Deputeti demokrat, Kliti Hoti u qëllua me plumb gome gjatë protestës së 29 nëntorit. Ai ishte në mesin e një grup protestuesish në bulevard, pranë ish-hotel Dajtit, kur siç shihet në pamje, një polic e qëllon me plumb gome, i cili e kap në shpatullën e djathë.
Ligjvënësi opozitar përfundoi i shtrirë në rrugë për pak kohë, derisa një ambulancë erdhi dhe e dërgoi në spitalin e Traumës. Dinamika është ende e paqartë. Në pamje shihet se si inspektori i policisë Ersild Alliu, tërhiqet një moment nga krahët nga dy kolegë të tij për ta distancuar.
Të tre janë duke u larguar, por në një moment inspektori Alliu kthehet, duke ngritur pushkën e duke qëlluar. Në çast, deputeti Hoti shihet të bjerë në tokë mes britmave të dhimbjes. Në zonën e shpatullave dallohet vrima e plumbit të gomës. Në ndihmë të tij vullnetarë të kryqit të kuq që u gjendën aty.
AMP në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës kanë nisur një hetim për veprimet e policit dhe deri atëherë, efektivi Alliu është pezulluar nga detyra.
Policia e Shtetit tha se nuk ka pasur asnjë urdhër për të qëlluar me plumb gome, por sipas tyre kemi të bëjmë me një veprim individual të policit.


“Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor, bazuar në pamjet filmike dhe faktet lidhur me veprimet individuale të tij, pasi punonjësi nuk kishte marrë urdhër për të qëlluar me plumba gome. Ndërkohë, në lidhje me të njëjtin rast, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur menjëherë veprimet hetimore”, tha Drejtori i Drejtorisë së Rendit Publik, Agron Çeli.
Ministri i Brendshëm, Ervin Demo deklaroi se askush nuk është mbi ligjin “aq më tepër një punonjës i Policisë së Shtetit, që ka për detyrë ta zbatojë dhe ta mbrojë atë.”
“Pasi jam vënë në dijeni të një rasti të dyshuar të përdorimit joproporcional të forcës nga një punonjës i policisë në mënyrë individuale, i kam kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit pezullimin e menjëhershëm të efektivit në fjalë, si dhe nisjen e procedurave për hetimin e plotë të ngjarjes”, shkroi Demo.
Sali Berisha i shoqëruar nga një grup deputetësh demokratë dhe të Partisë së Lirisë, mbërriti menjëherë në spitalin e Tarumës dhe bëri përgjegjës kryeministrin Edi Rama, që sipas tij, “dha urdhër që Kliti Hoti të vritej”. Madje sipas Berishës, “polici mori shenjë në zemër por një forcë e mbinatyrshme e ktheu”.
o.p. / dita
