Nga Dilaver Goxhaj
Në këtë Konferencë u vendos mobilizimi i gjithë popullit për Luftë Çlirimtare.
(Marrë prej “Vështrimit kritik” të historianit Kristo Frashëri: “Mbi historinë e Ballit Kombëtar”, Tiranë, 2012, f.37-42)
Kur më 16 Shtator 1942 u mblodh Konferenca e Pezës, organizatorët e së cilës dihet se qenë udhëheqësit e Partisë Komuniste, të cilët ishin të bindur se në arenën politike të Shqipërisë, përveç partisë së tyre nuk ekzistonte asnjë parti tjetër antifashiste. Gjithashtu, komunistët ishin në dijeni se, në konstelacionin politik të shoqërisë shqiptare ekzistonin edhe dy rreshtime politike antifashiste, por të paorganizuar politikisht – simpatizantët e mbretit Zog, të cilët në Shqipëri në vitin 1942 i përfaqësonte Abaz Kupi, si dhe krahas tyre ekzistonin nacionalistët demokratë të frymëzuar me ide perëndimore republikane, të cilët lëvrinin si elektrone të lirë në kërkim të një identiteti partiak; por ekzistonte edhe një grupim tjetër politik, anëtarët e të cilit para pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste bënin pjesë në emigracion në organizatën “Bashkimi Kombëtar” me program demokratik-republikan, por që pas 7 prillit 1939 organizata e tyre ishte shthurur dhe shumë prej tyre ishin shndërruar në kolaboracionistë të okupatorit fashist italian.
Madje, krerët e kësaj organizate, si Ali Këlcyra, Qazim Koculi, Kol Tromara, Koço Muka, Rexhep Mitrovica me në krye Mustafa Krujën, ishin treguar të gatshëm ta ndihmonin Benito Musolin-in në pushtimin ushtarak të Shqipërisë më 7 prill 1939. Dihet se, synimi që pati PKSH-ja në Pezë ishte që aty të vinin sa më tepër patriotë të njohur të rrymave të ndryshme politike antifashiste, të cilët të merrnin pjesë bashkërisht në themelimin e Frontit Antifashist Naional Çlirimtar.
Madje, duke shfrytëzuar mungsën e një organizate patriotike nacionaliste udhëheqësit komunistë synonin që ata të përqëndronin në duart e PKSH-së, nëpërmjet Frontit NÇL, që të krijonin në Pezë drejtimin e mbarë lëvizises antifashiste shqiptare të çlirimit nacional. PKSH-ja mendonte se rrethanat për të realizuar synimin e saj ishin të favorshme, mbasi, në Shtatorin e vitit 1942, kur u mblodh Konferenca e Pezës, në Shqipëri nuk ekzistonte, siç u tha, asnjë parti militante nacionaliste, e cila po të kishte ekzistuar do ta kishte marrë ajo vetë nismën e një Konference si ajo e Pezës, ashtu si partitë nacionaliste të mbarë Evropës.
Vetëkuptohet se në Konferencën e Pezës nuk u ftuan as anëtarët e Partisë Fashiste Shqiptare (themeluar më 23 prill 1939), as anëtarët e dikurshëm të “Bashkimit Kombëtar”, tani të kthyer në kolaboracionistë të okupatorit fashist Italian.
Krahas delegatëve të Partisë Komuniste, aty u ftuan edhe mjaft nacionalistë të brezit të ri që njiheshin si antifashistë. Midis atyre që u ftuan ishin edhe tri personalitetet e spikatura të lëvizjes patriotike shqiptare të asaj kohe: Ndoc Çoba, Mit’hat frashëri dhe Abaz Kupi. Ndoc Çoba, një republikan demokrat, i cili njihej si një patriot i ndershëm dhe antifashist, e pranoi ftesën që atij ia paraqiti Mustafa Gjinishi në emër të nismëtarëve për të marrë pjesë në Konferencë. Edhe Abaz Kupi, i cili qëndronte në arrati brenda vendit dhe nuk e fshihte se ishte një monarkist zogist, u tregua i gatshëm të shkonte në Pezë.
