Nga Ilir Demalia
Ka dy ditë që Shqipëria është mbyllur brenda një dhome gjumi.
Një lajm që në një shoqëri normale do të ishte material për tabloidet rozë, është kthyer në kryelajm kombëtar, në debat televiziv, në moralizim publik, në gjyq kolektiv.
Një kompozitor është filmuar — ose ka filmuar veten — në marrëdhënie intime me disa gra të muzikës dhe showbiz-it.
Dhe Shqipëria ka zbuluar papritur moralin.
Kjo është pjesa më qesharake e historisë.
Sepse, nëse marrëdhënia ka qenë mes të rriturish dhe me konsensus, çfarë dreqin na duhet ne?
Është jeta e tyre.
Trupi i tyre.
Dhoma e tyre.
Zgjedhjet e tyre.
Nëse dikush është i martuar, le ta zgjidhë me burrin apo gruan e vet. Nuk ka nevojë për gjykatën morale të Facebook-ut.
Kush nuk ka bërë Kamasutrën në krevatin e vet?
Dallimi është se dikur dera mbyllej.
Sot dera mbyllet, por telefoni hapet.
Dhe vrima e çelësit është bërë kullesë makaronash.
Personalisht, përveç dy këngëtareve që përmenden, të tjerat as nuk e di kush janë.
Nuk dëgjoj muzikën e tyre.
Nuk shikoj Big Brother.
Nuk shikoj Përputhen, Për’Puthen Përthithen apo gjithë atë industri televizive ku shqiptarët mbyllen në shtëpi për të parë njerëz të tjerë duke jetuar, dashuruar, zënë, puthur, tradhtuar dhe ndarë. Këtu qëndron perversiteti ynë social.
Ne ushqehemi me voyeurizëm dhe pastaj bëhemi puritanë.
I mbyllim njerëzit në kamera 24 orë dhe i shikojmë si përgjues nga vrima e çelësit. Pastaj, kur dikujt i del privatësia jashtë kontrollit, të njëjtët përgjues shndërrohen në gjykatës morali.
Turma kërkon gjahun.
Kur e gjen, fillon ta shqyejë.
Seksi është i vjetër sa bota.
“Mëkatin” e parë, sipas Biblës, e bënë Adami dhe Eva.
Nuk është shpikje e TikTok-ut.
Nuk është shpikje e Big Brother-it.
Nuk është shpikje e showbiz-it.
Ajo që ka ndryshuar është teknologjia e përgjimit.
Dikur duhej të ngjiteshe pas murit për të parë.
Sot mjafton një telefon.
Një kamerë.
Një password i vjedhur.
Një cloud i hakuar.
Një screenshot.
Një grup WhatsApp-i.
Dhe brenda pak minutash, jeta intime e një njeriu mund të bëhet pronë e një turme.
Këtu nuk kemi më thjesht kuriozitet.
Kemi një industri të turpit.
Dhe turpi publik është një armë.
Mund të prodhojë ankth, izolim, shkatërrim marrëdhëniesh, humbje pune, poshtërim, trauma psikologjike.
Një video mund të zgjasë dy minuta.
Por pasojat e saj mund të zgjasin vite.
Ajo mund të fshihet nga një faqe.
Por nuk mund të fshihet nga mijëra telefona që e kanë kopjuar.
Ky është paradoksi brutal i teknologjisë: privatësia mund të shkatërrohet për një sekondë, ndërsa rindërtimi i jetës mund të kërkojë vite.
Dhe ne, në vend që ta kuptojmë këtë, klikojmë.
Shpërndajmë.
Komentojmë.
Tallim.
Gjykojmë.
Dhe pastaj çuditemi pse shoqëria është bërë kaq e pamëshirshme.
Por këtu ka edhe një problem shumë më të madh.
Media.
Jo çdo gjë që mund të publikohet është lajm.
Jo çdo gjë që prodhon klikime është gazetari.
Dhe jo çdo material që njerëzit duan ta shohin duhet t’u jepet.
Pushteti i katërt nuk është pushteti për të hapur çdo derë të mbyllur. Gazetaria duhet të mbrojë interesin publik, jo epshin publik. Ka një ndryshim kolosal midis interesit publik dhe kuriozitetit të publikut.
