Prof. Dr. Bardhosh Gaçe
Shkrimtari Petro Marko kurrë nuk mund të kuptohet dhe të njihet mirë pa kuptuar parashtresën se ai dhe krijimtaria e tij është një simbiozë e shenjtë, ku ai gjeti veten dhe vendlindja e tij gjeti veten në krijimtarinë e tij. Petro Marko, ndoshta ndryshe gjithë shkrimtarëve shqiptarë apo dhe poetëve, e ka shenjtëruar në mënyrën më shpirtërore dhe më të mirë vendlindjen, mjedisin, detin, familjen dhe të afërmit, ritet e zakonet, karakteret dhe kohën e cila ka mbetur në përjetimet dhe kujtesën e tij që nga mosha fëminore.
Askush më mirë dhe më shenjtërisht se sa Petro Marko nuk ka arritur të përfshijë në karakteret e personazheve, por dhe në karakterin e tij njeriun e Bregut të Detit, i cili mbart në vetvete kohët dhe ngjarjet e shumta që e kanë ndjekur atë dhe vendin e tij për shkaqe të njohura që në primitivitetin e njerëzimit. Grimca, detaje, rituale dhe besime, relike, një psikologji e hollë e qytetarisë së trevës së tij, përshkon jo pak personazhe, mjedise dhe gjendje shpirtërore të tijat dhe të njerëzve që përbëjnë universin letrar të tij në veprat e shkruara.
Petro Markon nuk arriti ta ndante asgjë nga Dhërmiu dhe Himara, as luftërat, as burgjet, as degdisjet dhe as mosha, ai qëndroi dhe kurrë nuk i reshti dialogët me “Retë dhe Gurët”, me qeniet mitologjike që rrinin në “Shpellën e Piratëve”, por dhe ata që hëna i zbriste në malet që rrethojnë Himarën për të përshpëritur në mendjen dhe shpirtin himarjot kumtet hyjnore dhe të perëndisë. Kjo lidhje e fortë e Petro Markos fatmirëisht u “strehua” në krijimtarinë e tij të gjerë dhe të mrekullueshme.
Petro Marko vinte në letërsinë shqiptare, në prozën shqipe (romanin shqiptar) nga një përvojë e pasur dhe e suksesshme, i cili kishte krijuar profilin e tij para autorëve të pas viteve 1945, i cili ka udhëtuar me letërsinë e tij në një det me dallgë të ashpra, ku dukej dhe zhdukej, ky fundosej dhe dilte prapë mbi ujë, një udhë-jetë e vështirë, për të cilën ai ka rrëfyer vetë në njërin nga librat më të bukur dhe më interesant të ndonjë shkrimtari shqiptar.
Libri “Intervistë me vetveten” (Retë dhe Gurët), përveçse është një libër me të vërtetat e jetës së shkrimtarit, brenda të cilës kishte dhe të vërteta të tjera, është vlerëuar dhe një vepër e llojit letrar, pasi në të lëviz fati i një personazhi të caktuar (i vetë shkrimtarit) në një numër të madh marrëdhëniesh, në një dramë kolektive dhe të vetë autorit. Një rrëfim autentik, i mbushur me të vërteta të mëdha nga jeta e tij, por dhe nga një kontekst i gjerë marrëdhëniesh dhe informimi, Petro Marko sjell një shpjegim racional të tij si shkrimtar për jetën, shoqërinë dhe për artin për një kohë mjaft të gjatë.
Librat e kësaj natyre, të rrëfimit të shkrimtarëve për jetën e tyre, janë ngjarje dhe burime të rëndësishme dhe për letërsinë në përgjithësi, për kohën, ku janë shtresuar të dhëna të tjera sociale, ku reflektohen qëndrimet e institucioneve dhe të rrethanave kulturore- historike.
Petro Markos kishte një kujtesë të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare për kohën; ai kishte prekur nga afër dy luftërat botërore, një luftë e karakterit gjithë- ndërkombëtar, luftën e brigadave internacionaliste në Spanjë kundër diktatorit Franko, kishte prekur dhe kishte qenë njëri nga vuajtësit e internimeve të egra në dhera të huaja (Itali), që siç tregon dhe ai vetë ne romanin “ Nata e Ustikes “ ,kishte shpëtuar në dy raste nga vdekja. Ai është një personazh i rëndësishëm i memories së luftës me epike në historinë e njerëzimit, Luftën e Spanjës, që bashkë më një masë shkrimtarësh më të mirët e kohës. Kështu që gjithçka ai kujton në një llojë monologu më veten është e rëndësishme, jo vetëm për kujtesën e tij dhe letërsinë, por dhe kujtesën shqiptare në përgjithësi.
