Erjon Vishkulli, 28-vjeçari që mbeti i plagosur në sy pasi u qëllua me një plumb gome nga Policia gjatë protestës studentore të 24 Tetorit është paraqitur mesditën e kësaj të mërkure, 25 Nëntor, në Prokurorinë e Tiranës.
Plagosja e tij është pjesë e hetimeve që Prokuroria ka nisur për përdorimin e dyshuar joproporcional të forcës nga efektivët e Policisë. Organi i akuzës ka regjistruar procedimin për veprat penale që lidhen me shpërdorimin e detyrës dhe kryerjen e veprimeve arbitrare.
Në kuadër të hetimeve, janë administruar pamjet filmike të kamerave të sigurisë të vëna në dispozicion nga Banka e Shqipërisë, si dhe kartela mjekësore e të riut pranë Spitalit Universitar të Traumës.
Një tjetër element i rëndësishëm i hetimit është bashkëpunimi me autoritetet italiane, prej të cilave Prokuroria synon të sigurojë dokumentacionin mjekësor të Vishkullit dhe materialin e nxjerrë gjatë ndërhyrjes kirurgjikale, për t’iu nënshtruar ekspertizës.
Vishkulli u dëmtua në sy gjatë përplasjes me policinë, pasi dyshohet se u godit nga një plumb gome. Për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, 28-vjeçari u transportua drejt Italisë, ku iu nënshtrua ndërhyrjeve kirurgjikale në përpjekje për të shpëtuar shikimin.
j.l./ dita
