Arben Ahmetaj ka publikuar audiopërgjimin e shumëpërfolur, duke zbuluar se në të shfaqet emri i Ron Yeffet dhe se biseda lidhet me Delvinën. Ish-zëvendëskryeministri thotë se materiali zbardh një skemë për marrjen e pronave të shqiptarëve përmes të ashtuquajturit “koncept KAYO”, ndërsa akuzat i drejton te Edi Rama.
Arben Ahmetaj ka publikuar audiopërgjimin e shumëpërfolur që kishte paralajmëruar se do ta nxirrte gjatë intervistës së tij. Materiali, sipas ish-zëvendëskryeministrit, ka në qendër izraelitin Ron Yeffet, ndërsa çështja lidhet me Delvinën dhe kompaninë KAYO.
Sipas Ahmetajt, në qendër është një operacion që ai e përshkruan si përpjekje për t’ia kaluar atë Ron Yeffet përmes të njëjtit model të përdorur me kompaninë KAYO.
“Dhe këtu përmendet, bëhet fjalë për grabitjen e Delvinës me të njëjtin koncept, konceptin KAYO. Shqiptarët duhet ta dinë që kreu i organizatës, së bashku me plaçkën, kanë më shumë se 9 muaj a 10 muaj që tentojnë të grabisin Delvinën për t’ia dhënë Ron Yeffet-it me konceptin KAYO. Çfarë do të thotë koncepti KAYO, do ta shpjegoj tek TIMAK Defense-i”, deklaroi Ahmetaj.
Sipas tij, bëhet fjalë për një model ku fillimisht krijohet një kompani shtetërore dhe më pas ndërtohen shoqëri të përbashkëta me privatët, ku shteti mbetet në minorancë.
“Koncepti KAYO është: shteti krijon një kompani, siç ka krijuar KAYO-n. Dhe pastaj këtu fillojnë joint ventures, me 80% dhe 20% shteti shkretë. Dhe devijohen paratë e buxhetit të shtetit dhe shërbime, pa tender, në mënyrë kriminale tek kompanitë bija të KAYO-s, ku KAYO është 20% që nuk ekziston. Pra 20%. Dhe nuk hedhin asnjë cent. Do ta shikojmë tek TIMAK Defense. Vetëm thithin gjakun e shqiptarëve. Këto janë krijesa të Edi Ramës”, tha Ahmetaj.
Ish-zëvendëskryeministri tha se pikërisht këtë model sheh pas asaj që diskutohet në përgjim për Delvinën. Ai solli edhe një pjesë të bisedës që, sipas tij, dëgjohet në material, ku diskutohet për kontributin financiar dhe ndërtimin e pjesës teknike.
“Është influenca e Ron Yeffet-it, që ta dini. Dhe këtu bëhet fjalë që të grabitet Delvina. Madje diku që është aty thotë: ‘Nuk keni nevojë për para, ndërtoni pak pjesën teknike se kështu do na duhet kontributi’. Se vetë s’ka hedhur asnjë cent. Do ta shohim te TIMAK Defense, që do jua tregoj pas kësaj kur të mbarojmë videopërgjimet”, deklaroi Ahmetaj.
Duke vijuar shpjegimin e asaj që, sipas tij, fshihet pas modelit KAYO, Ahmetaj e zgjeroi denoncimin edhe te sektori i shëndetësisë. Ai tha se një formulë e ngjashme po përgatitet edhe atje dhe iu drejtua deputetëve socialistë që kishin votuar ligjin për KAYO-n.
“I lutem deputetëve të partisë time që votuan ligjin e KAYO-s, të mos e ulin kokën dhe të ngrenë dorën. Se po ju vjen ligji në shëndetësi. Është i njëjti koncept, KAYO concept, me izraelitin tjetër, Sani. Që e paska deklaruar dhe në grup, ka thënë ministrja iku se nuk firmosi, po le ta mohojë po deshi, se nga brenda grupit më ka ardhur. Po ka thënë që ne do bëjmë një gjë fantastike pa tender me izraelitin për në shëndetësi. Prandaj ka dhënë dorëheqjen ministrja”, tha Ahmetaj.
Ahmetaj përmendi më pas edhe ministrin Ermal Nufi që del te përgjimi, duke e lidhur pozicionin e tij të mëparshëm në bordin e KAYO-s me zhvillimet që ish-zëvendëskryeministri thotë se do të shpjegojë më tej në fushën e mbrojtjes.
“Dhe sigurisht që Ermal Raketa (Ermal Nufi), që atë ditë ka qenë zëvendëssekretar i përgjithshëm, që u bë kryetar i bordit të KAYO-s, që përfaqësonte kreun e organizatës në bord, u bë ministër i Mbrojtjes”, deklaroi Ahmetaj.
Në fund të kësaj pjese, Ahmetaj paralajmëroi se do të publikojë edhe të dhëna mbi transfertat financiare, të cilat i paraqiti si pjesën që do të tregojë se ku përfundojnë paratë publike.
“Tani do shohim transfertat. Paratë e shqiptarëve si u shkojnë miqve, klientëve dhe kreut të organizatës. Çmenduri! Është për të vënë duart në kokë. Unë brenda grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ka çfarë të duash ti. Ka korrupsionist, antikorrupsionist, pseudo-antikorrupsionist. Nuk është ndjerë njeri për këtë, nuk është ndjerë njeri për plaçkitjen. Nuk është ndjerë! Votojnë këtë, po them unë brenda grupit parlamentar, Komisionit të Ekonomisë, Komisionit të Ligjeve”, tha Ahmetaj, i cili e quajti Ramën “qeliza alfa kancerogjene e Shqipërisë dhe PS-së”.