Libri “Intervistë me vetveten” (nën një simbolikë sintagmatike “Retë” dhe “Gurët”) ka një llojë “diçiture” parathënëse, e cila nyjëton elementët e brendshëm psikologjik, kohën, njerëzit dhe lidhjen e tij qenësore me formimin e tij. Nëse do të konsideronim se libri ka qenë një projekt, refleksioni i Markos për të nis nga një gjendje e fortë medituese nën simbolikën ekzistenciale të reve dhe gurëve, ku ndër të tjera shkruan:”Thonë se gurët e mëdhenj atje poshtë në Shënmëri janë burrat që janë kthyer dhe kanë vdekur në vend. Po të jesh trim e zemërbardhë e po të shkosh andej natën, i dëgjon të dëftojnë historinë etyre.Po të jesh frikacake zemërlig nuk i dëgjon dot. Kurse ata burra që kanë ikur dhe kanë vdekur në kurbet janë bërë re… Vijnë , qajnë dhe ikin. Dhe mbi spitharët më poshtë, afër bregut mblidhen lotët e tyre, siç mblidhet uji i shiut…”, që përbën dhe metaforën e vetë librit në një marrëdhënie të natyrës universale, për shkakun e hapsirës horizontale, vertikale dhe simbolikës përtej asaj që shihet dhe preket.
Në të vërtetë Petro Marko, nuk vinte nga hiçi, por nga Dhërmiu i tij, Himara e njohur historikisht me traditat, kulturën, zakonet, të dhënat e shumta të lidhjeve të saj me Lindjen dhe perëndimin, vendin e kanoneve dhe të dhënat e shumta si një vendbanim i hershëm që nga ilirët. Petro Marko ruan një lidhje të fortë me fëmijërinë e tij dhe fshatin e tij të lindjes, të cilin e quan “fshati më i bukur në botë”.
Ai nuk ka pasur një fëmijëri të lumtur, por një fëmijëri të mbushur me një ndjesi të fortë, ku në kujtesën e tij reflektohet herë pas here figura dhe imazhet mbizotëruese të mama Milles (gjyshja e tij), për të cilën ai shkruan, se mama Mille “ishte një burim i pashtershëm i rrëfimeve, i legjendave, i vajtimit dhe ligjërimit me vargje. Ajo, gjersa vdiq, qante dy orë në ditë me ligje në dhomën e saj…” Dhe kjo ngjarje e përsëritur në jetën e një familjeje kaq inteligjent e nuk është pak për krijimtarinë e tij të mëvonshme.
Duke qenë njëri nga shkrimtarët, i cili kaloi kalvare të shumta, veçmas atë të sistemit totalitarë në Shqipëri, Petro Marko përbën një dritare për të parë nga brenda jo vetëm jetën e tij prej shkrimtari, por dhe atë të kohës, e cila ishte një nga zhgënjimet e shkrimtarit, i cili në thelb ishte për politikat sociale, ku besonte se luftërat do të sillnin ditë më të mira për njeriun dhe lirinë në kuptimin universal të saj. Prej të gjithë kësaj ëndërre, që e kishte ushqyer me përfshirjen e tij në Luftën e Spanjës, pastaj në Itali dhe së fundi në Shqipëri, ai përjetoi një zhgënjim të madh, ndërsa shpëtimi tri herë nga vdekja, ishte një lloje fati për t’u “rrëfyer” në librin “Retë dhe Gurët”.
Libri “Intervistë me vetveten” (“Retë” dhe “Gurët”) në vetvete është një vepër letrare, pasi atë e përshkon një gjendje emocionale e dukshme dhe është ndërtuar mbi dy pjesë të rëndësishme, atë që zë periudhën e hershme, për të cilën studiuesi i njohur Agim Vinca e siglon “Petro Marko plak, interviston Petro Markon e ri”, pasi këtë libër shkrimtari ka nisë ta shkruajë në moshën 64 vjeçare, dhe pjesa e dytë, për të cilën Vinca shkruan përsëri “Petro Marko plak, interviston Petro Markon plak”, që nënkupton dy periudhat e rëndësishme jetësore të tij.
