Të gjithë maturantët dhe kandidatët që nuk u shpallën fitues në asnjë program studimi universitar përgjatë realizimit të Raundit të parë të pranimeve, kanë mundësi të rikthehen sërish në garë për kuotat e lira. Kjo kategori maturantësh do të mund të konkurrojë në Raundin e dytë të pranimeve, në të cilin do të plotësohen të gjitha kuotat e lira të mbetura në çdo institucion të arsimit të lartë, qoftë ky publik apo privat. Pjesë e këtij konkurrimi për kuotat do të mund të bëhen edhe të gjithë maturantët që rezultojnë kalues në provimet e sezonit të vjeshtës, rezultatet e të cilave janë shpallur prej disa ditësh.
Kushti i aplikimit
Kandidatët që do të aplikojnë për herë të parë në këtë raund duhet të kenë shlyer në kohë tarifën e aplikimit. Ndërsa ata që kanë aplikuar në Raundin e parë, por që deri në fund të regjistrimeve nuk rezultuan fitues, nuk u është dashur të shlyejnë asnjë tarifë aplikimi për kuotat e lira të Raundit të dytë. “Maturantët/kandidatët që nuk kanë aplikuar në raundin e parë, përpara aplikimit për zgjedhjen e preferencave në portalin e aplikimit universitar, duhet të kenë derdhur edhe pagesën e tarifës së aplikimit në vlerën 2000 lekë, në zyrat e Postës Shqiptare apo në bankat e nivelit të dytë të përcaktuara. Ndërsa maturantët që kanë aplikuar në raundin e parë dhe do të riaplikojnë në raundin e dytë mund të vijojnë lirisht me plotësimin e formularit të preferencave sipas afateve të vendosura për Raundin e dytë”, bëjnë me dije autoritetet e arsimit të lartë.
Plotësimi i Formularit A2
Edhe për Raundin e dytë, aplikimi do kryhet nga portali u-albania, duke aksesuar në adresën: www.ualbania.al . Pasi të hapet faqja përkatëse, duhet të klikoni mbi butonin “Aplikimi A2/A3”, ku do të shfaqen tre butona të tjerë që janë: “Maturantë, Mësues dhe Universitet”. Klikoni mbi butonin “Maturant”, për të hyrë në hapësirën e Maturantit. Pas këtij veprimi duhet që të plotësoni ID-në tuaj të maturës dhe numrin personal të Letërnjoftimit (ai që fillon dhe mbaron me shkronjë), për të kryer identifikimin, teksa do t’ju hapet edhe faqja me të dhënat tuaja personale.
Kategoritë që mund të aplikojnë në Raundin e dytë
Për kuotat e Raundit të dytë kanë të drejtë të aplikojnë duke përzgjedhur deri në 10 programe studimi, të gjithë maturantët dhe kandidatët, të cilët kanë plotësuar formularin A1 dhe A1Z dhe rezultojnë kalues në të gjitha provimet e Maturës Shtetërore, por që plotësojnë këto katër kushte: nuk kanë arritur të aplikojnë në raundin e parë, kanë kryer procesin e aplikimit online në raundin e parë dhe nuk janë shpallur fitues, kanë kryer procesin e aplikimit online në raundin e parë dhe nuk kanë arritur të regjistrohen për arsye të ndryshme, si dhe ata që janë çregjistruar pas përfundimit të raundit të parë. Aplikimi edhe në këtë rast do të mund të kryhet online në cilindo mjedis që ka akses interneti duke respektuar të gjitha procedurat e përshkruara në udhëzuesin teknik të publikuar në faqen zyrtare të QSHA.
Afatet e plotësimit të Formularit A2
Aplikimi për këto kuota të lira do të zhvillohet në datat 22, 23 dhe 24 shtator. Çka do të thotë se maturantët kanë tre ditë afat që të plotësojnë sërish formularin A2, kësaj here me 10 preferenca të reja, me të cilat do të garojnë për të fituar një të drejtë studimi për vijimin e universitetit. Regjistrimi i preferencave do të bëhet në të njëjtën kohë, si për kandidatët që duan të fitojnë të drejtën për të vijuar studimet në një nga degët e universiteteve publike, ashtu edhe për strukturat private të arsimit të lartë që veprojnë në vendin tonë.
