Ka nisur dje zyrtarisht aplikimi për pranimet e reja në universitete. Të gjithë maturantët dhe kandidatët e tjerë që do të rikthehen në garë gjatë këtij viti për studimet e larta, kanë afat deri në datën 3 gusht për të përfunduar plotësimin e formularit A2, ku duhet të përcaktojnë 10 degët e tyre më të preferuara (radha e renditjes nuk ka rëndësi), me anë të të cilave do të konkurrojnë për të fituar të drejtën e ndjekjes së studimeve universitare, si në strukturat publike, ashtu edhe në ato private të arsimit të lartë që veprojnë në vendin tonë.
Sikundër është deklaruar edhe pak më herët nga autoritetet e dikasterit të Arsimit, sistemi online i aplikimit për plotësimin e formularit A2, do të jetë i hapur vetëm për kandidatët që kanë shlyer tarifën e aplikimit për universitetin në afatet e caktuara dhe që plotësojnë kriterin e notës mesatare minimale të konkurrimit sipas çdo programi studimi. Kandidatët e tjerë që nuk plotësojnë këto dy kushte, do të duhet të presin aplikimet e radhës që do të zhvillohen gjatë muajit shtator për kuotat e reja të pranimeve që do të realizohen gjatë Raundit të dytë.
Përzgjedhja e degëve
Për të bërë një përzgjedhje të degëve ku keni më shumë shanse për të qenë fitues, autoritetet e arsimit, udhëzojnë maturantët që të vlerësojnë me kujdes jo vetëm kriteret e pranimit të miratuara nga universitetet për çdo degë, por edhe pikët e fituesit të fundit të regjistruar në secilin program studimi gjatë Raundit të Parë të vitit të shkuar. Kështu ju do të mund të vlerësoni me kujdes dhe të krijoni një ide më të qartë, se cilat janë degët ku shanset për të qenë fitues janë më të mëdha. Në vijim të shkrimit do të gjeni të plotë renditjen e pikëve të fituesve të fundit të regjistruar në Raundin e parë të aplikimeve për vitin 2021, si për programet e studimit në universitetet publike, ashtu edhe në ato private në të gjithë vendin.
Plotësimi i formularit A2
Aplikimi për maturantët dhe të gjithë kandidatët e tjerë që rikthehen në garë për studimet e larta do të bëhet nga portali online “u-albania” në adresën: www.ualbania.al . Pasi të keni hyrë në sistem duke plotësuar të dhënat përkatëse në hapsirën tuaj personale, duhet të shkoni tek seksioni i aplikimit. Në seksionin e aplikimit mund të shikoni statusin e aplikimit tuaj. Statusi i aplikimit mund të jetë në 3 gjendje, jo aktiv, aktiv, si dhe përfundimtar. Statusi “jo aktiv” tregon që ju nuk keni konfirmuar ende pagesën pranë mbikëqyrësit të shkollës, e për pasojë nuk mund të vijoni me procedurat e mëtejshme të plotësimit të Formularit A2. Statusi aktiv tregon që ju mund të plotësoni preferencat tuaja, pasi është konfirmuar pagesa e aplikimit në sistem. Ndërsa statusi përfundimtar, tregon se ju keni përfunduar me sukses hedhjen e prefrencave gjatë plotësimit të formularit A2.
Aplikimi për zgjedhjen e preferencave do të mund të kryhet në cilindo mjedis që ka akses interneti (sipas procedurave të përshkruara në udhëzuesin teknik, të publikuar në faqen zyrtare të portalit U-Albania). Kandidatët zgjedhin deri në 10 programe studimi nga lista e programeve të studimit, që ofrohen nga institucionet e arsimit të lartë publike/jopublike, për garën e pranimeve të vitit të ri akademik 2022-2023.
Sipas ekspertëve të arsimit, të drejtën për të konkuruar për studimet e larta për këtë vit e kanë të gjithë maturantët dhe kandidatët e tjerë që kanë përfunduar me sukses studimet e arsimit të mesmë të lartë dhe që plotësojnë këto katër kushte:Janë pajisur me dokumentacionin përkatës ligjor të përfundimit të studimeve të shkollës së mesme, plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, plotësojnë kriteret shtesë të përcaktuara nga universitetet për programet në të cilat konkurojnë, si dhe nuk rezultojnë të regjistruar në asnjë program tjetër studimi, duke përjashtuar këtu nxënësit dhe studentët e shkëlqyer. Maturantët dhe kandidatët e tjerë që do të aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve dyvjeçare me karakter profesional nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave.
“Duke filluar nga sot e deri në datën 3 gusht, portali U-Albania do të jetë i hapur për ju që të bëni aplikimet. Ju sugjeroj që të mbështeteni në prirjet dhe pasionet tuaja, por gjithashtu të konsultoheni edhe një herë me mësuesit dhe prindërit, në mënyrë që të bëni zgjedhjen e duhur dhe të rrisni më shumë mundësitë për të fituar programin më të përshtatshëm për ju. Do t’ju ftoja që të keni në vëmendje maksimale edhe programet e studimit që ne i kemi cilësuar si prioritet kombëtar. Siç e dini, këto programe lidhen me disa fusha të shkencave humane, mësuesisë, shkencave natyrore, inxhinierisë, bujqësisë dhe shërbimeve. Studentët ekselentë dhe ata që zgjedhin programet prioritare do të përfitojnë përjashtim nga tarifat dhe bursa mujore me vlerë sa paga minimale, sipas parashikimeve të bëra në vendimin e posaçëm të Këshillit të Ministrave”, ka deklaruar nëpërmjet një postimi të bërë në rrjetet sociale ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi. Nisur nga marrëveshja e fundit që është nënshkruar me Kosovën, ministrja Kushi ka ftuar edhe të rinjtë dhe të rejat nga Kosova që të aplikojnë për të ndjekur studimet e larta në universitetet tona, me të drejta të barabarta njësoj si studentët në Shqipëri.