Në këtë qerthull të gjatë kohor, Petro Marko sjell një informacion të rëndësishëm të turbulencave të mëdha që ai kaloi në jetën e tij reale dhe në jetën e tij si shkrimtar. 1947 arrestohet (dënohet me pushkatim), 1950 akuzohet si agjent i anglo-amerikanëve, 1967 e çojnë në Elbasan; për riedukim 1973, kur ka shkruar dramën “Niku i Martin Gjinit”, ri- akuzohet, po kështu, në vitin 1973, romani “Një emër në katër rrugë” i shtypur, ndalohet me pretendimin se në të aludohet për një Shqipëri diktatoriale, ndërsa në vitin 1977, vjen dënimi i të birit (agjitacion dhe propagandë), me gjashtë vjet burg, ndërkohë po luftohej të fshiheshin nga kujtesa e librave romanet “Hasta la vista” dhe “Qyteti i fundit”.
Gati në të gjithë krijimtrainë, qoftë dhe poezinë, e cila zë një kohë të hershme në jetën e tij, por në prozën e gjatë dhe romanet kryesisht, Petro Marko në librin “Retë dhe Gurët” evokon fëmijërinë e tij, një lidhje e fortë shumëdimensionale me vendlindjen, Bregdetin e Himarës, zakonet, jetën e njerëzve .
Në librin “Retë dhe gurët”, regjimet, deti, toka, gurët, malet, koha, njerëzit dhe zogjtë përbëjnë shtyllat mbi të cilat qëndron romani jetësor me të njëjtin titull, ndërsa vetë-rrëfimi përcjell dhe të kujton traditën e rrëfimeve të bregasve tek një “autoritet” i besimit, që zakonisht ishte prifti, pasi dhe vetë Petro Marko e ka origjinën nga një fshat shumë besimtarë i bregut të detit. Bregu i detit të Himarës ka legjenda, që janë bërë të njohura dhe trashëguar nga brezi në brez në forma dhe mjete të shumta të komunikimit, të cilat kanë pasur një ndikim të madh të respektin e besimit kristian tek njerëzit. Këtë traditë rrëfimi Petro Marko e sjell në libër me anë të vetë-rrëfimit të tij të sinqertë, kur shkruan:”Megjithëse unë linda i krishterë, në një fshat shumë besimtar, nuk i jam rrëfyer kurrë priftit përpara se të kungohesha… Por tani dëshiroj të rrëfehem para historisë, përpara se të vdes…” .
Në pjesën e parë të librit “Retë dhe Gurët”, e cila përbën tabanin dhe pjesën më të rëndësishme për të kuptuar mjedisin, Bregdetin e Himarës , edukimin dhe kulturën në të cilën u krijua personaliteti i Markos, e që do të mbetet gjatë gjithë jetës, pavarësisht shtegtimeve, kalvareve dhe rrethanave të shumta jetësore, përveçse flet për fëmijërinë e tij, ai flet për prindërit, gjyshërit, të afërmit e tij, për një mjedis ku respektoheshin dhe përdoreshin ritet e caktuara, kishte zakone të shumta në jetën e banorëve të Dhërmit të tij dhe të Himarës, duke qenë ndoshta pjesa më e bukur dhe më e rëndësishme e librit. Përmes një vetë-rrëfimi të lirë, Petro Marko sjell në imazhin lexuesit një botë interesante, e cila në një mënyrë a tjetër do të shfaqet në krijimtarinë e tij, po me petkun e fëmijërisë, duke na rrëfyer në një farë mënyre dhe fëmijërinë e tij.
Vetërrëfimi në librin “Retë dhe Gurët”, duke qenë një nga librat më realë dhe i mirë- ndërtuar, veçmas në pjesën e parë, e cila është shkruar në një kohë kur shkrimtari kishte energji dhe fuqi të madhe për të komunikuar, për shkaqet e njohura tashmë, është një burim i rëndësishëm dhe referues për një pjesë të madhe të krijimtarisë së tij. Ndërsa mama Mille është një figurë interesante, pasi ajo “ishte burim i pashtershëm i rrëfimeve, i legjendave, i vajtimit dhe i ligjërimit në vargje. Ajo gjersa vdiq, qante dy orë në ditë me ligje në dhomën e saj”, studiuesit e letërsisë (romaneve) të Petro Markos, mendojnë se personazhet dhe shumë ngjarje të romaneve “prekin” jetën e shkrimtarit.