Autoritetet e arsimit sqarojnë se edhe në raundin e dytë, sistemi online do të pranojë për aplikim vetëm kandidatët që janë pajisur me dokumentacionin ligjor që fakton përfundimin e shkollës së mesme, që kanë mesataren e përcaktuara nga Këshilli i Ministrave për çdo program studimi, si dhe që plotësojnë kriteret e tjera shtesë që mund të kenë vendosur vetë universitetet për programet që ofrojnë. Ndërsa kandidatët që do të aplikojnë për t’u pranuar në një nga programet e studimeve 2-vjeçare me karakter profesional, nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare të kërkuar nga qeveria.
Mesatarja që duhet për aplikimet e Raundit 2
Për kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve 2-vjeçare me karakter profesional, nuk do të aplikohet kriteri i mesatares së kërkuar në konkurrim për kuotat e lira të Raundit të dytë.
Ndërsa në programet e studimeve të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, kandidatët, që kanë përfunduar me sukses arsimin e mesëm të lartë minimalisht me notë mesatare 6.5.
Në degët e gjuhëve të huaja do të mund të konkurrojnë vetëm maturantët dhe kandidatët e tjerë që disponojnë një mesatare të shkollës së mesme duke nisur nga nota 7. Po ashtu, edhe për degët e mësuesisë në garë mund të përfshihen të gjithë maturantët që kanë mesatare të gjimnazit jo më të ulët se sa nota 7.5.
Universiteti i Mjekësisë ka vendosur në lidhje me kriterin e mesatares që duhet për të konkurruar në degët e këtij profili. Konkretisht, për të garuar në degët për programet e teknikës dentare dhe higjienist dentar duhet një mesatare mbi notën 7, për degët logopedi, teknik laboratori, teknik imazherie, mami, fizioterapi, infermieri e përgjithshme duhet notë mbi 7.5, për degën e shëndetit publik duhet mesatare e gjimnazit mbi notën 8, si dhe për degët siç janë: mjekësia, farmacia, dhe stomatologjia në garë mund të përfshihen vetëm kandidatët që kanë mesatare të shkollës së mesme nga nota 8.5 dhe më lart.
Nota mesatare për pranimin në institucionet e arsimit të lartë përllogaritet si mesatare e thjeshtë e treguesve, si vijon: “mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë, mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të Maturës Shtetërore”.
Shpallja e fituesve dhe 5 fazat e regjistrimit
Listat paraprake të fituesve që do të mund të vijojnë me procedurat e regjistrimit në universitete do të shpallen në datën 30 shtator. Ndërkohë që procesi i regjistrimit do të zhvillohet në 5 faza 48-orëshe, të cilat do të zhvillohen ndërmjet datave 3 dhe 12 tetor. Çka do të thotë se lista e fituesve edhe në këtë raund do të ndryshojë pesë herë.
Duhet të bëni shumë kujdes pasi nëse kandidati fitues nuk paraqitet në fazat e përcaktuara të regjistrimit për secilën fazë të Raundit të dytë, e humbasin të drejtën e regjistrimit duke i lënë të drejtën e kandidatëve të tjerë të gjendur poshtë vijës së kuqe.
Dokumentacioni i nevojshëm që duhet të paraqisni pranë Sekretarisë Mësimore (përkatëse) për t’u regjistruar në secilin program studimi ku jeni shpallur fitues duhet që të përfshijë: fotokopjen e dokumentit të identifikimit (kartë identiteti ose pasaportë), fotokopjen e noterizuar të diplomës së Maturës Shtetërore ose e Dëftesës së pjekurisë, së bashku me certifikatën e notave ose të një dëftese/ diplome tjetër studimi të fituar jashtë vendit dhe të njehsuar në QSHA, si dhe deklaratën e cila plotësohet nga aplikanti në mjediset e Sekretarisë Mësimore të Fakultetit në momentin e regjistrimit. Po ashtu në dosjen e regjistrimit duhet të paraqisni edhe dy fotografi personale në formatin e caktuar, si dhe mandatin e pagesës i tarifës së regjistrimit.
Në Raundin 2 mund të aplikojnë:
- Maturantët dhe kandidatët e tjerë që për arsye të ndryshme nuk kanë arritur dot që të aplikojnë në raundin e parë.
- Maturantët dhe kandidatët që kanë kryer procesin e aplikimit online në raundin e parë dhe nuk janë shpallur fitues.
- Maturantët dhe kandidatët që kanë kryer procesin e aplikimit online në raundin e parë dhe nuk kanë arritur të regjistrohen për arsye të ndryshme.
- Kandidatët që pasi u regjistruan si fitues, bënë dhe çregjistrimin pas përfundimit të raundit të pare, me qëllim rikthimin në garë për një tjetër degë më të preferuar.
Afatet për aplikimet e Raundit të dytë

