Bashkim Liçi
Më 20 Mars të vitit 1949 u nda nga jeta në moshën 81 vjecare, në fshatin e lindjes së tij Shëmbërdhenj (sot Skenderbegas), atdhetari i Rrethit të Gramshit dhe Kombit Shqiptar Xhile Liçi. Xhile Zyber Liçi lindi në fshatin Shëmbërdhenj më 1 Janar te vitit 1868, në një familje të varfër fshatare.
Kushtet e rënda ekonomike të familjes e detyruan të emigronte në vise të ndryshme të Perandorisë Osmane në moshën 25 vjecare. Nevoja për të gjetur punë e çuan në Follorinë, Selanik, Sorovice, Manastir e vende të tjera. Rrethanat e krijuara bënë që Xhilja të njihej me shumë njerëz e shoqata patriotike që luftonin për lirinë e pavarësinë e atdheut. Kështu ai vendosi t’i kushtohej çështjes kombëtare. Për këtë, punoi e jetoi ne disa qytete të Turqisë, Bullgarisë, Maqedonisë Greqisë e Rumnisë. Jetoi e luftoi dhe në krahina e qytete të Shqipërisë si në Korcë, Kolonjë, Skrapar, Berat, Fier, Vlorë, Permet, Gjirokastër, Pogradec e Elbasan. Xhilja u njoh e bashkëpunoi me dhjetra personalitete të Rilindjes Kombëtare si Halit Bërzeshta, Idriz Gjakova, Kristo Luarasi e Shahin Kolonja, Themistokli Gërmenji e Ismail Qemali, Bajo e Cerçiz Topulli, Mihal Grameno, Sali Hida, Hil Mosi, Kristo Qirjazi e Papa Kisto Negovani, Kamber Dyrmishi, Mahmut e Servet Zaloshnja, Baba Meleq Staravecka (Shëmbërdhenji), Dervish Hima e Orhan Pojani, Haki Mborja, Sadik Zhari, Qamil Panariti e Sali Butka, Pandeli Cale, Shaban Blloshmi, Ymer Dervishi e Kodhel Dedja etj. Nga kujtimet e Xhile Liçit përmenden emrat e rreth 80-90 personaliteteve të Rilindjes Kombëtare me të cilët bashkuan forcat në luftë për lirinë e Shqipërisë. Gjatë veprimtarisë së tij Xhilja ka perdorur pseudonime si Seit Shëmbërdhenji, Seit Elbasani, Xhile Haxhi.
Veprimtaria atdhetare në vitet 1896-1912 e benë atë një prej personaliteteve të shquara të Rilindjes Kombëtare.
Patrioti Xhile Liçi, ka lënë dy kujtime te shkruara, që janë dokumente autentike, që pasqyrojnë veprimtarinë e tij patriotike. Në një takim që ka patur me Lef Nosin me rastin e 25 vjetorit të ngritjes së flamurit në Vlorë, Lef Nosi i thotë që të shkruajë përjetimet e veprimtarisë së tij ndër vite dhe t’ja dorezoje për t’i ruajtur në arkivin e tij. Njëra nga këto është shkruar nga Xhilja dhe quhet “Jetshkrim” dhe perbehet nga 10 faqe. Tjetra është shkruar nga një dorë tjetër që plotëson të parën. Këto dokumente ndodhen në Arkivin Qendror te Shtetit në dosjen e Lef Nosit.
Këto dorëshkrime janë burim te dhënash jo vetëm për veprimtarinë e Xhile Liçit, por dhe për historinë e Shqipërisë. Në këto dokumente ka disa mangësi pasi mungojnë data ose janë të përafërta, pasi kujtimet janë shkruar pas 25-40 vjetëve të ngjarjeve të ndodhura.