Përkundrazi, Mit’hat Frashëri, figura më e spikatur e nacionalistëve shqiptarë, hezitoi: as pranoi, as kundërshtoi të merrte pjesë në Konferencën e Pezës. Ai i la Mustafa Gjinishit të kuptonte, se atij i duhej të shihte zhvillimin e mëtejshëm të ngjarjeve. Megjithatë, ai deklaroi, se do të dërgonte në Pezë një vëzhgues. Ky ishte Halim Begeja, biri i juristit Ali Begeja, deputet i dikurshëm i Tiranës në Parlamentin Shqiptar, përkrahës i Revolucionit të Qershorit dhe mik i vet Mit’hatit.
Kështu, ndërsa Ndoc Çoba shkoi në Pezë si nacionalist i pavarur – por dhe Abaz Kupi, i cili u deklarua hapur se përfaqësonte lëvizjen zogiste – ndërsa Halim Begeja shkoi me titullin politik: Sekretar i Rinisë Nacionaliste Shqiptare, organizatë, e cila deri atëherë nuk kishte dhënë shenja të ekzistencës së saj.
Në Konferencë asistuan gjithsej 31 deputetë, nga të cilët 25 me të drejtë vote, kurse 6 të tjerë si dëgjuesa. Nga të 25 delegatët me të drejtë vote, 8 ishin anëtarë të PKSH-së (Enver Hoxha, Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Koço Tashko, Kristo Themelko, Nako Spiro, Kadri Hoxha, Gjin Marku); kurse 17 ishin nacionalistë jo komunistë (Myslim Peza, Baba Faja, alias Mustafa Xhani, Ndoc Çoba, Abaz Kupi, Kristo Harito, Muharrem Bjraktari, Sami Jegeni, Tahsim Bishqemi, Dule Çela, Kamber Qafmolla, M. Juniku, Skënder Muço, Azis Çami, Ramazan Jarani, Halim Begeja, Sulo Bogdo, Ismail Petrela).
Në Rezolutën e miratuar nga Konferenca e Pezës, më 16 Shtator 1942, flitet në hyrje se aty kishin ardhur “delegatë nga të gjitha anët e Shqipërisë përfaqësues të të gjitha tendencave të nacionalizmit shqiptar, të Partisë Komuniste Shqiptare, të Rinisë Nacionaliste, të Rinisë Komuniste dhe të Rinisë Femnore Shqiptare”.
Sikurse shihet, në Rezolutën e Konferencës përmendet vetëm Partia Komuniste, kurse Lëvizja e Legalitetit dhe e Ballit Kombëtar nuk zihen në gojë. Kjo për arsye se ato nuk ishin themeluar ende si organizata politike, (faktikisht Balli Kombëtar u themelua nga mesi nëntorit 1942, ndërsa Partia Lëvizja e Legalitetit më 16 nëntor 1943).
Nga procesverbali i mbajtur del se Konferencën e hapi Ndoc Çoba, i cili dihet se kishte çelur edhe punimet e Kongresit të Lushnjës në vitin 1920.
Në konferencë u mbajtën disa referate nga themelues të Partisë Komuniste – nga Ymer Dishnica (mbi strukturën politike të jashtme dhe të brendshme), nga Enver Hoxha (mbi Këshillat Nacionalçlirimtare) dhe nga Nako Spiru (mbi rininë antifashiste). Pas tyre e morën fjalën shumë delegatë nacionalistë, por askush prej tyre nuk e përmendi as emrin e Ballit Kombëtar, as edhe të Lëvizjes së Legalitetit. Madje as emrin e organizatës Balli Kombëtar nuk e përmendën as Ramazan Jarani, as Skënder Muço, as Azis Çami apo Halim Begeja, të cilët pak më vonë shfaqen si militantë të saj. Veç kësaj, kur Halim Begeja e mori fjalën theksoi, sipas procesverbalit, “nevojën e vërejtjes mbi situatën politik, të cilën ne (nacionalistët), – tha ai, – e ndjekim me admirim. Deri sot, – vazhdoi ai – ndoshta nuk kemi bërë gjë, por që sot e tuje ne do të jemi gati në sabotime e në spastrime, kudo që do të vendosë ky popull. Disa mund të thonë që komunizmi do të na vijë. Në qoftë se komunizmi invadon botën, sikur të gjithë nacionalistët të ngrihen me mitraloza, nuk mund të bëjnë asgjë. Gjithashtu, nacionalizmi nuk mund të pengohet nga komunizmi. Në qoftë se populli zgjedh komunizmin, ne do ta vazhdojmë vullnetin e tij. Pra, për të ardhmen të lëmë suprem popullin…
Derisa komunistët pranojnë popullin suprem, edhe ne prandaj nuk kemi kundërshtim me komunistët”.
