Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Vlera dhe vlerësime për figura e ngjarje të rëndësishme të kulturës e të letrave shqipe
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Kulture > Vlera dhe vlerësime për figura e ngjarje të rëndësishme të kulturës e të letrave shqipe
Kulture

Vlera dhe vlerësime për figura e ngjarje të rëndësishme të kulturës e të letrave shqipe

Published: February 9, 2023
Shpërndaje

(Për librin e Xhevdet Shehut “Koha e pamëshirshme”-Sprova dhe shënime kritike, Botimet Enja,Tiranë, 2022)

 

Prof. Gjovalin Shkurtaj

- Publicitet -

 

Ky fillim i vitit 2023 na erdhi edhe me një dhuratë të bukur, me librin e gazetarit e shkrimtarit Xhevdet Shehu “Koha e pamëshirshme”-Sprova dhe shënime kritike, Botimet Enja,Tiranë, 2022, 295f.), të cilin e lexova me ëndje dhe ndjeva një kënaqësi të veçantë, sepse është jo vetëm me përmbajtje interesante, po, mbi të gjitha,  i shkruar bukur, qartë e me një gjuhë shqipe që rrallëherë e ndeshim në shkrimtarinë e kohës sonë. Sikundër na e thotë edhe në ballinën e pasme të librit, ai gjakon të jetë një ithtar i hijeshisë ligjërimore të Naimit, po edhe ndjekës i pakthyeshëm i thirrjes së Frashërliut zemërzjarrtë: “Mendje! Merr fushat e malet, jashtë, jashtë nga qyteti,/ Nga brengat,nga thashethemet, nga rrëmuja, nga rrëmeti!”

Librat e mirë bëjnë mirë. Librat e mirë janë ushqim shpirtëror gjallërues i ndjenjave të mira. Librat e mirë bëjnë mirë për ata që i lexojnë, po edhe për ata që shkruajnë vetë, sepse na japin edhe modele të vyera shkrimtarie e qasjeje  të bukura për ta shpënë më përpara mendësinë dhe jetësinë e shoqërisë sonë, të kombit  e të gjuhës shqipe. Librat e mirë bëjnë mirë, madje shumë mirë, por ata po bëhen gjithmonë e më të rrallë në libraritë tona. Dhe këtu, natyrisht, ka një paradoks që lyp shpjegim. Ju do të thoni me të drejtë: Sot libraritë janë më plot se kurrë me libra, madje shumëkush edhe po i shet librat e bibliotekave vetjake nëpër qoshe rrugësh e rrugicash të Tiranës. Po, por shumë prej tyre mbeten aty për ditë e mot, nuk pëlqehen.

Prandaj, kur njeriut i bie në dorë një libër i shkruar mirë, një libër i shkruar qartë e bukur, një libër që edhe tregon, edhe argumenton, edhe shqyrton, edhe kur kritikon, të bën të mendohesh e të nxjerrësh vlera të mira. I tillë, sipas meje, është dhe libri “Koha e pamëshirshme” -Sprova dhe shënime kritike, Botimet Enja,Tiranë, 2022, 295 f.), i gazetarit e shkrimtarit Xhevdet Shehu, të cilin qysh nga data 23 janar,kur autori ma dhuroi me autograf e duke pirë një kafe te bufeja e thjeshtë te libraria “Agolli” e kam lexuar, nënvizuar dhe, madje,disa pjesë edhe i kam rilexuar, pikërisht se m’u dukën të bukura, po edhe pse kishin prurje e shtjellime të reja, të pathëna më parë. Ka aty, gjithashtu, disa sprova që më duhen edhe për plotësime në dijet rreth diasporës shqiptare e të folmeve të shqiptarëve e të arvanitëve, si “Shqiptarët e Kavallës” (f.245) apo për albanologët  kinezë dhe ndihmesat e tyre f.212-218) etj.

Xhevdet Shehu është i njohur si gazetar e autor shkrimesh e librash të shumtë, si një nga ata që e shtrëngon mirë dorën para se të shkruajë, sepse e ka në thua kërkimin e temave të rëndësishme e të kohës, po edhe që u qëndron fjalëve e frazave si bujku i mirë hullive e brazdave të arës, gjithmonë duke lakmuar që ato të jenë të drejta dhe me prurje e me një stil të  veçantë, si rrallëkush në gazetarinë e në prozën publicistike të ditëve tona.

