Nga Jorgji Kote
Nga Brukseli për DITA
Presidenca e radhës e BE-së për gjysmën e parë të vitit 2024 (1 Janar – 30 Qershor 2024) shënon një ngjarje madhore dhe sprovë serioze për Belgjikën dhe BE-në.
Ndonëse vitet e fundit çdo kryesim i BE-së ka qenë plot probleme dhe telashe, ky i tanishmi është i tej ngarkuar me sfida shpërthyese ose “bomba me sahat” në gjeopolitikën europiane dhe më gjerë. Ndaj, ia vlen që të ndalemi në mënyrë të përmbledhur në 10 kryesfidat e Presidencës së tanishme, e 13-ta pë Belgjikën.
Së pari, vetë Belgjika do të ketë zgjedhjet komunale, bashkiake, rajonale dhe federale që do të zhvillohen bashkë me ato europianemë 6 Qershor 2024. Për pasojë, kryeministri Alexander De Croo dhe ministrat e forcave të ndryshme politike janë mes dy zjarresh – trysnisë zgjedhore, veçanërisht nga Partia separatiste N-VA e Bart de Veverit në Flandër dhe ato në vendet e tjera, ku ekstremizmi, sidomos ai i djathtë është në kundërsulm agresiv politik dhe zgjedhor.
Ndërkohë, sapo ka filluar fushata e zgjedhjeve të reja për Parlamentin Europian me emërimet e kandidatëve dhe përgatitjen e alternativave përkatëse. Këtu sfida më e vështirë është neutralizimi i tentativave të së djathtës ekstreme për të shtuar kuotat në forumin më të lartë të BE-së e duke zgjeruar spektrin e vendeve fituese. Tanimë ajo është në pushtet në Itali, Slovaki, Finlandë, Holandë, dhe me trysni në rritje në Francë, Gjermani, Spanjë, etj. Një fitore e saj e mundshme në zgjedhjet europiane dhe britanike do të ishte ogur i keq për demokracinë liberale kudo.
Një nga kushtet dhe kërkesat kryesore për shmangien e kësajdukurie është që brenda muajit Mars, në Samitin e BE-së të realizohet konsensusi i nevojshëm lidhur me Paktin e Migrimit. Sepse azili i paligjshëm i qëndron asaj te koka si ” Shpata e Demokleut”.
Ky konsensus ka dështuar në 8 vitet e fundit; ndajpresidenca belge është shansi i fundit për ta miratuar Paktin e tëzgjidhej ngërçi i madh. Ca më tepër se vjet u thye rekordi i vitit 2015 me mbi 1 milion emigrantë!
Më tej, paralelisht me zgjedhjet europiane do të jetë dhe fushataparaprake e zgjedhjeve presidenciale amerikane. Nëse Europa nuk ka ndonjë ndikim në ato zgjedhje, fati i presidencialeve amerikanedo të jetë vendimtar për të ardhmen Europiane dhe transatlantizmit në përgjithësi. Gjendja do të ishte shumë e paparashikueshme nëse do të fitonte kandidatura e ish Presidentit Trump.
Në këto kushte, BE-ja duhet të ketë gati për çdo rast një Plan Veprimi B lidhur me marrëdhëniet e saj me SHBA-të NATO-n, Kinën, Rusinë, Ballkanin etj, për të cilën do menduar tani sa nuk është vonë, si një kërcënim për gjithë BE-në.
Dy kryesfidat e tjera, ndoshta më të mëdha dhe përcaktuese janë vazhdimi dhe fati i luftës midis Rusisë dhe Ukrainës që më 24 shkurt hyn në vitin e saj të dytë. Ndryshe nga sa shpresohej njëvit më parë, kundër ofensiva e shtyrë ukrainase nuk dha rezultate të pritshme, madje Rusia po bën hapa ndonëse të vegjël përpara.
