnë një për një për përftimet dhe shërbimet e SHBA-ve ndaj tyre, madje edhe në të kaluarën, qoftë edhe si aleatë tradicionalë. Kështu, ai i ka kërkuar dëmshpërblime BE-së për suficitin e saj tregtar me SHBA-të nëpërmjet tarifave më të larta të importit! Ndërsa NATO-s i kërkoi ta dëmshpërblejë për sigurinë dhe shpenzimet për Groelandën, deri në shitjen apo dhe dorëzimin e saj te SHBA-të! Kulmi ishte kur Trump i kërkoi Presidentit Zelenski në takimin e tyre të parë skandaloz në Shtëpinë e Bardhë plot një vit më parë kthimin e miliarda dollarëve ndihma që SHBA-të ia kishin dhënë në 4 vitet e kaluara. Madje, edhe për garancitë e sigurimit, ai kërkoi detyrimisht nënshkrimin e marrëveshjes ekonomike me Kievin, duke kërkuar gjysmën e aseteve të ngrira në Europë, kur kjo e fundit as vetë nuk guxon t’i prekë ato! Ndërkohë që edhe armatimet e tanishme amerikane për Ukrainën i paguan BE-ja, Gjermania, etj.
Nisur nga këto fakte dhe dukuri, Ish Komandanti i NATO-s për Europën në vitet 2014 – 2017, Gjenerali amerikan Ben Hodges i krahason demarshet e Presidentit Trump për paqen në Ukrainë me një “ operacion special imobilar”! Edhe opozitari i shquar rus në mërgim në SHBA, Geri Kasparov disa ditë më parë tha se Trump nuk po bën paqe midis Rusisë dhe Ukrainës, por kërkon të nxjerrë fitime të majme.
Këtë e konfirmoi tani së fundi edhe Presidenti Zelenski, i cili bëri të ditur se SHBA-të kanë gati një marrëveshje me vlerë prej 13 trilion dollarë amerikanë me Rusinë.
Ky motiv shpjegon edhe abstenimin e SHBA-ve gjatë votimit më 24 Shkurt 2026 të Rezolutës së OKB-së në mbështetje të Ukrainës, sepse amerikanët nuk e duan frazën ” për një paqe të vërtetë dhe të qëndrueshme” ndonëse ajo figuron në të 11 rezolutat e deritanishme. Lidhur me këtë dukuri, në median amerikane thuhet se ndryshe nga sa sugjeronte presidenti Kenedi që mos pyesin çbën Atdheu për ju, por çfarë bëni ju për Atdheun, Trump zbaton vetëm të parën, dmth çbën Atdheu për të. Aq sa sloganin “E para Amerika” shumë të tjerë në SHBA e përkthejnë “ i pari biznesi për Trump”. Këtë e dëshmon fakti se gjatë vitit të parë të kësaj presidence, pasuria e tij u shtua të paktën me 1,4 Miliard Dollarë.
Sipas të njëjtës logjikë, kur një vend ka hyrë me përparësi në tregun amerikan, ai duhet të paguajë për këto përfitime, qoftë edhe duke bërë lëshime dhe kompromise nën një trysni maksimale. Kjo u pa qartë edhe në rastin e themelimit të Bordit të Paqes, ku çdo shtet që do të ketë vend të përhershëm duhet të paguajë plot 1 Miliard Dollarë. Ndonëse në sistemin e OKB-së çdo vend anëtar paguan një kuotë fikse në raport me madhësinë i popullsisë dhe nivelin ekonomik.
Në doktrinën e tij transaksionaliste, e cila vendos në qendër të veprimit politik dhe ushtarak interesat tregtare amerikane, Trump niset nga ideja se konfliktet dhe dhuna në botë mund të zgjidhen kryesisht nëpërmjet forcimit të marrëdhënieve ekonomike dhe lulzimit të biznesit me një vend, pavarësisht nga sistemi i tij politik. Si logjikë kjo edhe mund të qëndrojë, por në praktikë nuk ndodh kështu. Sepse rrënjët e shumicës dërmuese të konflikteve dhe luftrave nuk janë te ekonomia dhe biznesi, por te ideologjitë përçarëse dhe sunduese, urrejtja racore, fetare, nacionaliste, nostalgjia ekspansioniste e të kaluarës, etj.