Publiku mund të jetë kurioz për gjithçka. Kjo nuk do të thotë se gjithçka është në interesin publik. Sot është një kompozitor dhe disa gra të showbiz-it.
Nesër mund të jetë një politikan. Pasnesër një biznesmen. Më vonë një njeri që nuk ka qenë kurrë personazh publik.
Dhe atëherë pyetja nuk do të jetë më: Çfarë bëri ai në dhomën e gjumit?” Pyetja do të jetë: “Kush na dha të drejtën të hyjmë në të?”
Sepse nëse pranojmë parimin se çdo gjë private mund të publikohet vetëm sepse njerëzit janë kuriozë ta shohin, atëherë nesër askush nuk ka më privatësi.
As ti.
As unë.
As familja jote.
As fëmijët e tu.
As kundërshtari yt.
As armiku yt.
As njeriu që nuk e duron dot.
Kjo është ajo që nuk kuptojmë.
Privatësia nuk është privilegj i njerëzve që na pëlqejnë.
Është e drejtë edhe e atij që nuk na pëlqen.
Madje pikërisht aty matet një shoqëri.
Të mbrosh privatësinë e dikujt që e do është e lehtë. Ta mbrosh privatësinë e dikujt që nuk e pëlqen, ky është civilizim.
Prandaj problemi nuk është çfarë kanë bërë ata në krevat.
Problemi është çfarë po bëjmë ne jashtë tij.
Sepse duke u jargavitur pas jetës intime të tjetrit, duke e filmuar, hakuar, shpërndarë, publikuar dhe pastaj duke e gjykuar, nuk po mbrojmë moralin.
Po ushqejmë një perversitet kolektiv.
Po e kthejmë turpin në argëtim.
Privatësinë në spektakël.
Dhe dhimbjen e individit në klikime.
Dikur shikoje nga vrima e çelësit.
Sot ke kamerën në dorë.
Por problemi nuk është teknologjia.
Problemi është njeriu që e përdor atë për të hyrë aty ku dera është mbyllur.
Dhe ndoshta pyetja më e rëndësishme që duhet t’i bëjmë vetes nuk është:
“Çfarë bënë ata në dhomën e gjumit?”
Por:
“Çfarë po bëhet me ne si shoqëri që kemi kaq shumë nevojë të hyjmë në dhomën e gjumit të tjetrit?”

Te lumte Demalia! ke shkruar vertet nje analize me baze argumentuese!
Primare është e kundërta e asaj që parashtron syçi si pyetje.
Primare është të zbardhet deri në detajet më të hollësishme se çfarë bënë konkretisht të urriturit për seks në dhomën e gjumit.
Nuk e besoj që syçi të mos jetë në dijeni, por “gojët e liga” të shtypit përhapën lajmin ogurzi, se ke dhoma e orgazmës ishin shfrytëzuar edhe minorenë. (!) E vërtetë apo jo, kjo është çështje të cilën mund dhe duhet ta zbardhin organet kompetente. Kjo është ajo që ka shkaktuar alarm në shoqëri. Kjo është çështja pikante ku duhet fikusuar vëmendja. Çdo tentativë për anashkalim është e pa pranueshme. Ajo bie ndesh dhe me ndërgjegjen e vetë autorit. Gjithmonë duke supozuar se “i ka met noi fije”.
Çështja e privatësisë dhe vrojtimit nga vrima e çelësit përkundrejt alarmit kalon automatikisht në një rang më poshtë.
Pastaj ka një gjë tjetër.
Nëse perversiteti kolektiv i manjakëve seksualë na qënkërka më i moralshëm se sa vrojtimi përmes vrimës së çelësit, atëhere këtu kemi të bëjmë me tentativë për manipulim të opinionit publik.
Fakt është se kamerat ishin instaluar prej vetë manjakëve. Llogjika e thjeshtë të çon në mendimin se do ketë qënë ndonjëri prej tyre ai që i postoi i pari në rrjet videoclipet perverse.