Ajo ka aleatët e saj Kinën, Iranin, Korenë e Veriut dhe shumëvende të BRICS dhe të Jugut Global, duke përballuar kësisoj relativisht mirë sfidat dhe pengesat e krijuara nga 12 paketat me sanksione ekonomike të BE-së dhe atyre amerikane.
Ndërkohë, mbështetja ndaj Ukrainës ka ardhur duke u zbehur. SHBA dhe BE- nuk kanë mundur deri tani të krijojnë konsensusin e nevojshëm politik për t’i dhënë Kievit të dya bashkë 110 miliard Euro me ndihma, plus më shumë paisje dhe armatime ushtarakeaq të nevojshme për përparimin e Ukrainës në frontin e luftimeve.Kundërshtimi te republikanët në SHBA dhe në disa vende anëtare të BE-së kanë hedhur hije dyshimi, të cilat duhen shpërndarë sa nuk është vonë.
Sfida tjetër shoqëruese atje është shqyrtimi i mundësisë për t’i ulur të dyja palët ndërluftuese në tryezën e negociatave për një paqe të mundshme. Projektet dhe demarshet nuk mungojnë. Mirëpo, realiteti në terren është krejt i ndryshëm dhe larg atyre projekteve. Me gjithë pohimet dhe pretendimet paqebërëse, realisht është e pamundur që Putini të ulet e ta flasë për paqe, kur erërat po fryjnë në favor të tij.
Madje, tani atij nuk i intereson fare të ulet, me përjashtim të kushtit që Rusisë t’i lihen territoret e pushtuara, si dhe “çmilitarizimit dhe denazistifikimit të Ukrainës”. Vetëm në këtë rast ai do të pranonte, mbasi të ketë shpallur fitoren e operacionit special ushtarak. Mirëpo, siç ka pohuar nobelistja ukrainase Olexandra Matviichuk , kjo nuk do të ishte paqe, por pushtim për Ukrainën; nga ana tjetër, siç ka theksuar Kancelari gjerman Olaf Scolz, “paqja kërkon drejtësi”.
Në këto kushte, as Ukrainës nuk i intereson të ulet në tryezë për paqen, pa përparime ushtarake dhe pa rimarrë territoret e pushtuara mbas 24 Shkurtit.
Kryesfida tjetër e radhës është në Lindjen e Mesme, në vijim të përshkallëzimit të gjendjes pas sulmit terrorist të Hamasit kundër Izraelit më 7 Tetor 2023. Çështja këtu shtrohet që të forcohet roli gjeopolitik i BE-së, mbasi deri tani, ka qenë më tepër spektatore në atë rajon dhe donatore ndihmash.
Mirëpo gjendja dhe rebusi politik atje është tejet i ngatërruar dhe shpërthyes. E para gjë që do bërë atje është sigurimi i një armpushimi më të gjatë, me qëllim qëtë sigurohet dërgimi i ndihmave bazë në Rripin e Gazës për qindra mijëra civilë të pafajshëm. Duke marrë masat ndërkohë që Hamasi të jetë i neutralizuar. Problemi tjetër është që Izraeli të tregohet i përmbajtur në operacionet e tij ndaj Hamasit, pa shkelur të drejtën ndërkombëtare dhe që lufta atje të mos përshkallëzohet dhe të përfundojë brenda disa javëve dhe jo muajve apo viteve, siç pretendon qeveria e Netianahut.
Vetëm kështu do t’i çelej rruga demarsheve për nje paqe të vërtetë dhe të qëndrueshme. Paqe sipas projektit me dy shtete, në paqe dhe begati me njera tjetrën. Një sfidë vërtet herkuliane, që kërkon zgjidhje mundësisht deri në qershor.
Dy kryesfidat e tjera i takojnë Ballkanit Perendimor si rajon dhe secilit vend në të. Këtu spikat problemi i mbetur i dialogut midis Serbisë dhe Kosovës, sidomos i Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit e deri te asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe aspektet e tjera ta debatueshme.