Për krijimin e një fronti të përbashkët lufte kundër okupatorit të huaj delegatët nacionalistë nuk patën kundërshtime, bënë vetëm vërejtje dhe sugjerime. Ata nuk qenë dakort, për shembull, që luftëtarët e çetave të organizuara nga PKSH-ja të quheshin partizanë dhe të mbanin në kësulë yllin pesëcepësh me ngjyrë të kuqe – ndryshe nga pjestarët e çetave partizane nacionaliste, të cilët do të quheshin jo partizanë, por thjeshtë luftëtarë dhe do të mbanin mbi krye shqiponjën dykrenare pa yll.
Ramazan Jarani nga ana e tij propozoi që PKSH-ja të mos dilte udhëheqëse e luftës, mbasi, sipas tij udhëheqja u takonte nacionalistëve.
Për të qetësuar delegatët nacionalistë, me propozimin e PKSH-së, në krye të koalicionit antifashist u vendos të zgjidhej një Këhill i Përgjithshëm i Lëvizjes NÇL, me këta 9 anëtarë: Kamber Qafmolla (kryetar), Mustafa Gjinishi (sekretar), Abaz Kupi, Myslim Peza, Ndoc Çoba, Ymer Dishnica, Enver Hoxha, Mustafa Xhani, Haxhi Lleshi.
Raporti ishte, pra, 3 komunistë (M.Gjinishi, Y. Dishnica, E. Hoxha) dhe 6 nacionalist (K.Qafmolla, A. Kupi, M.Peza, N. Çoba, M. Xhani, H. Lleshi).
Shkurt, mund të thuhet se arsyeja përse në punimet e Konferencës së Pezës nuk përmendet emir i Ballit Kombëtar, ishte, siç u tha, se deri në shtator të vitit 1942 Balli Kombëtar nuk ishte themeluar si organizatë politike.
Fill pas Konferencës së Pezës, PKSH-ja ran ë dijeni rreth përpjekjeve që po bëheshin për formimin e Ballit Kombëtar. Pa kaluar dy javë disa nga pjesëmarrësit e Konferencës, si për shembull: Ndoc Çoba, Kamber Qafmolla, Ramazan Jarani, Ismail Petrela, të cilët e kishin miratuar programin e e Pezës dhe kishin pranuar të merrnin pjesë në Këshillin e Përgjithshëm Antifashist Nacional Çlirimtar njoftuan se nuk e shihnin Lëvizjen Antifashiste ende të dobishme, po ashtu nuk e shihnin as veten e tyre të përshtatshëm për të marrë përgjegjësinë e drejtimit të Lëvizjes.
D. Goxhaj: Balli Kombëtar, duke qenë se “nuk e shihnin as veten e tyre të përshtatshëm për të marrë përgjegjësinë e drejtimit të Lëvizjes”, me të drjtë u akuzua organizatë tradhëtare, pasi vepron sipas përcaktimit të Himnit tonë Kombëtar:
“Prej lufte veç ai largohet, Që është lindur tradhëtor, Kush është burrë nuk frigohet, Po vdes, po vdes si një dëshmor.” Prandaj dhe në filozofi thuhet: “Sekreti i Lumturisë është LIRIA; sekreti i Lirisë është KURAJUA.”
