Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, ishte edhe në Pezë, ku zhvilloi një takim edhe me socialistët Vaqarrit dhe Ndroqit, ku vuri theksin te investimet e bëra në këtë zonë, të cilat kanë rritur vlerën e pronës për të gjithë banorët. Ai përmendi fshatin e ri që po ndërtohet në Pezë, për strehimin e të gjitha familjeve që u prekën nga tërmeti i nëntorit 2019.
“Fshati i ri në Pezë do të jetë “qershia mbi tortë” pas Vaqarrit dhe Ndroqit. Por, duhet të kuptojmë se vota ka rëndësi dhe nuk është tifozeri. Është e rëndësishme që fëmijët të rriten në një zonë urbane, ku shkollën e kanë afër, po ashtu edhe kopshtin, ku kanë mundësi të mësojnë si kodohet, të ndjekin një kurs muzike apo të merren me sport. Para Ndroqit, hapëm fshatin e ri në Vaqarr, i cili ndodhet vetëm një stacion autobusi nga Kombinati”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku shtoi se kush voton Partinë Socialiste, voton për njerëz që mendojnë për të ndihmuar dhe jo për njerëz që bllokojnë apo parti ku një herë kandidon burri, një herë gruaja.
“Këto takime janë edhe një mundësi për të komunikuar me njerëzit, për t’u thënë se kur votoni për Partinë Socialiste, nuk votoni për çunin apo gocën e mirë të fshatit, por për njerëz që ndihmojnë njerëz, që provuan se në ditët më të vështira, ishin aty, reaguan, shpëtuan njerëz dhe në ato ditë të vështira ndërtuan këto realitete të reja. Ne jemi duke menduar kë do të ndihmojmë tani, çfarë ngërçi do të zhbllokojmë tani, çfarë situate do të zgjidhim tani. Për partitë e tjera njerëzit nuk kanë kuriozitet se ato një herë i drejton burri, një herë gruaja. Kurse partinë tjetër një herë e drejton një non-grata, një herë non-grata tjetër. Edhe ithtarët e tyre e dinë se janë pa perspektivë, pa të ardhme, nuk kanë vota se nuk i mbështet njeri njerëzit që përçajnë të tjerët, që i dhunojnë të tjerët, që i pengojnë të tjerët. Unë dua që këto zgjedhje të jenë model”, theksoi Veliaj.
Sipas drejtuesit të PS për Qarkun e Tiranës, pyetja që duhët t’i bëjnë vetes njerëzit është: kush të qëndron pranë në ditë të vështira? Përgjigja: Partia Socialiste është gjithmonë aty! Ndryshe nga kundërshtarët, që kujtohen vetëm kur afrojnë zgjedhjet.
“Në Pezë kemi ndërtuar 4 shkolla të reja. Nxënësit nuk kanë më nevojë të udhëtojnë larg dhe të shpenzojnë kohë për të mësuar. Ne si socialistë, në dallim nga të tjerët – që kujtohen vetëm kur vijnë zgjedhjet, për të xhiruar gomat nëpër fshatrat tona – e kemi kokën lart sepse kemi një regjistër të gjërave që kemi bërë. Themi: Ej, këto shkolla nuk i kishim parë kurrë, i kemi bërë ne; edhe këto lagje të reja, me infrastrukturë ultra moderne; edhe lagjen e re Ndroq, ku kemi edhe një vendparkim, edhe një shesh për komunitetin; kemi sjellë edhe një infrastrukturë moderne në Vaqarr, tani po vazhdojmë matanë lagjes; po vazhdojmë me qendrën shëndetësore, por kemi bërë kopshtin e ri dhe po bëhet shkolla e re aty”, përfundoi kreu i Bashkisë së Tiranës.
j.l./ dita
Po , po , Veliaj ju ka rritur vleren e prones….Qe kur te mendoni per te blere nje apartament per te jetuar tju bjere dambllaja e Velise.
Po ben shkolla te reja se ke vendosur taksen per shkollen qe e paguajne edhe nje pjese e pensionisteve….
Prandaj mos kundershtoni, edhe Veliaj na qendron prane ne dite te veshtira, na kujton me taksat, rritjen e cmimit te apartamenteve, ndryshe nga cfare premtoi ne vitin 2015, per uljen e ketyre cmimeve,
Por ske cfare i ben, i dhame voten dhe po na e shperblen….