Mirëpo, praktikisht, duke qenë se dhe ndërmjetësuesit “kanë dalë jashtë loje sepse realisht u ka dalë boja” pavarësisht nga eufemizmat diplomatike nuk ka mundësi përndonjë arritje. Presidencës belge, megjithë predispozicionin e përhershëm dhe traditën e saj pozitive të mbështetjes pa rezervatë Shqipërisë, Kosovës dhe demokracisë në rajonin tonë, i mbetet vetëm të zbatojë parimin ”tërhiq e mos e këput” derisa të ketë lidershipe të reja në BE dhe në SHBA.
Megjithatë, kërkohet kujdes në veri të Kosovës, ku nga trupat serbe mund të pritet gjithçka, sidomos gjatë vitit zgjedhor europian dhe amerikan. Ndërkohë, lajmi tjetër brengosës është njoftimi mbi ndarjen e mundshme të Repulika Srpska nga Bosnia, në kuadrin e krijimit të botës serbe, e shpallur nga Dodik, një shkëndijë e rrezikshme konflikti që kërkon dhe vëmendjen e BE-së.
Nuk priten zhvillime as lidhur me zgjerimin e BE-së drejt Ballkanit Perendimor, ndonëse presidenca belge e mbështet atë si përherë. Në vartësi të demarsheve diplomatike, gjithsesi, ka një dritare fare të vogël për në Samitin e Marsit të BE-së për çeljen e grupit kapitujve të parë të negociatave me Shkupin dhe Tiranën.
POR, me kusht, që Shkupi të bëjë ndryshimet kushtetuese të nevojshme, diçka e pamudur deri atëhere, ndërsa Tirana dhe Athina të zgjidhin çështjen “Beleri”. Ndryshe, druaj se do të na duhet të presim vitin 2025, kur do të jenë krijuar instancat më të larta drejtuese të BE-së dhe të mos jenë hapur telashe të reja.
Gjithsesi, Ballkani Perendimor me plot të papritura mbetet një terren i minuar që do ta mbajë të gozhduar presidencën belge dhe demarshet e saj diplomatike.
Megjithatë, pavarësisht nga këto megasfida ka vend për optimizëm të moderuar, kur mendon se Belgjika i ka mundësitë, traditat, përvojën dhe kapacitetet për t’i përballuar këto sfida madhore. Mbi të gjitha, ajo shquhet për kulturën unikale të kompromisit dhe konsensusit, të cilat për belgët janë “si buka dhe gjalpi”.
Krahas nivelit federal, Belgjika ka dhe 6 parlamente me qeveri rajonale dhe komunitete gjuhësore; me shumë sfida dhe përlasje por prapë ato e gjejnë kompromisin dhe kur ai duket i pamundur. Në vitin 2010, kryesimi i saj i BE-së u vu në pikpyetje, mbasi Belgjika ishte në kulmin e një krize të paparë qeveritare që vazhdoi 550 ditë!
Në atë situatë, Mbreti përdori lloj lloj mekanizmash për të shmangur një dështim katastrofal për Belgjikën – negociatorë, relatorë, formatorë, informatorë, raportues të shquar nga të gjitha krahët politikë deri në krijimin e qeverisë së qëndrueshme; për rrjedhojë, edhe kryesimi belg i BE-së u kthye në histori të vërtetë suksesi!
Kjo shpjegohet veç të tjerash me faktin se pavarësisht nga ndarjet, ku vjen puna te politika e jashtme dhe europiane, të gjitha forcat politike në Belgjikë bashkohen. Kjo përbën një traditë dhe trashëgimi të pasur e cila me siguri do të shfrytëzohet dhe gjatë kësaj presidence, mbasi, siç pohojnëshumë analistë dhe vëzhgues diplomatikë “kompromisi alla belg tanimë është më i nevojshëm se kurrë”.