Fillimi i veprimtarisë atdhetare
Sipas “Jetëshkrimit” të Xhile Liçit thuhet se ai ka ikur nga fshati Shëmbërdhenj në moshën 25 vjec. Në fillim ka vajtur në Follorinë tek nenprefekti i zonës I quajtur Xhelal nga Velabishti i Beratit, të cilin e kishte njohur kur kishte kryer detyren e Nënprefektit në Gramsh. Ai e ka ndihmuar duke e dërgur tek sipërmarrësi i ushqimeve te ushtrisë, Idriz Gjakova në Sorovicje. Idriz Gjakova e ka vënë Xhilen të peshojë e transportojë ushqimet për ushtrinë turke në vende të ndryshme. Kjo punë i ka krijuar mundësi Xhiles që të kontaktojë shumë njerëz e të merret me veprimtari patriotike.
Me rëndësi është pjesëmarrja e Xhiles në krijimin e një Komiteti të fshehtë ne ushtri në Manastir nga ana e Ismail Qemalit e Rexhep Pash Matit, të cilët ishin bashkuar me Kolonelin e Manastirit Halit Bej Bërzeshten e Feim Zavalanin.
Por çfarë ishte kjo lidhje? Qellimi dhe çfarë veprimesh do të kryente? Xhile Liçi mori pjesë në këtë lidhje sepse sëbashku me Halit Bërzeshtën, Idriz Gjakovën e Feim Zavalanin, punonin ne ushtri. Xhilja ne “Jetëshkrim” thotë “U lidh nje Komitet i fortë me ushtrinë nga Ismail Qemali e Rexhep Pash Mati që do të dilnin me ushtrine e Turbulluzit në Selanik”. Plani ishte mbështetur shumë tek veprimet e ushtrisë se Rexhep Pash Matit, nga i cili do të siguroheshin mjetet per transportimin e ushtrisë në Selanik. Por plani i kryengritjes dështoi pasi nuk u siguruan mjetet e transportit për të marrshuar nga Selaniku drejtë Stambollit për t’i dhënë ultimatumin Sulltan Abdyl Hamitit për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë.
Sulltani e kuptoi planin e kryengritjes dhe Halit Bej Berzeshtën dhe Feim Zavalanin i kapën dhe i bënë syrgjyn në Arabistan, ndërsa Ismail Qemalin, Sulltani vendosi ta largojë nga Stambolli duke e emëruar Guvernator te Tripolit. Ismail Qemali nga frika e eleminimit fizik, pas takimit në Stamboll me Sulltanin më 28 Prill 1900, u arratis nga Turqia sëbashku me djemte e vet, ne Romë, Paris, Londër, ku qëndroi për një kohë të gjatë. Kësisoj kjo lidhje dështoi dhe u shpernda.
Pra veprimtaria atdhetare aktive e organizuar e Xhile Liçit zë fill qysh prej vitit 1900 ne bashkëpunim të ngushtë me atdhetarët kryesorë e me te shquar të lëvizjes kombëtare.
Në vitin 1905, me inisiativën e Bajo Topullit, u formua në Manastir një Komitet i fshehtë shqiptar “Për lirinë e Shqiperisë” i kryesuar nga Atdhetari Halit Bërzeshta, i cili ishte kthyer nga syrgjyni në Arabistan. Në programin e këtij Komiteti synohej “Të ngjallurit e Shqipërisë duke sjellë vllazërimin, dashurinë e lartësimin duke përparuar në udhën e qytetërimit me anë të librave, duke mbajur njerëz maleve për të shpëtuar nga zgjedha dhe errësira ndë të cilën gjendet sot Shqipëria”. Ne këtë Komitet bënte pjesë dhe Xhile Liçi. Komiteti i dha rëndësi krijimit të cetave të luftëtarëve të lirisë. Në pranverën e vitit 1906 u formua çeta e Bajo Topullit, kurse me vone dhe çeta të tjera. Xhile Liçi në “Jetshkrimin” e tij thotë se “Bajo Topulli, Cerçizi, Idriz Gjakova dhe Mihal Grameno, vajtën në Bullgari, Unë dhe Mehmet Pavari erdhëm në Shqipëri Une, vazhdon Xhilja, punoja në Tomorricë, Skrapar, në Krahinën e Vërces-Sulovë, në Shpat të Elbasanit dhe Berat. Me pas Bajua, Cerçizi dhe Mihali nëpërmjet Italisë mbritën në Sarandë, hynë në Gjirokastër e kësisoj unë punoja ketej e ata andej”. Xhilja në viset e largëta punonte me pseudonimet Seit Shëmbërdhenji, Xhile Haxhiu. Xhilja sipas dëshmise së të shoqes Bekes është martuar në vitin 1906. E shoqja e tij Bekja vinte nga nje fis i njohur për veprimtarinë patriotike, nga fisi Lila nga fshati Bregas, ku ky fis në vitet e më vonshme është shquar në kontributin në fushën e arsimit. Por fatkeqsisht Xhilja dhe Bekja nuk paten fëmijë.
