Nga SEFER PASHA
Në vitin 1997 në rrugën Fier –Janinë, ku bandat e krimit po bënin hatara, nga zona e Mallakastrës u vu në krye të Komitetit të Shpëtimit një djalë trim. Quhej Pëllumb Dervishi. Ishte nga fshati Kremenar i Komunës së Fratarit. Komitetet e Shpëtimit u vetëkrijuan nga populli për t’u mbrojtur nga dora e krimit. Shteti kishte rënë. Për kontributin që po jepte në mbrojtje të popullit të traumatizuar Pëllumb Dervishi u bë një Gjolek Malaj i dytë, i cili vepronte në rrethinat e Tepelenës dhe të Gjirokastrës. Në atë mot tragjik jeta e Pëllumb Dervishit rrodhi si një ciklon mali. Kudo kishte gjëma, vjedhje bankash, rrëmbime femrash, trafikim të fëmijëve, vrasje, plagosje, plaçkitje të pronës private, kërcënime të udhëtarëve, marrje pengjesh, rrahje të personelit të spitaleve, prerje të vreshtave me ullinj e kalime të frikshme të drogës në kufi. Për këto ngjarje e krime të tjera qytetarët e thjeshtë kërkonin ndihmën e Pëllumb Dervishit. Dhe Pëllumbi me trimërinë dhe urtësinë e tij shpëtoi me qindra jetë njerëzish. Nuk mblidhej fare në shtëpi. Bashkëshortja me dy fëmijët e vegjël e “përgjonin” në dritare. Por Pëllumb Dervishi nuk ishte më i familjes së tij të vogël. Ai ishte i fierakëve, i ballshiotëve, tepelenasve, gjirokastritëve dhe i janiniotëve. U vu në shërbim të popullit. U bë si të thuash një hero i heshtur, i cili iu gjendej njerëzve në nevojë. Pëllumb Dervishin e merrnin në telefon. Po më rrëmbejnë vajzën, nusen, gruan, na qëllojnë me bomba dhe na e morën lopën e dhallës. Dhe djaloshi trim Pëllumb Dervishi nuk përtonte. Bëhej erë për të ndihmuar popullin, që ishte në ditë qameti. Të gjithë shoferët që bënin udhën për në Greqi merrnin Pëllumbin për t’i shoqëruar. Kriminelët ia kishin frikën trimit të pamposhtur. Dhe në atë autobus ku ndodhej Pëllumb Dervishi pasagjerët ishin të sigurt. Askush nuk do të guxonte që t’u delte përpara. Në qytetin e Fierit e tregonin nëpër shtëpi dhe kafene atë që i ndodhi Pëllumb Dervishit gjatë shoqërimit që ai i bëri një djali kosovar, të cilin e kishin plagosur me dy plumba dhe kirurgët e spitalit të Fierit nuk i jepnin shpresë për shpëtim. Mjekët e spitalit u kishin rekomanduar familjarëve se i plagosuri i pashpresë duhej me doemos të dërgohej në spitalin “Haxhi Kosta” në Janinë.
Udhëtimin baladesk për në Janinë e ka treguar vet Pëllumb Dervishi. U nisëm për në Janinë me ambulancën e spitalit të Fierit, tregonte ai. Mjeku që shoqëronte të plagosurin ishte i trembur. Atij i jepte kurajo Pëllumb Dervishi që ishte në vendin e parë të ambulancës. Pëllumbi e mbante kallashnikovin të mbushur dhe gati për të hapur zjarr. Të plagosurin e shoqëronte gjithashtu dhe e shoqja me të cilin kishin tre fëmijë. Të vegjlit i kishin lënë në shtëpi të tmerruar. Pëllumb Dervishi që e ndjente përgjegjësinë u përqendrua si asnjëherë tjetër. Miqtë më besnikë i thanë që brenda spitalit se ata që e kanë plagosur kosovarin janë rrotull spitalit. Mundet të tentojnë që ta sulmojnë ambulancën gjatë rrugës dhe të plagosurin ta vrasin për të qëruar hesapet. Janë kriminelw të regjur në Fier dhe të bëjnë gjëmën. Pëllumb Dervishi i besoi miqtë e tij dhe sa filloi udhëtimi për në Janinë i mbante sytë tek pasqyrat e ambulancës. Dhe miqve të Pëllumb Dervishit u doli fjala. Një makinë në kthesat e Patosit po e ndiqte ambulancën. Këtë e kuptuan dhe mjeku kirurg dhe e shoqja e të plagosurit. Paniku në ambulancë ishte i madh. Më duhet që t’i zmbraps, tha Pëllumb Dervishi dhe e porositi shoferin, që të mos nxitohej se kishte