Një kompani sigurimesh në bashkëpronësi të biznesmenit miliarder rus të sanksionuar, Mikhail Fridman, duket se ka siguruar automjetet e Gardës Kombëtare të Rusisë, që më vonë u vendosën në Ukrainë, ka zbuluar ekipi hulumtues i Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë. Zbulimi mund të çojë në përpjekjen e Kievit për të bllokuar asetet e Fridmanit në Ukrainë.
Dokumentet në faqen e internetit të prokurimeve të Qeverisë ruse tregojnë se ‘AlfaStrakhovanie’ fitoi nga sigurimi i automjeteve të Gardës Kombëtare të paktën 63.4 milionë rubla [rreth 800 mijë dollarë] në vitin 2022 , vit ky kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.
Duke përdorur rrjetet sociale dhe faqet e internetit të Qeverisë ruse, Shërbimi Ukrainas i REL-it vërtetoi se shumë nga këto automjete të siguruara morën pjesë në pushtimin e Ukrainës, megjithëse sigurimi nuk ishte në fuqi kur ato ishin jashtë Rusisë.
Sigurimi i kompanisë shtrihet edhe tek automjetet e përdorura nga një ekip i sigurisë i presidentit rus, Vladimir Putin. Një kompani tjetër në pronësi të Fridmanit, ‘X5 Group’, e regjistruar në Holandë, drejton një sipërmarrje të përbashkët me kompaninë ‘Voentorg’, një shitës i sanksionuar që është në pronësi të Ministrisë ruse të Mbrojtjes dhe furnizon trupat ruse me ushqim dhe veshje.
Si në Ukrainë, ashtu edhe në Bashkimin Evropian, veprimet që konsiderohen se kanë minuar sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Ukrainës, mund të çojnë në sanksione.
Gjetjet e Shërbimit ukrainas të REL-it, u publikuan më 1 maj. Më 3 maj, kompania e regjistruar në Luksemburg, e cila është kompani amë e ‘AlfaStrakhovanie’, ‘ABH Holdings’, iu përgjigj raportimit të Shërbimit ukrainas të REL-it dhe njoftoi rreth planeve për t’i tërhequr investimet nga bizneset e saj ruse në fushën e sigurimeve dhe ato bankare.
Firma, në të cilën Fridman ka afërsisht 33 për qind të aksioneve, mohoi se ‘AlfaStrakhovanie’ kishte shkelur sanksionet e BE-së dhe theksoi se aksionarët e sanksionuar të ‘ABH Holdings’ nuk marrin pjesë në menaxhimin e kompanisë.
Kompania ‘AlfaStrakhovanie’ nuk duket se e ka fshehur rolin e saj në sigurimin e automjeteve të Gardës Kombëtare. Një njoftim për shtyp i botuar në internet në gusht të vitit 2022, që mbante logon e korporatës, njoftoi se kompania kishte filluar të siguronte 340 automjete të Gardës Kombëtare të Rusisë.
Rreth katër muaj më herët, në prill të vitit 2022, drejtoria kryesore e Inteligjencës e Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës raportoi gjetjen e dokumenteve nga kjo njësi mes një kolone të “forcave speciale” të Gardës Kombëtare Ruse, për të cilën tha se e kishte “shkatërruar” jashtë Kievit.
Ministri ukrainas i Drejtësisë, Denys Malyuska, i tha Shërbimit ukrainas të REL-it, se nëse konfirmohen gjetjet e raportimit të REL-it, Kievi mund të ngrejë një padi për konfiskimin e aseteve të Fridmanit në Ukrainë.
Sipas ligjit ukrainas, një shtetas rus që sanksionohet për lidhje me pushtimin e Ukrainës nga Moska mund të humbasë të gjitha pasuritë e tij ose të saj në Ukrainë pa kompensim. Kievi e sanksionoi Fridmanin në tetor të vitit 2022.
Përveç një dege të ‘AlfaStrakhovanie’, Fridman raportohet të ketë aksione në ‘Sense Bank’, një nga bankat më të mëdha të shitjes me pakicë të Ukrainës e që është kompani simotër e ‘Alfa-Bank’ dhe disa kompanive tjera.
Fridman 59-vjeçar, me bazë në Londër, renditet në Indeksin e Miliarderëve të Bloombergut si një nga 200 njerëzit më të pasur në botë, me një vlerë totale neto prej rreth 11.5 miliardë dollarësh.
Si Bashkimi Evropian, ashtu edhe Mbretëria e Bashkuar e kanë sanksionuar atë për gjoja mbështetjen financiare të pushtimit rus të Ukrainës.
Duke përdorur një fushatë shkrimi letrash dhe padi kundër Bashkimit Evropian, Fridman ka kundërshtuar sanksionet britanike sikurse dhe ato të BE-së.
Ndonëse Agjencia Kombëtare e Krimit të Mbretërisë së Bashkuar e ka reduktuar hetimin e saj për akuzat kriminale kundër biznesmenit, një hetim mbi akuzat për pastrim parash është duke vazhduar, raportoi Financial Times në prill.
Në komentet për Shërbimin ukrainas të REL-it, Fridman, i cili në mars të vitit 2022 e quajti luftën në Ukrainë një “tragjedi të madhe” që “duhet ndalur”, nuk e mohoi që ai kontrollon ‘AlfaStrakhovanie’– sanksionet e BE-së ia ndalojnë atij t’i shesë aksionet e tij — por vuri në dukje se në shkurt të vitit 2022 ai dha dorëheqje nga menaxhimi i të gjitha kompanive në të cilat ai zotëron aksione. Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 24 shkurt 2022.
m.b./dita