Një avantazh tjetër i madh i kësaj presidence është se si vend bashkëthemelues dhe mikpritës i pothuajse të gjitha institucione vetë BE–së, i fondacioneve, tankeve, medias i mbi 12.000 lobistëve, etj, Belgjika njeh mirë nga brenda ”mekanikën dhe teknologjinë” institucionale të BE-së në të gjitha qelizat e saj.
Avantazhi dhe garancia tjetër e madhe ka të bëjë me aftësitë, kapacitetet, burimet e bollshme dhe traditat e saj shumë planëshe diplomatike elitare europiane. Kështu, belgu Paul – Henri Spaak, Sekretari i parë i Përgjithshëm i OKB-së është ndër “Baballarët” dhe Presidenti i parë i Asamblesë së Përbashkët të BE-së. Gjatë 4 dekadave të fundit, kryeministrat e saj të mirënjohur, i ndjeri Wilfried Martens dhe Luc de Haene, deri te ai më i riu, Guy Verhofstadt kanë qenë përkatësisht president i Partive Popullore Europiane, Nënkryetar i Komisionit Kushtetues të BE-së dhe Kryetar i Grupit Liberal në Parlamentin Europian, ky i fundit deri në ditët e sotme; Ish Kryeministri Herman van Rompuy ishte President i Këshillit Europian gjatë periudhës 2009 – 2014, ndërsa Charles Michel gjatë periudhës 2019 e në vazhdim.
Gjithashtu Belgjika ka patur e ka me dhjetra komisionerë të rëndësishëm të BE-së, ku spikatin të gjithë ish ministrat e saj të jashtëm dhe miq të vendit tonë.
Belgjika ka një trupë diplomatike të konsoliduar; atje konkurset për rekrutimin e diplomatëve kanë filluar 1 shekull më parë! Ambasadorët e saj jo vetëm nuk i lenë gjë mangut kolegëve të tyre amerikanë dhe europianë, por në disa aspekte, si zotërimi i disa gjuhëve të huaja, konfidencialiteti, diplomacia ekonomike, etj janë dhe më përpara.
Gjatë punës mbi 10 vjet në Ambasadë dhe misionin tonë pranë BE-së në Bruksel kam parë dhe ndjerë nga afër profesionalizmin, dashamirësinë dhe promovimin e tyre të merituar. Për njerën prej tyre, Theodora Gentzis, ish kolegja imepërpara 12 viteve, e sapoemëruar Sekretare e Përgjithshme e MPJ-së belge, këto ditë e përditshmja prestigjioze “La Libre Belgique” shkruante se ajo hyri në MPJ me 2001 si ”një dorë e vogël” por sot drejton si e madhe në Ministrinë e Jashtme Belge.
Një ndër ambasadorët më të zotët, François Roux ka kaluar në të gjitha metropolet më të mëdha të botës dhe ato të BE-së, ish drejtor i Përgjithshëm për BE-në dhe ish shefi i kabinetit të Presidentit Charles Michel. Aktualisht është bashkëpunëtor i lartë në Institutin e famshëm Mbretëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare“ Egmond” në Bruksel, si pika më e mirë e referencës për çështjet europiane.
Praktikisht, Presidencën e tanishme do ta menaxhojnë, natyrishtnën drejtimin e Kryeministrit Alexander De Croo Ambasadori brilant, Villem van de Woorde, Shefi i Përfaqësisë së Përhershme belge pranë BE-së me zëvendësin e tij Pierre Cartuyvels. Themi kështu sepse praktikisht vendimet e BE-së ”ngjizen” dhe si glohen nga ambasadorët e 27 vendeve anëtare të BE-së (COREPER).
Pikërisht për këto dhe të tjera arsye, në Bruksel dhe në metropolete tjera të BE-së, ekziston besimi në përballjen me 10 kryesfidat nga ana e Presidencës Belge.
—–
©Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016