rrezik të bënin aksident. Dhe kështu ecën deri në Qafën e Kashit mbi Ballsh. Aty Pëllumbi i tha shoferit që ta mbante ambulancën dhe me shpejtësinë e rrufesë zuri një buzë gremine. Po vinte makina e kriminelëve. Ata që ishin banditë të ashpër hapën zjarr. E morën vesh se Pëllumb Dervishi u zuri pritë. Filloi luftimi. Pëllumb Dervishi dhe i favorizuar nga pozicioni gjeografik hapi zjarr me granata. Banditët u ndjenë keq. E kishin të pamundur t’i afroheshin ambulancës. E braktisën mjetin e tyre dhe morën për nga udha që të shpie për në Hekal. E dinin që Pëllumb Dervishi ishte dragua. Kaq qe e mjaftueshme. Banditët u thyen. Në ambulancë edhe i plagosuri me dy plumba i hapi sytë. Dhe kështu e vazhduan rrugën për në Janinë. Kirurgët e spitalit ‘’Haxhi Kosta’’ në Janinë ndërhynë dhe kosovarin me banim në qytetin e Fierit e kthyen në jetë. Pëllumb Dervishi sa e mori vesh që i plagosuri shpëtoi nga vdekja u nis për në Kallpaq në afërsi të Kakavijës. E kërkonin disa lebër. Kishin nevojë që ai t’i çonte deri në Vlorë pa u grabitur nga bandat e rrugës. Kishin me vete paratë e emigrantëve hallexhinj.
Jeta e Pëllumb Dervishit qe me telashe të mëdha. Ai si Kryetar i Shpëtimit të popullatës për zonën e Mallakastrës u përlesh me policinë që ishte pjesë e mafies së udhës me të cilët ndanin paratë e grabitura. E futën dhe në burg. Në qelitë e burgut u përlesh me ata të cilët kishin goditur dhe qethur Petro Koçin. Dhe kjo ndodhi disa herë. Por Pëllumb Dervishi kishte me vete popullin e Fierit, të Mallakastrës dhe të Tepelenës. Populli e mbështeti kudo. Ai u bë një hero popullor. Ishte një komisar policie pa grada. Kjo i tërboi kriminelët të cilët një natë tek Lajthitë e Visokës i zunë pritë dhe e vranë. Në anë të udhës është ngritur dhe një lapidar në kujtim të tij. Ai është shpallur ’’Qytetar Nderi’’ i komunës së Fratarit. Për Pëllumb Dervishin këndohen këngë labe. Në shkollën e mesme të Fratarit nxënësit recitojnë vjersha nëpër ekskursione në vende historike. Për Pëllumbin poeti Ylli Paja ka shkruar një poemë dhe disa tekste këngësh. Tek Rrepet e Greshicës tani udhëtarët e atij visi vendosin tufa me lule në kujtim të fajkoit që në vitin nëntëdhjetë e shtatë ndihmoi njerëzit e thjeshtë me përkushtim. Për të po shkruhet dhe një monografi.
Vrasja tragjike e Pëllumb Dervishit qe humbje e madhe për familjen në Mallakastër. Babai i Pëllumbit, Xha Xheviti, vdiq nga marazi pas të birit. Edhe sot në odat e Mallakastrës tregohet një baladë, të cilën e ka rrëfyer vet Xha Xheviti para se t’i vritej i biri, Pëllumbi. Xha Xheviti ka molloisur se kali i shtëpisë para se të ngordhë çon në majën e malit barrën me dyqind kilogram. Pasi e ulë barrën tek i zoti në majë të malit sikur ta kishte amanet aty ai ’’vdes’’ sikur të jetë njeri. Dhe mallakasiotët nëpër vakira bëjnë lidhjen e baladës që e ka treguar Xha Xheviti. Pëllumb Dervishi para se të vritej i kishte shpurë të sigurt 70 pasagjerët e një autobusi nga Fieri për në Janinë. Udhëtarëve në mes të plumbave nuk u kishte ndodhur asgjë. Por Pëllumbit i ndodhi si balada me kalin që e ka treguar i ati i tij, Xhevit Dervishi. Pëllumb Dervishi pasi çoi 70 pasagjerë në Janinë në kthim e vranë banditët. Çudi. Njeriu ka fatin e kalit të mirë. Prandaj në jetë kanë qenë aq të lidhur. Kështu thonë legjendat.
Vrasësit e Pëllumb Dervishit ende nuk janë zbuluar. Në vitin nëntëdhjetë e shtatë ata ishin të lidhur me policinë kriminale. Ata duhen zbuluar dhe të shkojnë përpara drejtësisë. Kjo është çështja e shtruar për zgjidhje.