Me 1908, pas punës në Shqipërinë e Mesme e të Jugut, Xhilja kthehet në Manastir. Fillon punë në gazetën “Bashkimi i Kombit”, që drejtohej nga Feim Zavalani. Xhonturqit e ardhur në pushtet, mbas shpalljes së Hyrjetit (Kushtetutës), ishin kundër përhapjes së gjuhës shqipe. Ata tentuan të digjnin gazetën “Bashkimi i Kombit” ku Xhilja me shokë e mbrojtën atë me armë. Në ketë klimë antishqiptare të Xhonturqëve, u thirr Kongresi i Manastirit për përcaktimin e Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Për këtë ngjarje Xhilja shkuan: “U mblodhën Kombëtarët shqiptarë nga të gjitha viset e Shqipërisë dhe u lidh një Komitet i ri ku si këshill isha dhe unë”.
Kongresi i Manastirit, përvec detyrës madhore të përcaktimit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe, përcaktoi dhe detyra për organizimin e kryengritjes së përgjithshme deri në fitoren e pavarësisë. Për realizimin e kësaj detyre, Xhile Liçit, Themistokli Gërmenjit dhe Sadik Zharit iu caktuan detyrat e Kryekomitit, për të cilën Xhilja shprehet se “na lanë të gjezdisim si Kryekomitë”. Xhilja shkonte shpesh nga Selaniku ne Stamboll për të marrë udhëzime nga Ismail Qemali.
Pas armiqësisë me Xhonturqit, shumë patriotë shqiptarë u bashkuan në shoqërinë shqiptare te Sofjes të kryesuar nga Shahin Kolonja e Kristo Luarasi. Në këtë shoqëri hyne dhe Xhile Liçi, Mehmet Pavari, Idriz Gjakova, Beqir Nishica ,Sefer Panariti etj. Sofia ishte bërë qendër e rëndësishme e lëvizjes kombëtare. Për një takim në Sofie Xhile Liçi shkruan se: ‘Bëmë shkresa dhe ua dërguam shtatë mbretërive dhe u thoshim se duam të drejtat tona, por po nuk na i dha Qeveria Turke, do të bëjmë kryengritje.”
Pas kësaj Xhilja bën udhëtime ne Dangëlli, Përmet, Berat, bëri mbledhje me komandante çetash si Ferit Lumani, Reshat Vrioni, Servet Zaloshnja, Bektash Cakrani etj.
Sipas porosive te Komitetit Kombëtar, ai u dha programet dhe thirrjet për bashkimin e cetave dhe shpërndau flamuj me fjalët “vdekje a liri” Gjatë kësaj kohe Xhilja vajti dhe në shumë krahina të tjera të Shqipërisë sëbashku me shumë patriotë të tjerë për organizimin e kryengritjes së armatosur, e cila nisi ne Kosovë e u përhapën në gjithë Shqipërinë.
Xhile Liçi ishte dhe pjesmarrës ne Shoqerine “Drita” të Bukureshtit, e themeluar nga atdhetarët shqiptarë të emigrur nga Perandoria Turke në Rumaninë e Pavarur, e drejtuar nga Pandeli Sotiri. Në programin dhe statutin e Shoqërisë thuhej se ”Shoqëria e Shqiptarëve “Drita” themelohej duke pasur për qëllim të vetëm zhvillimin dhe perparimin e gjuhës shqipe” . Por Shoqeria merrej dhe me veprimtari politike pro shqiptare.