Ai shkruan për “kohën e pamëshirshme”, e cila është e tillë, e pamëshirshme, në radhë të parë për gjuhën shqipe, për shqiptarinë e traditat  kombëtare shqiptare, prandaj jo më kot e ka nisur librin me një parashtresë hyrëse të titulluar “Shkrimtarët përballë historisë”, ku në fakt na jep një hyrje të ngjeshur, të thukët e të saktë, po edhe me përkushtim e mëtime serioze, që na kujton “Indtroduktën”  e Fan S. Nolit kur pat përkthyer në shqip “Hamletin”. Tehu i kësaj  hyrjeje ftilluese, është analiza dhe vlerësimi i letërsisë së sotme publicistike, natyrisht, duke na vënë përpara një argumentimi pak të thuash shumë bindës e njëkohësisht frymëgjatë. “Kështu,pra, nëse deri në fillim të viteve ’90 letërsia publicistike mund të quhej thuajse e atrofizuar, përderisa gjithçka ishte nën këqyrjen dhe censurën e rreptë të partisë-shtet, tashmë analiza, sprova, refleksione, kujtime dhe shënime për jetën politike të vendit mund të shkruante e të botonte kushdo. Kjo letërsi premton shumë, përderisa në të u angazhuan shkrimtarë, gazetarë dhe krijues nga më të shquarit e vendit. Dhe është fakt se vitet e fundit vërehet  një zhvillim i habitshëm i letërsisë publicistike. Janë shkruar e shkruhen libra për fillimet e demokracisë, për vitin e mbapshtë 1997, për ardhjen në pushtet të opozitës antikomuniste dhe rënien e saj, për luftën e Kosovës, për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare, për Çamërinë etj… Duke lexuar këtë lloj letërsie bindesh se ajo ka qenë, është dhe do të mbetet një burim dhe ushqim i pazëvendësueshëm për shkrimin me objektivitet të historisë. Letërsia publicistike në të gjitha format e saj i jep shpirt historisë, i jep ngjyra, freski dhe bukuri. Pa të historia do të ishte anemike, e zbehtë, e mërzitshme, e gjymtë.”(f.8-9)

Dhe, autori i këtij libri, është pa dyshim njëri nga lëvruesit meritor të kësaj letërsie publicistike, ka sjellë kundrime e shembuj  të plotvlershëm që tregojnë se, edhe në kushtet e një kohe të pamëshirshme, në letrat shqipe, jo vetëm nuk mungojnë, por edhe kanë ngritur kështjella të mëdha  të mendimit e të kulturës shqiptare një varg emrash të rëndësishëm e që përbëjnë vlera të shtuara të epokës sonë.

***

Libri “Koha e pamëshirshme” përmbledh 37 sytha, që ai i ka quajtur “sprova dhe shënime kritike”, të cilat janë shkrime më vete, porse ato, ndërkaq, shkojnë në një shtrat të përbashkët e përbëjnë ndihmesë serioze e me vlerë për disa drejtime të jetës së sotme të popullit e kombit shqiptar.

Së pari e krykreje, sythat e këtij libri i kushtohen  kundrimit të domosdoshmërisë për një qasje sa më të drejtë të historisë, të figurave dhe ngjarjeve madhore të kombit tonë e të kulturës shqiptare, duke  pasur si tregues postulatin e qartë se “koha është gjykatësja më e rreptë dhe e pamëshirshme e letërsisë publicistike”. Na duket me rëndësi përmbyllja  e pjesës hyrëse ku autori  thotë qartë e kthjellët: “Një vepër që nuk synon jetëgjatësinë përtej kohës që shkruhet, nuk mund të quhet vepër. Sepse edhe në kohën e Faik Konicës e të Ismet Totos kanë shkruar edhe plot të tjerë, por të paktë janë ata që kanë mbetur e kujtohen.

E të mos na vijë keq të përsëritim këtu se edhe gazetaria e sotme, nga artikujt e pafundmë që shkruhen dhe që një pjesë e tyre kontestohen sapo shohin dritën e botimit apo të publikimit, shumë do të harrohen e nuk kanë për  t’u përmendur në burimet e historisë për arsyen e thjeshtë se janë shkruar nga grafomanë të paskrupullt, nga militantë të pandreqshëm, pra janë shkruar pa vërtetësi dhe me pasione të dëmshme, sipas koniunkturave të ditës. Autorët e tyre, qoftë edhe kur janë shkrimtarë, kanë harruar rolin që kanë përballë historisë, kanë humbur respektin për të. Ndaj dhe historia hakmerret duke i anashkaluar.”(f.15)