Këtë e dëshmoi së fundi edhe dështimi i diplomacisë qetësuese nëpërmjet doktrinave ekonomike i disa vendeve të BE-së; ato dhe sidomos Gjermania mendonin me naivitet se duke shtuar marrëdhëniet ekonomike me Moskën, të cilat do të sillnin bum ekonomik për Rusinë, rregjimi do të zbutej dhe vetë Putini do të sillej mirë dhe nuk do të ngrinte as dorën dhe as armët kundër një vendi tjetër; ndërkohë, Gjermania dhe Europa do të përfitonin nga i ashtuquajturi ” divident i paqes” nëpërmjet tarifave të lira të gazit dhe energjisë ruse dhe hapja e tregjeve.
Përfundimi ishte tejet zhgënjyes dhe agresioni rus kundër Ukrainës më 24 Shkurt 2022 pas ”provës së tij gjenerale” më 2014 e hodhi në kosh transaksionalizmin europian; për pasojë, Europa tani po e paguan “si frëngu pulën” diplomacinë e saj qetësuese ekonomike, madje tani është edhe vetë në rrezik dhe në shinjestrën ruse.
Ndërkohë, edhe SHBA-të nuk kanë ndonjë bilanc pozitiv në eksperimentimet e tyre lidhur me marrëveshjet Abrahams me vendet arabe dhe me Dakordësimin pa nënshkrime të arritur në Shtëpinë e Bardhë më 3 Shtator 2020 për normalizimin ekonomik midis Serbisë dhe Kosovës. Sepse konflikti në Kosovë nuk ndodhi për shkaqe ekonomike, por nga genocide, shtypja dhe diskriminimi i paparë serb.
Megjithatë, Trump vazhdon t’i mëshojë dhe të fetishizojë transaksionalizmin.
Për këtë qëllim, ai po vendos në shkallë të gjerë tarifa ndaj mallrave të importit, duke i përdorur ato si armë kundër kujtdo pa dallim dhe pa përjashtim, pavarësisht nëse është aleat, partner, klient apo kundërshtar i tij. Në momentin kur dikush i del kundër në aspekte të ndryshme, siç ndodhi edhe në rastin e blerjes/ pushtimit të Groenlandës, ai i sanksionon me tarifa dhe me luftë të pamëshirshme tregtare. Mirëpo kjo nuk ka shans në një botë globale, ku BE-ja dhe Kina, sidomos BRICS dhe Jugu Global ”të bëjnë gjëmën po u ”hipi gjaku në kokë”.
Ndaj, ekspertët e huaj, përfshi edhe ata amerikanë paralajmërojnë se tarifat jo vetëm nuk do të jenë “çlirimi i dytë” por mund të kthehen në bumerang, madje vetëvrasje politike, ekonomike dhe financiare dhe për SHBA-të. Kjo u duk qysh në vitin e parë të Presidencës Trump, kur janë çelur 10 herë më pak vende pune se në 4 vitet e Presidencës Biden. Ca më tepër se gjendja tani në SHBA, në Europë dhe në botë është krejtësisht e ndryshme krahasuar me periudhën përpara vitit 1945. Falë Globalizmit të përhapur kudo në 80 vitet e fundit, ekonomia botërore është integruar shumë dhe SHBA-të do të dëmtoheshin tej mase nga kundërmasat.
Mirëpo, edhe katalogu i tyre nga vendet dhe grupimet e lartpërmendura është tejet i larmishëm dhe i frikshëm; ndaj, sipas ekspertëve të fushës edhe SHBA-të rrezikojnë të “dalin me këpucë të kuqe” nga e ashtuquajtura ËË.FEE (Lufta Botërore e Tarifave), term që përdoret për analogji me Luftën e Tretë Botërore.
Ish-kryekonomisti i FMN-së, profesori i shquar i Harvardit, Kenneth Rogoff e thotë troç se “ky është eksperimenti më i keq ekonomik pas Luftës së II Botërore”. Ndërsa kryemenaxheri i Fondeve Federale të Investimeve amerikane, miliarderi Ackman shprehet se “me këto tarifa Trump po shkon drejt një ‘lufte atomike’ me çdo vend të botës, se ky është gabimi më i madh që vjen nga një aritmetikë e keqe politike”.