Sipas udhëzimeve të kësaj Shoqërie është bërë një punë e madhe për përhapjen e arsimit shqip dhe në trevat e Gramshit e pasqyruar kjo në artikujt e shkruar nga Atdhetari nga Gramshi Asllan Shahini.
Në takimin e fundit të Ismail Qemalit që ka patur në Bukuresht me Xhile Liçin, Ai e ka mandatuar si delegat perfaqësues të Krahinës së Tomorricës, ndërsa për Nënprefekturën e Gramshit është mandatuar Atdhetari Asllan Shahini, për të marrë pjesë në Kuvendin e madh qe do të mbahej në Vlorë për shpalljen e pavarësisë se Shqipërisë.
Xhile Liçi dhe Asllan Shahini si perfaqësues të Krahinës së Tomorricës dhe të Nënprefekturës së Gramshit, kanë mberritur në Berat dhe në pamudësi për të shkuar në Vlorë për shkak të dimrit të fortë dhe të ushtrisë Turke të Xhavit Pashës, e cila ishte kthyer në bandë kusarësh, ata nga Berati kanë bërë këtë telegram: “Berat 16(29) vjeshtë e tretë 1912, Shkëlqesisë së tij Ismail Qemal Beut, Vlorë. Sado qe kemi tri ditë që kemi ardhur ketu, nga shkaku I dimrit nuk mujtëm me ardhë aty. Lutemi pranoni përfaqesimin e krahinave tona. Ne qoftë nevoja për ne lajmëroni. Përfaqësuesi i Nënprefektures së Gramshit Asllan Shahini, përfaqësuesi i krahinës së Tomorricës Seit Shëmbërdhenji.”
Në procesverbalin e Kuvendit të Vlorës të datës 30 Nentor 1912 shënohet: “Me telegram u lajmërua Ismail Beu nga Gramshi e Tomorrica.” Pra Gramshi e Tomorrica në Kuvendin e Vlorës u përfaqësuan nga Atdhetari i madh i Kombit Shqiptar Ismail Qemali. Për këtë populli i ketyre trevave ndjen një krenari te vecantë.
Xhile Liçi ishte fanolist, antizogist dhe antifashist i vendosur.
Ngjarjet e ndodhura pas shpalljes së pavarësisë sollën rreziqe serioze për ekzistencën e Shqipërisë nga synimet grabitqare të fqinjëve tanë që donin copetimin e Shqipërisë, të mbështetur dhe nga esadistët e turkomanet vendas. Patrioti Xhile Liçi ka qënë aktiv dhe në balle të luftës në mbrojtje të Qeverisë së Vlorës të Ismail Qemalit, në mbrojtje të lirisë dhe pavarësisë të Shqipërisë.
Pas shpalljes së pavarësisë Xhilja bleu një pronë dhe ndërtoi një shtëpi në fshatin Duhanas të Beratit. Por në konflikt me bejlerët e Vrionasve, këta i dogjën shtëpinë dhe i grabitën token. Kështu u detyrua të kthehej përsëri në vendlindje.
Doreheqja e Qeverisë së Vlorës e shtoi kaosin në Shqipëri. Lindi lëvizja dunbabiste e mbështetur nga bejlerët e cifligarët. Forcat rrebele si kudo hynë dhe në Gramsh në Korrik 1914, rrëzuan flamurin Shqiptar dhe ngritën flamurin Turk. Ish oficeri turk Ramadan Gega ose sic e thërriste populli Ramadanaj, në krye të një batalioni shetites xhandarmërie, batalion ndëshkimor, ishte vënë në ndjekje të patriotëve. Ai u vu në ndjekje te Xhile Liçit (Xhile Haxhiut) dhe të personave të tjerë të dëmshëm siç i quan ai bashkë me Baba Meleqin e Teqesë së Shëmbërdhenjit. Ata dogjën shumë shtëpi patriotësh, dogjën shtëpinë e Xhiles dhe Teqenë e Shëmbërdhenjit. Ndersa Xhilja me familjen e tij, sic edhe tregon kushëriri i tij Tefik Liçi, si dëshmitar okular, për t’I shpëtuar përndjekjes, u largua muhaxhir në zonën e Korcës tek Miqte e tij.
