Nga Katarina Baletic
Pasi Marta Kos, komisionerja e BE-së për Zgjerimin, anuloi vizitën e saj në Beograd në shenjë proteste ndaj “glorifikimit” të kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mlladiç, pas vdekjes së tij, Presidenti Vuçiç i cilësoi kritikat e saj si “budallaqe, si zakonisht”.
Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, anuloi të premten vizitën e planifikuar në Serbi, vend kandidat për anëtarësim në BE, një ditë pasi trupi i Ratko Mlladiçit u transportua me avion qeveritar në Beograd, ku u prit nga zyrtarë dhe një trupë nderi e ushtrisë.
Grupe mbështetësish të ish-komandantit ushtarak të serbëve të Bosnjës përshëndetën gjithashtu kortezhin që transportonte trupin e tij drejt Beogradit, me pankarta lavdëruese për Mlladiçin të varura në mbikalimet rrugore, me mesazhe të tilla si “Faleminderit, gjeneral” dhe “Mirë se erdhe në shtëpi, gjeneral”.
“Kthimi i trupit të tij në Beograd i kujton Evropës faqet më të errëta të historisë sonë të kohëve të fundit”, shkroi Kos në X.
“Lavdërimi që po shoqëron vdekjen e tij është i papajtueshëm me vlerat mbi të cilat ndërtohet rruga drejt BE-së… Vlerat që mbështesin të ardhmen tonë të përbashkët nuk janë të negociueshme. Në këtë kontekst, kam vendosur të mos e zhvilloj për momentin vizitën time të planifikuar në Serbi”, shtoi ajo.
Kritikat e saj janë mbështetur edhe nga ministra të disa vendeve të tjera anëtare të BE-së.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiqç, i hodhi poshtë kritikat e Kos si “shpjegim jashtëzakonisht i shkurtër, por budallallëk, si zakonisht”.
“‘Glorifikim’ i gjeneralit Ratko Mlladiç, por nuk thonë se kush e lavdëroi dhe çfarë bëri. Dhe kur nuk gjejnë dot asgjë konkrete, atëherë merren me nënkalimet dhe mbikalimet (ku ishin vendosur pankartat pro-Mlladiçit). Me sa duket, duhej t’i ndalonim njerëzit të dilnin, duhej ta ndalonim funeralin”, u tha ai mediave të premten.
Trupi i Mlladiçit u kthye në Serbi të enjten në mbrëmje me një avion të qeverisë serbe.
Djali i Ratko Mlladiçit, Darkoja, konfirmoi të premten se funerali do të mbahet të hënën në varrezat Topçider në Beograd.
Para funeralit, do të mbahet një ceremoni përkujtimore për Mlladiçin në një kishë ku do të vendoset arkivoli, ndërsa të shtunën do të zhvillohet një ceremoni publike përkujtimore në Shtëpinë e Ushtrisë së Serbisë, në qendër të Beogradit.
Darko Mlladiç tha se të hënën do të organizohet një kortezh nga kisha drejt varrezave dhe theksoi se pret një pjesëmarrje të madhe.
“Ky është një funeral i popullit dhe, siç e dini të gjithë, unë nuk merrem me politikë dhe nuk do ta përziej politikën me këtë. E vetmja gjë që mund të them është se, lidhur me kërkesat tona (drejtuar Hagës për lirimin me kusht të Mlladiçit për shkak të sëmundjes), nga të cilat ka pasur shumë në të kaluarën, Presidenti Vuçiç ka qenë gjithmonë pranë nesh dhe dua ta falënderoj publikisht për mbështetjen e tij në mbrojtje të gjeneralit Mlladiç, që për ne ka pasur shumë rëndësi”, tha Darko Mlladiç.
As Darko Mlladiçi dhe as ministri i Drejtësisë, Nenad Vujiç, i cili ishte ulur pranë tij në konferencën për shtyp, nuk saktësuan nëse në funeral do të ketë nderime ushtarake apo shtetërore.
Më 27 gusht, kur Mlladiçi vdiq, Vujiçi fillimisht tha se Mlladiçi do të varrosej me nderime shtetërore. “Gjenerali Mlladiç është gjeneral dhe ekzistojnë protokolle që zbatohen”, tha ai atëherë.
Mlladiçi mbante gradën e gjeneralit në Ushtrinë Popullore Jugosllave gjatë viteve 1990, por ekspertët juridikë në Serbi janë të ndarë nëse ekziston ndonjë bazë për një funeral me nderime shtetërore ose ushtarake, duke pasur parasysh se ai është dënuar për gjenocid.
Që atëherë, Presidenti Vuçiç ka shprehur dyshime për idenë e një funerali me nderime shtetërore. Ministri Vujiç, i pyetur të premten për nderimet shtetërore, tha vetëm se shteti do t’i ofronte familjes gjithçka që i takon, në shenjë “respekti për dëshirat e familjes… dhe në përputhje me ligjet e shtetit të Serbisë”.
I pyetur nëse do të marrë pjesë personalisht në funeral, Vuçiçi të premten iu referua një agjende të ngjeshur. “Kam një vizitë zyrtare të Presidentit të Uzbekistanit (Shavkat Mirziyoyev) gjatë gjithë ditës të hënën dhe të martën, e planifikuar katër muaj më parë”, tha ai.
Disa zyrtarë të lartë evropianë i janë bashkuar komisioneres së BE-së, Kos, në kritikat ndaj glorifikimit të Mlladiçit.
Ministri i Jashtëm i Belgjikës, Maxime Prévot, shkroi të premten në X se “është e turpshme dhe mungesë respekti ndaj viktimave dhe familjeve të tyre që për funeralin e tij të rezervohen nderime të tilla”.
“Ky është një hap që e largon Serbinë nga vlerat themelore të BE-së, respekti për dinjitetin njerëzor, të drejtat e njeriut dhe lufta kundër pandëshkueshmërisë – duke shkuar në drejtim të kundërt me atë që pritet nga një vend kandidat për në BE”, tha Prévot.
Ministri irlandez për Çështjet Evropiane dhe Mbrojtjen, Thomas Byrne, u tha mediave të premten se do të ishte “e papranueshme” nëse “figura të larta të qeverisë do ta përkujtonin atë njeri”.
FOTO: Një mural që lavdëron Ratko Mlladiçin si “hero” në Kalinovik
