Një mace e vogël me njolla, që jeton në pyjet malore të Bolivisë, është identifikuar nga shkencëtarët si një specie e re, duke shënuar rastin e parë në më shumë se një shekull që një specie e re maceje e gjallë përshkruhet dhe emërtohet zyrtarisht nga shkenca.
Specia e re quhet Leopardus tilcayo, ose macja Tilcayo, emër që vjen nga mënyra se si banorët vendas e kanë quajtur kafshën prej brezash. Ajo jeton në rajonin Yungas të Bolivisë, një zonë malore me pyje të lagështa dhe mjegull, në shpatet lindore të Andeve.
Ajo është dukshëm më e vogël se një mace mesatare shtëpie. Një ekzemplar i studiuar nga shkencëtarët tregonte se kjo lloj rrace ishte rreth 46 centimetra i gjatë dhe peshonte vetëm 1.4 kilogramë. Gëzofi i saj është në ngjyrë kafe të çelët dhe mbulohet nga njolla të çrregullta që të kujtojnë ato të leopardit.
Historia e zbulimit është po aq interesante sa vetë kafsha. Biologia boliviane dhe eksploruesja e National Geographic, Paola Nogales-Ascarrunz, u interesua për të pasi një ekzemplar kishte përfunduar në një qendër rehabilitimi për kafshët e egra pranë La Pazit. Pamja dhe përmasat e tij nuk përputheshin plotësisht me përshkrimet e maceve të egra të njohura deri atëherë.
Dyshimet çuan në një studim shumë më të thelluar. Studiuesit analizuan ADN-në e 38 maceve nga disa vende të Amerikës së Jugut, përfshirë edhe ekzemplarë të ruajtur në muze.
Rezultatet treguan se Tilcayo nuk ishte thjesht një variant lokal i një specieje të njohur. Ajo përfaqësonte një linjë gjenetikisht të veçantë, e cila vlerësohet se është ndarë nga të afërmit e saj rreth 1.4 milionë vjet më parë. Studimi arriti gjithashtu në përfundimin se grupi i njohur si “tiger cats” përbëhet në fakt nga pesë specie të dallueshme gjenetikisht.
Pavarësisht zbulimit, shkencëtarët dinë ende shumë pak për mënyrën se si jeton Tilcayo në natyrë. Deri tani janë studiuar vetëm dy individë të gjallë dhe një numër i vogël regjistrimesh nga kamerat e vendosura në pyll. Gjurmët e gjetura sugjerojnë se ajo ushqehet me brejtës të vegjël dhe mund të jetë kryesisht aktive gjatë natës.
Zbulimi ngre edhe një tjetër shqetësim: habitati i saj është nën presion. Pyjet e Yungas kërcënohen nga shpyllëzimi, zgjerimi i bujqësisë, zjarret dhe aktivitetet minerare. Studiuesit ia kanë përcjellë tashmë të dhënat Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), në mënyrë që linjat e ndryshme të këtyre maceve të mund të vlerësohen veçmas për nivelin e rrezikut.
Fakti që një specie e re maceje mund të identifikohet ende në vitin 2026 tregon se edhe mes gjitarëve relativisht të mëdhenj dhe të studiuar, biodiversiteti i planetit vazhdon të rezervojë surpriza.
Burimi: National Geographic / Reuters