Xhilja me çetën e tij sëbashku me cetat e patrioteve të Skraparit që ishin dhe miqtë e tij si Zenel Braci, Servet Zaloshnja e Sinan Leshnja, u vunë kunder bandave Greke për mbrojtjen e kufijve të Jugut të Shqipërisë. Ai u vu në mbështetje të Luftës së Vlorës e Kongresit të Lushnjes, dhe përkrau Qeverinë e Fan Nolit. Me rënien e Qeverisë demokratike të Nolit në dhjetor 1924, Ahmet Zogu, i ardhur në Shqipëri nga emigracioni, i mbështetur dhe nga forcat bjellogardiste, filloi përndekjet ndaj pjesmarresve në kryengritje. Në Gramsh u strehua Xhevdet Dishnica, patriot pjesmarrës në Luftën e Vlorës dhe ish Kryetar i Shoqërisë Bashkimi të Beratit. Gjithashtu nga data 5 Janar deri 22 Janar 1925 në Gramsh u strehua revolucionari Riza Cerova. Sipas dëshmise verbale të kushëririt te tij Tefik Liçi, të cilin Xhilja e konsideronte si djalin e tij, Riza Cerova ka qëndruar rreth dy javë në shtëpine e porsa ndërtuar të Xhiles, pas djegjes nga xhandarët e Ramadanajt. Kjo dëshmi është autentike pasi ajo tregon se si u ka shërbyer atyre cdo ditë, me gjithcka kishin nevojë, të cilët qëndronin të strehuar në një dhomë e cila quhej kulë, e ngrihej mbi katin e dytë të shtëpisë dhomë në të cilën hyhej nëpërmjet të shkallëve të drurit dhe që mbylleshin me një qepen. Pastaj Rizai kaloi në zonën e Vërçes, në zonën e Pogradecit, ka kaluar kufirin Shqiptaro-Grek e ka jetuar për nje kohë të gjatë në Bashkimi Sovjetik.
Si antizogist, në fillim të viteve 30, Xhila ishte pjese e grupit antizogist të Gramshit që mbështeti lëvizjen e Riza Cerovës, që u quajt Kryengritja e Fierit. Grupi përbëhej nga Xhile Liçi, Sabri Hoxha, Shefit Mesiti, Shaban Zereci, Muhamet Gostëncka, Dane Tabaku, Sherif Lila, Selman Baku e Laze Avdiu. Lëvizja dështoi dhe Riza Cerova u ndoq dhe u ekzekutua nga xhandaret e Zogut.
Pushtimin fashist Xhilja e përjetoi me dhimbjen e nje atdhetari dhe e kundërshtoi me forcë, megjithë moshën e shkuar. Nisur nga përvoja si luftëtar dhe respekti që gëzonte në popull, ai u zgjodh Kryetar i Këshillit Antifashist Nacionalclirimtar per fshatin Shëmbërdhenj. Detyrë që e mbajti deri në vitin 1945.
Në operacionin gjermano-ballist të Qershorit 1944, me ndihmën e dy bashkëpuntorëve te tyre, pushtuesit Gjermanë dogjen shtëpinë e Xhiles me gjithcka kishte brenda duke mbetur familja pa nje cati mbi koke pa asnje mjet jetese. Kjo ishte hera e tretë që digjej shtëpia e Xhile Liçit. Kështu fundin e jetës së tij e kaloi në varferi ekstreme. Ai nderroi jetë me 20 Mars 1949.
Si përfundim kemi të drejtë të themi se atdhetari Xhile Liçi, me idetë dhe atdhetarizmin e tij, iu është pergjigjur në vazhdimësi detyrave historike që qëndronin përpara kombit. Veprimtaria e tij është me përmasa kombëtare.
Eshtë dekoruar me urdherin “Për veprimtari Patriotike”. Shkolla e Qytetit dhe një lagje e Gramshit mbajnë emrin e tij. Dhe Shkolla e fshatit Shëmbërdhenj(sot Skëndërbegas), mban emrin e tij.