Nga Dori Xhima
Në mbledhjen me dyer të mbyllura të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, ish-kryeministri Pandeli Majko, ka lëshuar atë që mund të konsiderohet si deklarata më e fortë e kohëve të fundit brenda strukturave socialiste. Paralajmërimi i tij për ekzistencën e rreth 1 mijë orëve filmime me përmbajtje erotike dhe korruptive, ku sipas tij shfaqen eksponentë të lartë të partisë në pushtet, ka shkundur sallën dhe ka ngritur një mori pikëpyetjesh.
Por çfarë fshihet pas kësaj “bombe” të Majkos dhe cila është panorama e gjerë e tensionit politik, përfoljeve dhe skandaleve që po qarkullojnë prej kohësh në korridoret e politikës shqiptare?
Sipas burimeve nga mbledhja e Asamblesë, mesazhi i Majkos ka qenë i qartë: “Kam informacion se në 1 mijë orë filmime ka eksponentë të PS-së në video erotike dhe korruptive. Mirë është të jepni dorëheqjen para se të dalin. Mos e vini në siklet partinë dhe kolegët”.
Thirrja e tij për vetëlargim të hershëm të personave që mund të jenë të përfshirë tregon se në tryezat e ngushta të drejtimit socialist ankthi i papritur i materialeve kompromentuese është real. Një figurë me peshën e Pandeli Majkos nuk lëshon deklarata të tilla pa një adresë të qartë ose pa pasur dijeni për një presion të madh që po afrohet drejt oborrit qeverisës.
Hija e skandaleve dhe zërat për dosjet e Ergys Agasit
Deklarata e Majko-s nuk vjen në një terren të papërgatitur. Muajt e fundit, skena politike dhe ajo mediatike kanë qenë nën ethet e aludimeve të forta lidhur me materiale audio-vizuale dhe përgjime të bujshme që pretendohet se ndodhen në duart e institucioneve të drejtësisë apo të qarkullojnë nëpër serverë e dosje sekrete.
Në qendër të këtyre përfoljeve, është lakuar shpesh emri i Ergys Agasit, shoqëruar me pretendime se në materialet e administruara ose të lakuara nga SPAK dhe qarqe të ndryshme përfshihen video intime dhe transaksione apo biseda me zyrtarë të nivelit të lartë shtetëror e partiak.
Ndonëse pjesa më e madhe e këtyre zërave janë trajtuar si pjesë e luftërave të ashpra të klaneve të brendshme dhe e përplasjeve për pushtet e ndikim, dalja e Pandeli Majkos në skenë me shifrën tronditëse “1 mijë orë filmime” i ka dhënë një dimension tjetër kësaj historie: ajo nuk është më thjesht një thashethem i ekraneve apo rrjeteve sociale, por një shqetësim i pranuar hapur në tryezat më të larta të Partisë Socialiste.
Partia Socialiste ndodhet në një fazë delikate konsumimi, ku korrupsioni, lufta për pozicione, rikonfigurimet e pushtetit vendor e qendror dhe tensionet e brendshme kanë sjellë një atmosferë të rënduar.
Paralajmërimi i Majkos është një sinjal se dosjet e presionit të cilat shpesh përdoren si armë në luftën politike apo mes grupeve të interesit janë bërë kaq të prekshme saqë rrezikojnë të shpërthejnë në çdo moment, duke detyruar “veteranët” e partisë të kërkojnë masa ekstreme mbrojtëse. Mbetet për t’u parë nëse ky paralajmërim do të shërbejë si filtër vetëpastrimi për PS-së apo nëse do të jetë nisja e një seriali skandalesh të reja publike.
DITA