Së dyti,  vlerësoj se në faqet e këtij libri, gjithandej autori ka një synim të mbarë që sprovat e shënimet e tij kritike, të mos mbeten si thërrimet në tryezë pas të ngrënit, por të vlejnë për t’u pasur si ftesë dashamirëse e atyre që do të merren me shkrimin (përkatësisht rishkrimin) e historisë së shqiptarëve si dhe të veprave të tjera me rendësi madhore për kulturën shqiptare, si Historia e Letërsisë Shqiptare, Enciklopedia Shqiptare. Ai sjell në disa prej sprovave idenë e mbarë e të lakmueshme që për secilën epokë e për cilindo nga figurat e mëdha të historisë shqiptare të pasqyrohen si të mirat e bëmat e vyera, ashtu edhe dukuri të tjera të tyre, gjithmonë pa e tepruar as me “shkëlqimin” e anëve të mira, as me “ngjyrën e zezë” të anëve të pamira. Ndër të tjera, autori përmend kontributin e shqiptarëve në Luftën Civile të Spanjës dhe me të drejtë përmend edhe emrat e atyre që ranë dëshmorë në atë luftë, si Asim Vokshi nga Gjakova, Dhimitër Kosta ose Kostë Dhimitri nga Leskoviku, Musa Fratari nga Përmeti, Ramiz Varvarica nga Peshkopia,Teni Konomi nga Korça,Thimi Gogozoto nga Fshatrat e Pargës në Çamëri, Urfi Agolli nga Dibra, Xhemal Kada nga Peja, Zef Hoti nga Malësia e Madhe. Autori përmend dhe ka pasur si mbështetje librin “Lufta e Spanjës”(1936-1939), në të cilin janë përfshirë edhe kujtimet e disa prej vullnetarëve shqiptarë si Mehmet Shehu Mane Nishova, Skënder Luarasi, Petro Marko, Justina Shkupi, Iljaz Pashai etj. Po ashtu, duke vepruar pikërisht si i ka hije një letërsie publicistike bashkëkohore, ai paraqet në faqet e librit edhe sythin me titull “Ana e panjohur e Mehmet Shehut”, si publicist e poet. Dhe, në këtë drejtim, vetë Xhevdet Shehu, në disa prej sprovave të pranishme ka dhënë ndihmesën e tij konkrete, duke sjellë, në fakt, prurje që do të vlejnë edhe për hartuesit e veprave madhore si “Historia e Shqiptarëve”, “Enciklopedia Shqiptare”.

Nga pjesët më të bukura të këtij libri do të përmendja, sidomos, sprovën “Unaza në kthetrat si simbol”, që ngrihet mbi metaforikën e veprës “Unaza në kthetra”të Ismail Kadaresë. Aty pohohet me të drejtë se çdo kohë ka emrin dhe fytyrën e bashkëkohësve të saj. Po lejohem të citoj vetëm ndonjë fragment të shkurtër, sa për të ndjellë vëmendjen e lexuesve e për të treguar sa prekëse e drithëruese janë aty paraqitja e situatave dhe e përjetimeve të popullit shqiptar e sidomos të qëndrimit të pushtetarëve ndaj intelektualëve shqiptarë. “Tani ankohemi pse  nuk na pranon Europa! Një retrospektivë e shpejtë në ngjarjet kulmore të njëzet e ca viteve të fundit na qartëson për vonesën: nuk është Europa që na refuzon, por jemi ne që e refuzojmë sistematikisht Europën dhe Amerikën së toku. Përse? Sepse duam të zhgrryhemi këtu në llumin tonë primitiv, shumë larg standardeve të Europës së qytetëruar.” (f.21). Si kirurgu i mirë që nuk e kursen bisturinë për të hequr tumorin nga barku i të sëmurit, ashtu edhe shkrimtari ynë nuk e kursen fjalën e rëndë e kritikën e drejtë për bëmat e gafat e funksionarëve të lartë të  regjimit. Ashtu si dikur Atë Anton Harapi te “Vlerë shpirtërore”, që përmbyllte me fjalët “Materialisht na mbuloi varfëria, shpirtërisht na kaploi demoralizimi, ose që ta themi shqip, me fjalën e popullit “Na hypi hordheku”, edhe shkrimtari ynë thërret me sa ka në mendje e me sa i vlon në zemër : “Të mos harrojmë se, ata që na udhëheqin kanë dalë në krye me votën tonë. Këtu qëndron absurdi shqiptar. Ne nxjerrim koburet e vritemi për një fjalë goje me njëri-tjetrin, ndërsa tolerojmë përfaqësimin në pushtet me votën tonë për njerëz që nuk e meritojnë të na përfaqësojnë. .. “Unaza në kthetra” pra, më shumë se populli, që është trajtuar shpesh si plebe, u dashka kërkuar te përfaqësuesit më të lartë të tij. Sepse, cenet e qytetarëve shumëfishohen e marrin përmasa të rrezikshme kur vishen me pushtet.” (f.21)