Romanet “Një emër në katër rrugë” dhe “Nata e Ustikës” kanë pikëtakime që lidhen me jetën e Petro Markos, i cili ka provuar burgun dhe izolimin në Itali dhe në Shqipëri, është rrezikuar disa herë të ekzekutohet, por shpirti triumfues që lufton për ideal brenda tij nuk shuhet. I tillë është personazhi i Gori Gjinlekës tek “Hasta la vista”, personazhi i Lekë Gurra tek romani “Qyteti i jugut”, personazhi i Gjin Bua-s tek romani “Një emër në katër rrugë” apo personazhi i Andrea Borës tek romani “Nata e Ustikës”. Me Gjin Bue Shpatën dhe dinastinë e tij shkrimtari lidh dhe origjinën hershme të familjes së tij. Në fund të fundit, gjithë kjo kronikë e hapur është një tablo në të cilën shfaqet dhe shoqëria e kohës.
Në vetë- intervistën e Petro Markos (“Retë dhe Gurët”) shfaqen njerëzit, emra të njohur që nga Asim Vokshi, Xhemal Kada, Ramiz Varvarica, Esat Miftari, Mehmet Shehu, Skënder Luarasi, Justina Shkupi (bashkëluftëtarët e Luftës së Spanjës), po ashtu dhe miqtë e tij si Migjeni apo Dritëro Agolli, të cilët janë karaktere njerëzore që nuk mund të harrohen apo kalohen lehtë, por as njerëzit e politikës (vetë Petro Marko është burgosur nga regjimi i Zogut, nga fashistët italian dhe nga ai komunist i pas- viteve “45), ashtu siç nuk mungojnë Ernes Koliqi, që ia ka shpëtuar jetën në Itali, Koçi Xoxe që i ka shpëtuar jetën në Shqipëri, të cilët ishin të anatemuar nga ideologjia e kohës, por shkrimtari i madh Petro Marko, duke mos shkruar për ngjarje, arrin të ndajë njeriun nga pjesa tjetër që koha iu kishte mveshur. Petro Marko në rreth 17 sfida të mëdha jetësore (luftëra, burgosje, partizanë, arrestime, izolim dhe tortura psikologjike, akuza për tradhti, ndalim botimi, internime), mbetet një idealist stoik për drejtësi dhe barazi shoqërore. Një qasje e tillë do të haset dhe në karakteret që përcjell romani “Qyteti i fundit”.
Në veprën letrare “Retë dhe Gurët”, Petro Marko ka një prirje interesante që më së shumti lidhet me shqisën e një romancieri të veçantë, ai dashje pa dashje sjell karaktere. Marko ishte shkrimtari i karaktereve, të cilët i ka zbuluar në ngjarje të shumta , në njerëz të shumtë. Romani “Nata e Ustikës” ka një galeri karakteresh, qoftë dhe të bashkëshokëve shqiptarë të shkrimtarit.
Libri “Retë dhe Gurët” ka një lidhje të fortë dhe të dukshme me të gjithë krijimtarinë e tij, që nga romani “Shpella e piratëve”, ku nanuris dhe fëmijëria e tij, romani “Një emër në katër rrugë”, ku ngre zëri në çdo rast refreni “Rroftë jeta!’, një shqisë e cila lëvrin në të gjithë krijimtarinë e tij. Në librin “Retë dhe Gurët”, ka një nyjëtim konceptual, në të cilin shkrimtari vertikalisht nën një emërtesë “Rregjimet” recepton “njoftime” për detin, tokën, malet dhe kohën, që gjithsesi përthyhen tek “Njerëzit” që jetojnë dhe “Zogjtë” që fluturojnë hapësirave, pasi libri është ndërtuar mbi hapësira dhe marrëdhënie të natyrës së intertekstualitetit.
Në të gjithë rrugëtimin, që Petro Marko na e ka afruar përmes një vetrrëfimi të hollë dhe shpirtëror, natyrisht duke qenë dhe një udhëtim dhe në krijimtarinë e tij, duket se lëviz njeriu, ai njeri i cili lufton për një ideal, ku njerëzit të jenë të lirë dhe të barabartë, shëmbëllimet të të cilit i gjen tek Gori Gjinleka (Hasta la vista), Lekë Gurra (Qyteti i Jugut), Gjin Bua (Një emër në katër rrugë) dhe personazhe të tjerë të Petro Markos.
