Një moment paqeje dhe mirëkuptimi është regjistruar gjatë ditës së sotme në Elbasan mes të rinjve që protestojnë dhe forcave të Policisë së Shtetit, pas tensioneve të shënuara gjatë marshimit në rrugët e qytetit.
Pasi përshkuan disa nga akset kryesore, grupi i të rinjve iu drejtua godinës së Bashkisë së Elbasanit. Në ambientet e jashtme të institucionit, oficeri i policisë Perlat Hamitaj ka dalë për të biseduar miqësisht me protestuesit.
Të rinjtë e kanë mirëkuptuar mesazhin e oficerit të policisë dhe janë vendosur qetësisht përballë godinës së bashkisë, ku kanë vijuar të bëjnë thirrje “Rama, jep dorëheqjen!”.
Në një video shihet një oficer policie teksa përqafohet me të rinjtë, duke dhënë mesazhin e kundërt me dhunën që po shohim këto ditë në rrugët e Tiranës.
Pas thirrjeve dhe realizimit të një fotografie të përbashkët në vendngjarje, grupi i protestuesve është shpërndarë pa incidentë të mëtejshëm.