Shpërndarësi i e ka bërë për arësye të ndryshme. Mund të ketë qënë adoleshent, i pa pjekur, mund ta ketë bërë pa e ditur se kush janë, thjesht për argëtim, etj.
Të insistosh për fajësimin e tyre dhe jo të manjakëve seksualë, kjo është paradoks i shkallës superiore. Është absurditet.
Nëse fajin do jua hedhim me hipokrizi përgjuesve dhe shpërndarësve naivë të videoclipeve, atëhere fare mirë manjakët seksualë mund ta vazhdojnë qysh sot mbrëma pa u shqetësuar aktivitetin e tyre.
Le ta filmojnë vetveten.
Është bota e tyre, ë
Është qefi i tyre
Është kuplaraja e tyre.
Askush nuk i ndalon për sa kohë nuk i shkelin tjetrit në kallo.
Askush nuk i ndalon për sa kohë nuk bien ndesh me ligjin kundër prostitucionit.
Kur morali bie nën nivelin zero, fjala turp është zhdukur komplet nga fjalori. Pyete elin e farës o syç se ta jep ajo përgjigjen. Ndaç dhe me vepra.
Kush do privaci, nuk behet personazh Tik-Toku, apo influencer, apo mendjedhenes publik.
Po te duash te influencosh jeten e te tjreve nepermjet shembullit tend, duhet te besh transparencen e jetes tende…
Ne se nuk e ben, ta bejne te tjeret.
Te japesh leksione morali on-line, apo te ekspozosh menyra jetese neper hotele luksoze mijradollareshe, me shishe shampanje, me dhe pa breke, ….. duhet te tregosh dhe burimin e pareve.
Njerzit duhet te shohin “mbrapa perdes” se ktyre personazheve, qe femijet tane te mos bien viktime e ketyre flliqesirave
Shume drejt i ke trajtuar z. Demalia. Morali eshte mbi gjithcka, eshte delikat dhe si ai qelqi qe po te ra nga dora thyhet dhe eshte e veshtire apo e pamundur t’a gjesh me ate model!
Po kjo ju ka mbetur shqipetareve te bejne tani, kur sjane te afte te bejne ate qe duhet te bejne, te ndertojn jeten e tyre familiare me djersen e tyre ashtu si e bene e gjithe bota e perparuar. Kjo lloj c’thurje dhe degjenerimi e ka zanafillen larte ne koken e politikes larte dhe tere shqiptaret gelltisin gjellen e thartuar qe ajo ju hedh per te mbuluar bemate e renda te saj. Politikes i interesojn, per te mos thene i stimulon keto fenomene negative te shoqerise, ne menyre qe i gjithe populli dhe dhe sidomos rinia te kene vemendjen tek ata dhe te mos shikojn te luftojn per te ardhmen e tyre. Eshte njelloj si puna e maces qe i hedh nje lemsh dhe ajo luan deri sa te lodhet me ate, kurse shqiptaret jane te destinuar te shikojn me ore te tera Big Brother, Big Brother VIP, perputhen dhe sterputhen, qe zgjaten me muaj te tera, ju pelqen kur puthen dhe shterngohen me njeri tjetrin por harrojne se kjo pjese e jetes behet pjese e moralit tyre, e historise ne jeten e tyre dhe eshte e veshtire te zhdukesh ato sjellje negative se mbeten nje njolle e zeze ne trup, dhe nuk hiqet me dhe te prish gjithe jeten dhe te ardhmen. Pyetja shtrohet po kush i financon keto fenomene negative ne nje shoqeri te dobet qe nuk di ku ka koken dhe s’ka asnje objektive per jeten dhe te ardhmen e saj? Me siguri pas tyre qendron politika, kjo sdo mend, ajo sot ndodhet ne piken e saj me te ulet, ne diten e saj me te zeze, jane zbuluar te gjitha skenaret e saj dhe bemat qe ka bere ne keto 36 vite shkerdhatokraci dhe akoma kerkon te qendroj ne krye kur cdo gje ka marre fund. Keshtu qe keto shfaqje negative qe po kultivohen e kane origjinen ne kreun e politikes larte dhe duhet shembur sa me pare!