Ndoshta ato shprehjet “njeriu i malit” apo “njeriu i detit” gjejnë kuptim të plotë kur vendos të lexosh romanin “Shpella e piratëve”, romani më i bukur i Petro Markos, i cili nuk lexohet vetëm nga fëmijët, por dhe nga të rriturit. Niko Dabo është një peshkatar i vjetër, i cili ngjan me një enciklopedi, i vërtetë, i drejtë, përmes të cilit shkrimtari “ndërton” simbolin e bregdetasve, të cilët në një mënyrë apo tjetër, jetën e tyre e kanë të lidhur me detin. Niko Dabo flet me fëmijët, dialogun me ta, dhe kjo kthehet në një mundësi të madhe për shkrimtarin, i cili mbart cilësi dhe tipare të veçanta, mbase nga ngarkesa që atij i ka dhënë shkrimtari, qoftë në ecje, në veshje dhe botën e tij të brendshme.
Dialogu i tij me fëmijët (dhe të tjerët) përmes raporteve dhe këndvështrimit që Petro Marko ka për detin dhe atë që ai fsheh si kohë, si ngjarje, si kulturë njerëzore, si mentalitet njerëzorë etj, kthehet në një dialog ndërmjet kohëve. Përmes kësaj marrëdhënie, merr një fuqi simbolike shpella, ku mund të zhytesh në histori që nga të parët nëpër një botë të madhe reliktesh. Në shpellë, ku shtresohen historia dhe historitë, me ç’rast autori depërton në kohët e errëta, në ngjarje, njerëz, të dhëna dhe dëshmi, në florë dhe faunë, në të vërteta , në raportet e të kaluarës për të tashmen dhe të tashmen për të kaluarën, duke krijuar një lloje tredimensionaliteti. Shpella me misteret dhe të vërtetat, të cilat i përpijnë mendjet fëminore, ndërsa libri i shkruar që gjendet në shpellë, e që e çon zbulesën në vitin 999, ku rrjedhin ngjarjet për Gjonbabën, Gjonbirin, Gjonnipin (një përmendje kohësh dhe njohjesh përmes emrave) përbëjnë në thelb parabolikën e librit, d.m.th të sotmes me të kaluarën e largët.
Në thelb libri mbart në vetvete historinë e lashtë shqiptare, e cila për shumë arsye është ruajtur në shpellën e piratëve (piratët?), ka mbetur aty, por që u ka mbijetuar kohërave, pasi gjithherët gjendet një fosil, një konvencë dhe një shenjë që nuk e zhbën asgjë, e në këtë kuadër Petro Marko mbetet një shqiptar i madh dhe i vërtetë, kurajoz dhe një përndritës i këtyre vlerave.
Duke përdoruar paraboliken që e çon lexuesin dhe vëmendjen e fëmijëve në vitin 999, duke qerthulluar mbijetesën e Gjonit (baba, biri, nipi) rreth trungut të lashtë, duke receptuar fjalët bazike shqipe si “mirditë” apo ndonjë tjetër, duke sjellë jehonat e këngës labe etj, ai ka dëshmuar një të vërtetë të madhe për historinë, lashtësinë, njeriun e bregut, kulturën, traditën dhe mbijetesën, siç është shpella, e cila fsheh, e cila është një lloj shpëtimi, por dhe një muze i etnokulturës dhe etnogjenezës.
Ndërkohë Petro Marko është një njohës i mirë i florës, faunës, ngjan dhe si një peshkatar i mirë (ai përmend dhe njeh të gjithë llojet e peshkut që rrit Bregu i Detit), llojet e agrumeve, njeh historitë e piratëve, që shfaqen si grabitës, herë- herë ai kalon deri në trajtime gati mitike, ndoshta për natyrën e fëmijëve, të cilëve u pëlqen shumë fantastikja dhe e jashtëzakonshmja.
Por, dhe pse romanin e përshkon një botë gati fantastike, rrëfimet që dalin nga goja e peshkatarit të vjetër janë kaq tërheqëse, shkrimtari arrin të ruajë raportet me natyrën dhe me të tashmen. Dielli dhe deti kompozojnë një metaforë, e cila i takon një fushe tjetër dijeje për ta zbërthyer, por të shkuarit tek rrënjët nga ne vijmë, pleks një vëzhgim të hollë, të interpretuar përmes rrëfimeve apo aventurave, që në të vërtetë e tejkalon mesazhin për moshën fëminore.
Dhe Himara mbetet aty me gjithë historinë e saj, me gjithë trimat e njohur të saj që nga lashtësia, ku ndrisin vargjet e këngës së njohur:”Kush është lule e vilajetit/ që i ka bota sevdanë/ Himara në breg të detit/ të shtatë që janë/ rreth e rreth anës së detit/ stisur në Akroqeranë/ i tregojnë gjoksin dovletit/ si zogjtë në tramundanë/ të penës dhe të dyfekut/ aman trima kapedanë.”…