Mirëpo, të pakënaqur nuk janë vetëm ekspertët dhe analistët. Fakt është se këto politika të gabuara ekonomike kanë hasur në shumë kundërshtime edhe në vetë kampin republikan, çka e ka shtrënguar Presidentin Trump të përdorë fuqinë presidenciale që Gjykata e Lartë e shpalli të paligjshme. Ndërkohë, këto politika janë një nga shkaktaret kryesore të rënies së ndjeshme të pëlqyeshmërisë publike për Trump në vitin e tij të parë presidencial. Lehtësimi që u ndje te popullsia amerikane pas anulimit të tarifave të importit nga Gjykata e Lartë tregon se ato jo vetëm nuk kanë patur ndonjë ndikim pozitiv te konsumatorët por kanë rritur inflacionin dhe kanë shtrenjtuar çmimet e artikujve bazë. Më e keqja për Administratën e Presidentit Trump është se transaksionalizmi do ndikojë negativisht në zgjedhjet përcaktuese të mesmandatit për Kongresin në Nëntor.
Nga ana tjetër, duke e zëvendësuar gradualisht forcën e ligjit me ligjin e forcës, multilaterizmin me multipolaritetin dhe ndarjen e botës në zona influence, Trump joshet nga fitimet e mëdha tregtare që sjell përfundimi i një konflikti apo lufte, duke injoruar faktorët dhe kostot e tjera të rëndësishme. Ja, shiheni, edhe për paqen në Gaza Trump ka folur më shumë në terma biznesi, për kthimin e saj në një oaz turistik, falë projektit 40 miliard Euro, edhe pse kjo tingëllon ” luks” përballë sfidave të pafund të paqes, sigurisë dhe stabilitetit atje.
Mirëpo, sa më shumë të zgjatet lufta dhe paqja në Gaza dhe në Lindjen e Mesme, aq më shumë shtyhen vjelja e fitimeve të majme. Ndaj Trump po këmbëngul që ajo të mbarojë një orë e më parë; pak rëndësi ka për të nëse kjo paqe me kushtet ruse mund të kthehet në një pushtim të ri dhe kapitullim të Ukrainës dhe bashkë me të më vonë edhe të Europës, për ta kthyer atë në zonë influence ruse.
Kjo sepse sipas doktrinës transaksionaliste Trump, në themel të gjithë marrëveshjeve për paqen qëndron fitimi ekonomiko-tregtar. Kështu, në zbatim të Marrëveshjes së Paqes midis Armenisë dhe Azerbaixhanit të nënshkruar më 8 Gusht 2025 në Shtëpinë e Bardhë, SHBA-të do të kenë të drejtën ekskluzive të zhvillimit për 99 vite të korridorit gjigand që mban emrin ” Trump” të paqes dhe begatisë ndërkombëtare ( TRIPP); ai do të lidhë ato dy vende me Azinë dhe Europën. Në vizitën e tij më 10 – 11 Shkurt në Baku dhe në Jerevan, zv.Presidenti amerikan J.D.Vance nënshkroi dy marëveshje strategjike mbi mbrojtjen dhe ekonominë.
Po ashtu, rrëmbimi spektakular i Maduros pa krijuar as ndryshimin më të vogël në qeverisjen në Karakas shpjegohet po me me këtë motiv. SHBA do që Venezuela dhe gjithë Amerika të jenë zonë amerikane e influencës. Atij as që i intereson rivendosja e demokracisë, por vetëm përfitimet e majme nga nafta. Ndaj, edhe në fjalën përpara Kongresit mbi gjendjen e vendit më 24 Shkurt, Trump përmendi si suksesin më të madh të arrestimit të Maduros vetëm përfitimin e 80 Milion fuçi nafte nga Venezuela pa asnjë fjalë për demokracinë! Të njëjtin synim ka edhe me Iranin, si pjesë të zonës së tij të influencës në Lindjen e Mesme. Vetëm se Teherani ndryshon nga Karakasi, mbasi veç tensioneve të brendshme, nisur nga kapacitetet shumë më të mëdha ushtarake iraniane, lufta mund të shtrihet më gjerë në rajon, duke shkaktuar miliarda dollarë humbje për SHBA-të. Ndaj nuk po nguten, por po ndjekin taktikën ” tërhiq e mos e këput” ose “mat shtatë herë dhe prit një herë”!
—-
©️Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