Së treti, vlerësoj se në sprovat e shënimet kritike të librit “Koha e pamëshirshme” autori ka sjellë ndihmesën e tij të vyer edhe për njohjen më të mirë ose për saktësimin e vendit që u takon në letrat shqipe disa prej krijuesve. Me shumë interes lexova aty sidomos sprovën “Fati i çuditshëm i krijuesit”, që ka si bosht vargun proverbial të Ali Asllanit: “Koha është e maskarenjve, por Shqipëria është shqiptarëve”. Aty, ndër të tjera, vlerëson se duhet të njihen më mirë e t’u jepet vendi i merituar disa shkrimtarëve, që padrejtësisht qenë lënë në hije ose edhe përjashtuar nga përmendja e përfillja e veprave të tyre në botimet përmbledhëse apo në antologjitë e letërsisë shqiptare, si Mitrush Kuteli, Petro Marko, Kasëm Trebeshina, Mustafa Greblleshi e sa e sa të tjerë. Aty gjen rastin edhe për të sjellë kundrime e vlerësime rreth shkrimtarisë së Anastas Kondos, të cilin edhe e quan “shkrimtar popullor, sikurse është quajtur Dritero Agolli në poezi.”

Në shkrimin me titull “Një lis  i madh që i pëlqejnë kallamat”, autori si mik i hershëm e i përhershëm i Dirtëro Agollit sjell persiatje e kujtime shumë interesante që e zgjerojnë horizontin e njohjes së Dritëroit si poet po edhe si njeri i madh e burrë fisnik, si qytetar i angazhuar në politikë, por si i tillë që nuk u prek asnjëherë nga dogmatizmi e fetishizimi ideor. Ai ishte dhe mbeti ashtu si e mbante veten me krenari e përvujtëni, si “poeti që solli baltën e arave  në Lidhjen e Shkrimtarëve”.

Në fakt, pjesa më e madhe e sprovave të këtij libri u kushtohen shkrimtarëve e poetëve, disa të njohur, disa më pak të tillë ose edhe gati të harruar, por që meritojnë të njihen e t’u gjendet vendi në faqet e historisë së letërsisë shqiptare. Prej tyre, nga më prekëset e të pëlqyeshmet më duket “Udhtari i eternitetit”, shkruar në ditën e përcjelljes së poetit Arben Duka. Aty, duke e bashkuar dhimbjen e vet për poetin e shquar e mikun e tij të dashur, me pikëllimin e këngëtarit Petrit Lulo dhe të shumë këngëtarëve të tjerë të muzikës së lehtë, që patën fatin  të këndonin këngë me vargjet e poetit Arbën Duka, Xhevdet Shehu shkruan se ai “ishte dhe mbeti deri në frymën e fundit miku më i shtrenjtë i veteranëve të LANÇ-it dhe i dëshmorëve. Ai ngriti në poezi lavdinë e Luftës sonë Antifashiste dhe dëshmorëve të saj një monument madhështor e të pavdekshëm, të krahasueshëm me monumentit Nënë -Shqipëri te Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë apo me monumentin e Pavarësisë në Vlorë. Liberal në vitet e socializmit dhe qëndrestar si askush për mbrojtjen e vlerave të mëdha të krijuara me aq gjak e sakrifica nëpër dekada dhe të nëpërkëmbura e të baltosura në vitet e pluralizmit, Ben Duka duket paradoksal. Jo! Nuk ishte i tillë. Ai ishte dhe mbeti idealist i madh, një dashnor i madh i Lirisë, të cilën ua uronte me gjithë zemër Shqipërisë dhe bashkëkombasve të tij.”(f.257) Me shumë interes, na duket edhe sprova me titull “Letërisa si pasion e si mision, ku analizohet libri me 222 fabula i shkrimtarit  e gazetarit të mirënjohur Ymer Minxhozi, të cilin e quan si dëshmi autentike të mbijetesës së artit dhe letërsisë shqiptare në kohë të vështira.

Së mbrami, duke mos u ndalur edhe në shumëçka tjetër që ka interes për t’u lexuar, po theksoj edhe sa lidhet me kujdesin e përhershëm e të pamungueshëm të Xhevdet Shehut për gjuhën shqipe, vlerësimet e tij për gjuhëtarët shqiptarë dhe për krejt ata që e lëvrojnë dhe e mbrojnë gjuhën shqipe. Në faqet e para të hyrjes flet me adhurim e vlerësim për ndihmesat e botimet e shumta të prof.dr. Xhevat Loshit, njërit prej gjuhëtarëve të dalluar si studiues dhe si mbrojtës  i shqipes së njësuar ashtu si e kemi sot (f.10), ndërsa diku nga mesi bën një recension të nyjëtuar e interesant për romanin “Bijtë e askujt” të Rexhep Qoses dhe, mbasi ka shkruar edhe për disa figura emblematike të letërsisë shqiptare si “Përmendore për Ymer Elshanin” etj. e mbyll librin me epilogun “Shteti i privatizuar” , një intervistë me akademikun Rexhep Qosja, ku, si edhe herë të tjera, shkrimtari, mendimtari e studiuesi i shquar shpreh pohimin e tij për vlerat e gjuhës shqipe dhe për domosdoshmërinë e  mbrojtjes së shqipes së njësuar pa e dëmtuar e pa e prishur. Me bindjen se kurrë nuk është e tepërt t’i kujtojmë porositë e vyera të akademikut të shquar për rolin e gjuhës së njësuar si tipar i përbashkësisë shpirtërore e kulturore të kombit tonë, po e mbyll këtë recension me citimin e një pjese të asaj interviste, pak të thuash të pavdirë e të një rendësie themelore kombëtare:

“Kryesorja është se gjuha e përbashkët letrare kombëtare është arritur. Kryesorja është, pra, se ajo gjuhë standard, ajo gjuhë e përbashkët letrare kombëtare është bërë dhe e çmojmë, e duan dhe e adhurojnë, e batojnë në krijimtarinë e tyre shpirtërore shqiptarët kudo janë. Popujt e Evropës, popujt e Ballkanit, i kanë krijuar gjuhët e tyre standarde shumë kohë para nesh. Disa prej tyre e kanë kërkuar gjuhën standard në “terrin “ e Mesjetës dhe mburren se gjuha e tyre e përbashkët është krijuar aq herët.

Disa të tjerë e kanë krijuar gjuhën e tyre standarde në kohën e shtimit të zhvillimeve dhe bashkëpunimeve ekonomike dhe po ashtu mburren pse gjuha e tyre është krijuar  dhe është bërë asokohe ajo vlera e madhe që i ka mësuar të merren vesh, të bashkëpunojnë më mirë, më lehtë, më me qejf mes veti në interesin e tyre të përbashkët. Gjuhën standarde franceze, thuhet, e ka krijuar pallati mbretëror dhe francezët nuk i qortojnë mbretërit e tyre, Luigjët e tyre të lavdishëm, pse ata e kanë bërë atë punë, por i lavdërojnë pamatshëm e u shprehin mirënjohje historike.”(f.282-284)

Lexues të nderuar,

Lexojeni këtë libër të bukur e të vyer të Xhevdet Shehut.

Unë e lexova dhe më pëlqeu shumë, kam nënvizuar gati faqe për faqe thënie e të dhëna që mendoj se do të më vlejnë për t’i cituar në artikuj e shkrime të miat. Mbi të gjitha, sikundër u rreka ta pohoj e ta nyjëtoj në këtë recension (gjithsesi të shkurtër e joshterues), do t’u vlejnë sidomos atyre që kanë marrë përsipër të hartojnë (përkat.të rihartojnë) veprat madhore të historisë së shqiptarëve e të historisë së letërsisë e të kulturës kombëtare shqiptare.

Urime mikut tonë, Xhevdet Shehu, gazetarit e shkrimtarit të nderuar. Vlagë pune e frymëzim edhe për vepra të tjera kësodore.

 

Tiranë, 2 shkurt 2022

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • Mushkonjat e Strasburgut, flamingot e Zvërnecit dhe fabula e Ezopit
  • Protesta si Ftesë dhe Festë
  • Çfarë përfaqëson 10 qershori për Kosovën
  • Shqipëria e bukur e sheshit
  • Turistë të huaj i bashkohen protestës: Përvojë transformuese

Komentet e Fundit

  1. nastradini on Shqipëria e bukur e sheshit
  2. Emigranti on Shqipëria e bukur e sheshit
  3. Vëzhgimi on Shqipëria e bukur e sheshit
  4. Sazan Svernica on Shqipëria e bukur e sheshit
  5. Skypion on Shqipëria e bukur e sheshit

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?